Dienstag, 24. März 2015

Naime Beqiraj

Naime Beqiraj ka lindur më 10.08.1967 në Pejë, ku kreu shkollën fillore dhe atë të mesme. Kurse studimet për Letërsi dhe Gjuhë shqipe dhe ato pasuniversitare i ka mbaruar në Univesitetin e Prishtinës.
Ka punar gazetare dhe redaktore e kulturës në disa revista dhe gazeta shqiptare. Është anëtare e  PEN Qendrës së Kosvës dhe që nga viti 2009 është anëtare e Këshillit Drejtues të RTK-së.
Naimja, është padyshim njëra ndër poetet shqiptare që i jep shpirt poezisë. Poezitë e saj janë prezantuar edhe në gjuhë të huaja dhe janë përfshirë në shumë antologji të poezisë shqipe. Njëherit, ajo ka fituar edhe disa çmime letrare për poezinë.

Veprat:

  • "Mbi Siparunt" 1990
  • "Maket Kosove" 2000
  • Njomja e fikut” (2009)


Poezi nga Naime Beqiraj

NJOMJA E FIKUT

Fotografi të shkretëtirës
Njomështohen
Në shtatin tënd.
Tharja është punë tjetër
Siç është ringjallja
Nuk do ta quaj vetmohim
Ti ike e shpëtuar
Nuk është veç kthim fizik
Pamja e pasqyrtë e Noas
Shtëpia, shkretëtira, arka
Qeshja, siç ndodh në fillim
Duke plasur
Si mëkatarët
O arka qiellore
Ktheja njomjen fikut
Bëje të shfaqet më i njomë se kurrë
Në mes të dasmës.
O arka qiellore
Ma mbyt këtë mall
Këtë dritare të vrugët
Që më zuri befas


 
Oksigjen troha-troha

U bë të t’i numëroj çarjet
E pabesueshme
Qan rrëmbimi yt
Pasi më krijove vetë
Ngjitma dorën
Ndoshta e bëjmë më lehtë
Qafën e Sizifit
Kalorës të flaktë
Ta përshkojnë oborrin
E marrë me qira
Prapë u përbeva mos të të lus
Të mashtrohemi si në lojë
Pa rregulla
Natën e mirë
Do ta mundësh veten
I hirshmi luftëtar
Mjegull e thatë dhembje e butë
S’shkrin sy as rrugë
Si e mbledh atdheun troha-troha




Motra e Heliosit

Ajo mund të mos hynte lehtë
Në përjetësi
Edhe nëse gishtat do
t’i pikonin ambroz

Fjalë oborrtare
I flakte si lajkat, më
nuk mund ta shikosh
Me bisht syri
As me dhurata pa dashuri
Se është motër

Kupat e holla
Si brishtësia e gishtave
Perëndisht e dhembshme
Motra e Heliosit
Motra e Mikelit
Motra e Agimit
Motra e Besnikut

Kush s’ia pa
Delikatesën e së kaltrës së syrit
Vëlla, ku i ke shokët
E fal njërin, e fal tjetrin
Por nuk harron

Nuk i bën dot psikologji motrës
së luftëtarit
Se e ruan madhëhija pa idil

Mos luani e bëni nishane,
Përulje pa fre, llogari, fantazi
Nuk e ndëshkon vajtimi
Hiri i Zotit e shkruan kurajën

Është motra e luftëtarit të hershëm
Që s’arriti të merrte gradë



Vjeshtë me grila

Kur nisesh për botë
Saranda
në jug të Arbërisë

Një më pak se shtatë grila
hekura të gjera balkoni
s’e kap një pëllëmbë Joni

Hekur përzier me suvalë
grilat më sjellin sall
forma trupi të pulëbardhës

Mbishkrimi ”Butrinti”
nga larg më vjen së prapthi

Kur kthehesh nga bota
Sarandën e gjen në derë

Sarandë, tetor ’90



Ecje

Po të ishe lojtar
mund t’i shkoje pranë

podiumi s’është vrap i atit

kë të mësoje
para se të përgjakin mishin e thoit
para se t’i shkulin gishtat

s’e hedh hapin
përplas këmbët
gju më gju

1993



Vëllamadh

Fort i dashtun
me u ndje keq

me e mallkue veten po pse
të parin plumb gjoksit

kur e di këngën e Tedelit
e var vajin e hijes së pishës

e mbarove vetë dashjen
sa të pikëlloi agimi rrugës

i dashtun sa s’ka
me e shkue kor dashjen

Pejë, 1994



Mal vetmie

Ka ditë e netë në ëndërr të shoh
në liqen në një varkë të humbur
tek më ik e nuk më njeh
e unë të ndjek si dritë si flutur

Të kam sjellë sa trishtim
pa ajër të fala dashuri
më nget malli me verbim
e bota më sjell mal me vetmi

Fotose të zverdhura më sjell pranvera
kush s’ma heq gurin me thep
shpesh të lëndova s’e di sa të desha
loti i vetmisë në ëndërr më shqet

Vetmia qenka sëmundje e vjetër
lot e patharë je pa dashuri
sillesh në vend si disk i mbetur
tek humb fjalët ngatërron melodi

Të lashë të prisnje ta mbylla derën
heshtas më fale se më deshe shumë
heshtas më lute: pashë pranverën
lejomë vetëm të të shoh në gjumë

Blirët sa kanë çelur e falin aromë
si i bardhë shpirti yt në maj
dhuratë dashurinë me lule mimozë
e dogja vetë se s’dita ta mbaj

Më ler vetëm të të përshëndes
vetëm ndjesë të të kërkoj
mëkat i valë në shpirt mos t’më mbesë
me shpirt të bardhë veten ta takoj

Prizren, 21.11.96




Xhubletë e nej’me n’kambë

1.

