Nga Prelë Milani
Mark Avdyl Qrimaj (Mërturi)
Pas një koncerti të madh festiv të zhvilluar në Tetrin e Opres e Baletit të titulluar “Nata e madhe e Nikaj - Mërturit”, pata fatin të njihem nga afer me Mark Avdyl Qerimajn, trimin e famshëm të UÇK-së.
Ai më tha: Kam lindur në Ramoc 85 vjet më parë, me fis e me gjak jam nga Ndreajt e Palçit i ardhun në Gjokovë përpara 5 berzësh.
Kam luftue dhe kam ba vetëm detyrën si patriot.
Mue nuk më ka hije me u mburrë, as për vete as për djalin tim dëshmor. Liria nuk fitohet pa flijime. Hallall i qoftë Kosvës gjaku i djalit tim dhe i gjithë dëshmorve të saj!
Një Kreshnik i dalë nga orbita e varrosur legjendare!.
Mark Avdyl Qerimaj është një portret interesant, impresionues tek i cili çdo penelist mund të gjejë tiparet autentike, antropologjike të racës sonë të vjetër, i ruajtur si thëngjilli i mbuluar në hirin e drurit të shkozës në një oaz të virgjër Dardanie.
Shtatlidhur më fort se i gjatë, shpatullat e gjëra, ngjitur pas një qafe të fuqishme si të kaut. Ballin pak të shpërvjelur, vetullat e trasha, harkkurorë nën strehën e të cilave shquhen dy sy të zi që shëndrisin si dy vetimë. Faqekuq i shëndetshëm me potencë dhe vitalitet tipik mashkullor alpin. Acarë dhe sherbes, një nga 85- vjeçarët më të jashtzakonshëm që kam takuar ndonjëherë. Nuk e beson kush moshën e tij sepse zelli, forca dhe kthjelltësia i japin gjysmën e moshës që ka mbi supe bisha e vjeter e Gjakovës. Zërin e trashë, por jo të marrun me timbër të thekshëm dhe artikulacion të qartë pa luhatje. Fort lakonik në të shprehur në dukje i ftohtë dhe i vrazhdë, por i matur dhe i qetë në kuvend. Madje i këndshëm dhe i hareshëm në mahi ( humor). Qysh se filloi luftën me UÇK-enë ka lanë mjekrën e bardhe që i varet si bashkë ugiçi deri në krahnor. Musteqet e gjata dydegëshe vesh më vesh, ksula deveje tipike Gjakove e lidhur rrumbullak me fjango të kuqe, sinonim i ngjyrës së flamurit i japin pamjen e një stari të dalë nga orbita e kreshnikëve të varrosur të epikës sonë legjëndare. Si gjatë luftës dhe më pas në brez mban një allti( kobure) 15-she (trofe), të hijeshme me doreza serme të zbukuruar me dorën e vet, pasi qysh i ri ka qënë mjeshter dhe jaran besnik i armëve, prej të cilave kurrë nuk është nda. Bisha e vjetër e Maleve nuk lëvizte kurrë, pa dy (bume) bomba në sjecilin xhep, i gatshëm për t’u ba flakë e tym në çdo moment kur rrezikohej prej hasmit shkja.
Poshtë jelekut gjithmonë ka mbajtur flamurin me shkabë. Gjoksi leshtorë i trimit ka qënë floeja e shqiponjës dykrenëshe kur ajo ishte ndaluar nga herecizmi serb. As në kohën e Rankoviçit, as të Millosheviçit prej ballit të oxhakut të kullës së tij nuk pati djalë nane me ja shkulë flamurin nacional, ndonëse e dinte fort mirë se po t’ ja shihte UDB-ja kalbej në burgjet e Jugusllavisë, pasi Kosova jetonte nën hijen e flamurit të padëshirushëm serb.
Baca Mark shpalosë flamurin
Mark Avdyli është nder të parët kosovar që ka nxjrrë në shesh flamurin shqiptarë në vigjilje të levizjes së protestave për të drejta e liri në vitin 1968, është kashagitë randshëm në perleshje me milicinë serbe, madje për këtë arsyje u arrestua dhe u izolua disa muaj në dhomat e paraburgimit në Prishtinë.
Pasha njatë zot si na ka falë jetën, Bacës kij inadin e foli hakun, por ma trim nuk bahet burri në viset tona- thotë Mark Ndreaj nga fshati Meje i Gjakovës.
-Ai në vitin 1994 është përpjekë në mënyrë të befë me policinë. E kishte nda mendjen me u kallë flakë e në dorë të xhelatit mos me i ra për së gjalli Vetëm një i “cokatun”si Baca mund t’i thoshte milicit serb në mes të Prishtinës: Jam shqyptarë në shtëpinë tëme. Ç’ka kije me mue he biri i bushtrës. Se për besë të Zotit po mu afrove të shkyej me thonj si orrli lepurin e nuk kam gajle pse të vdes edhe vetë.(Treguar nga Mark Ndreaj patriot gjakovar i Bacës). Veç Mark Mërturi mund t’i shpëtonte një aventure të tillë pa u piratë hu e me u dergjë në burg pa pikë mëshiret. Polica duke ja njohu mirë qimën ukut, bani njanin sy qorr e njanin vesh shurdh, duke thanë; rujna zot prej këtij shejtani.
