F A Q E T
▼
Freitag, 1. November 2013
Salih Zogiani - Anekdota 3
POLITIKËN E DINË VEÇ TRE VETA
Para luftës së fundit në Kosovë, disa gazetarë shkojnë mysafirë te një shok. Kur marrin vesh komshinjtë, shkojnë për të ndenjur, me shpresë se do të marrin vesh diçka për situatën politike në Kosovë, e cila atëherë ishte shumë e rëndë. Kur fillojnë t’i pyesin, një plak, që ishte te oxhaku, u thotë: - Mos hini kah politika, se nuk merrni vesh, politikën e dinë veç tre vetë!
- Po cilët janë ata tre veta? - i thotë njëri plakut. - Ata janë: - I pari - Klintoni, kryetar i Amerikës, se ai vetë e shkruen se çka ka me u ba. I dyti - Ibrahim Rugova, sa merr vesh prej Klintonit, dhe i treti mund me kanë naj budallë, n’koftë se ja qillon gon, - u tha plaku. Mbas këtyre fjalëve të plakut, asnjëri nuk fliste për politikë, nga frika se mos po klasifikohej në grupin e tretë.
2. JU E KENI KRYER PUNËN KUR E KENI ZBULUAR AMERIKËN
Një oficer i KFOR-it spanjoll kishte dalë për të shëtitur në Pejë. Kur e sheh një plak, i thotë përkthyesit: - Ndale atë plak, se po dua të di mendimin e tij, si janë sjellë ushtarët spanjollë, se ai tregon drejt. E ndal përkthyesi plakun dhe i thotë: - Ky oficeri i KFOR-it spanjoll po do t’ju pyesë se si janë sjellë ushtarët spanjoll, se këta, këto ditë, po shkojnë prej Kosovës.
- Nuk kam ndëgjue fjalë të këqija për sjelljet e ushtarëve spanjollë, e për që po shkojkan, thuej këtij zotnisë se këta e kanë krye punën atëherë kur e kanë zbulue Amerikën, - i thotë plaku.
3. KËTA PA REN E UNË PA MEN
Njërit të Bresalcit i kishin shkuar do miq të Vogoçincës mysafirë. Përpara mysafirët i kanë marrë me radhë nga një natë vëllazëria. Mbasi bujtën dy net, mysafirët kërkuan leje të shkonin. I zoti i shtëpisë e thirri vëllanë e i tha: - Mbasi mysafirët s’e kanë menen me ndejtë ma shumë, luti, se t’jet nera. Kur mysafirët kërkuan leje, ky, sa për të lagur gojën, e dëgjoi vëllanë, e u tha: - Rrini edhe sonte, se po ndërrojmë konak e po shkojmë te unë. - Hajrli koftë, nuk po ta prishim, - i thanë ata. Këtij nuk iu bë qejfi hiç, po mbasi u tha, u nis që t’i tregonte gruas për të gatuar, e rrugës për në shtëpi thoshte: - Këta pa ren, e unë pa men.
4. KAM QENË, PO NUK M’PASKE PA!
Haxhi Zariqi e Liman Gjylani nga Baica e Drenicës kishin pasur muhabet mes vete dhe kishin qenë shokë të pandarë. Mirëpo, një kushëri i Haxhiut kishte bërë fjalë me Limanin e ishin zënë goxha fort. Mundohet Haxhiu për t’i pajtuar, po nuk mundet, se nuk donte kushëriri i tij. Mbas disa ditësh, Haxhiu duhej ta martonte djalin. Kishte qejf ta thërriste në dasmë edhe Limanin, mirëpo, për shkak të asaj ngatërrese të kushëririt, nuk mundi, e i mbeti shumë merak. Një ditë, kur e pa Haxhiu Limanin, i tha: - Liman, a e din se ke qenë i thirrun n’darsëm! - Posi, unë jam kanë n’darsëm, po ti nuk m’paske pa, i tha Limani!
