F A Q E T

Sonntag, 27. September 2015

Pushtimi i ri serb me të vdekur dhe varreza!

Opinion nga Rexhep Shahu

  • Pushtimi i ri serb është pushtim me të vdekur, me 200 mijë varre ushtarësh të ushtrisë pushtuese qe në shqiperi ka bërë vrasje mizore dhe maskra ndaj popullatës vëndase.

      Shqipëria e Serbia u pajtuan, pa lejen e Kosovës, me 200 mijë varre ushtarësh serbë në Shqipëri.
        Në vjeshtë 2015 u shpik një ushtri e re e vdekur serbe me 200 mijë ushtarë serbë të vdekur dhe ia msyu Shqipërisë. Qe 100 vjet është nisë kjo ushtri të vdekurish me pushtue Shqipërinë dhe pas 100 vjetësh mbërriti në Shqipëri, mu në Tiranë, mu në Galerinë Kombëtare të Arteve. Kush është gjenerali i kësaj ushtrie të vdekur serbe apo gjeneralët, pasi kjo ushtri ka gjeneral shqiptar e gjeneral serb.
        S’janë thjeshtë gjeneralë, por janë strategë të mirëfilltë të luftës, të dashurisë e urrejtjes shqiptaro-serbe.
       Me gjithë të gjallët e vet kjo ushtri serbe ka qenë mbi dy milionë ushtarë serbë sepse Serbia para 100 vitesh ka qenë më e madhe se Kina e sotme. 200 mijë ushtarë serbë kanë vdekë në Shqipëri, të tjerët nuk i deshi vdekja, nuk i mundi i ftohti i Shqipërisë, as uria e shqiptarëve as pushka e shqiptarëve.
       Në mes të Tiranës, te Galeria Kombëtare e Arteve, në mes të shtatorit 2015, u çel një ekspozitë në kujtim të 100 vjetorit të “Tërheqjes së Madhe” serbe. Ekspozitë e mundësuar nga një eksponent i lartë i qeverisë së Tiranës, që merret me bregdetin e vendit dhe nga ambasadori serb në Tiranë, që nuk besoj se janë gjeneralët kryesorë të kësaj ushtrie të vdekur 200 mijëshe që duhet varrosë domosdoshmërisht në Shqipëri, për me e mbjellë Serbinë këtu.
        Për të kujtuar 200 mijë serbët e vdekur para 100 vitesh në Shqipëri.
Për të mos fajësuar shqiptarët si vrasës të serbëve, u tha se vdekjet më të shumta të ushtarëve serbë i shkaktoi i ftohti, moti i keq. Ah sa i keq ky moti i keq i Shqipërisë!
Që nesër të thuhet lirshëm, ju na keni varë, ne u kemi vrarë, por ju shqiptarët na keni vrarë për pak ditë 200 mijë ushtarë serbë, ju bashkë me motin tuaj të keq, me urinë tuaj të keqe, me terrenin tuaj bastard, të thyer e të shëmtueshëm, më dëborën tuaj shumë të bardhë e shumë të ftohtë, me akullin tuaj shumë të rrëshqitshëm.
        Pastaj u tha e shkrua se ushtarët serbë vdiqën prej urisë. Sa e keqe kjo uria e shqiptarëve! Sa të varfër këta shqiptarët që nuk patën bukë t’u jepnin dy milionë ushtarëve serbë në Shqipëri dhe nga këta dy milionë vdiqën edhe prej urie 200 mijë ushtarë serbë në Shqipëri
        Pastaj u tha se vdiqën edhe nga mungesa e ndihmës së shqiptarëve apo nga dhuna e lufta e tyre.
         Kjo rrenë, më e madhja dhe fantastikja, më e përbindshmja qe 100 vjet, po fut rrënjët në kujtesën e historinë tonë kombëtare, që të mbijë shpejt si e vërtetë pelini një ditë. A i dini lulet e pelinit çfarë janë, të vdesin me aromë, të shndrrojnë nga shqiptar në serb sapo t’i marrësh erë.
        Unë jam 55 vjeç, do të jetoj edhe 45 vjet, e kam vendosë vetë, dhe e di se një ditë do të ngrihen ushtarët e vdekur serbë në Shqipëri dhe do të më pushkatojnë. Nëse do të deklarohem serb, do të më presin vetëm kokën, nëse do të them jam shqiptar do të më bluajnë në mulli, pastaj do të ma djegin miellin e kockave dhe do të bëhem tym. Në qiell nuk ka as shqiptarë as serbë. Ata janë të knaqur të mos jem në tokën time as si varr as si gjurmë as si shenjë, por të jenë veç ata.
        Qeveria e Shqipërisë, atëhere kur serbët të më bluajnë mua në gurët e mullinit, nuk e di a do të flasë shqip apo serbisht, nuk e di. Veç do të kujtohem atëhere dhe do të mallkoj qeverinë time se kur u desht me folë shqip, foli një gjuhë serboshqiptare të përzierë.
Shkurt, duhen mbjellë 200 mijë varre ushtarësh serbë në Shqipëri. Që këto varre të çelin lule pajtimi. A e dini ç’janë lulet e pajtimit, çfarë arome kanë. Aromë urrejtje kanë.
        Unë di historinë e mbjelljes e të lulëzimit të varreve greke në Shqipëri. U pagua një bandë xhambazësh që filluan të mbledhin eshtra gjithandej, eshtra kafshësh, eshtra gomerësh, filluan të vjedhin eshtra në varrezat e fshatrave të braktisura dhe i shitën shtrenjtë këto eshtra si eshtra ushtarësh grekë të vrarë në Shqipri. Mjafton të ishin eshtra, qoftë edhe eshtra majmunësh apo eshtra shpendësh. Duhet shkruar me eshtra historia e të vrarëve grekë në Shqipëri. Që pas qindra vjetësh ose dhjetra vjetësh sepse ne na bëhet shpejt natë historia, natë e errët, e zezë, të thuhet se kjo tokë ka qenë greke, ja ku janë varret greke dhe varret janë historia, varret janë gjeografia, varre janë atdheu. Serbët pretendojnë se ku është një serb është Serbi, grekët thonë ku ka një varr grek është Greqi, kryeministri aktual serb deklaronte para pak vitesh se për një serb të vrarë do të vrasim 100 jo serbë, çfarëdo qofshin jo serbët, boshnjakë myslimanë pra serbë myslimanë apo shqiptarë.
        Dhe sot në Shqipërinë e Jugut po çelin lule e fruta varrezat greke që u mbollën nga kisha dhe shteti grek sepse financuan majmshëm për këtë biznes të së ardhmës së tyre. Nuk dua ta besoj se për mbjelljen e varreve greke në Shqipëri të kenë marrë para qeveritarët apo politikanët shqiptarë.
       Ne reagojmë me mërmërima kur na vjedhin energjinë elektrike, reagojmë me dajak e me dënime me burg kur na vjedhin energjinë elektrike fukarejtë e vendit, reagojmë për një kupton 10 centësh të kafesë dhe të ndëshkojmë dhe mirë bëjmë, por nuk reagojmë kur na vjedhin historinë, kur na vjedhin tokën, kur tokën tonë e bëjnë varreze greke apo varrezë serbe.
        Modeli është, ky model grek. Të njëjtën gjë do të bëjë edhe Serbia e kisha serbe shpejt. Se qeveria e Tiranës don të pajtojë shqiptarët e serbët, pa pyetur qeverinë e Prishtinës, pa pyetur populin. Qeveria e Tiranës dhe e Beogradit nuk bëjnë mirë që u hedhin vajguri kandilave të vjetër të Serbisë në Shqipqri e Kosovë. Popujt pajtohen vetë, pa paguar me varre, me kaq shumë varre, pa e shitë tokën e Shqipërisë për varrezë serbe.
Unë reagova me një shkrim Ku janë 200 mijë varre serbe në Shqipëri.
Por është shumë pak ky reagim. Është një vrimë në ujë.
        Sepse shtypi i Tiranës e përcolli festën e mbjelljes së varreve serbe në Shqipëri si festën e mbjelljes së ullijve nga Skënderbeu, veç gazetës 55. Shtypit të Tiranës i është shurdhuar veshi nga dëgjon gusllën serbe. Shtypi i Prishtinës, veç Bota Pres dhe Bota Sot, si dy përjashtime, nuk bëri batare. Them nuk bëri batare se ne në Shqipëri jemi mësuar e kemi pritur që luftën me serbët ta bëjë Kosova dhe Luma, pasi tjetër kush nuk ka luftuar e nuk lufton kundër serbëve. Ndaj mendoja se shtypi i Prishtinës do ta mbronte edhe kësaj here Shqipërinë, por nuk e bëri.
        Shtypi i Prishtinës po pjek në fëltere vezët sklluqe të Albinit se Albini i bën vezët me dy e tre të kuqe, i bën vezët sa pata a qura dhe me ato vezë mbron çeshtjen kombëtare shqiptare, marrjen e pushtetit në tavolinën e Kuvendit të Kosovës me luftë vezësh.
        Gazeta elektronike VOAL dha hapsirë për këtë masakër të re serbe, masakër me ushtarë të vdekur serbë para 100 vitesh, masakër me 200 mijë varre serbe, masakër ndaj historisë së shqiptarëve.
        Ky është pushtim i ri serb, pushtim me të vdekur, me ushtarë të vdekur serbë, me 200 mijë ushtarë të vdekur, pushtim me 200 mijë varre serbe. Dy milionë ushtarët serbë që u dyndën në Shqipëri para 100 vitesh kishin pasë varret me vete dhe i mbanin varret e tyre në shpinë. Një milionë e 800 mijë ushtarë serbë i morën varret me vete, i çuan në Serbi, 200 mijë që vdiqën në Shqipëri hynë në varret e tyre në tokën tonë. Çudi!, do të thoshte poeti i madh Xhevahir Spahiu!
Qeveria e Tiranës heshti e lumtur pasi është vepër e saj, e zyrtarëve të lartë të saj. 
Është vepra e saj e pajtimit me serbët. E pajtimit të madh.
       Opozita në Tiranë është e zënë me gjethet e vjeshtës së parë.
       Presidenti i Shqipërisë është i zënë duke shpërndarë fletë lavdërimi.
       Akademia e Shkenca e Tiranës heshti – është e zënë më punë të mëdha, me pellazgologji e ilirologji, është duke vajtuar a kënduar se si e lamë këtë vend pa albanologji që pas vdekjes së Çabejit të madh.
       Akademia e Shkencave në Kosovë është e zënë duke u përulë para Shmidit që na shkruan historinë e Kosovës e historinë tonë kombëtare.
       Historianët në hapsirën shqiptare po hanë me gjizë e me speca dhe po shohin a ka gabime përkthimi nga rusishtja i Historisë së Shqipërisë që mendoj se na e kanë shkruar rusët.
       Vetëm profesor Eshref Ymeri reagoi, por është i vetëm.
       Në këtë stinë të mbjelljes së 200 mijë varreve serbe në Shqipëri, me leje e deshirë të qeverisë së Tiranës e me kërkesë e deshirë të qeverisë së Beogradit, në emër të pajtimit të madh shqiptaro-serb, duke përjashtuar të dy palët Kosovën, në fakt të rishkrimit të historisë së luftrave, urrejtjeve e dashurive shqiptaro-serbe në favor të serbëve, Shtëpia Botuese Klubi i Poezisë në Tiranë po boton këtë vjeshtë shënimet e një ushtari serb, Kosta Novakoviç, ditarin e tij në Shqipëri në katër muajt e udhëtimit të ushtrisë serbe nëpër Shqipëri, pjestar i së cilës ishte edhe vetë dhe dëshmoi si ushtar serb, përveç udhëtimit të ushtrisë pushtuese e shkatërruese serbe nëpër Shqipëri, përveç masakrave, vrasjeve e mizorive serbe, ai si socialdemokrat dhe kundërshtar i politikës së Beogradit, si ushtar i “mirë” serb shkruan besnikërisht Shqipërinë e kohës dhe pushtimin serb të 1913.


Genjeshtra e madhe serbe për varret e ushtarëve

Opinion nga Rexhep Shahu

        Po thuhet, sipas një ekspozite fotografike patriotike të çelur këtë mes shtatori në Tiranë, në Galerinë e Arteve, se para 100 vitesh, në Shqipëri kanë humbë jetën 200 mijë ushtarë serbe!
        Vini re 200 mijë ushtarë serbë. A thua kaq të tmerrshëm në dhunë paskan qenë shqiptarët! Kaq të fortë e të fuqishëm paskan qenë shqiparët dhe dimri e uria e tyre sa me vra e me mbytë e me i lanë të vdekur 200 mijë ushtarë serbë. Thua ku janë varrosë kaq shumë ushtarë serbë…
        Kjo sipas një episodi që në historiografinë serbe quhet si “Tërheqja e Madhe” dhe sipas tyre kanë humbur jetën në Shqipëri rreth 200 mijë serbë, kryesisht nga uria dhe ftohti.
Ndoshta është e vërtetë, krejt e vertetë. Ndoshta kanë qenë 400 mijë, ndoshta një milionë ushtarë serbe, dy a tre milionë.
        Kujtohet me bujë në Tiranë tash kjo ngjarje që besoj se është e shpikur, për me na pajtue me serbët, pasi po thonë se ka nisë vera e pajtimit shqiptaro – serb apo nisi vjeshta e pajtimeve shqiptaro-serbe. Dhe ky pajtim me serbët që don ta bëjë Tirana, i lyer pak në kokë edhe me ambasador serb në Tiranë, i lyer në kokë edhe me pak kryeministra, me pak artistë të shpikur amatorë, duke e fshirë kërkesën e zëshme e të pazëshme shqiptare se pajtimi mund e duhet të ndodhë por serbët t’i kërkojnë një ndjesë të madhe e të thellë Kosovës, duke harruar se tagrin e pajtimit e të faljes e ka Kosova dhe jo Tirana e cila në asnjë rrethanë nuk ka shpatulla ta mbajë Kosovën në supe. Pajtimi do të ndodhë e duhet të ndodhë mes shqiptarëve e serbëve si dy popuj të dënuar të bashkëjetojnë, por është e pafisme, për të mos thënë fjalë tjetër, që të ftohen shqiptarët të vajtojnë për serbët, për 200 mijë ushtarë serbë që paskan lënë kockat nëpër Shqipëri para 100 vitesh. Shqiptarët vajtojnë për veten e tyre dhe nuk ka të drejtë askush të na vejë në rrjesht e të na detyrojë të vajtojmë për ushtarët e humbur serbë. Kemi ç’të vajtojmë shqiptaërt e humbur edhe në luftën e fundit shqiptaro-serbe. Apo pajtuesve të mëdhej nuk u bëhet vonë për shqiptarët e humbur nëpër Serbi, për shqiptarët e masakruar prej serbëve dhe serbet nuk tregojnë as varret masive ku kanë groposur civilë shqiptarë.
        Pajtuesit e mëdhej që duan benefice politike për pajtimin e madh shqiptaro – serb mos të përgjërohen, mos të shpenzojnë para të madhe për ekpozita pajtimi, për ekpozita mëshire për 200 mijë ushtarët e humbur serbë nëpër Shqipëri, të fotografuar bile edhe nga një fotograf rus, sepse nuk kanë qenë civilë serbë, gra e fëmijë serbe, por ushtarë serbë, nga ato që kanë masakruar gra e fëmijë shqiptarë siç masakruan edhe në luftën e fundit, jo para 100 vitesh por para vetëm 16 vitesh.
        Ekspozitën e bujshme në Tiranë për me marrë mindilat e me vajtue 200 mijë ushtarët serbë që vdiqën nëpër Shqipëri, edhe pse të fotografuar nga një fotograf rus, e bën të mjerë dhe të shpëlarë ushtari serb Kosta Novakoviq në ditarin e tij Katër muaj nëpër Shqipëri në vitin 1913. Shkëlqimi i dhunës e mizorisë serbe në vitin 1913, si përfundoi me vdekjen e 200 mijë ushtarëve serbë dy vjet më vonë? Eh!
        Por unë kot po pyes, kur paskan vdekë 200 mijë serbë, sa serbë kanë mbetë gjallë?
Sa ushtarë serbë paskan pasë mësy Shqipërinë para 100 vitesh?
        Për me vdekë 200 mijë ushtarë, sipas disa teorive ushtarake (me të thënë e kam këtë), duhet të kenë qenë këtu mbi dy milionë ushtarë serbë, që të vdisnin 10 përqind e tyre. Ose me pak, qe të vdisnin 6 përqind e tyre, aq sa thuhet se pranon një ushtri t’i vriten ushtarë.
        Sa ka qenë forca ushtarake e Serbisë para 100 vitesh. Nuk besoj se është sekret dhe e paditur. Serbia ka arkiva dhe bota ka arkiva për Serbinë, siç ka për Shqipërinë, ani se shqiptarëve nuk u bie në mend për ato arkiva, se qeveritë tona duan të na bindin se jeta dhe historia jonë nis me ta.
        Sa ushtarë ka pasë gjithsej Serbia para 100 vitesh. Sa fronte lufte ka pasë dhe a gjithë trupat e veta i ka mësy drejt Shqipërisë. Sa ushtarë i kanë mbetë Serbisë pasi i kanë vdekë 200 mijë trupa ushtarake në Shqipëri. Sa milionë njerëz ka pasë Serbia para 100 vitesh, kur paska pasë aq shumë ushtri, sa 200 mijë me i vdekë në Shqipëri? A po flitet për Serbinë apo për Kinën? A po flitet për luftë mbrojtëse ku mund të luftojnë edhe macet e shtëpisë apo po flasim për lufte pushtuese e sulmuese larg tokave e trojeve serbe. Pyetjet s’kane fund.
        A kanë qenë të gjallë këto 200 mije ushtarë serbë që kanë vdekë, apo kanë qenë të vdekur e kanë ardhë të vdekur. A i pruni Drini e Mati xhenazet e tyre drejt Detit Adriatik-ëndrrës serbe.
        Edhe një pyetje tjetër, a kanë qenë njerëz, ushtarë, apo kanë qenë pensionistë serbë me bileta të prera për vdekje?
        Apo mos kanë qenë miliongona e kanë ardhë me tren për me u varrosë në Shqipëri e me e shpallë pas 100 vitesh Shqipërinë si varrezë serbe?
        Ani, dam s’a kanë, dam s’a ba, shtojini edhe nja 50 mijë a 100 mijë ushtarë serbë të vdekur se nuk bëhet nami. Serbë janë në fund të fundit dhe na rritet nami, fama e lavdia që kemi 200 mijë varre serbësh në Shqipëri. Le të vijnë serbët e ta plugojnë me martela tokën tonë me gjetë eshtrat e 200 mijë ushtarëve të tyre të vrarë e të mbytur nga dimri e uria në Shqipëri.
        Ky zmadhimi i qëllimshëm i shifrave si nga serbët si nga shqiptarët të bën me vjellë pa futë gishtat në gojë, të bën me vjellë e me nxjerrë zorrë e mushkëri.
        E kur thonë se shqiptarët janë sjellë mirë me to. Jo po harrojnë të thonë se shqiptarët u kanë pre edhe nga një dash sejcilit e i kanë dhënë sejcilit nga një krye berri.
        Për me e betonizue e për ta bërë të çeliktë urrejtjen shqiptaro – serbe janë kujdesë me kohë serbët por edhe shqiptarët.
        Beteja më e madhe shqiptaro – serbe në fytyrë të tokës është bërë në Lumë në kohën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Më falni për këtë mburrje labçe, por një kolonjar i ditur tha, kur përmend emrin Lumë, më thahet goja. Edhe pse e kanë varrosë me urrejtje e zell të madh edhe në tekstin e Historisë tonë të përkthyer nga rusishtja, nuk u varros kjo betejë, kjo lavdi e qëndresë e Lumës. Luma ngriti digën e qëndresës shqiptare disa kohë në nëntor – dhjetor 1912 dhe u ngrit flamuri në Vlorë, pa u lejuar serbët që të mbërrinin në Vlorë para ngritjes së flamurit shqiptar.
        Kënga jonë shqipe thotë se ne në Lumë kemi vra 12 mijë ushtarë serbë dhe u kemi shkaktue deme kolosale, kemi shpartallue e nxjerrë jashtë luftimi një divizion ushtarak serb. Ndërkohë Luma ka ngritë në luftë me ligjin e saj nga 7 ne 70 gjithë njerzit. Sa luftëtarë lumjanë e dibranë e hasjanë duhet të mblidheshin me u përballë me një ushtri më të motorrizuar dhe t’i vrisnin asaj ushtrie 12 mijë trupa? Kur kemi vra 12 mijë, duhet të kenë qenë edhe 100 mijë më shumë që kanë ikë me shkue me tregue se çfarë na gjeti në Lumë, apo jo. Por në fakt nuk ka qenë gjithë armata serbe e drejtuar për Shqipëri 12 mije trupa. Kjo shifra 12 është hedhur poshtë nga studiuesit dhe më konkreti për atë betejë është Sali Onuzi, i cili e lartëson atë betejë si më të lavdishmen në trojet shqiptare, por e zhvesh nga hiperbola e dëmshme.
        Ndërkohë që urrejtja jonë e çoi numrin e ushtarëve të vrare serbë në 12 mijë, serbët e çuan shifrën e të vrarëve të tyre në 18 mijë ushtarë serbë të vrarë në zjarrin e ferrit në Lumë. Ata, serbët e kanë më të madhe urrejtjen. Ne me çifteli këndojmë 12 mijë, serbët me gusëll vajtojnë 18 mijë.
        Kështu edhe kjo shifra 200 mijë ushtarë serbë të vrarë e të vdekur në Shqipëri, megjithë bujarinë e shqiptarëve dhe trajtimin e mirë që u paskan bërë serbëve, siç po thuhet, me duket se bie ere të keqe kjo shifer. Ani, rrini mbi të, lexojeni mire, merrini erë, mësojeni përmendësh, kendojuani tuajve, shtoni zero sa t’u teket, pune e madhe, trimëria jonë nuk njeh masë, fama dhe lavdia jonë s’ka qiell, mashtrimi që i bëjmë vetes, historisë dhe brezave s’ka kufi.
        Mund të përfitohet në mënyra më fisnike, mund të ketë masë në dashuri e urrejtje, se mjafton të thuash të dua e s’ka nevojë të thuash të dua shumë, mjafton të thuash të urrej e s’ka nevojë të thuash të urrej shume.
        Ata që nuk kanë qenë trima në kohën e duhur, nuk mund ta kompensojnë mungesën e trimërisë së tyre as të të parëve të tyre as të atdheut të tyre, nuk mund të mbulojnë asgjë, nuk mund të fitojnë asgjë sepse para se të fitojmë pasuri, duhet të japim llogari te dera e varrit. Këtë po harrojme përditë e përnatë.
        Unë ndoshta po prashis në det, ndoshta jam jerm, por hajde mbushma mendjen se kjo nuk është rrena më e madhe që kam dëgjuar qe 100 vjet. Pikë.