Mark Avdyli, luftari i orëve të para
Me fillimin e luftës për liri në Kosovë baca Mark ka qënë një nga inicjatorët e parë në krahinën e Gjakovës. Ai shkonte shtëpi për shtëpi dhe u thoshte: kush të jete mashkull nga 15-80-të me kapë pushken o sot o kurrë. Vllazën mos t’u dhimsen kullat se do t’i ndërtojmë prap edhe ma të mira! Pash bukën që na mban gjallë- u drejtohej atyre që hezitonin e bani llogari cicmice, kur t’ja fillojmë luftës ne të malit edhe ju që doni me fjetë në shtrat me gratë tuaja, ka me ua marrë dreqi kullat se serbi do të hakmerret masivisht kunder gjithë shqiptarve.
Mos t’u dhimset djelmia se serbi do të na lajë pa mashkuj në oxhak, pa nderë në konak, pa fushë e pa mal, pa bjeshkë e pa vrri, pa liri e pa e flamur!
Unë e kam ba pleqinë me dekë dhe kurrë ma i mirë nuk vdes se me vdekë për lirinë e Kosovës!
Unë kam tre djem në emigracjon, por që të tre ja kam falë atdheut dhe në qoftë se vritën hallall i qofshin Kosovës!
- Dhe vërtetë djemtë e tij (Princi, Zefi dhe Nikolla) erdhën nga Zvicra dhe dolën malit për çlirim. Princi ka qënë si reja me breshën në luftë shumë i përgatitur. Bashkluftarët e tij Demushi, Delia e Seferi tregojnë se kur Princi merrte nishan kaptinat e serbjanëve fluturonin hava si me i pasë gjuejtë vetima në mal të shkretë. Princi ishte njeri i inicjativës i aksjonit dhe i pritave të befasishme, njeri i suksesit, i fitorës, i durimit dhe forces për të përballuar edhe disfatat që të imponon lufta, për të duruar dhimbjen e plagëve e humbjen e bashkëluftarve etj. Ai nuk e dinte se çfarë është frika as tërheqja. Princi i kishte ngja në sifate më shumë se kërkuj bacës Mark. Ai u flijua e ra dëshmorë për liri si bijnë bijtë më të devotshëm të një kombi që kërkon indipendencën e vet. Sipas shembullit të vëllajt të tyre të martirizuar luftuan edhe Zefi e Nikolla deri në ditën e fitorës së madhe të kurorzuar më përkrahjen e pa kursyer të atletëve të Natos.
Shok armësh i Adem Jasharit
Gjithmonë burri rrin në kuvënd me burrin, gjithmonë trimi dhe atdhetari shkon në luftë me trimin.
Bacën Adem dhe bacën Mark i miqësoi zemra e zjarrtë e atdhetarisë. Ata për lirinë dhe pavarsinë e Kosovës ishin gati të bënin çdo flijim ashtu siç bëri legjendari Adem Jashari. Si mik dhe shok armësh i Adem Jasharit, kanë bujtë me net të gjata në kullat e njani tjetrit t’ue thurë plane për luftën qëndrestare, t’ue propogandue se ka ardhë koha për rezistencë të armatosur. Më humbjen e Ademit humbëm një krah, por forcuam zemrën dhe shpirtin luftarak- u thoshte bashkluftarve baca Mark. Babloku mjekërbardhë e dinte se nuk ka luftë pa gjak. Ai e donte shumë jetën dhe endërronte ta shihte Kosovën e lirë, por vdekjes nuk i druhej dhe sakrificave nuk u shmangej. Naim Malokun, ish- Komandantin e shquar sygacë të UÇK-së, e pati koleg dhe ortak mejdani, lufta e miqësoi me Ramush Haredinajn, këtë dukagjinas të shquar që zën vëndin e parë ndër të gjithë udhëheqësit politik shqiptarë të Kosovës, i cili i fali dy vëllezër Kosovës së lirë e sovrane Bisha e vjetër e Malsisë së Dukagjinit, me 1999 plagoset në luftë por plumbi “gjenë” nuk e ndali. Baca mori malet dhe erdhi e u mjekue në spitalin ushtarak të Tiranës. Kerrçin e vjetër të UÇK-së e vizituan edhe disa politikan të lartë si Kryeministri i asokohe Pandeli Majko edhe Kryetari i Opozitës Sali Berisha. Prej Tirane babloku i vjetër përmes valëve të TV Shqiptar dha mesazhin: ”Gajret vllazën se Liria nuk fitohet pa gjak. Gajret vllazën se liria po vjen së bashku me pranverën! Gajret vllazën se lira do flijme gjaku! Gajret vllazën se liria po na vjen sot te praku”!
Mos u kapni me gra e me fëmijë, he u qitë Zoti fare!
E gjithë familja dhe fisi i këtij atdhetari të flaktë u vu në sherbim të luftës .
Zoja, gruja e tij burrneshë, bijë Iballje (nga Puka) ka ndihmue pritë e përcjellë me çfarë ka pasë luftarët e malit.
Ka qëndrue si sokoleshë kur bandat çetnike i rrethuan shtëpinë dhe pytën:
- Ku i ke armet se burrin e ke mjeshtër armësh?
-Armë nuk kam, se po t’i kisha i meritoni ballit.
-Ku i ke djemt, moj shtrigë e mallkuar ?.