5. PARJA TA HEQ VEÇ FUKARALLËKUN
Njëri nuk kish qenë bash burrë i mirë, mirëpo kishte qenë punëtor, e me punë u pasurua. Para se të pasurohej, askush nuk fliste mirë për të, ndërsa pasi u bë i pasur njerëzit ia nisën ta nderonin dhe askush më nuk ia përmendte të këqijat. Njëherë, një plak, kur i dëgjoi disa njerëz edhe që po e lavdërojnë, u tha: - Mos e lavdoni, se nuk ban me e lavdue veç pse asht pasunue, se parja ta hjek veç fukarallëkun, po nuk ta hjek edhe maskarallëkun.
6. T’U RRITTË NERA, SE BEREQET PASKE MJAFT
Kishte qenë njëri shumë pasanik, po edhe shumë koprrac. Ishte miqësuar me një mik shumë të mençur. Një ditë i shkoi miku i ri mysafir. Kur ia qiti i zoti i shtëpisë mikut një cigare, ai i tha: - Tu rrittë nera! Edhe kur e piu kafenë, edhe kur hëngrën bukë, mysafiri i tha: - t’u rrittë nera, t’u rrittë nera. I zoti i shtëpisë dikur i tha: - More mik, na veç për cigare themi: - t’u rrittë nera, kurse për kafe, për bukë e për të tjera, themi: Zoti t’dhashtë bereqet! - Edhe te na qashtu themi, po ti, miko, bereqet paske boll, e paske nevojë për ma shumë nder, e për atë po t’uroj kështu, - i tha miku.
7. KËTO DY TË KËQIJA, MUND T’I HEQË VEÇ REJA OSE PERËNDIA
Një hoxhë kish pas shërbyer një kohë të gjatë në Dobroshec, saqë ishte bërë bajat, duke përsëritur fjalët e njëjta. Edhe një Mjekiq i Grabocit, një kohë të gjatë u kishte pas fshirë drithin Dobroshecit. I ishte vjetruar makina shirëse e një pjesë të drithit ua çonte në byk. Katundi ishin ishin pajtuar që t’i hiqnin edhe hoxhën edhe Mjekiqin, po nuk dinin qysh. Një ditë, duke biseduar se qysh mund t’i hiqnin, një plak u kish pas thënë: - Kot e kini, se nuk muni me i hjekë. Këto dy të këqija, mundet me i hjekë veç reja ose Perëndia.
8. ME ATË PUSHKË MOS I DIL KUJT NË PRITË
Njërit i kishte vdekur gruaja në pleqëri. Martohet dhe e merr një vejushë, po nusja ishte shumë më e re. Burri ishte shpianik dhe i ndershëm, po, mbasi ishte më i moçëm, gruas nuk i pëlqente. Një ditë, kur shkoi gruaja në gjini, vendosi të ndalej e të mos kthehej më te burri.
Burrit ju bë merak të dinte pse ishte ndalur. Një ditë ia dha do pare një gabelicës dhe i tha të shkonte e ta pyeste – pse ishte ndalur. Shkoi ajo dhe i tregoi se burri po donte të dinte përse ishte ndalur. Gruaja ia dha përgjigjen menjëherë: - Thuej atij burrit - me atë pushkë që e kishe ti, mos gabo me i dalë kurrkujt në pritë, se ki me u koritë. E mori vesh ky pse ishte ndalur gruaja dhe nuk e çoi më gjatë.
9. ISHALLA NUK KE TRGUE KREJT
Zana Kada, gazetare e TV të Prishtinës, shkon te Jusuf Gashi i Gremnikut dhe e bën një emision dokumentar për traditën e martesës. Gruaja e Isufit, kur merr vesh prej grave të komshinjve se burri i saj kishte folur në televizion, për martesën, i thotë Isufit: - A kishe dalë n’televizor e kishe folë, a? - Po, kam folë për martesën n’kohën tonë, - i thot Isufi. - Ani çka t’vetshin? - i thotë gruaja.
- Po m’vetën për natën e parë t’martesës, e unë u kallëzova se qysh o kanë adeti atëherë, - i tha Isufi. - Ishalla nuk t’i ka pi sorra mentë e me kallëzue krejt se çka kemi ba natën e parë! - i tha gruaja me habi.