F A Q E T

Sonntag, 13. Dezember 2015

Sefer Neziri - Kleçka

(1853 - 1928)

Sefer Neziri i njohur si Sefer Kleçka, lindi në Kleçkë, më 1853. Ai njihej si atdhetar, patriot dhe legjenda e qëndresës së Drenicës së jugut. Mbiemrin Neziri e mbante si një simbol dhe kujtesë për gjyshin e tij, Nezirin. Sefer Kleçka ishte i biri i Hysen Kleçkës, i njohur në Drenicën e jugut për besnikëri dhe mikpritje. Familja Shala tashmë kishte zënë vend dhe kishte hedhur rrënjë në fshatin Kleçkë dhe kishte filluar ndërtimin e jetës malsore. Kjo familje vazhdoi traditat e lashta të familjeve të mëdha, të cilat jetonin dhe qeverisnin me vetë rregullat dhe zakonet e tyre. Rreth mesit, gjithmonë mbante një brez kuqezi ashtu të fortë sikur edhe muskujt dhe karakteri i tij. (Ky thoshte Seferi,- ma mban trupin të lidhur!). Babai e la të ri, por gjatë gjithë jetës Seferi ruajti edhe mbante mend për besnikërinë dhe bujarinë e trashëgimit të tij familjar dhe krahinor.

Në moshën 25 vjeçare, këto cilësi Seferi filloi t`i dëshmojë me pushkë në dorë, si pjesëmarrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, për të cilën luftoi dhe e mbajti në zemër deri në fund të jetës së tij. Që i ri ra në kontakt me njerëz të njohur dhe burra të përmendur për mbrojtjen e vendit nga pushtuesit e ndryshëm. Mori pjesë në shumë kuvende popullore të Drenicës së jugut dhe më gjerë. Si bashkëpuntor i ngushtë i Isa Boletinit dhe Xhem Lluzhnicës, tregoi një trimëri të rrallë duke u aktivizuar me shumë burra të tjerë të Drenicës së jugut në luftën e Boletinit në muajin maj të vitit 1895. Duke treguar dhe duke e bindur opinionin patriotik të asaj kohe për ndjenjat e tij kombëtare, ai e përfaqësoi Drenicën e jugut pothuajse në të gjitha kuvendet dhe tubimet popullore të cilat kishin një karakter kombëtar dhe qëllimi i tyre i vetëm ishte çlirimi nga zgjedha turke.

Në gusht të vitit 1897, kur në Manastir erdhi konsulli i përgjithshëm serb Todor Stankoviç me synim për të shtrirë pushtetin serb edhe në këto troje shqiptare, ai mori përgjigjen e merituar nga prijësi I Drenicës, Sefer Kleçka. Sefer Kleçka njëherësh ishte edhe njëri prej organizatorëve kryesorë të kryengritjes së Drenicës më 1903. Kurse në vitin 1906 organizoi kuvendin e fisit Shalë në gjithë Drenicën. Për organizimin gjithëpopullorë Sefer Kleçka dha një kontribut të madh sidomos në fisin Shala duke realizuar pajtime të gjaqeve dhe duke bërë bashkimin e familjeve në luftë të përbashkët kundër çdo kujt që përpiqej të sulmonte trojet shqiptare. Vendosmëria e familjes Shala, shfaqej edhe në martesat e tyre të cilat i bënin vetëm me familjet patriotike të asaj kohe dhe me familjet të cilat ishin të njohura si kundvrshare të pushtuesve turq.

Kjo bëri që Sefer Kleçka të jetë edhe më I fortë, më I përkrahur dhe më I qëndueshëm në idetë e tij patriotike. Sidomos pajtimet e gjaqeve kishin një jehonë të madhe dhe një rezultat të dukshëm. Kështu ai arriti ti dhe ti pajtojë shumë familje të gjakosura dhe të bëjë bashkimin kombëtar të Drenicës së jugut. Për mjeshtërinë e pleqërimit të Sefer Kleçkës flet edhe Anton Çetta në “Prozën popullore” më titull: “Gjaksori në shtëpi të hasmit me duar të lidhura”.