-Në luftë kundra jush!-
Ku e ke Markun atë skile te vjetër?
Ne do ta varim për mjekre , do t’ja shkulim kabzerrat e do ta lëmë te ngordhë si dacin në kurrth ?
- Në male e keni, ai nuk është burrë që fle më gra në kohë lufte!
Me qënë burra ju, shkoni dhe e kapeni!
–Mbydhe gojën se po të mbysim në bunar
-Bunarin ja ku e keni:
Trimat nuk merrëm më plaka, as me gra e femijë, he u qitë Zoti fare!
Këto qenë fjalët e Zojës që nuk u ligshtue hiç nga çetnikët e mallkuar serb. Kjo grua burrnëshë ka pesë vjet që ka vdekë. Ajo vdiq e lumtur pasi më në fund e pa Kosovën të çliruar nga pushtuesi i urryer serb që i mori jetën e djalit dhe mijra e mijra vëllezerve e motrave të të gjitha moshave anë e mbanë Kosovës.
Masakra e Mejës me 379 të vrarë
Me 2 Gusht të vitit 1998 fshati Ramoc ka ague i rrethuar në të gjitha anët, me ushtri ,me arme, topa dhe tre tanke te frigshëm luftarak. Baca Mark me tre djemët e vet dhe shokët e tij luftëtarë i kanë zbrapsë pas një qëndrese burrnore, lufta ka vazhdue panderpremje gjithë paraditën. Pozicjoni që kishte zanë baca me shokët e vet që shumë i volitshëm, guximi dhe mjeshtria e luftimit u shpërblye me një fitore spektakolare që bani bujë të madhe në gjithë Gjakovën. Forcat serbe qenë të detyruara të lanë pëng një tank në duart e qendrestarve të drejtuar nga Mark Abdyli, cili thëriste më të madhe: Mos u dukni ma kendej he u’a kajsha nanën se në Mejaj e Ramovec do leni kockat . Këto fshatra të Dukagjinit dhanë kontributin e vet për liri dhe janë krenarë për gjakun e derdhur te qindra bijve të saj. 27 prilli i vitit 1999 është një nga masakrat më të mënxyrshme gjatë gjithë luftës së Kosovës ku u vranë 379 në fashatin Meje. 27 prilli i vitit 1999 është nata e thikave të gjata e shekullit të XX mes të Evropës moderne. Kjo masakër ishte një hakmarrje kanibaleske që bënë serbet per 4 polic që u vranë në fshatin Meje mes të cilëve krimineli i tmerrshim Millotin Prashiç dhe Nasar Deçani sherbëtor dhe agjent i flliqur i serbëve. Serbët të terbuar duke hunguruar si bishat në Shëndre kanë hy kullë më kullë, nga Juniku,Gryka e Cërrnagorës, Reka e Keqe, Ramoc e Meje duke rrethue fshatrat t’ue marrë varg e vijë përpara të rij, gra, fëmjë ,pleq, të gjithë kë gjenin, të cilët i shkimatën me breshëri mashinash në logun e shkollës Mejaj duke vaditë tokën me gjakun e 379 njerzvë të pambrojtur të cilit të vetmin faj kishin se ishin shqiptarë, të cilët serbi ishte betuar me i qitë fare:Banoret e rrethinave të Mejës dhe Ramocit duke kujtuar me dhimbje gjamën e kombshe thonë. “Fjalët e bacës plak dolën të vërteta, që na thoshte në çdo kuvend. Pasha qiellë e pasha tokë, gjarprit i duhet shtypë koka! Një ditë kem le e një ditë kem me vdekë ! More vllazën, po nuk i rrokëm armët as Amerika, as Ingliterra nuk janë aq budallej, sa ata të luftojnë për ne, e ne të flejmë gjumë. Mark Avbdyl (Ndreaj) është burrë i dijshëm dhe dijetar kuvëndi, ai kudo në Gjakovë respektohet dhe vihet në krye të vëndit, i dëgjohet fjala me respëktin më të madh. Në tribuna festive ka vendin e parë, se i parë ishte baca në luftë. Ramush Haradinaj e Hashim Thaçi e merrnin grykë dhe e përqafojnë si trimat trimin, si vllau vllanë.
Baca thotë: "Lirinë ta gëzojë rinia se unë e kam kullotë livadhin!".
Ndërsa rinia dhe populli i këndon trimëritë e bacës më çifteli në çdo sofer gëzimi në odat e Malsisë së Gjakovës.
Baca Mak në kapuç deveje
Gjun mbi shkja si shgjetë rrufeje
Në Ramoc baca i malit
Ja merr tankun Sllobodanit
Baca Mark me flamur
Synin pishë e zëmrën gur
Baca Mark komundari
N’ball të luftës prin i pari
Baca Mark me bume n’ xhep
Për Kosovë don me dek!
Duke parë peshën e rëndë të vite që ka mbi supe dhe dëshirën e zjarrtë për të ba realitet ëndrrën më të madhe të jetës së tij e pyeta me sinqeritet dhe dhimbje: Bacë - lufta u fitua po pavarsia kur do të vijë? Baca u përgjigj në mënyrë shumë të zgjuar e figurative. “Kur moti hyn në mes të Shëngjergjave verën nuk ka gja më e ndalë pa dalë”. Mos u mëzitni vllazën, unë jam mbi 85 e nuk iku tek të shumtit pa e pritë e festue ditën e Pavarsisë së Kosovës!
