Mittwoch, 25. Juli 2018

Sheremet Prokshi

Sheremet Prokshi

Sheremet Prokshi lindi në fshatin Fortesë (Vërbofc) të Drenasit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje ndërsa normalen dhe SHLP në Prishtinë. 
Që nga viti 1974 punon si arsimtar. Me poezi merrej prej kur ishte nxënës dhe deri më tani ka të botuara këto vepra:

  1. Iliria, drenushë me halle,
  2. Fluturat lozonjare,
  3. Diell për Çamerinë,
  4. Shkronjat nëpër vargje,
  5. Ku merr frymë shëndeti,
  6. Fortesa e fundprillit ’99,
  7. Gjyshja nga Presheva,
  8. Mijëra vargje për ty nënë,
  9. Hëna me dy faqe, dhe e fundit
  10. Macja laramane.

Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i disa shoqatave tjera, si dhe është përfshirë edhe në dhjetra Antologji e në tri vepra me kritikë letrare.
Shkruan kryesisht për fëmijë, po edhe për të rritur.
_ _ _ _ _


Sheremet Prokshi: Nga cikli i poezive për Dodonën.

NË KËTË KOHË PA GJUMË E FJALË

Eh ç’mu ngjall një ritëm kënge
Në këtë kohë pa gjumë e fjalë,
Për ty Donë, për ty gjithnjë
Det jam bërë me rërë e valë.

Në atë rërë veç TI shtrin trupin
Rrezet diellit ia venitë,
Si në ëndërr më vjen pranë
Sytë drejt qiellit të bëjnë dritë.

Pyes çfarë ndjen, çfarë pëshpërisin
Buzët tuaja kuq si alli,
Mos veç ty moj e uruar
T’vjen ky zë që shkrepë nga malli.

Veç një orë moj, veç një orë
Të më zgjaste ai sy gjumi,
Ndodhë që ëndrra do më sillte
Një frymë tjetër skaj Osumi.



UJNAJA MAGJIKE

Unë e kisha parë 
Dodonën ku rrinte,
Ku lidhte gërshetin
Ku hidhte shiqimin,
Si i ngjitej lehtë 
Pyllit me fistiqe
Dhe si cak të fundit
E kishte Burimin.

Vërtet çudibërës
Kjo ujnajë magjike,
E gjejmë mbushur plot
E pastaj shterron,
Prapë në mes të ditës
Lart e ngrit nivelin
Deri në mëngjes
Me të shpejtë vrion.

Aty lante faqet
Sytë, ballin e qafën
Me duar e fërkonte
Trupin gjer te beli,
Ai që e shikonte
E shitonte zana
Por ketë se përfillte
Piktor Kokodheli.

Ai thonë me penë tushi
Tush të asaj kohe,
Shndërrohej në hije
Sytë ia vizatonte,
Pas pak me kujdes 
Ngjyrat i përzinte 
Me brushën e hollë 
E portretizonte.

I shpërthente muza
Edhe vet hyjneshës,
Thuhet vargje ritmi
Thurte në poezi,            
Vinte fluturimthi 
Një pëllumb i bardhë 
S’bashku me të bukuren
shprushnin melodi.

Me mallë i këndonte
Të dashurit në front
Duke mbrojtur Trojen
Nga mijëra barbarë,
“Ruaje diell e qiell
Ti hënë e bekuar,
Të ma kthesh Hektorin
shëndosh ti moj zanë”!...



MBI URË ME SHTATË HARQE

Rrjedh o lum i çiltër
Që vjen nga burimet,
Çfarë bartni tej grykave
Rërë a gurë përrojesh?
Apo sjell me vete 
Figura fildishi
Relikte mitike
Skulptura Dodone.

Ka ditë rri këtu
Mbi urën me harqe
Prej aty vrojtoj
Kalanë e Beratit,

Dëgjoj gurgullimën
Ujin si kristal
Që vjen me rrëmbim
Grykave të shpatit.

Kujtesën e kthej
Nëpër mileniume,
Kur zonjat pellazge
Zbritnin me zotërinjë,
Vinin epirotët
Nga brigjet e Jonit
Nga Arta, Preveza
Vasha e të rinjë.

Vinin nga Dardana
Nga Troja e Kreta,
Duke hedhur hapin
Këngëve ritmike,
Qindra krushq Janine
Shalonin kuajtë
Çamçe ngritnin shpatat
Valleve pirrike.

Prej Tune grup burrash
Delmatë e të tjerë,
Këngën nuk e ndalnin
As zurlë e tupana,
Lart qiejve përcillnin
Me dhjetra shqiponja
E me krahë të lehtë
Vrik zbriste Dodona.



TE PORTA E SHTATË

Po ç’më zuri nata
Prapë në këtë kala,
Meditoj e lutem
Te porta e shtatë, 
Vet me ke pas thënë
Nga aty nis loja
Si fëmijë kur hynim 
Në shpellën e gjatë.

Flitet e përflitet
Sikur në përralla,
Se diku më thellë
Është një shesh i gjërë,
Aty mbijetojnë 
Fillet e njerëzimit
E sotmja, e ardhmja
Aty është kanë thënë!...

Aty thonë është froni
Me mermer skalitur
Rojet janë të ngrira
Në bronz e allqi,
Thonë do vij një ditë
Prapë do të ringjallen
Kur unë ndjehem UNË
E ti ndjehesh TI.



MË NË FUND ERDHE DODONË

Sa po ngritej dielli 
Mbi kreshta Tomori,
Në kala qyteti
Festuan shumë të rinj,
Po e përgëzonin
Rean madheshtore
Veshur me kostume
Ngjyrash kuq e zi.

E te portë e shtatë
Një gjarpër fishkëllonte, 
Unë mezi arrita
Të ngjitem përpjetë,
Pritnim ta vërenim 
Dodonën e bukur
Si futej në shpellë
Me krahët e lehtë.

Asnjëri se pamë
Fytyrën e saj,
Dhe askund nuk dukej
Asnjë ciceron,
Ndërsa te Osumi
Muzika dëgjohej
Furishëm përhapej
Me një megafon.

Gjithë ditën e lume
Gumëzhinte qendra,
Mitet po ringjallnin
Ngjarje historike,
Flitej shumë për gjarpër 
Mikun e pallatit
Specien e përzgjedhur
Si roje  besnike.
Ktheheshim në kohë
Para mijëra vitesh, 
Kur Ballkani sotëm
Quhej ILIRI,
Kur me Donën flisnin
Zogjët e pëllumbat 
Shqip luhej këndohej
Me plot dashuri.

Flisnim të shtrënguar
Tok me disa miq
Gjithnjë të brengosur
Për të ardhmen tonë,
Me frikë mos po dilnim
Mbi fushë graviteti
Pa mjet fluturimi,
Pa krahë e balonë. 

Pyesnim cfarë bën Dona
Ku rri e ku ulet,
Mbase pushon shtatin
Në pallate shpelle, 
A ka për të ngrënë
Ndonjë ëmbëlsirë,
Apo i kanë shtruar 
Supen me bizele.

Ashtu të hamendur
Ecnim trotuarit,
Me shprehjen e fundit:
“Hajt se bëhët mirë!...”,
E mirë s’mund të bëhët
Kur t’keqën e ndjellim, 
Kur farnat e hidhura
N’tokën tonë i shtrijmë.

Korrik, 2018

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen