F A Q E T

Samstag, 15. März 2014

Suljeman Krasniqi

Sulejman Krasniqi u lind më 7 dhjetor të 1937 në Hocë të Vogël të Komunës së Rahovecit, në Kosovë, në një familje atdhetare. Shkollen fillore e kreu në vendlindje ndërsa gjimnazin në Prizren. Ka vuajtur burgun serb i akuzuar për ndarjen e Kosovës nga Serbia pushtuese dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Vitet e burgut i kaloi në Rahovec, në Prizren dhe në Kallugjerska Bare, nga 1952-1953.
Pas vdekjes së mistershme të të atit në Jugosllavinë komuniste, ai vendosi të arratisej nga vendlindja e tij Kosova. U arratis për në Shqipëri me përkushtimin për të bërë të pamundurën për çështjen kombëtare. “Shpëtimin” mendoi se do ta gjente në Shqipërinë nënë, kur më 1958 i dolën lot gëzimi teksa shkelte për herë të parë në Shqipëri. Fjala shqip e ushtarëve të kufirit teksa i thoshin “Ndal” iu duk si përshëndetja më e ëmbël në atë vend që akoma se kishte mirëpritur dhe nuk do ta mirëpriste edhe për një kohë të gjatë.
Kaloi 13 ditë në burgun e Tiranës, ku u thoshte hetuesve se ishte larguar nga Kosova sepse serbët e përndiqnin se donte çlirimin e Kosovës. Pas hetuesisë e çuan në vendqëndrimin e emigrantëve jugosllavë në Llakatund të Vlorës, sepse për shqiptarët e vendit mëmë ai ishte jugosllav. Në fund e internuan në Levan të Fierit. Këtu u njoh me të tjerë të internuar, si Drita Kosturin, Osman Kazazin, Dali Ndreun e Liri Gegën. Të gjithë vuanin dënimin me internim pa gjyq (ashtu si dhe ai) si të pakënaqur me regjimin. Këto ishin vitet e para të Sulejman Krasniqit në Shqipëri, por pas disa vitesh jeta e tij ndryshon.
Ka kryer studimet e larta pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjise, dega Gjuhë - Letërsi Shqipe, 1963 - 1967. Ka punuar si mësues i shkollave të mesme në Mat dhe në Tiranë deri në vitin 1982, kur ka dalë shkrimtar në profesion të lirë. Në shtypin periodik ka shkruar mijëra faqe (skica, tregime, artikuj, reportazhe, pamflete etj.) Romanin e parë e shkroi kur ishte mësues në Klos të Matit, ku ditën jepte mësim e natën ulej të shkruante. Ishte laureuar me “Çmimin e Republikës”, dekoruar me “Urdhrin e Punës” nga Kuvendi i Shqipërisë. Është shkrimtari i mbi 20 veprave historike, autori i një sërë artikujve dhe shkrimeve gazetareske.

U nda nga jeta në Tiranë më 16 korrik 2011.

Disa nga veprat e Sulejman Krasniqit:

- Tri motra, tri histori - 1972, novelë
- Në shpellën e banditëve - 1973, roman 
- Qielli i përflakur - 1974, roman
- Prijesja e komiteve - 1975
- Beteja të nëndheshme - 1976
- Lindita - 1977
- Rrustë Kabashi - 1978, radiodramë
- Mic Sokoli - 1979, roman
- Besëlidhja shqiptare - 1980, dramë
- Pushka top, Bajram Curri - 1982, roman
- Dardanët - 1985
- Heronjtë e borës - 1985, radiodramë
- Oso Kuka - 1986, roman
- Shqiptarofobia e serbomedhenjve - ese
- Njeriu dy herë i pushkatuar - 1991, roman
- Belbacakja - 1992
- Rrëfimet e majorit - 1993
- Evropë deri kur do të keqpërdorësh durimin e Kosovës shqiptare - 1996, libër eseistik
- Rapsodia e kosovares - 1999, roman
- Rebeli i Bajraqeve, 2010
- Makthi i hijeve… etj.

Mittwoch, 12. März 2014

Ardian Kyçyku

Ardian Kyçyku

Ardian-Christian Kyçyku u lind në Pogradec më 23 gusht 1969. Kreu studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, dega gjuhë-letërsi. Është doktor i shkencave filologjike, doktorant në teologji pranë Universitetit Shtetëror të Bukureshtit, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë dhe i Shoqatës së Shkrimtarëve të Bukureshtit. Është, gjithashtu, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe i Central European Academy of Science and Art.
Ka botuar këta libra: “Në perandorinë e gurit”, roman shqip, 1993; “Viti kur u shpik mjellma”, roman i shkruar në rumanisht, 1997; “Mortët”, roman shqip, 1997; “E fshehta e ëmbël e marrëzisë”, përmbledhje me novela shkruar në rumanisht, 1998; “Nata pas vitit zero”, përmbledhje me novela shqip, 1998; “Një fis i lavdishëm e që jep shpirt”, roman i shkruar në rumanisht, 1998; “Përkthimi”, roman shqip, 1999; “Muza e Lojës”, trilogji shqip, 1999; “Lumenjtë e Saharasë”, roman shqip, 1999; “Hyu Epigon”, roman-ese shkruar në rumanisht, 2000; “Dashuri me shikim të fundit”, prozë rumanisht, 2000; “Oreksi për bukën e qiellit”, roman shqip, 2000, “Diva ose Ngrënësi i Luleve”, roman shqip, 2001; “Engjëjt e tepërt”, roman shqip, 2002; “Kristali dhe hienat”, roman shqip, 2002; “Trilogjia”, prozë e zgjedhur rumanisht, 710 faqe, 2002; “Një alfabet i poezisë shqipe”, antologji, 101 poetë shqiptarë në gjuhën rumune, 2003; “Koha e zëvendësve”, një dialog me poeten Iolanda Malamen për shpirtërimin shqiptar (2003); “Sy”, roman, 2004; “Si u pushtua Çmendustani”, prozë, 2004; “Shtetrrethim”, 2004.
Në kuadrin e arsimit universitar rumun jep lëndët: Elemente të kulturës dhe qytetërimit ballkanik, Gjuhësi e përgjithshme, Fenomeni Audio-vizual. Ardian-Christian KYÇYKU është përfshirë në tri antologji të prozatorëve të shquar të Rumanisë, në fjalorin "Shkrimtarë rumunë të viteve '80-'90", në enciklopedinë "Who's Who in Romania" dhe në një histori të letërsisë rumune. Nga viti 1998 është bashkëthemelues dhe njëri nga drejtuesit e revistës dygjuhëshe (shqip e rumanisht) për kulturën dhe traditat evropiane "Haemus", që botohet në Bukuresht. Krijime të tij janë përkthyer në gjuhët hungarisht, gjermanisht, spanjisht, frëngjisht e anglisht. /Wikipedia/


Pjesë nga krijimtaria e autorit Ardian Kyçyku

Pjesë nga libri „NATA PAS VITIT ZERO”
Botoi „Dukagjini”, Prishtinë 1998

NJË DASHURI E TILLË

“Një tjetër shpirt më ka veshur
tek arratisej
nga plehërat…”


Uji. I pafund dhe i kristaltë, me fshehtësinë dehëse të bimëve nënujore, me pleksjen e ngjyrave, me muzikën shpirtërore të një tjetër bote. Uji i pafund dhe unë, që kam humbur një tokë dhe që kam humbur edhe një jetë.
Uji dhe dashuritë e mia të vrara, të shkulura nga palca ime, duke më hapur nga një tjetër petal në lotusin e dritës.
Uji dhe dehja e një virgjërie të mbytur çdo ditë e nga pak, çdo çast e nga pak, në pakte verbues e dalldisës, dhe dehja ime jotokësore, dhe çmeritja ime ndaj kaq shumë pastërtie, ndaj kaq dashurie që më rrënon e më ngre në këmbë të fëmijëruar,
që nuk m’i shter lëngjet e së gjelbrës në deje.
Uji dhe unë, shtrirë në një varkë të vjetër, lakuriq e me fytyrën symbyllur ndaj qiellit ku ngjyrat dihatin për t’u fikur në natë. Dhe shuplakat e mia të hapura, dhe muzika e pianos që pikon mbi mua, dhe pikat që janë herë gjak i perëndishëm, herë lot i perëndishëm, herë lutje të miat të shndërruara në gjak e lotë të perëndishëm.
Shuplakat e mia, dhe kalimi mes tyre i ajrit, mbrëmjes, jetës sime.
Uji, dhe kaq pak vetmi prej njeriu, dhe kaq shumë muzikë prej shenjti. Dhe prapë uji, i mbështjellë me mjegullën e një malli të pathënshëm, që më vegohet vetëtimthi mbi muranën e ngrirë e pa gdhendje të ditës, dhe unë që them: “Shpirt…”
Shpirt, kjo dashuri nuk duhej të qe shuar kështu, dhe mbase nuk duhej të qe shuar fare.
Ka qenë një shajnitje në fillim, një mrekulli.
Ka qenë një shajni atë ditë, kur Ajo hyri në zyrën time ku mbante era kalbje pleqsh e himerash pakuptim, dhe kur botës nisën t’i zhvisheshin ngjyrat e vjetëruara, dhe kur shkëmbyem fjalët e para, fjalët e dyta, dhe kur ndenjëm të shtangur në një bar të mbushur me prostituta e pijanecë, dhe kur, në mbrëmje vonë, me një trishtim gati të harruar, të lënë në kushedi ç’dehje a pleksje me trupa femrash njënatëshe, u enda kuturu nëpër udhët vezulluese të metropolit, duke u ngutur të ikja, të fshihesha, të mbyllesha diku vetëm që të mendoja për të, dhe kur s’kisha ku të mbyllesha, sepse, në të vërtetë, ngutesha të vrisja veten, i pafuqishëm dhe ende i ngurtë ndaj aq shumë drite të derdhur mbi mua.
Ka qenë një mrekulli atë natë kur pimë të dy në një tjetër bar të metropolit, duke dëgjuar zhurmën përgjumëse dhe duke vështruar si në një vegim rrufetë e buta të tramvajeve përjashta, e kur unë pashë përmes Saj tërë jetën që do të kishte, si në një rrugë të ajërt, mbuluar me brymë, kristal e dehje hëne, dhe kur dolëm jashtë dhe zgjatëm pa u vështruar duart drejt njëri-tjetrit, dhe kur ecëm kushedi sa vite vetmie më këmbë, nëpër ca rrugë të moçme, mbi ca kalldrëme ngjyrë ndryshku të shekullit të shkuar, buzë ca ngrehinash ushtarake, nga gardhet e të cilave rojet vazhdimisht kërkonin cigare, kur buzëqeshnim të vezulluar nga rrufetë e tramvajeve të fundit, dhe kur nuk isha më i huaj, o Zot, nuk kisha humbur kurrgjë, nuk më dhimbte asnjë plagë, madje, përmes atyre plagëve, arrija të merrja frymë më lirshëm.
Ka qenë shajnitje dhe mrekulli kur e shihja të qeshte aq çiltër pas aq kohësh në vetmi, kur i tregoja për ditët e mia pa bukë dhe për muret me igrasi të dhomës sime prej të huaji, dhe për dritën që mbush një jetë pa bukë e me Zot, dhe për mbrëmjen kur s’kisha ngrënë prej kohësh dhe kur lexova rastësisht një lajmërim ngjitur pas një muri, ku flitej për një qen të humbur, të quajtur Pinky, për të cilin jepeshin dyqind dollarë shpërblim, dhe kur endesha gjysmë gjallë-gjysmë vdekur mes pallateve me drita fikur, teksa grupe qensh bredharakë më ndiqnin pas me atë heshtje e uri kafshësh pa zot, si për të m’u ofruar në vend të Pinkyt, dhe kur më kishte vajtur ndërmend ta rrëmbeja njërin syresh, ta qethja si Pinky, ta ngjyrosja si Pinky, duke iu përmbajtur me besnikëri të pangrëni të gjitha përshkrimeve të lajmërimit, ta stërvisja të bëhej vetë Pinky… Dhe kur E afrova pranë vetes tek ashensori, dhe ia pashë gjithnjë e më afër ata sytë e mëdhenj, të zinj e pa shprehje të njohura, që vezullonin nga një përlotje e brendshme, dhe kur e putha duke i pëshpëritur se e doja, - as unë vete nuk e merrja vesh ç’po bëhej, - dhe kur buzëqeshte e qante në të njëjtën kohë, Ajo femër që aq pak e kishin dashur në këtë botë.
Ka qenë një mrekulli e vërtetë në fillim, por pastaj Ajo u mbyll në vete, dhe dashuria më mbeti vetëm mua.
Unë u përpëlita në këtë dashuri e me këtë dashuri, derisa u shova.
Në fillim, qoftë edhe vegimi rrëshqitës i shuarjes së kësaj dashurie më lebetiste. Më kallte në gjendje të errëta dhe ankthe dashurish të shkuara që ishin shprishur për hiçmosgjë, apo nga budallallëqet e rinisë së hershme. Koka ime u shtrydh si në tirë nën më të përbindshmit mendime që mund të mësyjnë një tru njerëzor, me gjithë degëzimet e zeza të artistit, dhe shumë zi paskësha pasur në vete, o Zot, shumë shthurrje e tërbim kafshe; mendova, - zakonisht më ndodhte pa dashur, nuk përmbahesha dot, si në një mallkim, - se ajo ma dridhte me të tjerë (gjithmonë me më të rëndomtët prej tyre, me ata që mezi prisnin të më tallnin apo të përgojonin ndjenjën time), se mezi priste të ma dridhte; mendova se pat qënë një prostitutë minore, nga ato që u pëlqejnë kurvarëve të plakur apo pleqve kodoshë, që s’kanë pasur kohë e as fat ta shijojnë këtë jetë në rini (lagjja ku ajo jetonte ishte plot me të mjera të tilla; i shihja përnatë, pasi e përcillja në shtëpi, tek dilnin në tufa, mbushnin taksitë dhe vërsuleshin me atë tundje të shtirë këllqesh drejt qendrës së metropolit, të përlyera e të parfumuara, si ca kukulla të përdhosura); mendova se ajo farë ftohtësie trupore apo kokëfortësia për të mos bërë dashuri përveçse kur donte Ajo, dëshmonin se mungesa e dashurisë e kishte shtyrë të molepsej me zakonin e mbrapshtë të masturbimit (ishte e natyrshme të mos tundohej nga dashuria e vërtetë, sepse nxehtësia dhe finesa e pamjeve të masturbimit nuk kishin të dytë në realitet); mendova se bënte seks me qenin e saj (e këputte malli për të, mezi priste ta përkëdhelte, ta puthte, ta lëpinte, ishte si shpirt; ishte poashtu e natyrshme që të përfshihej në dashurinë çmeritëse dhe botërore ndaj qenve, maceve, derrave, zhabave, dashuri që po na pushtonte me të njëjtën egërsi të pashpjegueshme, me të cilën na pat pushtuar e po na bënte pluhur smira për njëri-tjetrin); mendova se ishte lesbike (edhe zodia e saj kështu kumtonte; kishte edhe një shoqe shumë senzuale, një nga ato femra të dobëta, me gjoks turbullues, me një vështrim pak të anuar e me një gojëzë prej foshnje, të cilat mbështillen në jetën seksuale pa ditur dhe pa dashur të bëjnë dallime); mendova, më së fundi, se ishte një bishë, kështu ndodhte kur opinga rrëshqiste në asfalt, kështu ndodhte kur bukuria nuk e nxirrte dot trurin femëror nga kutia e zezë e budallallëkut, kështu ndodhte kur budallallëku dhe rëndomtësia zgjonin një krenari të sëmurë e sëmurëse, e cila nuk ishte veçse furia, egërsia e pamatë e atyre që e ndjejnë se nuk ngrihen dot më lart, nuk rriten dot, nuk adhurojnë dot me gjithë shpirt. Mendova se ishte e shterur shpirtërisht, e cofur nga dashuria e parë, të cilën ma pat rrëfyer me një ftohtësi lemerisëse, tamam sikur të flitkej për dashurinë e stërgjyshes; mendova se mbase ajo hije dashurie, ajo dashuri e rreme, e pandehur dashuri në mungesë të diçkaje më të vërtetë, ia kish shterur shpirtin, me ngulmin dhe pamëshirën, me të cilat çdo gjë e rreme na e shkurton rrugën për në varr. Dashuri e rreme nga ato që mbeten në kujtesë si ca ngushëllime shumëngjyrëshe, pasi vdes fëminia… Mendova kështu gjer në sëmundje. Mendova se mbase më kish mbërthyer ky tërbim i mallkuar plakjeje me hallet e tjetrit, ngaqë Ajo vetë asnjëherë nuk kish menduar ndonjë gjë. E ato që s’i pat bërë Ajo, po më binte t’i bëja unë, përndryshe nuk mund të mbeteshim bashkë.
Ajo, ndërkaq, kish mësuar të heshtte, dhe shumë shpejt mësoi të heshtte gjithnjë e më shumë, duke më vështruar me ata sytë e përlotur e pa shprehje të njohura. Me atë heshtje shqyese më bindte se kisha të drejtë.
Ajo, ndërkaq, i pat harruar të gjitha vuajtjet e vetmisë kur ende nuk njiheshim, - dhe fakti që i harroi aq shpejt e nuk desh më të dëgjonte për to, tregonte se kishin qënë ca vuajtje vërtet të mëdha, - u sigurua se unë kisha rënë kokekëmbë në dashuri me të, siguroi viktimën, rrufepritësin e çasteve kur nuk këndonte, kur nuk dalldisej me qenin, kur nuk bënte tualet dhe kur nuk kishte ç’bënte, dhe pandehu për dobësi timen atë që, në të vërtetë, ishte një dashuri që do t’i kish bërë ziliqarë edhe ëngjëjt.
- Askush nuk meriton t’i jepesh plotësisht, - përsëriste Ajo në çastet kur bisedonim si dy miq.
Kurse unë nuk gjeja dot se me çfarë e meritonte Ajo tërë këtë dhënien time. Por unë isha i huaj, isha shpeshherë i pangrënë, shpeshherë pa një kokërr leku në xhep, i bluar në stomakun e vetmisë, dhe jo rrallë isha i mahnitur pas gjërash tejet të thjeshta dhe flisja më shumë për ngjyrat sesa për sendet. Kurse Ajo ishte në vendin e vet, hante mirë, bënte shumë tualet, kishte një qen leshtor dhe disa mikesha, me të cilat qante hallet e yjeve të kinemasë.
Kjo dashuri po fikej, por unë nuk mund ta gjeja të gënjeshtërt atë magjinë e ditënetëve të para, të telefonatave pas mezit të natës, të shëtitjeve në Parkun Mbretëror; nuk mund të pranoja se mund të merrnim nëpër këmbë një fat të tillë, një dashuri të tillë.
Kjo dashuri po fikej, por nuk doja të besoja se kishim mbetur po aq kafshërorë e zemërgur sa në dashuritë e mëparshme.
- Një herë dashuron njeriu, - thoshte Ajo kur e pllakosnin ethet e filozofisë. Dhe tregonte se si kish qënë viktima e një mushkonji, as të pashëm, as të zgjuar, të cilin askush nuk e merrte parasysh në këtë botë, por të cilin Ajo e pat dashuruar dhe me të cilin ajo ish zhvirgjëruar. Nuk ishte e vështirë ta përfytyroje. Pat qënë një nga ata shumë lango bashkëkohorë, që enden udhëve duke përtypur fara dhe që kanë një nga ato mallëngjyeset shëmti fytyrash, një keqardhje stërgjyshore vetullash të rëna, sysh të vakët e si të zjerë, gjeste të plogët e fat të lumtur. Të tillë meshkuj zgjojnë tek femrat atë mëshirën që është gati të japë gjithçka, madje, nëse mundet, ta japë dy herë njëheresh.
I dyti thoshte se kisha qenë unë.
Heraherës, një si shpatë e padukshme dhe përvëluese më çante gjoksin, ndehesha gati të ulërija, - dhe nuk isha mazohist, por pata qenë kohë me radhë i padashuruar, kohë me radhë i dehur, i rraskapitur nga shkrimet e mia që askush nuk i botonte, i rraskapitur me femra të rëndomta, nimfomane, me secilën prej të cilave pata pritur një dashuri të vërtetë, duke tentuar dëshpërimisht të nxirrja, të gjeja ose të shpikja në secilën prej tyre atë të vërtetën, por edhe shpikjet të neveriten një ditë, sheh se nuk kanë qënë përveçse ca shprehje fine të vdekjes, dhe kisha vdekur për kohë me radhë me ato dashuriçka -, dhe i doja këto vuajtje përmallshëm të këndshme.
Kisha arritur në stërlodhjen dhe humbjen e humnershme të shpresave, kur lutesh që të vuash sadopak, të vuash për të mos u fikur përjetë!
Më pat zënë malli për këto vuajtje fëminore, për kafshimet verbuese të një dashurie të tillë, dhe mbrëmjeve, pasi mëdyshja torturuese për ta braktisur a për të ndenjur me Të më lëshonte, më zinte malli për Të. Një mall përlotës, si sy i Zotit, me të cilin shihja mbarimin e jetës sime, si mbarimin e një qiriri, dhe rrija nganjëherë me orë të tëra duke u mahnitur para qirinjve për të gjallë e për të vdekur në kthinat e kishave, dhe E doja aq pastër, E dëshiroja aq pastër, sa, - duke i bishtuar zmerilit të moshës dhe neverisë ndaj fjalëve të fryra, - isha i lumtur thjesht edhe që Ajo ekzistonte.
Mbase me vuajtjet që më ngjallte e kishte merituar atë dhënien time, atë hepim shtangës: as gjallë, as vdekur, as shuar, as i marrosur nga dashuria, as i pamarrosur. Mendoja se jo gjithkush mund të të dhimbte kështu, jo gjithkush mund të të shfaroste kështu.
Kaluan mjaft kohë kështu, me heshtjen e Saj që gjithnjë thellohej, me pritjen time që Ajo të hapej, të më dashuronte, dhe e dija me palcë se asnjë dashuri, përveç asaj të perëndishmes, nuk vinte me lutje, ose me forcë, e aq më pak vinte me finde fëminore që mund t’ia luaje syrit të fatit për t’i zgjuar mëshirën, por kisha aq shumë dashuri për Të, aq dritë, sa më tmerronte, më kallte në dhé të gjallë keqardhja për Të, pamundësia për të kuptuar se si një njeri arrin të mbetet gur pranë një dashurie të tillë, që mund t’i bënte edhe gurët njerëz.
E kaluan prapë kohë me këtë çmeritjen time dhe me pyetjet se mos po ndodhte kështu ngaqë asnjëri nga ne nuk donte ta pranonte mënyrën me të cilën dashuronte tjetri, e prisnim që të dashuronim të dy njëlloj; dhe Ajo ndjeja se si kthehej në heshtje të plotë në atë aq të varfrën jetë që kish pasur: bënte tualet, qante hallet e yjeve të kinemasë, luante me qenushin leshtor, bënte shaka të lehta, këndonte dhe flinte. Sepse Ajo këndonte. Kishte një zë shumë kumbues, të thellë, dhe, kur e dëgjova një herë në kasetë, m’u ngjeth mishi, jo sepse e dashuroja, por se ishte hera e parë që një zë njerëzor më mërgonte pa ndërmjetësinë e dëshirave të mia, diku drejt Himalajës, apo në Egjiptin e hershëm; kishte vërtet zërin e një indianeje a egjiptianeje që kish marrë trup gabimisht në këtë metropol, dhe m’u bë sikur mureve të zyrës sime nisën t’u dalin damarë të hollë, të zinj e të gjelbër, të cilët më pas u zmadhuan, krisën muret, dhe zhveshën një pejsazh të murosur aty, një pejsazh që nuk e kisha parë kurrë, ose që e pata lënë mënjanë dalngadalë, ashtu siç lemë frymën ëngjëllore të fëminisë - një gjendje nga e cila më pat mbajtur aq kohë të ndarë ajo lodhje shpirti që myk banorët e zyrave.
Kishte një zë që kurrsesi nuk mund të dilte nga një qënie e rëndomtë, që kurrsesi nuk mund të lëvrinte e të përkryhej mes gjymtyrësh të mrekullueshme, por që kryenin lëvizje e gjeste mëse të zakonshëm, të përditshëm, dhe nuk di çfarë më kujtonte e me çfarë më përmallte ai zë që nuk ishte as krejt çlodhës, as krejt zbavitës, as krejt mendimtar; u ngjante atyre çasteve që kanë një kthjellti hyjnore e gjatë të cilëve, megjithatë, nuk shprehesh dot çfarë ndjen, çfarë sheh, çfarë po rijeton nga e kaluara apo nga e ardhmja; dhe është pikërisht një çast i tillë: nuk e them dot si dhe çfarë ndjej ndaj atij zëri.
E kuptoja se duhej të rrija ende pranë atij zëri, se mbase unë isha i zgjedhuri që duhej ta zbrazja nga kumbimet e tepërta dhe marramendëse prej sirenash, t’ia shfarosja rëndomtësinë dhe etjet për shthurrje apo për qarje shpirtrash të vonuar, t’ia përshtatja përfundimisht atë zë femrës që e mbartte dhe femrën - zërit.
Kishte një zë që i shkriu në pak minuta të gjithë muret e jetës sime, që m’i zbehu dashuritë e tjera pa i rëndomtësuar, që bëri ferrat ëngjëj dhe që më riktheu atë lehtësi të menduari e të qeshuri, të cilën e besoja kaherë të cofur.
Mirpo meqë një dashuri mund të ushqehet vetëm me gjak, e meqë Ajo nuk flijonte në një dashuri të tillë as qoftë edhe një pikë ujë, një ditë unë u gdhiva i stërlodhur nga pritja, nga pështjellimi i ngjarjeve, i shterur nga dëshirat dhe etja për një dashuri të tillë, dhe vendosëm të ndaheshim. Në një restorant të mermertë, ku vezullonin qelqet dhe shishet me pije, ku endeshin kamariere epshore dhe ku aroma e picave të kujtonte gëzimet e thjeshta të kësaj bote, Ajo, më në fund, e bëri zemrën gur dhe më hapi zemrën, ose diçka tjetër të përafërt, dhe më tha se ishte ngurosur nga një dashuri e tillë. Me sytë shumë të zinj, pa shprehje të njohura e me atë përlotje të brendshme, në atë restorant mermeri me aromë gazmendesh të thjeshta, ajo më tha se nuk mundej të dashuronte, nuk arrinte dot, se unë nuk i pata lënë kohë të më dashuronte, e kisha djegur, e kisha shkrumbosur me aq shpirt, me aq fjalë të bukura, me aq dashuri. Në ato çaste, në atë restorant të zgjedhur e shkëlqimtar, mendoja se paskësha vuajtur ndofta përtej vetes për Të, përtej njeriut, përderisa ndjeja nevojën të shpëtoja sa më parë nga një dashuri e tillë. Të kthehesha edhe unë në krahët e të dashurave njënatëshe, në ato që i gjeje pa u shtrydhur në pritje e mëdyshje marrosëse, në krahët e të mjerave që jeta i ka coptuar një herë e që, në kalvarin e coptimeve më të vogla, shohin dëshpërimisht e duke gënjyer vetveten, shohin një shërim të ngadaltë. Të kthehesha edhe unë në netët apokaliptike kur vetëm pija e donte njerinë në këtë botë, kur derdhja në ajër, në prani të panjohurish apo njerëzish vocrrakë e të kyçur, shkulmin shndritës të një jete që nuk dinte as të shkatërrohej e as të mos shkatërrohej, ngaqë kish paktuar qysh herët me makthin e përhershëm, me mundësinë e rrëshqitjes së tokës nën këmbë - jetë që nuk i përkiste më prej kohësh vetvetes. Mendoja se askush nuk e bënte hak një dashuri të tillë; të kthehesha në orgjitë me vallzime, dehje e fjalime magjepsëse (kur tregon për vende e ngjarje që s’kanë ndodhur kurrë me një siguri e me aq hollësira, sa i beson përfundimisht edhe vetë, dhe pastaj i tregon rishtas, duke i pasuruar dhe duke u zhvendosur gjithnjë e më në zemër të heroizmit, qerratallëkut, burrërisë, enigmës etj.), në jetën e rrëmetshme që rend vetëm të harrojë e të harrohet, me vogëlsira të këndshme që shërojnë rrejshëm zemrat e lavirave, ankthet e dështakëve dhe himerat e të panjohurve që hollojnë hidhërimet me pije.
Ka qënë e mrekullueshme ajo ditë e ndarjes sonë, kur nuk blemë më të njëjtën paketë cigaresh, kur ndamë kasetat dhe librat, kur iu hapëm njëri-tjetrit me qetësinë drithëruese të atyre që kanë shpëtuar nga njëri-tjetri, dhe kur shëtitëm në parkun më të vjetër të metropolit (thoshin se e pat krijuar një mjeshtër gjerman, i cili nuk arriti të kthehej në vendlindje, dhe vetëm pas vdekjes njerëzit arritën ta kuptonin atë përzjerje shtangëse të ngjyrave të luleve: kish qënë klithma e fundit e një shpirti që po del larg shtëpisë), mes shatërvanëve të mbuluar me myshk, mes pensionistëve që lexonin gazetat, mes varkave me çifte që endeshin të përqafuar, të zalisur, të vërtitur nga lopatat e padukshme të ekstazës, mes klubeve ku buçiste muzika e modës, mes statujave përkujtimore, (nën të cilat flinin zakonisht marrokët e arratisur nga çmendinat), të laryshitura nga pafajnia nënqeshëse e zogjve, dhe kur u pamë një herë në sy, të tmerruar, dhe kur unë e pyeta me më të hidhurën habi timen, me një ton mes pyetjes dhe vulosjes: “Shpirt…E kupton se po ndahemi?!?”
Sepse prej kohësh unë i thoja “Shpirt”. I pata thënë “Shpirt” gjatë natës sonë të parë, kur kishim bërë dashuri në dhomën time, në çastet kur Ajo pat mbetur e mahnitur para një gjestit tim përkëdhelës, një çast para se ta përshkoja; ishim të dy të zhveshur në shtratin tim të fortë prej ushtari a prej burgaxhiu, kur Ajo kish ngrirë mes lotit të fundëm dhe fjalës së parë, që do të kish qënë edhe fjala e parë e vdekjes.
I kisha thënë “Shpirt” shumë herë mbas atij çasti, saherë flisnim në telefon, saherë ndaheshim tek tramvaji që e çonte në shtëpi; e thërrisnim njëri-tjetrin “Shpirt” në gjuhën time, dhe ishte e vetmja fjalë që dinte në shqip, dhe mendoja se ajo fjalë i mjaftonte, nëse do të ndjente aq sa për të futur në një fjalë të vetme fshehtësinë hyjnore të një gjuhe të tërë, ashtu siç kisha arritur të bëja unë gjatë një dashurie të tillë.

Jam mbyllur grusht në dhembjen time
Shpirtrash të padukshëm,
tërë dritë, por pa fuqi
t’u lutem pa besuar
se jam thyer, t’u lutem:
“Lutuni për vdekjen time…”

Jam mbyllur grusht në dhembjen time
Rrugët mbyllur, dritat mbyllur
muret: qiej: gri
Femra të mbyllura, heshtje
ku s’jam më i ndezur, ku s’jam
as i shuar.

Shtrydhem në të vjetrën vuajtje
të pavjetëruar
ku s’di kë dua
s’di si dua
ku s’di si vetëm humb e ku
ende dua.

Shtrënguar me veten mbart
aroma zemërdridhëse, thërrmija
puthjesh, sysh
prekje shpirtrash të ikur

Shtrënguar e shpërthyer jam -
një qiell që ka gëlltitur gjuhën…

Ka qënë varrosje për së gjalli kjo ndarje për mua, o Zot.
Ka qënë ndarje e pangushëllueshme, si vdekje nëne, si vdekje babe, si vdekje dashurie.
E dija se ndarjet të zbresin në tokë, o Zot, dhe e dija se ishte e tmerrshme të zbrisje në tokë pas një dashurie të tillë..
Pas një dashurie të tillë, erdhi një ndarje e tillë.
Dhe kisha harruar çfarë ngjyra të shpëlara arrinte të kishte bota, kur endeshe në të vetëm me gjysmë shpirti, bota me dehje si funditje në stomak të dëshpërimit, me uri që nuk mbush më me vegime, bota me dehjen tënde në natë, me gishtat e dredhur në natën që nuk sjell gjumë, me të përbalturën gdhirje, që më mirë të të gjejë në qivur, me trupat e ndezur, por jo më ngushëllues, të femrave kalimtare, me trupat e ndezur, që rrejshëm të bindin se nga shpirti mund të shpëtohet aq lehtë, me ca fërkime e fjalë të bymyera nga nevoja për t’u bishtuar gërryerjeve të dështimit, me trupat dëshpërues, me dehjet e puthjet që tërbohen për të fshirë e zhgarravitur imazhin e Saj çuditërisht gjithnjë e më të shenjtë dhe që, në të vërtetë, ta thellojnë mungesën, mallin, etjen për gjestet e Saj, për kurmin e Saj, për aromën e Saj, tmerrin për këtë dredhi të fatit qorr, i cili i zgjon ca shpirtra vetëm për t’i shkelur vdekshëm…
Ka qënë varrosje për së gjalli një ndarje e tillë, o Zot. Dhe më pat zënë malli për një ndarje të tillë, dhe jam përplasur me kokën për muresh -, ca nga pija e ca nga marria, - duke u mahnitur me vizatimet qesharake dhe tallëse që mbeteshin në ta, dhe jam përpëlitur si gjarpri në cfurk duke dëgjuar meloditë e natës sonë të vetme, duke gëlltitur me një babëzi ndofta të sëmurë të gjitha çastet brilante të natës sonë të vetme, çastet kur kishim shtangur dhe kur i kisha zbërthyer kopsën e parë, (tani mos ji më filozof, të lutem, më pat thënë dridhshëm), kopsën e dytë, (tani do të jem mbi ty, i pata thënë), dhe kur kisha ndehur mbi trupin e saj shuplakën time prej filozofi në vdekje e sipër, shuplakën time të zbardhur nga hëna, dhe kur Ajo kish ngrirë mes së qarës nga lumturia dhe fjalës së parë, që do të kishte qenë e vdekjes. Dhe çastet kur e kisha ngritur peshë dhe kur kisha nisur ta puthja ngadalë, ta përshkoja me gishtat e mi të lëmuar në aq trupa femrash njënatëshe, t’ia zgjoja fjalët e zërit të saj indiano-egjiptian me gjuhën time të huaj për të, çastet kur e kisha puthur në ballë para se të mos e shihja më, dhe jam dredhur i përqafuar me veten, si me më fatkeqin e njerëzve, përqafimi i të cilit do të më bënte të ndihesha sadopak fatlum, - dhe ka qënë një kalvar i vërtetë për mua kjo ndarje; i dehur gjer në pavetëdije, me vetëdijen që ishte vetëm pamja e Saj përjetë e humbur, dhe nuk i shihja më jetës asnjë kuptim, asnjë rrugëdalje, asnjë shije, - kaq hidhur m’i paskëshin fikur dritëzat e qënies dhe mahnitjet e papërkthyeshme këto sende të vdekura a të gjalla dhe këta njerëz të gjallë a të vdekur që më patën rrethuar oreçast me atë zhdërvjelltësinë dhe mirësinë jetëshkurtër të smirëzinjve të pavetëdijshëm, me të cilët ndajmë jetën tonë të përditshme (jepnai neve sot, Amin); kaq rëndë më pat bluar e tjetërsuar magjepsësja bushtër që e quajnë jetë!
Jam përpjekur të mos harroj kurrgjë nga tërë ajo djegie, të mos harroj shtijat që më përshkonin me çdo tingull të melodive, me çdo shkëlqim të tramvajeve natën vonë, me çdo aromë që më ringjallte orët e mallit kur ende nuk pata bërë dashuri, kur ishte dhe ende s’ishte e imja, të mallit qyshkur nuk ishte e mbase s’do të ishte më e imja; jam përpjekur të mos harroj, - ndonëse kujtesa më fut vetëm në një mjegull të dendur e të muzgët, - furinë alkoolike, që e rrënonte dhe e ringrinte botën paksa më të pranueshme, e pastaj rishtas e bluante, e villte, rishtas e ringrinte, të mos harroja përpëlitjet e mia në vetmi të plotë, në vetminë që nuk e doja, por që duhej, në atë si xhungël xhelozie shkrumbosëse, të mallit të pashpresë për Të, dhimbjes që më nxirrte mendsh, paqes fluturake kur hyja mendsh, krenarisë marroke të mashkullit që nuk don të kthehet e të përgjunjet para asaj që dashuron - dhe ish pranverë, shpirti im, një pranverë e çartur, ra dëborë, dhe ka qenë një dëborë që më përmbyste në hone të harruar makthesh nga toka e humbur e që më zgjonte në shije dashurish po të humbura; ka qënë një dorë përgjakëse në gjoksin tim ato ditë, një dorë që m’i shkundi paq lëkurët e përdorura tejmase dhe më la të vetëm në një breg trullosjeje, të cilin nuk do ta kisha besuar as po të ma tregonin në fotografi!
Diçka që nuk mund të ishte Dikush, më rrëmbente dhe mendonte në vend tim, fliste në vend tim, (por, po të vinte rasti të paguaja, duhej të paguaja me jetën time), më vegonte pamje rrënqethëse: Ajo duke u zhveshur në dhomën e një tjetri, në një hotel buzë detit apo në mal, Ajo duke bërë dashuri me qenin, (që ishte i mirë si shpirt), Ajo duke bërë seks në grup me mikeshat e veta, me ndonjë pasunar të peshkuar restoranteve a dasmave ku këndonte, Ajo duke përkryer tualetin shkallues para pasqyrës, e qetë, e patrazuar, e huaj për të huajin sa edhe guri për njeriun, Ajo duke shëtitur me mikeshat apo me të dashurin e freskët, me atë lehtësi përshtatjeje që valonte në shumë nga femrat e këtij vendi, Ajo tek kthehej në krahët e Mushkonjit, pasi pat kuptuar se si qe bota pa të; Ajo ashtu siç më kujtohej: me sytë pa shprehje të njohura, me nxehtësinë sadiste në shtrat, e kujdesshme gjer në sëmundje se mos i prishej buzkuqi, se mos i pikohej fundi, këpucët, se mos thoshte më shumë nga sa duhej, Bisha që dikur pat qënë aq e varfër, aq pak e dashur, aq e vetmuar, aq e pakuptuar nga bota; Bisha që kyçte në vetvete çdo thërrime intimiteti që e bënte apo e pat bërë sadopak të lumtur, Ajo që nuk hapej, që kishte qënë për shumë kohë me radhë viktimë e që tani hakmerrej ndaj viktimave që ende nuk qenë bërë bisha - dhe mllefi im dëshmonte se në njëfarë mënyre, (për masë as që mund të flitet), kisha qënë viktimë e Saj, domethënë e dashurisë sime për Të, domethënë e verbërisë së Saj për mua, verbëri që kish parë si dobësi timen një dashuri të tillë. Zbrazëtia ju bën bisha, u thoja me vete. Lebetiteni në fillim, jepni më shumë nga sa u duhet dhënë njerëzve, pastaj gdhiheni të shterura dhe, gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës, shkërdheheni. Mezi prisni të shtini në dorë ndonjë qull, të cilin ta kapni për hunde e ta tërhiqni pas, në çdo çast të kalbjes suaj të ngadaltë: t’ju sjellë lule përditë, kafen në shtrat, të shëtisë qenin, t’ju lyejë këpucët, t’ju lajë brekët, të robtohet në punë për të ardhur në darkë në shtëpi, me barkun pasqyrë, me trutë mjegull, pa fuqi për shtrat, po me xhepin plot - dhe të jetë edhe i lumtur. Mezi prisni të llapaviteni në gjëra të cekëta; ju duket se mjaft keni vuajtur, se askush s’ka hequr ç’keni hequr ju, se tani e tutje meritoni t’ju shërbejnë, të digjen pas jush, për ju, mbi e nën ju, t’ju përkushtohen…
E të tilla bisha nuk zmbrapsen as para një dashurie të tillë, gjak e kristal, nuk e njohin mëshirën, dhe nuk e njohin më as vetveten, sepse ua kanë thithur gjakun bishat e mëparshme.
Gjatë një ndarjeje të tillë nuk kam pasur fuqi dhe kohë as për të menduar se Ajo mund të ishte vërtet një femër-ëngjëll dhe se të gjitha lapërdhitë që më bluanin, mund të ishin vetëm të miat - pisllëqe, të cilat pastërtia e Saj m’i zbulonte të më zinin frymën. Nuk kisha kohë dhe fuqi për të zbuluar se mbase, përmes aq plagëve dhe vogëlimave të mia të përditshme, tek unë mund të kishte hyrë më shumë botë nga ç’duhej.
Kaluan shumë kohë shpirtërore në këtë varrosje për së gjalli. Ishte fat që nuk isha ndarë me kohën. Dhe një mëngjesi m’u neverit e njëjta mënyrë të vuajturi, e njëjta bluajtje që nuk çonte përveçse në përsëritjen e vet, dhe shkova ta takoja. Nuk duhet të harroj zinë e syve të saj pa shprehje të njohura, shpirtin e torturuar që i qe mbledhur i tëri tek sytë, ngrirjen, dridhjen e duarve, harresën e vetvetes; nuk duhet ta harroj ritakimin tonë, pamjen e saj që rrezatonte njëfarë shenjtërie të keqkuptuar e të marrë nëpër këmbë, lumturinë që më rridhte në vend të gjakut, atë ngjarje që e prekja me gishta, mund ta puthja, ta adhuroja, e që nuk kisha me çfarë ta besoja.
Kaq pak pata besuar se Ajo mund të dinte edhe të vuante.
Ajo kish ditur të vuante.
Nuk duhet ta harroj mëngjesin e asaj dite kur m’u afrua duke u dridhur, kur më prekte për të më gjetur të vërtetë, kur grihej në mosbesimin se si, për aq kohë me radhë, kish mundur të sillej aq ftohtë me mua, të ishte akull fare, të ishte aq jashtë nesh, aq e verbër dhe e largët për një dashuri të tillë. Dhe kemi ndenjur të dy në një bar ngjyrë qumështi, vetëm ne në bar, jashtë: rruga e hirtë dhe vetura dhe kalimtarë dashurish të tjera, dhe ishte aq e dhënë ndaj syve të mi, sa mund të thoje se ishte vetë vështrimi im. Ishte e përlotur dhe e lumtur, si në çastin para përkëdheljes sime natën e parë, dhe i kam thënë se nuk do ta lija të bëhej bishë e rëndomtë, nuk do ta braktisja në atë vdekje, - tashmë pjesën më të rëndë të llahtarës e pata kapërcyer, - nuk do ta lija të shterej e ta gëlltiste shkretia edhe sikur të duhej të mos mbeteshim bashkë, se isha gati ta shpëtoja edhe me çmimin e jetës sime, dhe isha gati vërtet. Isha gati, për herë të parë, të shpëtoja një njeri, me çmimin e jetës sime, (çmim, të cilin nuk e dija fort saktë, dhe kursi i dollarit nuk kish si të më orientonte), unë: një i huaj tashmë pa një tokë e pa një jetë, unë që shpeshherë mbetesha pa ngrënë, pa një kokërr leku në xhep, i pangushëlluar në mallet e mia, me shkrimet që askush nuk i botonte. Dhe ka rënë mbi ne, si mbrëmje, e tërë lumturia e çasteve kur ishim njohur, kur ishim puthur për herë të parë tek ashensori, për herë të dytë, kur i pata treguar për Pinkyn dhe kur kishim zgjatur gishtat në natë, i kishim lidhur, madje edhe shkëndijimi hyjnor i mbrëmjes kur pat ardhur në dhomën time, madje edhe lumturia e mbrëmjeve kur fërgëlloja i përqafuar me veten time, si me më fatkeqin ndër të gjallë, dhe kur bënim dashuri në heshtje të plotë, madje edhe lumturia - njëfarësoj e pagjallë, por me një ëndje perverse, e mbrëmjeve kur nuk ishim parë e kur kushedi ç’kish bërë secili; (kanë vërtet një ëmbëlsi marramendëse pajtimet)…
Rrallë kam parë një femër më të përvuajtur, o Zot, dhe falmë, nëse mundet, nëse unë e kam bërë të tillë. Nuk duhet të harroj as aureolën shenjtëruese që ia shihja kur më tregonte ç’kish hequr ato kohë: tmerrin e pagjumësisë, e zhdukjes së të gjitha mendimeve, e etjes për jetë, e mosbesimit se unë mund të isha i aftë dhe aq i egër sa të shkelja me këmbë një dashuri të tillë, se si kish nisur të qante, të fliste me mua, (domethënë: me vete), me muret, të qante gjer në sëmundje, sepse, mes të tjerave, hall mbi halle, nuk duhet harruar: gjatë ditënetëve të një ndarjeje të tillë, papritmas i kishte vdekur qenushi (!), ai qenushi që aq herë m’i pat shkalluar zorrët gjatë çartjeve të xhelozisë, e pat shtypur makina (u raftë pika!), e patën varrosur larg, shumë larg Saj, kurse Ajo ishte ndjerë qënia më e pafat e botës, kishte qarë gjersa nuk i kishin mbetur më lotë, aq sa, në një çast, nuk e kish kuptuar se përse qante, përse qante aq shumë… Ka qënë një ndjesi krejt e re, o Zot, kur unë dhe qeni i Saj i vdekur, u bëmë bashkëfatës në njërën prej periudhave më të trishtme të jetës së Saj! Por mendoja se duhej të harroja sa më shumë gjëra, të harroja sa më shpejt, ose më saktë: duhej të falja sa më shumë e sa më shpejt, (pa harruar asgjë, përndryshe falje si robot), në një dashuri të tillë. Të mos lejoja të më hiqnin zvarrë sjelljet, gjestet dhe mendimet e rëndomta apo fyerjet që nuk ia vlenin asgjë para një dashurie të tillë. Por kaluan shumë kohë me përpëlitjet e faljeve dhe harresave, me faljet pa harruar dhe me harresat pa falje, dhe sërish po ndjeja atë shijen pleqnore e të pashpresë të lodhjes.
Mbi qënien time të përndezur si rrallëherë, si ndonjë pelerinë a çadër e stërmadhe e qullur, po ulej shuarja. Kam ndenjur mbyllur në dhomën time për kohë me radhë, pa uri, pa etje, duke zbrazur filxhanë kafeje e paketa cigaresh, herë i mahnitur e herë i përgjakur nga pamjet torturuese. Kam dalë jashtë si lugat në riedukim e sipër, kam dalë vetëm sa për të ngrënë bukën time të përditshme, e cila vërtet po më mbante era amëshim, kam dihatur lumturisht me mallin për Të, një mall që më ndihmonte si ëngjëll për t’u arratisur përkohësisht nga çjerrjet vdekjeprurëse; ëngjëll që më mbante të kthetruar në qiell.
Qielli. I pafundëm dhe kristalin, me shpëtimin e shpirtrave tanë, që nuk gjejnë asnjë shpëtim tjetër, në stërlodhjen mahnitëse ku i vetmi vetëshpëtim është Zoti. Qielli dhe unë dhe Ajo, unë që, me humbjen e një toke dhe të një jete, kam fituar tre qiej, ose tri herë të njëjtin qiell hyjnor; qielli dhe mbrëmja e ringjalljes së Zotit, në një kishë të vogël diku pranë konviktit tim - dhe të panjohur që kanë ngrirë me qirinjtë në duar, rreth një prifti plak e mjekërbardhë, me fytyrë të kaltëryer nga kreshma.
Dhe fytyra e Saj me flokët sterrë, të përndritur nga e portokallta e qirinjve, me lëkurën e zbehtë, ku asnjë shprehje frike ndaj shterjes nuk i shmnagej dot Ringjalljes mbarënjerëzore, Ajo me qiririn në gishtat e hollë, qiriri me flakëzën e portokalltë e të kaltër në rrënjëza, me dritën që i lëvrinte si një ëndërr mbi tipare, mbi vezullimin e syve pa shprehje të njohura.
Dhe unë pranë Saj, me një dashuri të tillë, me qiririn dhe me jetën time dhe me jetën tonë dhe me djegien time të heshtur, pra: ne të gjithë duke u tretur padukshëm e pa fjalë të tepërta para mureve të bardhë të kishës, nën qiellin e hapur si ndonjë zemër e zgavruar nga dhembja për të pafajshmit që s’kuptojnë, nën qiellin e hapur mbi ne e nën ne si një dashuri e ngjyrshme, që mund të thithet; ne të gjithë duke thithur ngjyra.
Kemi bërë dashuri si në qiell atë natë, o Zot.
Ka qënë e veshur si nuse, me një bluzë të bardhë të qëndisur, e qetë dhe e dashuruar, e shtrirë në bardhësinë e çarçafëve të shtratit tim prej burgaxhiu a prej ushtari, dhe çdo gjest ka qënë në vendin e vet atë natë: jemi afruar në të njëjtën kohë, jemi prekur në të njëjtën kohë, jemi dridhur në të njëjtën kohë, jemi përqafuar në të njëjtën kohë, jemi zhveshur, ëngjëlluar e kemi vdekur në të njëjtën kohë, dhe jemi veshur pastaj në të njëjtën kohë, kemi pirë kafe, jemi prehur të përqafuar në mbështjellën e muzikës, që na i shkëmbente trupat dhe shpirtrat, ose të njëjtin shpirt duke e kaluar nga një trup në tjetrin, duke u nyjëtuar mes të dy trupave, dhe jemi zhveshur prapë, jemi puthur e përqafuar në një heshtje mistike, thua se notonim ngadalë në një ujë që ishte njëherazi ujë, qiell, tokë e mendim i perëndishëm - dhe e kam përshkuar lehtas me gishtat dhe thonjtë e mi, jam endur butësisht mbi linjat e trupit të Saj të dridhshëm e aq mrekullisht të dashur, për shumë kohë me radhë, për shumë ujë me radhë, për shumë qiell e mendim të perëndishëm me radhë, dhe më pyeste e mahnitur se çfarë po bëja që ndihej aq mirë, dhe i thoja se po e vizatoja në natë; dhe e vizatova gjersa më iku fryma, gjersa i ra të fikët, dhe e firmosa me thoin tregues në bark, aty ku mbase do të mbartte fëmijën tonë, ku ëndërroja ta mbante, sikur e firmosa me frymën e fundit.
E kam përcjellë pastaj deri në shtëpi, e mbaja në prehër, në një tramvaj kërkëllitës, në të gdhirë, dhe jam kthyer i mjerë nga lumturia dhe vegimi, me një tramvaj tjetër kërkëllitës, më kanë rrjedhur lotët e huaj para lindjes së një dielli që, dukshëm e pa kthim, më bindte se Zoti është dhe se, për të huajt, është dy herë në të njëjtën kohë, në të njëjtën dhembje, në të njëjtën dashuri.
Jam kthyer në dhomën time të heshtur, ku më gazmendte gjer edhe dalldia memece e merimangave dhe brumbuzhelave, dhe kam pirë një gotë fërnet duke menduar për Të, dhe kam fjetur si në të largëtën, në përmallësen virgjëri fëminore.
Kam qënë një lotus atë ditë.

“Bje,
Kur flatrat rëndohen, bje
Në tokën e butë që më ngjall veten
Toka di të më përkthejë të qaj
Të fundas në dehjen e errët të epsheve
Të betimeve të shkelura dhe të
Shpirtrave që kam kafshuar.
Bje
Dhe guri po më rrethon, rrethon
Dhe unë po e rrethoj, rrethoj
Dhe nuk e di në lutja është
Muzikë a dhembje
A llahtarë
Di
Se një si pikë loti e pamëshirshme
Nuk lejon ta humb fluturimin
Një pikëzë pamëshire hyjnore…”
Bje.
- Po edhe unë të dua - thoshte Ajo ndonjëherë, pasi merrte ndonjë dorë të majme parash, kur na ecte mbarë në shtrat, kur i blija ndonjë dhuratë të shtrenjtë, apo kur intuita prej femre e zgjonte për të mos më humbur.
Ajo nuk mund t’ia lejonte vetes luksin të më humbte: ku do të thithte një gjak më të dashuruar?! Ajo as nuk kish kohë të rendte pas gjaqesh të tjerë. Ditën daktilografonte romane policorë, kujtime ish-të dënuarish politikë, libra erotikë dhe lajmërime varrimesh, kurse natën, pasi e përcillja në shtëpi, marroste pasqyrën duke u pispillosur dhe nisej, me një çapitje kurvash, të takohej me Grupin. Grupi përbëhej nga shtatë muzikantë jevgj, të cilët dinin përmendsh të gjitha këngët lotsjellëse të këtij shekulli; Ajo ishte solistja. Nuk merreshin me dasma qyteti, sepse dasmat e qyteteve kishin salltanete dhe tangërllik të padurueshëm; Grupi e shkrinte talentin nëpër dasma fshati, ku asnjë dasmor nuk largohej pa u zbrazur tërë shishet me pije, pa u shpërvetuar tërë kopeja e therrur posaçërisht dhe pa u nxjerrë të gjitha bashkë si pleh për qenat e uritur.
E gjithë jeta ime ka rrjedhur nëpër dasma, thosh Ajo. Në fshat njerëzit janë më të mirë, më të çiltër, dhe paguajnë mirë. Unë nuk i honeps dot qytetarët, se kanë tangërllik. Kur kthehej nga dafrungat, zhvishej pa marrë vesh ç’bënte, hidhte togun e lekëve në dysheme dhe binte në gjumë. Paratë i prishte me mua, ose blinte libra policorë, erotikë apo me kujtime ish të përndjekurish politikë. Lajmërime varrimi nuk di të ketë blerë ndonjëherë.
Kaluan edhe kështu mjaft kohë, me lodhje e pritje që dihatnin për një grimë dashuri të vërtetë, siç e kishim pasur dikur, siç na kish magjepsur natën e Ringjalljes; kaluan bashkë me shumë kohët edhe vajtimet e Saj kushtuar mungesës së perspektivës në këtë vend të mallkuar; maestrot e muzikës së lehtë, para se të të dëgjonin, donin të të shijonin, Ajo s’ishte nga ato; kaluan edhe netët kur bëmë dashuri si të tërbuar e kur goja mes këmbëve të Saj m’i gëlltiste furitë e më shtynte të bindja veten se një dashuri e tillë meritonte gjithçka, e kur ledhatimet e Saj gjithnjë e më rutinore më shtrëngonin të mos shkalloja nga sytë e Saj të tretur në hapësira të tjera, me të tjerë mendime, mbase me të tjerë meshkuj. Ajo ndarja e atillë m’i pat bërë hi ethet e rëndomta të xhelozisë, mirpo nuk më kish mësuar ende se një dashuri e tillë nuk platitej lehtë, se nga një dashuri e tillë shpeshherë vetëm varri mund të të shpëtonte. Pyesja veten se mos vallë vuaja tek shihja se si Ajo që dashuroja mbi çdo gjë nuk arrinte të ndjente përvëlimin e një dashurie të tillë. Nuk kisha qënë me asnjë femër kaq i ftohtë sa ta mendoja sjelljen e Saj si një larje mëkatesh, (të zunë haqet e filanes, të zunë!). Pyesja veten se si, në një moshë kaq të njomë, hynte vetë në urinë kafshërore të pasurimit, etej ta shtynte me zemër ndër dhëmbë këtë rini të ngjeshur me angarira, aq brejtës e kishte ankthin që s’donte ta ndante me mua - kurse unë isha tepër i huaj, isha, sipas saj: tepër i përkryer, por isha edhe i etur, o Zot, për pak lumturi të zakonshme, nga ajo e të gjithëve, dhe këtë lumturi u detyrova ta çgroposja nga vetja, ashtu siç kisha çgroposur dikur edhe durimin, shpresën, madje në praninë e Saj, si në praninë e një guri, teksa thërrmijat e fundit të njeriut tek unë po bëheshin pluhur. Kam qënë i lodhur gjer në papërgjegjshmëri atëhere, dhe:
- Ruaji, Zot, vdekësirat nga shenjtët e gjallë! - nisa të lutesha.
Ata mbase s’duan të jenë shenjtë, por dashurojnë, kanë rënë (janë ngritur) në dashuri. Ata nuk kanë kohë as të falin, as të harrojnë, por falin dhe harrojnë, se janë ngritur (kanë rënë) në dashuri. Ata nuk duan, por gjërat janë ndërtuar në mënyrë të atillë, që falja e tyre të mos jetë gjë tjetër veç kafshimit, përtypjes, gëlltitjes së bishave.
Në një çast kur në vend tim gjalloi fati i Saj, pa ditur, por edhe pa pasur ç’të bëj më, unë rashë në grackën e vesit tim të vjetër: e bëra personazh. Nga një pikpamje, kjo ishte më keq se sa ta bëje prostitutë e ta punoje gjëkundi; dhe ia pata përsëritur aq herë, në çaste me temperaturë të lartë paranoje, fjalët: E mallkuar dhe e bekuar dita kur ndokush hyn në gojën time! Kush kish nerva të tepërta ta mbante mend tani atë ditë?! Kishin ikur mbrëmjet e rënda e aq të gjalla nga pleksja e ndjesive të kundërta, kishin ikur mbrëmjet e monologjeve pafund, e dialogjeve të përfytyruar, egërsia e të cilëve rritej pas çdo postulati, kishin ikur edhe mbrëmjet kur një trishtim i pathënshëm brofte fyejve të shpirtit, më përmbyste mbi vete e ma këndonte këngën e lolos, duke më mbajtur pa frymë në pezulli; kishin ikur edhe çastet kur ftohtësia e Saj më çirrte drejtpërdrejt në cipë të zemrës e kur duhej të ikja a të heshtja, që të mos e mbysja. Isha ngushëlluar me mendimin se jo gjithkush mund të dashurojë më shumë se një herë në jetë, se shumë njerëz e kishin tashmë për racë të shtereshin me një dashuri të vetme, ose thjesht me vegimin trunor të një dashurie fantastike, e të mos ngrinin pastaj kokë për gjithë jetën, duke shkelur mbi dashuritë e tjera, që gjithmonë shfaqen… Isha ngushëlluar me mendimin se Ajo aq e kishte, aq dinte, aq ndjente; unë do ta dashuroja ashtu siç dashurojmë mallkimet, pastaj do ta braktisja; s’ishte hera e parë që vuaja ashtu etj, etj, etj. Kishin ikur edhe çastet kur qetësoja veten me diazepam, apo me idetë biblike rreth dëmshpërblimeve, ligjin e karmës, larjen e mëkateve të vjetra me paga të reja, ç’kisha bërë po gjeja; ç’po më bënte do t’ia bënin; ç’po dhuroja do ta merrja njëqind fish etj… Po ç’kish mbetur, o Perëndi?!?
Kishin kaluar edhe ditënetët e panatyrshme kur qeshë vërsulur ta shporrja këtë dashuri nga vetja, kur, i dehur tapë, i rrënuar e memec, tek ndiqja kuturu për të shtypur si ca mushkonja helmatisëse të gjitha dritëzat që mund të kishin mbetur gjallë, të gjitha gjestet e ëmbla e paharrueshme dhe vegimet e një dashurie të tillë, - mes kurmeve të shtrenjtë e të pajetë të të dashurave të humbura, të cilat nuk më ngushëllonin më as me velin hyjnues që u pat veshur largësia dhe ëmbëlsimi i vuajtjeve të ikura, - isha gjendur i vetmuar për lemeri buzë një grope të hapur në mua, gropë ku rashë pa mundur të bëja gjë tjetër më ngushëlluese, dhe gropë, që nuk paskësh qënë përveçse një shprehje tjetër e një dashurie të tillë. Ka qënë çasti kur të vetmen lumturi në mjerimin tim e përbënte bindja shpirtërore se Zoti e dinte sa i mjerë isha!
E më pas, të gjitha, si gjethëza të një peme që shkundet në ëndërr, kaluan, u largova prej tyre pa e kuptuar qartë, u larguan prej meje me një shpejtësi që do të më kish tmerruar po ta dija se po ftohesha; unë ia drodha personazhit tim me një femër tjetër, me një të gjallë anonime, pas një mbrëmjeje magjepsëse, në një bar ku po mbaja një fjalim rreth kotësisë së vuajtjeve në dashuri: emrat treteshin - dashuria mbetej, askush nuk meritonte t’i jepeshe me gjithë shpirt, duhej të dashuroheshim me dashurinë e jo me njerëzit; nuk kaluan përveçse disa gota pijesh të ndryshme, (të gjitha tepër të lira që të mund të ishin origjinale), dhe bjondja e brishtë u ul të dëgjonte fjalimin, pastaj fjalimi zbrazi tryezën, pastaj ligjëruesit i doli pija, dolëm përdore rrugëve të stërgjata e vezulluese të metropolit, në atë hapësirë që aq lehtë mund të të bëjë bajgë e të të harrojë siç harrohen dashuritë… Isha mes një bishe që po ngjallej brenda meje, një fëmije që po jepte shpirt dhe një ëngjëlli që po dashurohej me mua. Pastaj rashë në njëfarë gjumi me sy hapur, e kapja veten gjithmonë duke shëtitur nëpër parqe, mundohesha të mos ulërija, të mos turbulloja me asgjë nuhatjen e doktorëve të veshur civilë. Pastaj ndjeva se gjumi më dilte papritmas, jo nga ndonjë ëndërr e mbrapshtë apo nga ndonjë vegim rrënqethës, por nga një çlodhje e panjohur më parë; ngrihesha më këmbë dhe dilja tek dritarja, gëlltisja me sy ç’të gjeja përpara, sidomos gjërat pa ndonjë rëndësi të veçantë, kalimtarët e përgjumur, rojet që ndërroheshin tek dera e konviktit, sorrat që uleshin duke krokatur mbi fushën e madhe pranë metrosë; kisha aq kohë pa u dehur dhe pa pirë, në këtë orë, atë gotën e disiplinimit të zorrëve.
Kisha vallzuar me të dashurën time të re, kishim ndenjur disa orë në ballkonin e një hoteli në qendër, ishim puthur atje, kishim bërë dashuri disa herë, dhe një vuajtje fine më shkëpuste çdo orë e më me siguri nga tortura e vjetër, ishte pikërisht një vuajtje fine, që njësonte njëfarë ndohti ndaj vetes, gjeste të cunguar prej të papërvoji në dashuri, dhe të gjitha këto ndodhnin, kishin ndodhur jashtë ndjenjave të hakmarrjes ndaj Saj, jashtë nevojës për t’u ndjerë burrëror dhe i lirë përmes trupit të një të padashure, thjesht kishin ndodhur.
Pastaj bjondja u bë brune, u bë prapë bjonde, mori emra të tjerë, trupa të tjerë, kurse unë vazhdova të bëja dashuri me të gjitha, tashmë i qetë, pa drithma të tepërta, edhe mosha po kalonte, edhe ne bashkë me moshën; vazhdova të bija në dashuri e të bëja dashuri pa u cënuar nga teprimi i kujtimeve të bukura, pa dhembjen e zemërgurit që gjallon vetëm sa për të ngjëruar copëra jetëdhënëse të të njëjtit trup femëror ku harliset i njëjti shpirt, ose anasjelltas, dhe shumë rrallë, mbrëmjeve, një fllad marramendës, një parfum ekzotik, të cilit vetvetiu ngutesha t’i bishtoja, një aromë ngjyrash e tingujsh të sapondijshëm dhe me praninë fantazmagorike të mallit që mund të mishërohet, më përmbyste mbi shpirtin tim të ri, dhe më vinte të qaja për Atë, për Shpirtin tim, që, prej kohësh, - s’mbahej mend sa dashuri kishin kaluar që atëhere, - ishte personazh. Dhe më vinte të gëlltisja veten, Sufletul meu , se ndjehesha mjerisht i vogël e i padenjë për kaq tepër dashuri të derdhur mbi mua. Vuaja nga një kryqëzim trunor i çuditshëm: gjithmonë ringjallesha pas humbjes së një dashurie të tillë, dhe kjo më brente si një pedrejtësi kafshërore ndaj shumë të tjerëve.
Por nuk kisha rrugë tjetër; ringjallesha.
Si ata që në çdo ndarje shohin afrimin e një dashurie më të thellë, më jetëgjatë, edhe unë, në çdo ndarje që më bënte të ndihesha shumë më i huaj nga sa mbaja, shihja një afrim më të sigurtë ndaj Zotit.
- Po çfarë ke, ç’po ndodh me ty?! - më pyeste heraherës personazhi im, e pavdekshmja ime aq e pagjallë. Ti nuk je më ai i pari. Ti ke ndryshuar, je bërë akull, më keq se ç’isha unë në fillim…
Do të vuante vdekshëm po t’i thoja se e kisha tradhëtuar dhe se kishte arritur të zinte brenda meje një vend, të cilin, fare pa më njohur e pa ndjerë një dashuri të tillë, mund ta zinte çdo e panjohur që do të shfaqej rastësisht nëpër shtigjet e gjuetive të mia të mbrëmjeve, kur as shkrimet, as dehja, asgjë nuk ma fashiste dot mërzinë. Në të vërtetë, përse nuk isha ndarë prej saj?! Duke mos u ndarë, kisha arritur që me bredhjet e mia, me tradhëtitë, pra, me jetën time më të fshehtë, të tradhëtoja veten e jo Atë, dhe këtë e dija, pra mëkati ishte edhe më i rëndë, por Ajo nuk kish ditur as të më bënte të ndahesha përfundimisht, ose: kish ditur të mos ndahej nga unë, nuk kish ditur si të mos tradhëtohesha, dhe tani ishte e padobishme t’i thoja ndonjë gjë për tmerrin, ëndjen e përbindshme dhe ndohtin e atij që mban lidhje me personazhin e vet, personazh që mbështjell si mumje, për të balsamosur, të dashurën e vet të dikurshme.
- Më mirë e cofur dhe e dashuruar, - i thoja me vete kur bënim seks, - se sa e pavdekshme dhe e ngordhur…
Më ka dhembur shndërrimi i kësaj femre, o Zot, më ka dhembur edhe ngaqë nuk dashuronte ndonjë tjetër. Rrinte mbyllur në një nga më të varfërat jetë që më është dhënë të shoh, me një stoicizëm që rrallë rastis ta kenë të paçmendurit, bënte akoma shumë tualet, këndonte nëpër dasma e restorante, kthehej e rraskapitur në shtëpinë, ku prindërit kishin gjithnjë e më pak dhëmbë në gojë, zbrazte xhepat nga paret, zhvishej pa menduar për asgjë, e shterur nga dëfrimi i dasmorëve që njëfarësoj e patën lënë të pamartuar, dhe humbte në gjumë. Po ta merrje në telefon e të zgjohej të të jepte përgjigje, ishte aq e dërrmuar, sa mund të linte takim me ty ku të doje, të të thoshte se të donte, se nuk rronte dot pa ty, se e kish coptuar malli për ty, se i bëhej dashuri, dhe të mos mbante mend ç’kish thënë e me kë kish folur, gjë që u vërtetua kur një nga dashnoret e mia e mori në telefon në emrin tim dhe Ajo iu përgjegj se mezi priste të më shihte, se jeta na kish ikur për shalësh pa kuptuar se sa duheshim në të vërtetë, e bindur se fliste me mua.
E kur dhembjet për shuarjen e Saj m’u bënë tepër të rëndomta që të mund të më mbeteshin plagë të pambyllshme, kur çdo kurreshtje e magji e Saj m’u zvordh, Ajo u zgjua.
Ka qënë kulmi.
Qe dashur të vdiste dy herë me radhë për mua, si e dashur dhe si personazh, që të mund të zgjohej për mua si i dashur apo si shkrimtar. Mendoj se diçka e lartë e zgjon shpirtin që po fiket, pak para se një dashuri e tillë nis t’i largohet. E vetmja gjë që pashë me sytë tashmë të huaj për Të ishte zgjimi i Saj. Ishte e mrekullueshme dhe mrekulluese, o Zot. Lotonte oreçast, bënte tualet vetëm për mua, ashtu siç mbante mend se më pat pëlqyer mua, nuk ankohej kur puthjet e mia ia shprishnin buzkuqin, më telefononte oreçast, më pëshpëriste fjalë të ëmbla që më nxisnin të vjellën, më vinte oreçast në dhomë, mundohej të bënte ndryshime që unë të ndihesha sa më në shtëpinë time, më bënte dhurata, më uronte për ditët e shenjta e për ato më pak të shenjta, hoqi dorë nga këngët nëpër dasma e ahengje, u vuri dhëmbë prindërve të gjorë, që, për aq kohë, nuk patën marrë vesh se ç’po ndodhte me të, i la pas dore hallet e yjeve të kinemasë, e harroi tërbimin për te fituar të holla, që e pat mbajtur për aq kohë kukull të vetvetes, më shihte në ëndërr, më fliste gjithë mall për çastet tanë të mrekullueshëm…
- Çastet tanë të mrekullueshëm?!
Po kishte qënë një jetë e tërë, Shpirti im, një jetë e tillë, një djegie e tërë e imja në pezullinë mbi shpirtin tim, ku vetëm Zoti më pat mbajtur të mos gëlltisja gjuhën mes dihatjeve të pritjes. Kishte qenë djegia ime e fshehtë, në botën-lot, ku nuk pat tentuar kurrë të shihte, por ku, edhe po të kish parë ndonjë shkëndijë zjarri, nuk do të qe dredhur nga dhimbja. Sipas ligjit ku lëkura e tjetrit është shollë! E mbase unë e pata merituar që Ajo të mos merrte pjesë në atë djegie, teksa Ajo e pat merituar një vuajtje të tillë timen.
Ishte e bukur gjer në marrëzi dhe shumë poetike.
Ishte e dashuruar thellë me mua, pastër e në mënyrë jo krejt femërore, jo e ngutur për të marrë faljen time prej martiri të dashurisë, jo e ngutur për të gllabëruar mrekullitë e ikura, apo për të mos më humbur; ishte ashtu siç e pata dashuruar atëhere kur nuk pat qenë dot e tillë, kur nuk kish mundur të mos ishte bishë.
I kishte harrruar tashmë të gjitha makthet për pasurim e për dashurinë që kalon, ishte e bindur gjer në palcë se duhej t’i jepeshe dikujt, se vetëm njërit duhej t’i jepeshe, ai isha unë, po, po, unë vetë, i qe neveritur fama prej këngëtareje; kishte (për)jetuar shkurt, por po aq thellë as edhe unë, të gjitha tmerret që pata jetuar unë gjatë këtyre shumë kohëve të një dashurie të tillë.
Ishte aq e mirë, e ëmbël dhe kuptuese, sa do të kishte qënë një tmerr i pashoq, një fatkeqësi po të mos arrije ta dashuroje si kurrëherë, si kërkënd.
Por kisha edhe unë tmerre të pashoq dhe fatkeqësira në jetë!
Ishte aq ëngjëllore dhe e vetmuar, në atë vetmi shndritëse e shenjtëruese prej të dashuruari pa përgjigje, aq përtej halleve të përditshme, jashtë urisë sime, jashtë huajsisë sime, saqë më dhimbte, o Zot, më dërrmonte paaftësia ime për ta dashuruar si kurrëherë, ngrirja ime, që bëhesha gjithnjë e më gur në prani të një dashurie të tillë që mund t’i bënte edhe gurët njerëz!
Kjo dashuri ka qënë një jetë e tërë, një djegie.
Në këtë dashuri u njohëm, vuajtëm, u puthëm, ndërthurrëm gishtat, u grindëm, bëmë dashuri, mbetëm pa frymë të përmbysur mbi shpirtrat tanë që aq herë vishnin fytyrat tona, u ndamë, qeshëm, u dehëm, kurvëruam e qamë, tradhëtuam e u tradhëtuam, bëmë plane e na u shembën, dhe rishtas bëmë plane dhe na u shembën dhe u ngritëm pas çdo shembjeje, dhe prapë ramë e u ngritëm, në këtë dashuri…
Kjo dashuri nuk duhej të zgjaste kaq shumë, Shpirti im.
Sepse pas saj, menjëherë, si një dashuri e tillë, erdhi vdekja.
Ajo vdekja e vërtetë, Shpirti im, ajo që dhuron botëra të tjera, e pakthyeshmja, sepse dhuratat hyjnore nuk mund t’i kthesh mbrapsht, dhe nuk e di. Nuk e di me çfarë e patëm bërë hak këtë dhënie të Vdekjes ndaj nesh, me çfarë e patëm merituar një dhënie të tillë ndaj nesh.
- Te iubesc, Sufletul meu, te iubesc! - më pëshpëriste njëra prej tyre.
Ose të dyja në një.
Dhe mes tyre, mes Saj: unë. Si palca e një qënieje të tillë. Dhe uji me dehjen e tij të përhershme. Dhe toka e plasaritur që merr frymë për dhembjet e të huajve të heshtur.
Toka, si një nënë e harruar.
Dhe pastaj qielli, qielli në trajtë toke dhe uji dhe shpirti të pamposhtur, qielli që rënkon në heshtje për hir të atyre që treten në Dritë pa mundur të shpëtohen me një rënkim të tillë, me një dashuri të tillë…
Këtu jam unë, o Zot,
I rëndë sa vetëm Ti mund të më mbash
Mos thërrmohem në honet e mia
Mos humb thellësitë.

