F A Q E T

Samstag, 21. Juni 2014

Xhevahir Cirongu - ‘’Drenica’’ e Durrësit...

 
Nga Xhevahir Cirongu

‘’Drenica’’ e Durrësit dhe 15 vjetrori i çlirimit të Kosovës

(Me rastin e 15 vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë,qërshor 1999 e të çlirimit të mbarë Kosovës martire).

Memoriali ‘’Luftëtari i Lirisë’’ te ‘’Drenica’’ Durrës.


Sa herë që marrin vizitorët e ndryshëm rrugën për në Shqipëri, ata do stacionojnë pak çste te memoriali ‘’Luftëtari i Lirisë’’ në qytetin bregdetar
të Durrësit. Qytetit të Durrësit i është shtuar edhe një simbol tjetër, që na tregon e do na tregojë në shekuj historinë e bashkimit të të gjithave trojeve shqiptare. Prill 1939! Prill 1999! Vite lufte në këto dy ngjarje me rëndësi jetike për popullin shqiptar. Njëri vit ’39, i kobshëm për popullin shqiptar. Atëherë kur ‘’Sorrat’’ e zeza Musoliane zbarkuan dhe pushtuan Shqipërinë. Ishte 7 prilli i vitit 1939-ës. Qielli i shqipes u nxi dhe toka rënkonte nga çizmja e fashizmit Italian. Por, Kosova martire edhe pas Luftës së Dytë Botërore, mbeti nën thundrën e serbit. Një padrejtësi e historiisë dhe e politikës së kohërave ndaj popullit të vogël shqiptar , por me shpirti të madh që në gjak ka lirnë. Familja patriotike e Sadri Kapitit ka dhënë kontributet e saj si në luftën e Dytë Botrore në çlirimin e Shqipërisë,por edhe në vitin 1999 në çlirimin e Kosovës.Sadri Kapiti ishte invalid I LANÇ. Këtë vit festojmë 70 vjetorin e çlirimit të Shqipërisë e të 15 vjetorit të çlirimit të Kosovës. Dy festa që do mbeten simbole në shekuj për ne shqiptarët.

Mbas 60 vitesh që nga viti 1939,erdhi viti plot lavdi me bekimin e ‘’Baba Tomorri’’ muaji prill me kurorë të bardha lulesh, ku qe shkruar Liria e Pavarsia e Kosovës! Ishte prilli i vitit 1999-ës!Këtë vit, shqiponjat shqiptare nga perëndimi e diaspora erdhën në Durrës; te ky qytet i lashtë e historik, pranë valëve të detit adriatik. Pikërisht, atje te vatra patriotike e pagëzuar me emrin’’Drenica e Durrësit’’ e vëllezërve ‘’Kapiti’’. Ata ishin luftëtarët e lirisë, të cilët lanë luksin e perëndimit, dhe s’kursyen përveç të tjerave, as edhe gjakun e tyre për çlirimin e gjysmës së kombit e të atdheut, të Kosovës martire.

Në atë kohë,e gjithë bota u tund si tërmet. Popujt e kombeve në gjithë globin, panë me sytë e tyre në stacionet televizive e në gazeta, barbarizmat e gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës. Nga ky barbarizëm i pashoq, bota e qytetëruar, s’e kishte parë më parë. Si rrjedhojë i këtij gjenocidi, nga Kosova u larguan mbi 800 mijë shqiptarë. Peshën kryesore e mbajti Shqipëria: mbi 500 mijë veta. Bijët e bijat, të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë , nga gjithë trojet shqiptare e diaspora; ju përgjigjën trimërisht thirrjes së Atdheut, për çlirimin e Kosovës nga okupatori shekullor serb, që edhe ajo të ishte e lirë dhe e pavarur. ‘’Drenica’’ e Durrësit, u bë kryeqendra e pritjes dhe e bashkimit të të gjithë vullentarëve të lirisë, për t’i thënë përfundimisht pushtuesit serb se, ky vend këtu ka zot. U desh shumë sakrificë e gjak, që të vinte dita e lirisë dhe pavarsia e Kosovës. Pikërisht, qërshori i këtij viti 2014-ës, populli shqiptar do festojë me madhështi 15 vjetrorin e Çlirimit të Kosovës e 70 vjetorin e Çlirimit nga bisha nazifashiste të Luftës së Dytë Botërore , nëntor 1944- nëntor 2014. Shqipëria u bashkangjit kualicionit dhe frontit antifashistë botëror, qysh në fillimet e tij, me në krye aleatin tonë të madh ShBA. Pas kaq dekadash, erdhi koha që SHBA-ja, iu gjend në krahë shqiptarëve, e në veçanti Kosovës. Ishte pikërisht, aleati ynë strategjik SHBA, e cila udhëhoqi NATO për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb. Dhe më pas, më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova shpallt Shtet i Pavarur e Sovran.

Historia flet në çdo kohë, por bën edhe apel që ajo të mos harrohet kurrë. Të kujtohet e t’u flasi brezave. Sot, në qytetin e Durrëst, pas kaq vitesh nga ajo ngjarje madhore e vitit 1999, për popullin shqiptar e të Kosovës martire, qëndron kryelart memoriali ’’Luftëtari i Lirisë’’. Aty, te ai lokal i vogël ( ish dikur) buzë detit adriatik, u shkrua me gërma të arta e të lyera me gjak dëshmori Liria e Pavarësia e Kosovës. Memoriali ‘’Luftëtar i Lirisë’’ përjetëson historinë e lavdishme të luftës së Kosovës, e të kombit tonë. Përveç memorialit është shkruar edhe një libër që fletë për atë lokal të vogël, por që u kthye në një ambasadë e vërtetë diplomatikoushtarake. Libri me titull ’’Atdhetarizmi jeton në përjetësi’’, me autor Bedri Tahiri nga Vushtrria e Kosovës, midis ngjarjeve të tjerave të cilat janë të shumta, flet edhe për kontributin atdhetar të familjes së Sadri Kapiti. Janë të shumtë inetektualë, akademikë, diplomatë e politikanë, shoqata të ndryshme atdhetare e kulturore, që u janë drejtuar instancave më të larta shtetërore si në Shqipëri e Kosovë që ‘’Drenica e Durrësit’’ të shpallet Muze Historik Kombëtar. Ne po sjellim disa vlerësime në këtë shkrim, sepse ato janë të shumta që kanë bërë personalitete të të gjithave fushave.

Me të drejtë gazetari Thanas Mustaqi në një reportazh të botuar në gazetën ‘’Zëri i popullit’’ më 9 prill të vitit 2000, shkruan se, ’’ Populli e ka shpallur me zemër ‘’Drenicën’’ një ‘’Mekë’’ të atdhedashurise.’’
"Sadri Kapiti ka qenë burrë mbi burra. Fakti është që edhe bijtë ndoqen besnikërisht rrugën e tij"- ka thënë z. Qemal Mançe, , ish-kryetar i Shoqatës së Invalidëve të LANÇ për rrethin e Durrësit, tashmë i ndjerë.’’

‘‘Drenica’’ e Durrësit është qendra kryesore e frymëzimeve atdhetare të buzë detit, është Tempull atdhetarie. Më vjen mire që kjo shtëpi lirie dhe tempull i atdhetarisë, pikërisht u pagëzua nga poetët dhe artistët. Ajo e ndërshqiptarizoi këtë vend, nga i cili buroi jetësimi i çështjes sonë madhore, çlirimi kombëtar.’’
(Xhevahir Spahiu, poet e akademik)

’’Ushtria Çlirimtare e Kosovës është Lëvizja më e mirë që ka krijuar populli shqiptar.Ajo ngriti tensionin botëror dhe i dha argument Amerikës dhe botës së qytetëruar për ta bërë politikën’’ (Spartak Ngjela, avokat) ’’Emri i nderuari ‘’Drenica’’ do të kujtohet gjithashtu edhe si kontribut atdhetar e patriotik i djemëve të familjes së respektuar Kapiti. Ajo meriton që të kujtohet një qëndër e edukimit atdhetar dhe patriotik të brezit të ri. (Bujar Muharremi, ish diplomat e ambasador i Shqipërisë në Kosovë, tashmë i ndjerë)

’’Ky është një moment historik i cili si i tillë duhet të përjetësohet nga të dy qeveritë tona, në Tiranë e në Prishtinë, dhe kjo të futet në planprogramet e tyre si pjesë e histories kombëtare ku brezat e rinj ta vizitojnë rregullisht.’’ (Ilir Malindi,shkrimtar e avokat).

Shfletojmë dokumentat e kohës, të cilat u shkruan në zjarrin e luftës për çlirimin e Kosovës. Kanë kaluar 15 vjet që nga ajo kohë, dhe qërshori i këtij viti, 2014, na jep krenarinë ligjitime. ‘’Lufta nga 28 shkurt 1998 e deri më 23 mars 1999 u zhvillua mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave jugosllave. Ndërsa nga 24 mars 1999 e deri më 10 qershor 1999, Aleanca Veriatlantike NATO me bombardime të përditshme në caqet ushtarake jugosllave, me përkrahjen tokësore të UÇK-së detyroi forcat serbomalazeze dhe Kasapin e Ballkanit Sllobodan Millosheviçin të nënshkruaj kapitullimin në Kumanovë.’’

‘’Nga Memoriali “DRENICA” atë ditë festive historike, iu dërgua një letër përshëndetëse Xhorxh Bushit, të cilën, para të pranishmëve e lexoi publicisti dhe krijuesi i njohur, z. Bashkim Hoxha. Nga kjo deklaratë ne shkëputëm këtë fragment ku thuhet:
‘’… Nëpërmjet jush ne dëshirojmë t’i shprehim mirënjohjen tonë Kongresit të SHBA dhe institucioneve të tjera ligjvënëse amerikane, të cilat kanë qenë gjithnjë të ndjeshëm në miratimin e një varg rezolutash, ku është denoncuar dhe dënuar shkelja e të drejtave të njeriut në Kosovë, dhuna dhe terrori sistematik i Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës, dënimi i politikave të spastrimit etnik….’’

Qërshori 2014-ës, erdhi edhe më i bukur! Këtë radhë me aromë Lirie!. Atje te Memoriali ‘’Luftëtari i Lirisë’’ në Durrës do vendosim tufa lulesh me aromë lirie në këtë 15 vjetor e përgjithmonë në shekuj. Kështu do jesh mot e jetë e qeshur Kosova ime!

Durrës, 11 qërshor 2014.

Një vizitë në klinikën e kardiologut Kristaq Pavli


Tregim nga Luan Çipi

Në takimin për kafen e mëngjesit me pensionistë vlonjatë te “Kafe Rossi” në bulevardin Skelë-Vlorë, sot u fol për dr. Kristaq Pavlin, kardiologun e shquar vlonjat. Sapo ishte ndarë nga vizita te ai, z. Petraq Gjonçe, njëri prej shokëve tanë pensionist, që si çdo kush në moshën tonë, ndiente shqetësime dhe largim nga normaliteti shëndetësor.
-Të shoh krejt normal, deklaroi dr. Kristaqi, pas një vizite të kujdesshme vizuale dhe pasi lexoi parametrat në aparaturat që dispononte. Për tensionin arteriali, do vazhdosh të mjekohesh si edhe deri me sot, pa asnjë shqetësim!
-Të faleminderit. Më bëre një kontroll të plot dhe më qetësove! Po, sa duhet të të paguaj?
-Asgjë! Ti më pagove me falënderimin, kënaqësinë dhe besimin tënd! Ne, si miq te vjetër, me këtë rast edhe u çmallëm e u relaksuam reciprokisht!
Shoku ynë pensionist na tha se u largua nga dr. Kristaq Pavli, pasi u përpoq t’i jepte atij një monedhë minimale simbolike, duke i thënë:
-“Po të shpërblej thjesht vetëm konsumin e aparaturave, se ato duhet të zëvendësohen, qoftë dhe për amortizimin e tyre moral”.
Doktori, e morri monedhën, ma futi në xhepin e xhaketës sime dhe më tha:
-Jepu nga ana ime nga një kafe, pesë shokëve pensionistë të tavolinës!
Kjo ngjarje, e pa rëndësishme në dukje, më krijoi ndjesi të veçantë, me mendimin hipotetik se dhe Hipokrati i Madh, do ndihej krenar po të ndodhej si ne, në raste të tilla simbolike humane, tashmë të pazakonta e të harruara.
Mendimi më shkoi shumë vite të shkuara, ndofta pesëdhjetë vjet më parë, kur unë përfytyrova njohjen dhe formimin e figurës për Kristaq Pavlin, këtë personalitet, tashmë tepër të nderuar. Njohja ime e hershme, me prejardhje që nga prindërit tanë miq, ka lidhje me kohën kur Kristaq Pavli, ende gjimnazist, vinte shpesh në shtëpi te shoku i ngushtë i tij, gjitoni im i paharruar, kimisti dhe veprimtari shoqëror me vlera eprore, Vaso Suli dhe unë, majë murit të avllisë së shtëpisë sime, i sodisja i gëzuar kur ata loznin basketboll atje, te një shtyllë me kosh të improvizuar.
Mu kujtua ajo rini e artë vlonjate, ku, veç Kristaq Pavlit dhe Vaso Sulit (Kryekëshilltari i Bashkisë së Rrethit të Vlorës, që pati një vdekje të parakohshme aksidentale), ishin aty edhe Petraq Karaja, Petraq Truja, Kristaq Loli, Lame Fandi, Qerim Vrioni, Agim Shuka, Bajram Bala, Nardi Gjyli, Hito Jazo, etj. Ata ishin djem të zgjuar, të shkathët, të etur për dije e përparim, që secili shkëlqeu në jetë e në shoqëri, duke u bërë nderi dhe krenaria e vendit.
Kujtimet dhe çka dëgjova i gëzuar sot, nga shoku im pensionist ish mësuesi i nderuar Petraq Gjonçe, më shtynë t’i bëja me një herë një vizitë mirësjellje në Klinikën e tij, te “Laboratori Mjekësor Bio Skelë Vlorë”, mikut tim të hershëm, kardiologut Kristaq Pavli. Laboratori Italo-Shqiptar “BIO” ndodhet në katin e dytë, te një ndërtese shumë katesh në hyrje të rrugës se re “Arianit Komneni” Po aty, në një ndarje të posaçme, është dhe Klinika Kardiologjike e dr. Kristqa Pavlit.
Dr.Kristaqin e gjeta jashtë vizitash, të lirë, në një klimë dhome rregulluar kënaqshëm nga kondicioneri freskues, duke lexuar një revistë mjekësore italisht, nën tingujt qetësues të një opere të Verdit. Nuk u çudita se e dija që muzika dhe gjuha italiane janë një nga pasionet e tij të kahershme, krahas aftësisë prej poligloti të tij dhe dëshirës së përhershme për lexim.
Sa më pa, dr. Kristaqi, që mua mu duk i rinuar dhe vital, u ngrit shpejt dhe më përqafoi me mall e dashuri. Kishim mbi 6 muaj pa u parë, pas largimit tim për në Holandë e Kanada..
-Kam mësuar nga shtypi dhe nga shokët se, ti Luan i dashur, ke botuar dy libra te reja, gjatë kësaj kohe, që unë i pres me padurim!
-Edhe për të dhuruar këto dy libra me tregime e poezi, kam ardhur. Ja ku i ke! Lexim të këndshëm!
Dhe në sytë e tij prej lexuesi dhe adhurues librash letërsie, arti e mjekësie, pash të shprehej dukshëm falënderim e kënaqësi. Dr. Kristaqi më ftoi për kafe, po unë duke menduar për orarin destinuar për vizita mjekësore, i shpreha falënderim dhe i thash se sapo u ngrita nga kafja e tij, paguar nga paratë që i dha ai për këtë qëllim, pacientit Gjonçe.
Biseduam gjatë për djemtë e tij të suksesshëm dhe që njeri prej tyre, edhe ai kardiolog në Spitalin “Nen Tereza” Tiranë, tanimë ka barrën të përballojë edhe porositë e rekomandimet e tij të shumta, ndërsa më i vogli, jurist i suksesshëm dhe me disa mastera shkencor pas universitare, punon në profesionin e tij, te “SOROS” në Amerikën e largët.
-Vijnë pacientë të shumtë vlonjatë të vizitohen, sipas traditës dhe “namit” këtu te unë, vazhdon të më shpjegoj Dr. Kristaqi, po shkenca dhe teknika kanë evoluar dhe specialistët e mirëfilltë, me aparaturat e posaçme, janë përqendruar sipas fjalës së fundit të shkencës mjekësore të përparuar, në Kryeqytet, në klinikat dhe spitalet shtetërore dhe private, ndaj unë nëpërmjet djalit tim, ndërhyjë për t’i dërguar pacientët e mi të posaçëm edhe atje.
Çka dëgjova momentalisht nga dr. Kristaq Pavli, më solli në kujtesë një tjetër ngjarje, gati 30 vjet përpara:
Isha në Tiranë për një vizitë me një mbesën time te kardiologu, i famshëm për kohën, dr. Spiro Qirko, edhe ky me origjinë nga Narta e Vlorës. Kur po niste të vizitohej mbesa ime, dëgjohet një zhurmë e pazakontë te porta, hapja e saj e vrullshme dhe një ndërhyrje e shpejtë dhe e zhurmshme. Ishte një pacient që vinte nga Vlora dhe kërkonte të vizitohej urgjent, se ndryshe nuk arrinte dot orarin e trenit për t’u kthyer në Vlorë.
Dr. Qirko i qetë dhe i kujdesshëm, pasi na merr leje, nis e komunikon me pacientin e paduruar:
-Vjen nga Vlora për t’u vizituar te kardiologu në Tiranë? Po si nuk të vjen rëndë dhe kapërcen e fyen kardiologun vlonjat?
-Po kam hall koke, o vëlla, jam duke vdekur dhe vijë te doktori i shquar, më i miri i kohës, Spiro Qirko! Fundja dhe ai vlonjat është!
-Ta them unë, me kompetencë, unë pikërisht Spiro Qirkoja “i shquar” siç thua ti: Doktori Kardiolog më i mirë dhe më i shquar i kohës është bash Kristaq Pavli. Ai kardiolog, që duhet të ishte këtu me mua, po që tani e keni ju në Vlorë. Ai, që ma ka kaluar mua e më ka lënë pas, qysh kur ishim bashkë student!
Mua, mu shtua respekti, kur dëgjova modestinë dhe altruizmin e skajshëm të Dr. Spiro Qirkos, por nuk mund ta harroj kurrë këtë konsideratë për shokun dhe kolegun e tij, Dr.Kristaq Pavlin, këtë mjek të aftë qysh në rini, tani “Nderi i Qytetit të Vlorës”. Me të drejtë kjo ndjesi e hershme kishte ngelur te unë e pashlyer nga vitet dhe është shumëfishuar me arritjet e tij në karrierë, duke u mbartur e akseleruar në trashëgimëni vlerash pambarim, mandej deri te djemtë e tij të denjë.
Në portën e Klinikës së Kardiologjisë “Pavli,” po trokisnin. Hapja e derës shfaqi para meje një radhë të madhe pacientësh. Prisnin me padurim: kompetencën mjeshtërore të mjekut të shquar e me shumë përvojë, fjalën e tij të ëmbël edhe ajo shëruese, ose rekomandimin e tij jetëdhënës për më tutje...
Kaq. Më shumë do isha pengesë. Ishte saktësisht koha për t’u larguar...
 
Vlorë, më 20.06.2014

Donnerstag, 19. Juni 2014

Të ketë më tepër vëmendje për letërsinë...

VERA ISTREFAJ: UROJ E SHPRESOJ QË TË KETË MË TEPËR VËMENDJE PËR LETËRSINË, ARTIN E KULTURËN!

 Nga Murat Gecaj
 

Nga leximi i një jetëshkrimi për ty, jam njohur me disa fakte…A mund t’i informojmë edhe lexuesit, shkurtimisht?

-Po, patjeter… Kam lindur në Kukës dhe këtu kam mbaruar gjimnazin, nė vitin 1994. Jam diplomuar në shkencat humane dhe studimet master i kam kryer në fushën e drejtësisë. Jam e martuar, nënë e dy djemve, Veronikut 18-vjeçar dhe Klevisit 14-vjeçar. Jam juriste në profesion dhe punoj në administratën publike, këtu në qytetin e lindjes.

Krahas punës së përditëshme, je dhe mjaft aktive në veprimtari të ndyshme shoqërore…Cilat janë ato, më kryesoret?

-Kam marrë përsipër që të jem avokate, në mbrojtje të të drejtave të njeriut, kryesisht të grave dhe vajzave, gjë që më sjell mjaft kënaqësi, pa prjashtuar shqetësimet e njohura. Në këtë kuadër, jam drejtore Ekzekutive e Qendrës së Këshillimit të Grave dhe Shërbimeve Sociale, si dhe koordinatore e rrjetit “Barazi në vendimmarrje”, për qarkun e Kukëst. Si veprimtare e shoqërisë civile, kam një përvojë 20–vjeçare.
Kënaqësi e veçantë për mua ishte ceremonia e vitit 2009, në Tiranë. Aty u përzgjodha një nga 10 njerëzit më me ndikim në bashkësi, në shkallë kombëtare.

Qyteti i Kukësit është afër Prizrenit e Gjakovës dhe tërë Kosovës…Çfarë lidhjesh ke me bashkatdhetarët tanë atje, si në fushën e krijimtarisë dhe të veprimtarive shoqërore?

-Përherë jam në bashkëpunim me ta, për çeshtje të letërsisë, artit, kulturës e më gjerë. Pika doganore e Morinës nuk na pengon aspak, që të ecim në të njëjtat rrjedha. Kur më nderuan e më dhanë çmimin e parë, në Akademinë Letrare “Esat Mekuli”, përfundimisht m’u rrënjos mendimi, se jemi “një”.

I kaluam, si pa dashje, tri pyetje dhe dikush mund të mendojë se e “harruam” krijimtarinë tënde…Por, jo! Pra, kam dijeni se, deri tani, ke publikuar katër libra me poezi. Cilët janë ata dhe tematika e tyre, sigurisht shkurt?

-Që në vegjëli kam botuar vjersha e skica, në revistat dhe gazetat e kohës. Ndërsa në vitet e fundit i kam mbledhur poezitë e mia në 4 libra, përveç një almanaku të botuar më 1991, ku jam perfaqësuar me 76 poezi dhe një ese.
Titujt e vëllimeve poetike janë: “Shiu i fundit”(Prizren 1999), “Nënqeshja e ëmbël” (Prizren, 2001 ), “Në akuj digjem”(Prishtine 2003) dhe “U jepem udhëve”(Prishtine 2005). Tematika kryesore e tyre është “gjerdani” i problematikave të ditëve të sotme, si dhe ndjesive, mendimeve dhe emocioneve femërore.

Po, libra të tjerë në “sirtar” ose dorëshkrim a ke, cila është përmbajtja kryesore e tyre dhe kur mendon që t’i publikosh?

-Se shpejti do të dalë në qarkullim një vëllim lirikash dhe më pas, në vjeshtë, një tjetër vëllim poetik. Pavarëisht të gjithave, (ndoshta, po e them pa modesti), para lexuesve do të jetë sërish: Vera, e thjeshtë, delikate në dukje, nën peshën e mendimeve dhe emocioneve të forta, nën mantelin e jetës si femër, grua, nënë e veprimtare shoqërore, përballë sfidave të kohës.

Jemi nga një qark, pra unë nga Malësia e Gjakovës (Tropoja) dhe ti nga Kukësi…Çfarë mund të tregosh për krijuesit e kësaj treve, sidomos për koleget e miket shkrimtare, poete e artiste?

-Me kënaqësi mund të them se, tashmë, ka çfarë flitet për letërsi e arte edhe në Qarkun tonë, Kukës. E kam fjalën për dukuri të reja stilistike dhe për më tepër mund të flitet për një letersi edhe me mjaft autore femra, si në poezi e prozë. Duke kërkuar ndjesë, që nuk mund t’i përmendi të gjitha këtu, psh, në rrethin e Tropojës janë të njohura krijueset: Brunilda Zllami, Nafije Salihaj, Enkelejda Tahiri, Pranvera Gjoni, Migena Ramaj, Elona Zhana, Valbona Hykaj, Fatjona Geci, Zyra Ahmetaj etj.; ndërsa në Kukës e Has: Nermin Spahiu, Zaide Noka, Haxhire Haxhiu, Majlinda Palushi, Sabajeta Peposhi, Ganimete Thaçi etj.

Besoj, erdhëm në fund të bisedës sonë dhe të falënderoj për përgjigjet tua, të shkurtëra, por domethënëse! Po, a ke merak të shtosh ndonjë gjë tjetër?

-Gjithmonë dua ta nënvizoj, pra dhe me këtë rast, në mbyllje të bisedës sonë: Uroj e shpresoj që të ketë më tepër vëmendje për letërsinë, artin e kulturën nga ata, që i paguajmë me taksat tona, edhe në tërë qarkun e Kukësit!

 Tiranë, 16 qershor 2014