Nuse e re
E tun dheun
Për nër udhë
E trash’gueme si kangë gjarpni
E dorë drapni
Kangë tepsije
E pshtetme si pehrri
E tjerrun holl

As zjermi s’e djeg
As guri s’e shpon
Pika e ujit s’e lag
Pika e lotit ia shtjerr tokën
Nër hije
Asni l’gim s’i bjen trupit
Ni ditë t’bardhë si tamli
Për ‘i fije
Ke tuj e marr prroni
Por e pshtoj xhumbleta

E punueme tuj andrre vetën
Herë si flutur
Herë si pallue
Herë si mret’neshë
Mërthe, zbërthe
E zeza mi t’bardhë
Xhubletë Dukagjini

As ylberi s’i kite
Ngjyrat e saj
Nanë e nuse
Meta çikë si lot i kuq


2.

Ni drangue u mshef
Si natën e xherdekut
Me fijet e preme t’xhubletës
T’dame prej burrit
Me gërshanë
Nana jeme
Del doj natë
N’andërr
Kraht e mirë me t’i pa
Kraht e nrejt mos me i kthy
Mas

Fjalë i çova mbramë
Hajde ‘i grim për natë t’çikave
Si xhubletë e nejtme n’kambë
Motërnisht e betueme
Palë vertikale
N’pe t’sermit
Para Homerit
Me t’shoqen



Poetët desin n’kambë

Shoqni,
Juve, as ni here
nuk ju dulën përballë
çikat me tabake n’dur
e mi to gërshant
për me pre shirita

ju i dashtët çikat
gratë e hishme
që kurrë s’ju nejtën
t’varme për shtrati

ju nuk ditët
çka asht
me futë brisk n’trup
e brisqit ju enshin nëpër gjak

qe vetne ni herë Shkrelin, Podrimen, Berishen
Jorgonin, Elshanin, Kukajn, Deskun, Gërvallën

Shoqni,
Herët e msut prrallën
Për Prometeun

Qysh nuk ju thash ni here
Rrini ulun bre burra




Deka nuk asht pshtim

1.

Me t’bardha me u vesh
Durt tanë unaza e bylyzyk
Me lula me ma hidis nurin
Krejt me m’nash t’gavruem

Nanë nuk kam mem vajtue
Motra diq e re
As cike, as teze as hallë
Vajtojcet janë rrallue

-Natën m’ke vra
Mos m’kaj ditën

N’arkivol me lula
Asni parë syza s’kishin me m’ra
Sytë t’vogjël
Qerpiktë tepër t’gatë
Lot’t s’kanë me mujt me i njeh

Lot’t n’mjekërr
Lot’t n’prehën
Frikë a dhimbt

Mos m’le me u fik
Dheze zjemin prap
Edhe verë n’qilloftë

Deka nuk asht p’shtim

2.

Oqeani ka me u përtri
Kur t’ma ruen urnën
Ani pse munet me pas tallaze
E hinin me ma përbi peshqit

Unë prap kam me t’lyp
N’krah me m’majt
Me dal bam prej ujit
E kam me besu
Se zani ka me mu forcu
Kam me i ndi të tanë
-Asni kamb s’ka me mujt
Me ja shkel f’tyrën cik’s

Ti ki me kanë i jemi
Ki me u dorëzu tuj thirr
Pa mujt, gishtat me i l’shue n’tokë

As arkivoli me lula
As urna rrethu me rubin
S’kanë me mujt
Sytë me m’i mshel

mars, 2015



Të lënët pas

Lehtë e lumtur
Pothuaj modeste
Muaj e mote lutje
Mos t’ma zërë syri
Shpinën e tij duke u larguar

Kisha ndërtuar vende sekrete
Duke u kandosur
Për t’iu bërë shoqe e mirë
Jo për shkak timin
Por për të mos e lënë të humbur

E kisha ndjekur ndër kombe
Mbuluar, siç do të më imitonte
Porosi të lëna pezull



Kaprolli

Pylli i përshtatshëm
Për gjahtarë pa lejë
Je i vogël
Kaprolli im
Ti s’di të lutesh
Që gjahtari të ndërrojë mendjen
E të marrë rrugën majtas

Mund të jesh bredhacak
Edhe ndonjë javë
Bashkë me kuptimin
E ikjes
Për ekzistencë

A hidhërohesh
Të të quaj
Dre budalla
Që e mendon të butë
Armën e gjuetisë
Pyjet po shtohen në pranverë
E ti po rrallohesh
Mos ngurro vogëlushi im
T’ia heqësh mendjën tytës
Jeto një ditë si skile
Sa për të harruar se ka keqbërës

Kuptimet për ty s’do të fashiten
E në atlasin zoologjik
Do të jetë ilustrimi
Na ishte njëherë nëj kafshë e bukur
Që quhej kaproll

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen