F A Q E T

Samstag, 27. Dezember 2014

Antropoqebapa tirone

Nga Xhemal AHMETI

«Ne në Shqipëri  jemi të ndryshëm nga shqiptarët në Maqedoni dhe Kosovë, nuk kemi qebap, qofte, kajmak (...) Shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoni kanë më shumë të përbashkëta me njerëz të tjerë nga ish-Jugosllavia, tha Armanda Hysa, antropologe e  njohur nga Shqipëria», kështu portali nga Maqedonia «Republika».

E para habi: Antropologe nga Shqipëria? E dyta; Qebapi, qoftja, kajmaku si elemente përcaktuese për të konstatuar dallueshmërinë apo pikëtakimet determinuese rreth të përbashkëtave të kulturave të veçanta ballkanike? E treta: Fakti të kesh jetuar, të jesh rritur në Kosovë e Maqedoni me oriz, pilaf, pite, patate, mish e pasul e pa qebapë, ajvar e kajmak të irriton.

Në rrjetet sociale shpërtheu debati. Më shumë ad hominem se sa përmbajtësor. Në profilin e saj të facebook-it reagoi autorja duke ngulur këmbë në versionin e saj të rrëfimit, por duke sjellë po ashtu intervistën e para një viti ne gazetën maqedonase »Utrinski Vesnik«. Portali nga Maqedonia e paska lexuar një vit më vonë për ta plasuar si lajm akut aktual. E zakonshme.

U vumë në gjueti për të siguruar informacione rreth autores. 


MIKROHISTORIA - Duke kërkuar arkivave të Londrës e perëndimit ndonjë punim të antropologes dhe ekspertes «së shquar» mbi nacionalizmin i gjetëm ato kryesisht në Tiranë, Shkup dhe një të përbashkët të shkruar me masterin (në kohën e publikimeve) e etnologjisë, të shkolluar në Beograd dhe të angazhuar në Universitetin maqedonas »Kirili dhe Metodi», Ljupço Risteski.

Punimi, ku Hysa krahas Risteskit është ko-autore me titullin «Strategies for creating the Macedonian state and nation and rival projects between 1991 and 2012» dhe që është i botuar në përmbledhjen e rusologut pak të perceptuar dhe autorit të studimeve postsovjetike Pål Kolstø nga Universiteti i Oslos, mëton të dëshmojë elementet konstruktuese të kulturës dhe identitetit të popullit maqedonas.  Lartë poshtë gjetëm edhe tekste tjera publicistike të zonjës Hysa  si «Pazari i Çairit të Shkupit» por pa asnjë relevancë shkencore. Disertacioni i saj, doktoratura e Hysës na shpaloi burimin e hendikepeve shkencore dhe dëshminë se nga na erdhi pandehja assesi të mos jetë e formuar shkollave të «Social Anthropology»-së apo «Etnologjisë» perëndimore.

Armanda Kodra (Hysa) ka doktoruar në Departamentin e Historisë të Universitetit të Tiranës në temën «Pazaret e vjetra të qyteteve shqiptare në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX» të mentoruar nga Prof. Afërdita Onuzi, e njohur si specialiste e artizanaleve dhe koreografisë shqiptare. Metodën e kërkimit (7-21) të disertacionit e popullojnë etnografët shqiptarë si Rrok Zojzi (ky si referenca absolute), Abedin Çaushi e ndonjë tjetër të asistuar nga etnogeografi i njohur serb Jovan Cvijić i shek 19, Ivan Čolovič, Tihomir Djordjević.

Përveç Cvijić-it të njohur nëpërmjet veprës së tij „Fenomeni i kartsëve“ (Vjenë: 1893) dhe informacioneve rreth historisë kulturore të Ballkanit, asnjë tjetër nga të cituarit e zonjës Hysa nuk janë antropologë, etnologë në kuptimin shkencor të termit. Madje as etnografë nuk janë. Si Hysa edhe pararendësit e saj të epokës së socializmit real kanë bërë mikrohistori, pra nuk janë marrë me proceset cezuruese brenda historisë së Shqipërisë, por kanë hulumtuar segmente të veçanta si: sokaqet; pazaret; vjeshjet nga krahina në krahinë; zhvillimi i kuzhinës në krahinën e Matit; ndikimi i pazarit (jo ekonomisë se nuk ka ekzistuar) në kulturë (?!) e të ngjashme.

Prandaj metoda shkencore e zonjës Hysa dhe gjithë  tjerëve «antropologë ballkanikë» nuk ndërtohet mbi universalisht të njohurit që nga Franz Boas, Paul Radin, Leo Frobenius, Emile Durkheim, Marcel Mauss, Claude Levi Strauss, James Frazer, Bronislaw Malinowski, Leo Frobenius e deri tek të postmodernës si Victor Turner, Mary Douglas, Eric Volf, Ernest Gellner, Clifford Geertz, Christian Giordano e shumë të tjerë që kanë prodhuar veprat kryesore (si metodë shkencore poashtu) të Antropologjisë, por mbi kuaziteoritë e modifikuara të historianëve mbi etnologjinë. E pateoritë e atyre që ne përmendëm lartë s’ka as etnologji, respektivisht antropologji, por vetëm etnografi socrealiste. Çka është kjo? 

MINIHISTORIA E NJË SHKENCE Etnologjia është shkencë që hulumton popujt e huaj dhe krahason ato mbi një mijë grupe etnike të popujve indigjenë. Para diskreditimit të antropologjisë fizike gjatë kohës së nazizmit kjo shkencë i ka ndarë zonat kulturore të botës në primitive (pa shkrim) dhe popuj me kultura të mëdha; në kultura margjinale dhe komplekse; në ndarjen e botës në katër pesë kategori zhvillimi, në tribali dhe shoqëri e të ngjashme. Nga vitet e shtatëdhjeta nuk përdoren më këto klasifikime, çka solli drejtimet në fjalë në një krizë ekzistence. Për të mbijetuar hovin e kapi versioni britanik i «Social Anthropologie», duke kërkuar kulturat e margjinalizuara brenda shoqërive postmoderne (pra duke kërkuar ishujt e „primitivëve“ dhe të paasimilueshmëve brenda); pakicat religjioze, emigracioni, subkulturat e të ndryshme. Në këtë fazë mbijetimi të Antropologjisë, ajo ka rëndë shpesh në konflikt të ashpër me shkencat politike, historinë e kohës (Zeitgeschichte – Fahu përdor historinë më të re si brum për t'i bërë diagnozë së tashmes), sociologjinë sepse "pa kompetencë" merrej me tema të tyre si: nacionalizmi, fashizmi, kombi e të drejtimit.

Nga ana tjetër në modë u shfaqën »Antropologjia historike« (Jakob Tanner: 2008), »Filozofia e kulturës« (Ralf Konersmann: 2010), «Teoritë kulturo-shkencore të kujtesës« (Nicolas Pethes: 2008) dhe të tjera, të nxitura nga çifti gjerman Aleida dhe Jan Assman, respektivisht nga teoritë e tyre mbi «transformimin dhe format e kujtesës në shkrim, kujtesë, identitet politik në kulturat e djeshme dhe të sotme (1990-1999). Sot sikur të ketë rënë një ujdi ndër katedrat akademike të "Etno – dhe Socionatropogjisë" që të përdoret propozimi i etnologut amerikan Clifford James Geertz, konkretisht: përshkrimin e sistemeve kulturore siç e perceptojnë veten pa i vlerësuar, pa iu dhënë stampën e përkatësisë si deri vonë nga etnologët etnocentrikë dhe ata që ndanin kulturat në primitive dhe të larta. 

E si funksionon etnologjia në Shqipëri?

ETNOGRAFËT E TIRONËS - Në Shqipëri nuk ka pasur e as ka Etnologji në kuptimin definicional të botës. Nuk ka shkencëtar shqiptar që ka studiuar popujt dhe kulturat tjera as "primitive" as "komplekse" e madje as veten historikisht nuk ka mundur të evaluojë e ndriçojë si duhet. Kjo ndoshta edhe për shkak të izolimit.

Çka ka pasur është disiplina e "etnografëve", të cilët nuk kanë përshkruar grupet e margjinalizuara, por siç thamë kanë përshkruar ritet, zakonet, zejet, artizanatet dhe segmentet tjera materiale të kulturës shqiptare në kuadër të historisë të ideologjizuar zyrtare shqiptare. Një lloj asistence për makrohistorinë. I tillë është edhe "specializimi" i Aramanda Hysës me pazaret e shekullit të 19 të Korçës, Dibrës e gjetiu.

Domosdo se në këtë tip hulumtimi nuk të ndihmon as Herderi, as Geertzi, e të tjerët por Jovan Cvijiç (jo me punimin e njohur ndërkombëtarisht) me studimet e tij mbi katundet serbe, sepse është gati i vetmi model që dikur depërtoi në etnologji jo si metodë por si databankë për t'iu afruar natyrës së ballkanasave.

T'iu kthehemi tani "Bit pazarit" të Armanda Hysës dhe hipotezës së saj se shqiptarët e Maqedonisë dhe të Kosovës u përngjajnë për shkak të qebapëve, qofteve dhe kajmakut më tepër popujve jugosllavë se shqiptarëve të Shqipërisë.

Dallimet janë. Por kjo hipotezë është diletante. Këtë konstatim mund ta japë vetëm ndonjë që s'ka lidhje me historinë e rajoneve të caktuara dhe flet nga ndonjë qebaptore ku e ka ulur kolegu i saj Risteski. Pse? Sepse qebapët, qoftet nuk janë pjesë kulturore e kuzhinës shqiptare, por mall për popujt tjerë të Jugosllavisë. Janë shqiptarët e Pollogut ata që gjithandej Jugosllavisë së Titos hapën qebaptoret, ëmbëltoret me bakllava e tollumba, byrektoret, duke sjellë atë lloj gatimi në Bosnjë, Kroaci, Serbi, Slloveni ashtu siç sollën bukëpjekësit kosovarë furrat e para moderne këtyre vendeve (përpos atyre shtetërore) dhe ata të Maqedonisë siç sollën nga Italia makinat e para për kafe italiane dhe akullore adriatikut e gjithandej.

Të gjitha këto specialitete mirëpo nuk janë kuzhina e shqiptarëve të Maqedonisë dhe Kosovës sepse atje tradicionalisht mbizotëron orizi, patatja, prodhimet nga mielli, si pitet, lakrorët, fasulja me salcë gullashi hungarez e shumë të tjera. Qebapët janë prodhim nga koha semikapitaliste jugosllave kryesisht për jugosllavët e "kobasicave" (salsiçeve), për tregun e atjeshëm.

Parasë gjithash mirëpo siç do të shante Malinowski dhe gjithë etnologët nuk bëhen krahasime të tilla "antropologjike" pa e fiksuar elementin (në këtë rast tregun, apo pazarin e Hysas) si pjesë konstante të një terrësia, identiteti apo operimi social.
Armanda Hysa qenka me bursë në një kolegj britanik (fellowship). Shpresojmë të mësojë atje diçka elementare për të mos e quajtur veten eksperte të nacionalizmit, si antropologe pasi sipas doktoraturës as etnografe socrealiste nuk del.

Disertacion që nuk meriton as diplomën e bachelorit – në kushtet e sotme – e lere më diçka tjetër.

__________

Shkrim i huazuar nga gazeta Zëri