Dita e shumpritur historike ja mbrrini. Kosova sot është e lirë dhe sovrane ashtu siç e deshën martiret e të gjitha kohrave, ashtu siç e deshi e u flijua Adem Jashari e mijra e mijra të tjerë, ashtu siç luftoi Mark Avdyl Qerimaj me armatën heroike të UÇK-së të bekuar nga Zoti dhe të mbrojtur nga NATO, mburoja e pathyeshme e demokracisë dhe civilizimit perendimorë. Urimi im që buron nga zemra është: Të lumtë pushka o Mark Avdyl Mërturi!
__________________
Prishtinë, 12 dhjetor
Veprimtari i njohur Mark Avdyli, i quajtur edhe “Trimi i Flamurit” ka ndërruar jetë në Jahoc të Gjakovës. Ai ishte pjesëmarrës në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bashkë me tërë familjen, kurse gjatë luftës iu vra heroikisht djali, Princ Avdyli, njofton agjencia Ina.Mark Avdyli ishte një hero i vërtetë që me dekada të tëra veproi kundër thundrës serbe, ndërsa për shkak të veprimtarisë dhe ideologjisë kombëtare ai u burgos dhe disa vite vuajti burg në kazamatet serbe.
Veprat e tij janë të mëdha dhe ndër to është edhe pajtimi i gjaqeve në rajonin e Rekës së Keqe të Gjakovës.
Në varrimin e tij sot në Jahoc ishin me mijëra qytetarë nga të gjitha trevat e Kosovës dhe trevat tjera shqiptare.
F A Q E T
▼
Samstag, 14. Dezember 2013
Montag, 9. Dezember 2013
Selman Kadri Hasanaj
Selman Kadri Hasanaj – Lindi në Cerrcë në vitin 1906. Si i ri u dallua me virtyte e shkathtësi. Ishte mahitar, tregimtar dhe rapsod i talentuar. Si këngëtar i shquar, i kishte takuar grupit të rapsodëve të mirënjohur të asaj kohe, Brahim e Ali Kabashit, të cilët, me këngët popullore dhe me zërin e tyre brilant, sikur i kishin dhënë vullnet për jetë e qëndresë nën pushtimin e egër serb mbarë popullit të Podgurit.
I ftuar në dasma, fjalë nusesh dhe ahengje, Selmanit i kishte rastisur të takohej me shumë burra të shquar e patriotë, por edhe me figura të ndryshme politike të kohës. Në saje të takimeve të tij të shpeshta me Smajl Ali Bicajn, për herë të parë ishte ndeshur me literaturë shqiptare, që Smajlit fshehurazi ia kishte sjellë Sali Hoxha nga Orrobërda, i cili e kishte marrë në konsullatën shqiptare në Shkup. Këta libra Smajli i kishte lexuar vetë dhe ua kishte shpërndarë shokëve të tij të besueshëm, si Avdyl Sylë Mavrajt, Idriz Fazlisë, Tafë Maxharrit[1], Selman Kadrisë, Brahim Ukë Kabashit, Ali Kabashit[2] etj. Të influencuar nga literatura
shqiptare, të indinjuar nga shtypja e egër serbe, këta shokë të besës disa herë kishin biseduar për organizimin e një kryengritjeje të armatosur për t’u liruar një herë e përgjithmonë nga tutela serbe. Ndërsa, në anën tjetër, Selmani kishte lidhje gjaku me Kërstiqët, sepse nëna e tij ishte bijë e fisit të tyre. Itrajtuar si nip i Kërstiqëve, Selmani me kohë kishte fituar besimin e serbëve të Istogut e veçmas të vojvodës, Miliq Kërstiqit. Duke qenë i pranishëm në mesin e serbëve, kishte arritur të zbulonte shumë intriga, vrasje e dhunime të tmerrshme të kryera nga Miliqi dhe pasuesit e tij. Me kohë kishte zbuluar se vdekja tragjike e babës së tij nuk kishte ardhur si një fatkeqësi rasti, por si rezultat i intrigave të Miliqit.
Në periudhën e dytë të viteve tridhjetë, në Kosovë e më gjerë ishin krijuar shoqata ilegale si „Kosmeti“
e „Besa“. Nga këto organizata ilegale vepronte rinia dhe studentët e rrallë shqiptarë duke shpërndarë parulla në gjuhën shqipe kundër reformës agrare, kundër kolonizimit të tokave të tyre dhe njëherësh duke i bërë thirrje popullit shqiptar që të mos braktiste trojet e veta[3]. Se vërtet këta rapsodë të talentuar i kishin takuar ndonjërës prej këtyre organizatave politike, që për qëllim kishin luftën kundër pushtimit të egër serb, pritet fjala e historisë, por vendimet e tyre historike, për t’i vrarë vojvodët serbë të Podgurit, Arsa Peroviqin, Miliq Kërstiqin, Panta dhe Gale Terziqin, janë të freskëta në kujtesën e popullit të kësaj ane[4].
Ndërkohë kishte ndodhur një vrasje, që këtij organizimi i kishte dhënë drejtim tjetër. Vesel Ibishi nga Llukavci i Begut, në Pazar të Pejës e kishte mbytur me bisht shati Ramë Ali Bicajn. Vëllai i Ramës, Smajli, në rrëmujë e sipër, para vendimeve kombëtare, nxjerr gjak, duke e vrarë njërin nga meshkujt e Vesel Ibishit dhe duke e plagosur një tjetër. Smajli del në mal, duke i humbur kontaktet konspirative me grupet e tij[5].
Në muajin qershor të vitit 1938 Selman Kadria e shfrytëzon rastin dhe e vret Miliq Kërstiqin. Menjëherë pas vrasjes shkon në Vrellë dhe troket në derën e Tahir Ali Bicajt. Del i vëllai, Mustafa, dhe e njofton së Tahiri nuk ndodhej në shtëpi. Atëherë Selmani i tregon Mustafës në „besë“ se si e kishte vrarë Miliq Kërstiqin. Thuhet se në fillim Mustafa nuk i kishte besuar, duke i thënë: „Hala s’ka ba nana djalë që e vret atë shka“. Për ta bindur se ngjarja ishte e vërtetë, Selmani i tregon vendin e vrasjes, fshehjen e kufomës, marrjen e disa dokumenteve, që Miliqi i kishte pasur në xhep, si dhe pushkën e tij, të derdhur në argjend, e të cilën Selmani e mbante në dorë. Pastaj kërkon ndihmën e tij, për ta strehuar apo për t’i treguar se ku ndodhej Smajli me shokët e tij kaçakë. Mustafa e njofton se Smajli sa ishte nisur në drejtim të Shqipërisë, i shoqëruar nga i vëllai më i vjetër, Tahiri, i cili do ta bashkonte me disa miq nga rrethi i Deçanit. Selmani ishte ndarë nga Mustafa për të kërkuar rrugë të reja shpëtimi, kurse Mustafa shkon në postkomandën e xhandarmerisë në Vrellë dhe e lajmëron rastin[6]. Ndërkohë, ishin përhapur fjalë se gjoja kallëzimin e kishte bërë miku i Selmanit, Isuf Vesel Blakaj, i cili kishte pasur miqësi të ngushtë me familjen Peroviq[7].
Ndjekjet e menjëhershme kundër Selmanit kishin filluar nga xhandarët e postëkomandës së Vrellës. Ishin zënë pikat strategjike të fshatit. Rrugët ishin patrulluar me forca të shtuara.
I zhgënjyer që nuk kishte gjetur strehë në konakun e Bicajve dhe nga nevoja për t’u takuar me Smajl Alinë, i frikësuar nga ndonjë tradhti e mundshme, Selmani troket në derën e Kadri Imerit, dhëndër i fisit të tij (gruaja e Kadri Imerit quhej Zade, por me përkëdhelje e thërrisnin Lalë. Ishte e motra e Zeqë Hasan Hasanajt, kushërirë e afërt e Selman Kadrisë). Kadri Imeri ishte personi i dytë që ishte njoftuar nga vetë Selmani për vrasjen e Miliqit[8]. Pasi e dëgjon me vëmendje ndodhinë, Kadriu e pranon kërkesën e Selmanit për ta ndihmuar në këto momente të rrezikshme. Nuk guxon ta strehojë në shtëpi. Rreth tri ditë e mban të fshehur në një kolibe në zabel pranë vreshtit të tij. Kadriu i kishte kumtuar Selmanit lajmet e hidhura që qarkullonin se xhandarmëria serbe ishte ngritur në këmbë me një vrull të paparë ndonjëherë në kërkim të tij, duke përdorur të gjitha format që i kishte në dispozicion, prej torturave, burgosjeve, mashtrimeve, dezinformatave e deri te shumat marramendëse të parave për ata që do ta zinin apo që do ta njoftonin xhandarmërinë për lëvizjet e Selmanit e që do të çonin në kapjen apo vrasjen e tij! Të parët që e pësuan nga kjo valë e tmerrshme dhune, ishin bashkëfshatarët e Selmanit, miqtë dhe dashamirët e familjes së ngushtë dhe të gjerë, e veçmas kushërinjtë e tij të parë, pra familja Hasanaj nga Cerrca. Kësaj dhune nuk i shpëtoi as Lubozhda, me ç’rast u torturuan rëndë këta burra: Ramush Sadri Osaj, Ali Sadri Osaj, Sali Bajram Sejdijaj, Ramë Asllan Idrizaj, Mehmet Nezir Idrizaj, Tahir Beqir Zeqiraj, Ali Tem Hasanaj, Jashar Tem Hasanaj, Fetë Islam Hasanaj, Shaban Mursel Çetinaj, Tahir Mursel Çetinaj, Sadik Isuf Çetinaj, Ramë Lahaj-Lajqi, Sylë Lahaj-Lajqi, Haxhi Vuthaj, Xhemajl Adem Pepaj, Bekë Deli Pepaj, Isuf Kadri Pepaj, Adem Adem Pepaj, ndërsa Sejdi Zenun Pepaj nuk e pranon torturën zhburrnuese, duke e hapur gjoksin para xhandarëve për ta vrarë. E shpëton fqinji serb Jagosh Masllavariqi[9].