Duke pasur bindjen se vetëm të bashkuar mund të luftohet kundër çdo pushtuesi dhe duke e parë se pajtimi ndërmjet dorasit Zenun Hotit dhe hasmit Sylë Salihut ishte vështirë të arrihej, pleqnari dhe luftëtari Sefer Kleçka e lidhi dorasin dhe ashtu të lidhur e çoi tek hasmi duke thënë: “Ja ku e ke vraje”. Pas kësaj hasmi ishte përgjigjur: “Jo sotë, e një mijë vjet”. Ky ishte dhe njëri prej pajtimeve më të mëdha të tij.

Vlen të përmendet se pas pajtimit ata lidhën edhe miqësi, ku Zenun Hoti ia dha vajzën për djalin e të vrarit. Kështu bëri lidhjen kombëtare të Drenicës së jugut dhe burrat e kësaj ane u organizuan mire dhe nën udhëheqjen e Sefer Kleçkës ata ishin të gatshëm të vepronin kudo që ishte nevoja.

Sefer Kleçka ishte pjesëmarrës në mbledhjen e njhohur të mbajtur në Ferizaj më 1908. Në këtë veprimtari ai qëndroi krahpërkrah me patriotin Isa Boletini, në kundërshtim të hapur me xhonturqit. Disa vite para vdekjes së Hysenit, babai i tij, Sefer Kleçka u martua me Nailen, një bijë nga Varigovci, me të cilën Sefei kishte gjashtë fëmijë : djemtë, Bardhin dhe Halilin dhe vajzat, Isma, Suna, Xhemajlia dhe Fetija. E tërë ngjarja që Sefer Kleçkën e bëri të madhë dhe të njohur në tërë Drenicën e jugut lidhjet pikërisht me miqtë e tij dhe me fshatrat që shtrihen përreth Kleçkës.

Për dëshmitë patriotike dhe luftarake u dëgjua shumë shpejtë dhe jo vetën në Drenicën ejugut por edhe në tërë Kosovën. Kishin kaluar shumë vite nga kryengritja e pare e Drenicës dhe në vjeshtën e vitit 1909, kur Sefer Kleçka në bashkëpunim me Sefer Pirrakun, organizuan kryengritjen e dytë popullore të Drenicës së jugut, duke marrë aksione si rezultat I të cilave u rrafshuan shumë kulla të armiqve, sidomos në grykën e Kosovës. Në kryengritjen e majit 1910 kulla e Sefer Kleçkës u bë një qendër e madhe strehimi për pjestarë të kryengritjes dhe aty u vendosën herë pas here edhe komanda të kësaj lëvizje që udhëhiqej nga Isa Boletini.

Në muajin maj 1910 në luftën e Carralevës ishte njëri ndër organizatorët dhe luftëtarët e dalluar. Mori pjesë gjithashtu edhe në mbledhjen e fshatit Shalë që u organizua nga luftëtari Hasan Prishtina dhe njëherësh Sefer Kleçka ishte ndër të parët që propozoi mbylljen e shkollës turke dhe zëvendësimin e saj me një shkollë në gjuhën shqipe. Me që përfaqësonte Drenicën e jugut në të gjitha kuvendet popullore, Sefer Kleçka mori pjesë edhe kuvendin e Junikut në maj të vitit 1912. Pastaj mori pjesë edhe në mbledhjet e mëvonshme të mbajtura në fshatin Sankovc dhe Halilaç. Këto mbledhje ishin të kryesuara nga Hasan Prishtina dhe Bajram Curri. Këtu shihet edhe bashkëpunimi i ngushtë që ishte në mes të Sefer Kleçkës dhe luftëtarëve të dalluar të kësaj periudhe historike si: Bajram Curri, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Xhem Lluzhnica e shumë e shumë të tjerë. Edhe pse më 1912 u shpall pavarësia e Shqipërisë, kjo nuk ishte një garanci e mjaftueshme për lirinë e pjesëve tjera, të cilat mbetën të shpërndara nëpër shtetet fqinje të Shqipërisë.

Edhe pas përfundimit të luftës së pare botërore Sefer Kleçkën e gjejmë me armë në dorë, duke rezistuar dhe duke mos qen i kënaqur me vendimet e marra nga fuqitë e mëdha, sipas të cilave Kosova mbeti nën okupimin e mbretërisë serbe-kroate dhe sllovene. Dhe pikërishtë me iniciativën e shovenizmit serb u arrestuan dhe u vranë, Sefer Kleçka dhe biri i tij Bardhec Kleçka u vranë në fund të muajit korrik 1928.
____________
Marrë nga Wikipedia