Këtu jam unë, o Zot
Pas kaq jetësh të përdhëmbura me vdekje
Humbja
Më është bërë zakon
Vetëm në humbje gjehem
Vetëm në humbje mund të shihem i plotë
O, sikur të kisha vuajtur vetëm për hir tënd!

Këtu, o Zot
Vetëm Ty të kam
Dhe pluhurin e kaq kafkave të mia
Hirin që kaq herë i ka mbytur ngjyrat…

Fryj, o Zot,
Mbi jetën e ngjyrave
Dhe mbamë të mbahem
Prapë më këmbë…

Këtu jam unë, o Zot
Dhe dashuria ime si plagë
Në qiell e në mua
Dhe Ti që më thua ta gjej rrugën
Duke ndjekur pikat e gjakut
Që nuk di më në pikon
Nga unë
a nga Ti…


Bukuresht, 3 Maj 1995,
Në njërën nga dhomat e tipografisë FED

_____________________________
Ky fragment nga „NATA PAS VITIT ZERO”, u huazua nga zemrashqiptare.net

Sonntag, 9. März 2014

Mehmet Elezi - Shkolla e parë ishte në Shkodër

  • Shkollat e para shqipe janë hapur në Shkodër e rrethinë rreth 400 vjet më parë dhe shkolla e lartë të paktën 134 vjet më parë. 
  • Shkodra ka pasur observatorin e parë astronomik në Ballkan. 
  • Gjatë qindvjeçarëve Shkodra ka qenë një metropol i qytetërimit shqiptar e madje ballkanik.