Ndërkohë, Kadri Imer Blakaj i tregon Selmanit rrjedhën e ngjarjeve dhe i sugjeron se në rast mungese në sjelljen e ushqimeve në kohën e caktuar, ta kishte të qartë se ishte arrestuar nga xhandarët dhe të kërkonte rrugë të reja shpëtimi, sepse për strehimin e tij në vresht Kadriu nuk kishte guxuar t’i tregonte askujt, bile as vëllezërve të vet. Nuk vonon dhe xhandarët e arrestojnë Kadriun. E dërgojnë në Istog dhe e mbajnë në arrest duke e torturuar deri në alivanosje për t’u treguar se ku ndodhej Selmani. Pas një vonese prej tri ditësh, Selmani e mësynë Rugovën dhe takohet me Xhemë Sadrinë, të cilin e kishte mik të besës, me shpresë së me ndihmën e tij do të kalonte kufirin dhe do të arratisej në Shqipëri. Ndërkohë, Selmanit i vijnë lajme të tmerrshme nga vendlindja, se gjoja pushteti serb, në krye me Rale Vuliqin, ia kishin vrarë të gjithë anëtarët e familjes. Atëherë Selmani merr vendim të kthehet për ta vrarë Rale Vuliqin në shenjë hakmarrjeje. Pasi arrin në bjeshkët e Cerrcës, në vendin e quajtur „Përlina e Bardhë“, i takon barinjtë duke lozur guxhas. Në mesin e tyre ishte edhe Hetem Vuthaj, vëllai i Ramë Vuthajt, stërnip i familjes Hasanaj. Hetemi i tregon se serbët nuk ia kishin vrarë asnjërin nga anëtarët e familjes. I tregon se meshkujt ishin shpërndarë për t’u shpëtuar vrasjeve dhe persekutimeve, kurse anëtarët e familjes ndodheshin nën një presion të tmerrshëm fizik e psikik dhe nën bastisjet e vazhdueshme gjatë netëve të verës, kërcënimeve me pushkatim dhe rrahjeve me hunj gardhi të bashkëfshatarëve të tij, siç ishin Haskajt, Rexhajt, Rugovajt, Januzajt dhe miqtë e familjes Hasanaj nga fshatra të ndryshme të Podgurit.
Selmani e dërgon Hetemin për ta njoftuar Ramën për vendndodhjen e tij, nga i cili kërkon t’i sjellë bukë dhe mbrojtje. Hetemi shkon e i tregon Ramës se ku ndodhet Selmani dhe ia thotë kërkesat e tij. Pas një kohe relativisht të shkurtër, Hetemi kthehet me një strajcë bukë, kurse Rama vonohet shumë..., aq shumë, saqë Selmani fillon të dyshojë në sinqeritetin e tij. Kur arrin Rama me kalë, me vete kishte sjellë edhe një palë rroba grash dhe ia mbush mendjen Selmanit që të vishej me to për ta nxjerrë tebdil në rrethin e Sanxhakut, ku kishin miq. Pasi e bind, e hip në kalë, ia merr pushkën dhe e fsheh në një kaçubë. Nisen. Gjatë rrugës, Selmani vëren shqetësimet e Ramës, ndaj edhe i thotë hapur se ti e ke ndër mend të më presësh në besë. Rama betohet së nuk kishte qëllime të tilla të ulëta, por Selmani nuk i beson më. Tenton të zbresë nga kali. Kur bën të hidhet në tokë, i ngatërrohet këmba në lakun e samarit. Rama e shfrytëzon rastin dhe e godet me sëpatë prapa shpinës. Ashtu i plagosur, Selmani arrin te pushka dhe e merr në dorë, por pasi duart nuk i binden nga plaga e rëndë, me forcat e fundit e hedh pushkën në greminë që të mos i binte në dorë Ramës, i cili ishte në ndjekje të tij dhe vetë e merr tatëpjetën që të hidhet nga shkëmbi i Golakut, për të mos u rënë në dorë i gjallë hordhive serbe. Nga plaga e hapur dhe derdhja e gjakut plogështohet dhe alivanoset kur ishte diku pranë greminës. Ndërkohë, Rama e merr pushkën nga gremina dhe shtie në ajër, për t`u dhënë sinjal xhandarëve në krye me Rale Vuliqin. Pas gjurmëve të gjakut, i alivanosur kapet nga xhandarët. Nga gëzimi për kapjen e tij, xhandarët zbrazin shumë pushkë, duke e fyer dhe duke e sharë Ramën pse e kishte plagosur, sepse ata e kishin dashur të palënduar! Pasi e dërgojnë në Istog, në oborrin e kishës, nën torturat më barbare nga popullsia kolone serbe, vdes pas mesit të natës, në qershor të vitit 1938[10].
Pas vrasjes së Selmanit, të arrestuarit, që i mbijetuan burgut dhe torturave çnjerëzore serbe, i lirojnë. Me këtë rast e lirojnë edhe mikun e Selmanit, Kadri Imerin. Me një qerre arrin deri në Lubozhdë, ku kishte miq, nga ku u çon fjalë vëllezërve, të cilët shkojnë dhe e marrin. Rreth gjashtë muaj dergjet në shtrat nga torturat e tmerrshme të xhandarmërisë serbe[11].
Pas vrasjes së Selmanit, Ramë Vuthaj kishte gëzuar autoritet te qarqet politike serbe, por kishte ngjallur përbuzje e nënçmim në rrethin e Podgurit, veçmas në mesin e bashkëfshatarëve të tij. I indinjuar, pasi nuk e duronte dot inferioritetin, ankohet të Rale Vuliqi, i cili i detyron jo vetëm cerrcasit, por edhe popullin e fshatrave përreth që Ramës t’i bënin nder në kuvende burrash, ta ftonin në dasma e ditë festash, në darka të Lamës, në darka Të zhdjergunave, në darka Pastërmash, në fejesa e fjalë nusesh, duke e vënë në ballë të oxhakut dhe duke ia dëgjuar fjalët e tij „të mençura“ e veçmas rrëfimin rrëqethës se si e kishte mashtruar dhe vrarë Selman Kadrinë për t’ia nxjerrë gjakun Miliq Kërstës.
Ndërkaq, farefisi i Selmanit ndodhej në një luftë të ashpër për të mbijetuar. Askush nuk guxonte t’u vinte në ndihmë përveç disa bashkëfshatarëve që fshehurazi ua kishin ndarë nga një parcelë tokë, që të rropateshin për ta punuar gratë. Shtëpitë dhe kullat e tyre kishin ngelur në gra e fëmijë. Meshkujt dhe djemtë e mitur nga ndjekjet e vazhdueshme kishin gjetur strehë ndër miq. Zeqës ia kishin konfiskuar tokën, duke e detyruar të emigronte në Shqipëri, kurse i biri i tij, Hasani, 15-vjeçar, ishte strehuar te halla Lalë në Vrellë, në familjen e Kadri Imer Blakajt. Pasi hetohet nga spiunët e vojvodës Rale Vuliqit, Hasani detyrohet të largohet nga aty dhe të strehohet në Orrobërd, te Bajram Selim Hetemi[12].
Këto raporte ndryshuan rrënjësisht në verën e vitit 1941, kur Italia fashiste e bashkoi një pjesë të madhe të Kosovës me Shqipërinë. Pas një kohe të shkurtër, meshkujt e familjes së gjerë Hasanaj kthehen në shtëpitë e tyre. Ndërkohë arrin edhe Zeqa nga Shqipëria. Pa humbur kohë marrin vendim që t’i nxirret gjaku Selman Kadrisë. Këtë detyrë, sa të rëndë po aq të rrezikshme, e marrin përsipër Niman Beka dhe Hasan Zeqa. Pasi e kishin huazuar një pushkë nga Rexhep Haliti i Muzhevinave, në muajin prill të vitit 1942 ia qesin rrethin Ramë Vuthajt, i cili kishte dalë në pazar të Istogut. Pasi Rama e kishte diktuar se janë duke e ndjekur, në ikje e sipër, kërkon besë nga kalimtarët e rastit, por askush nuk kishte pranuar ta merrte në besë. Duke mos gjetur rrugë shpëtimi, hyn në një dyqan dhe i kërkon besë dyqanxhiut. Nimani dhe Hasani e presin në distancë përballë dyqanit. Thuhet së dyqanxhiu nuk kishte pranuar ta merrte në besë, prandaj Rama ishte detyruar të dilte jashtë. Kishte dalë më rrëmbim duke i sulmuar ndjekësit. Pason një përleshje fyt për fyt. Rama bën përpjekje për t’ia nxjerrë pushkën nga dora Nimanit. Me ndihmën e Hasanit, Nimani e tërheq pushkën dhe me shpejtësi qëllon mbi të, duke e lënë të vdekur në mes të pazarit. Po atë ditë, Nimani dhe Hasani e sulmojnë edhe Hetem Vuthajn, vëllanë e Ramës, i cili kishte qenë duke i ndihmuar një koloni malazez që të kthehej andej nga kishte ardhur. Ai e kishte hetuar rrezikun me kohë dhe me qerren e kuajve arrin të ikë[13]
____________
[1] Prof. Dr. Sylë Dreshaj – „Fshati Krye-Vrellë prej themelimit deri në vitin 1977“, faqe 53.
[2] Dëshmi e Zeqir Hasan Hasanajt nga Cerrca, dhënë autorit në Shtutgart në vitin 2008.
[3] Historia e Popullit Shqiptar për shkollat e mesme – Tiranë 1994 – faqe 191.
[4] Dëshmi e Hasan Zeqë Hasanajt nga Cerrca, dhënë autorit në vitin 1983 dhe „Varret e përbashkëta“ nga Rrustem Rugova, botim i dytë, faqe 114.
[5] Dëshmi i Zeqir Hasan Hasanajt nga Cerrca, dhënë autorit në Shtutgart në vitin 2008.
[6] Ilaz Bicaj – „Selman Kadria dhe e vërteta për vrasjen e tij“ – faqe 117 dhe dëshmi e Kadri e Mahmut Imerit, Adem Mustafë Maxharrajt, Ramë Camanit, Sadri Sefës, Hasan Zeqë Hasanajt etj., dhënë autorit në vazhdimësi gjatë viteve 1974 e deri në vitin 1984, të cilët konfirmojnë së i pari që ishte njoftuar nga vetë Selman Kadria për vrasjen e Miliqit kishte qenë Mustafë Ali Bicaj, i cili, pasi ishte ndarë nga Selmani, rastin e kishte kallëzuar në postëkomandën e xhandarmërisë serbe në Vrellë.
[7] Dëshmi e Çelë Shaban Bicaj, dhënë autorit në vitin 2009.