Për disa dhjetëvjeçarë shteti komunist e pati zyrtarizuar një tezë të çuditshme, sipas së cilës e para shkollë shqipe në trojet shqiptare është hapur vetëm në vitin 1887 në Korçë. Në kujtim të kësaj ngjarjeje 7 marsi qe shpallur si dita kombëtare e mësuesit.

Shkolla e Korçës bashkë me poezinë e Naim Frashërit që i thotë “ta paçim për jetë hua” ka atë rëndësi që ka, por të dhënat historike janë të tjera, krejt të tjera.

Shkollat shqipe në viset veriore të Atdheut kanë gjalluar të paktën qysh prej katërqind vjetësh. At Donat Kurti në një studim të botuar te Hylli i Dritës më 1935 flet për të parën shkollë shqipe në vitin 1638. Si të parat shkolla “për sa dijm na” ai përmend “tri: shkolla e Pdhanës (lexo: Pllanës), e Blinishtit e e Shkodrës”. Për të parën thotë se është hapur më 1638. Ndërsa studiuesi amerikan Edvin Zhak (Edwin Jacques) në librin e tij të njohur “Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme” (The Albanians: An Ethnic History from Pre-Historic Times to the Present) i çon shkollat e para shqipe pak më përpara në kohë, në vitin 1632.

“Shkolla e parë, e dokumentuar, në gjuhën shqipe u hap në Velë të Mirditës më 1632”, shkruan ai. Por kjo nuk ishte e vetmja. Sipas tij “Një tjetër shkollë mjaft e hershme ishte hapur në Kurbin më 1632. Përveç shkrimit e leximit aty mësohej gramatika shqipe dhe përdoreshin librat e Bardhit, Budit e Bogdanit”. Historiani E. Zhak shton se edhe të tjera u hapën “në Pllanë, një fshat afër lumit Mat, më 1638, në Troshan, më 1639, dhe në vetë qytetin e Shkodrës më 1698”. Autori përmend disa prej mësuesve që shërbyen në këto shkolla. Tërheqin vemendjen mbiemrat e tyre: Shqiptari (Gjon), Shkodrani (Filip), dhe një i tretë Dhërmiu (Dhimitër), që me sa duket është prej një krahine jugore të vendit, prej Dhërmiut.

Më pas u çelën shumë shkolla të tjera. Derisa më 1878, pra një dhjetëvjeçar para “shkollës së parë shqipe”(!) të propagandës së diktaturës, në qytetet veriore shqiptare e deri në Durrës, siç nënvizon studiuesi amerikan, “kishte 21 shkolla të tjera fillore shqipe, që zhvillonin veprimtarinë e tyre”. Ai sqaron se secila prej këtyre shkollave kishte rreth tridhjetë nxënës, përveç asaj të Prizrenit, e cila kishte tetëdhjetë”.

Për arsye të njohura historike këto shkolla fillimisht u hapën në rrethinë: në Shkodër dhe në përgjithësi në qytete pushtuesi kishte kontroll të fortë, të përqëndruar, dhe kjo e vështirësonte deri në pamundësi hapjen e një shkolle shqipe.

Shkollat ishin fetare, katolike. Kjo përmasë ishte e kuptueshme për kohën, nuk mund të ishte ndryshe. Katolicizmi përfaqësonte fenë e parë të shqiptarëve. Në ato kushte sidomos, kur nëpërmjet trysnive me e ndërrue fenë pushtuesi synonte deri asimilimin, mund të thuhet se katolicizmi ishte pjesë qenësore e identitetit shqiptar. Katolicizmi përfaqësonte kulturën dhe qytetërimin perëndimor. E. Zhak citon një klerik françeskan shqiptar të quajtur Leonardo, i cili, lidhur me thelbin e këtyre shkollave, pohon: “Ne jemi më shumë misionarë të qytetërimit se sa të fesë”.

Në këtë hulli është edhe Kuvendi i Arbërit, i mbajtur më 14-15 janar 1703, të dielën e dytë të Epifanisë, në Kishën e Shën Kollit në Mërkinjë të Lezhës. Siç dihet ai u organizua me nismën e nën kujdesin e drejtpërdrejtë të një pape të madh, Klementi XI, Albani. Studiuesit kanë vënë në dukje se nën veshjen fetare të këtij kuvendi të organizuar prej një pape me gjak shqiptar fshihej edhe synimi i madh me e mbajtë gjallë shqiptarizmën, në kushtet e pushtimit osman.

Edhe fakti që dokumentet e këtij Kuvendi historik u botuan njëherësh në latinisht edhe në shqip, treqind vjet më parë, dëshmon qartësisht këtë synim, ashtu siç dëshmon se njerëzit që shkruanin shqip nuk ishin të pakët, pra as shkollat ku ata kishin mësuar e mësonin shqip. Sivjet ishte treqindvjetori i Kuvendit të Arbërit dhe shteti në Tiranë bëri gjumin e madh, bashkë me institucionet e veta akademike, përfshi më të rëndësishmin institucion shkencor të vendit, Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Vijimësi e të njëjtit qëndrim shpërfillës që u mbajt edhe për Nënën Terezë, në vitin e Lumnimit të saj. Po të mos kish bërë zhurmë shtypi, edhe aq sa u bë me këtë rast për Shenjëtoren e madhe, e që ishte shumë shumë pak, edhe aq nuk do të ishte bërë.

Por le të kthehemi prapë te shkollat. Asnjë botim zyrtar nuk i përmend ato. Tekstet mësimore në shumë vështrime vazhdojnë me tezat e vjetra. Ndodh për mungesë përgjegjësie të institucioneve shtetërore, për padije, për ateizëm, apo sepse janë gjurmët e frymës kundërkombëtare të diktaturës, e cila e vinte “inernacionalizmin” e ideologjinë mbi interesat kombëtare? A të gjitha këto kanë gisht së bashku në këtë mbasdore?

Përhapësimi i një mashtrimi të tillë historik e ligësisht të shëmtuar për qytetërimin e vendit tënd, duke e çuar hapjen e të parës shkollë shqipe gati treqind vjet më vonë se sa është e vërteta e dokumentuar prej studiuesve, për më tepër në mes të një Europe ku lulëzojnë universitete mijëvjeçare, është me të vërtetë diçka përbindshore. Eshtë një ndër shërbimet më të këqia që i bëhet lenies (kombit) shqiptare dhe padyshim një investim për llogari të qarqeve parake etnonacionaliste ballkanike. Të gjithë diktatorët e rroposin popullin e vet, por jo edhe qytetërimin e trashëguar, kulturën e gjuhën e tij. Ajo që ka ndodhur e pjesërisht po ndodh edhe sot Shqipëri, është e pakundshoqe në llojin e vet.

Me sa duket ishte quajtur politikisht më e dobishme që, për inat të Shkodrës e të Veriut kundërkomunist, për urrejtje ndaj katolicizmit e qytetërimin perëndimor, le të fundohej edhe trashëgimia kulturore e qytetërimi europian i kombit.

Me fjalë të tjera, jo nusja që kruhej me mullixhinë, por plaka shtrigë klithi: për inat të sime ré tim bir e shtifsha në dhé!

Historiani amerikan Edvin Zhak në veprën e naltpërmendur shton se më 1877 në qytetin e Shkodrës kishte edhe një “qendër me ndikim për arsimin e lartë, Kolegja e Shën Françesk Savierit, që pajiste me arsim teknik e tregtar rreth 400 studentë”.
Kjo shkollë e lartë ishte edhe një qendër shkencore për krejt Ballkanin, jo vetëm për Shqipërinë. Sipas këtij autori, “një risi shkencore në Kolegjin e Shën Savierit ishte Observatori Metereologjik, i themeluar aty më 1888, si i pari observator astronomik në Ballkan”. Ky observator, thekson Zhak, “i vazhdoi shërbimet e tij të vlefshme deri më 1946, kur u konfiskua nga regjimi komunist”.

Shkodra kështu dëshmohet edhe një herë si një qendër me peshë e qytetërimit perëndimor jo vetëm në shkallë shqiptare, por edhe më gjërë, në shkallë rajonale.

E vërteta duhet më në fund të thuhet: datat e themelimit të shkollës së parë të lartë në Shqipëri nuk lidhen me institutet që i shpalli me shumë zhurmë pushtetit komunist e që vazhdojnë edhe sot me u njohë si data zyrtare të fillimit të shkollës së lartë. Shkolla e parë e lartë shqipe daton të paktën vitin 1877, kur dokumentohet Kolegji i Shën Françesk Savierit, që pajiste me njohuri tregtare e teknike 400 studentë. Dokumentohet kjo datë, por nuk dihet: mund të ketë qenë hapur edhe më parë.

Në studimin që e përmenda më lart At Donat Kurti jep edhe një të dhënë të mrekullueshme për marrëdhëniet e vendit tonë me atë revolucion teknologjik që e tronditi botën kulturore me fuqinë e jashtëzakonshme shtytëse që u dha botimeve dhe kulturës në tërësi: për lidhjet me shtypshkronjën. Ai thekson se shtypshkronja kishte hyrë në Obot “fill mbas të gjetunit”, domethënë fill pas shpikjes së saj nga Gutenbergu. Shtypshkronja e Obotit, shkruan At Kurti, njihet më 1493. Kjo do të thotë se ajo ishte futur në Shqipëri vetëm 38 vjet pasi Gutenbergu i dha vendit të vet dhe botës prodhimin më të famshëm të krijesës së tij: Biblën e shtypur në shtypshkronjën e vet.

Tridhjetë e tetë vjet për atë kohë janë si tridhjetë e tetë ditë sot, ndoshta më pak. Ai përmend edhe shtypshkronjën tjetër të Shkodrës, që njihet më 1563, por nuk përjashtohet që edhe kjo të jetë më e hershme.

Shtypshkronja, siç dihet, vlerësohet si një prej shpikjeve më të mëdha të gjithë kohëve. Studiues të ndryshëm e vendosin Gutenbergun, autorin e kësaj shpikjeje, ndër njëqind njerëzit më me ndikim në historinë e njerëzimit. Madje amerikani Majkëll Hart (Michael H. Hart), e rendit të tetin sipas këtij kriteri. Futja kaq e vrullshme, e menjëhershme, e kësaj teknologjie dëshmon se në Shkodër e rrethina lidhjet me Perëndimin ishin të drejtpërdrejta; dëshmon se aty kishte një jetë intelektuale të dendur, plot energji, aty shkruhej, krijohej, botohej, përhapej kulturë.

Cilët libra janë botuar në ato vite të mugëta? Mjerisht gjatë zhvillimeve të mëvonshme dramatike në trojet shqiptare ato janë zhdukur. Por gjithësesi mund të shpresohet se diçka do të ketë mbetur e herëdokur do të zbulohet. Arkivat e Vatikanit e ato të Stambollit kanë ende shumë galeri të paprekura prej nesh.

Gazeta PASQYRA, datë 24 DHJETOR 2003.