[8] Dëshmi e Kadri Imerit, dhënë autorit në vitin 1978.
[9] Dëshmi e Selim Mustafë Hasanajt, dhënë autorit në vitin 2010.
[10] Dëshmi e Hasan Zeqë Hasanajt nga Cerrca, dhënë autorit në vitin 1983 dhe dëshmi e Zeqir Hasan Hasanajt, dhënë autorit në vitin 2008 në Stuttgart.
[11] Dëshmi e Kadri Imer Blakajt, dhënë autorit në vitin 1978.
[12] Dëshmi e Hasan Zeqë Hasanajt, dhënë autorit në vitin 1984 dhe dëshmi e Kadri I. Blakajt, dhënë autorit në vitin 1978.
[13] Dëshmi e Zeqir Hasan Hasanajt, dhënë autorit në vitin 2008 në Stuttgart.
Sonntag, 8. Dezember 2013
Haxhi Muhaxheri - Portret nga piktori Luan Jakupi
Disa nga komentet e bëra në FB:
MAJLINDA NANA RAMA:
Kuptimin e vertete piktura e merr, jo vetem nga mjeshteria e piktorit, por edhe nga fisnikeria e personazhit te zgjedhur!
HAMIT TAKA:
Piktoret te bejne te njohesh veten, te shikosh ate qe nuk e ke pare, te njohesh ate qe e ke te panjohur. Ky portret eshte nje kendveshtrim i ri edhe per miqte tuaj. Teper ekspresiv.
ADRIANA ISTREFI:
Pikture tejet origjinale per figuren tuaj artistike mik Haxhi Muhaxheri! Urime perzemersisht dhe piktorit! Respekt dhe bekime pacit ne familjet tuaja !
GJON NEÇAJ:
Vertete nje kujtim i bukur, por edhe nje krijim dinjtoz qe e meriton plotesisht i nderuari Haxhi Muhaxheri. Suksese autorit te portretit tuj!
SEJDI BERISHA:
Një pikturë me vlera të larta artistike... Por edhe portreti i z. Haxhiut ka madhështinë prej një punëtori të vyeshëm të afirmimit të vlerave letrare dhe kulturore...
FAKETE REXHA:
Haxhi, i lumt dora e syri Luan Jakupit! Po, bukur ta paska qëlluar portretin, si atë fizik e si psikologjik.
HALIL XANI:
Me shume ka vlerë ky portret nga dora e mjeshtrit se njeqind shprepje nga objektivi i aparatit.
SHEFQET DIBRANI:
I lumt dora piktorit, të gjallë të paska pikturuar!
IDRIZ BERISHA:
E përgëzoj piktorin e talentuar Luan Jakupin nga Klina, i cila paska berë nje punë të mrekullueshme. Po më pëlqen personazhi-shkrimtari e veprimtari i vyeshem Haxhi Muhaxheri, portreti poashtu - vizatim i Luanit. Suksese të dyve e të mira!
MUSA JUPOLLI:
Një përpikëri poetike në këtë tablo t'artistit Luan Jakupi-t për artin , për njeriun e letrave shqipe, artsit i fjalës së shkruar Haxhi Muhaxheri -n! Një dhuratë për këtë fund-viti të sukseseve letrare, vepër shpirti që duhet ruajtur në këndin e librave ku ty vëlla Haxhi duhet t'japi edhe më frymëzim! Nderimet shpërblehen me fjalë që burojnë nga zemra, çka unë po i bashkangjitem, me një të faleminderit po edhe me një fjalê ar(t)i dora t'past bekim në veprat tua piktor i nderuar Luan Jakupi !
NIKOLLE LOKA:
Mik i nderuar, Haxhi Muhaxheri! Për ndihmesën tuaj tuaj të çmuar në zhvillimin e artit dhe të kulturës shqiptare Ju meritoni respektin e të gjithë komunitetit artistik dhe artëdashës!
HYQMET B. HASKO:
Nje pune e perkryer. Çdo gje eshte pare dhe punuar me detaj artistike te mirfillte.Urime piktorit! Jete te gjate juve zoti Haxhi Muhaxheri!
DHIMITËR KOKAVESHI:
Përgëzoj artistin Luan Jakupi dhe çeshtja, nuk qendron se ju fali një dhuratë miku im Haxhi por... mes vlerave qe mbart dhurata për VLERAT TUAJA NË FUNKSION TË ARTIT. Ju afroj respektin tim për të dy!!
LEKË MRIJAJ:
Formë e shkëlqyer artistike, pikturë e gjallë qe vërtetë fletë pa zë. I lumte dora piktorit Luan Jakupit!Është ky një punim i mrekullueshem qe e meriton krijuesi ynë me velera letrare z.Muhaxheri.
XHEMAJL RUDI:
Portret i realizuar bukur...i lumte piktorit...!
AFRIM ASLLANI:
Bukur dhe harmonishëm, punuar mjeshtërisht e me dashuri!
HANA HOXHA:
Nuk ka gje me te bukur dhe me te çmuar se arti. Keshtu qe te lumte ata qe e praktikojne dhe e dojne, dhe mbi te gjitha ata qe e pranojne. Urime miku im Haxha Muhaxheri!
LUME BARDHI:
Te lumt dora. Prof. Luan Jakupi se na le pa mendje!Eshte nje mrekulli! Suksese !