F A Q E T

Dienstag, 5. Januar 2016

Katër poezi nga Naxhije Doçi


Naxhije Doçi

KU JE TASH VALLË

Në krenarinë time të pafund
përfytyrim besnikërie
mbete përgjithmonë
ti ëndje e jehut të papërsëritur
me profeci magjike mes vargjesh.
Netëve të qeta me hënë
hirësi melodish të ylberta
ndezur me koncerte gjinkallash.

Ku je tash vallë,
në ç’kënd të botës rri
si kandil i përflakur?
Sa shumë ta kam lakmi
për lirikën e patrazuar të qenies
me ngjyra të cemta pikturimi.

Pranverat me ëndërra shëmbëllimi
në mug ofshamash m’i ngujove
këndeve të braktisura vetmitare
që etjet përmalluese
të çiltërsisë së patravaj
të bëhen durim i humbur
në bebëza pikëllimi,
relikt i lumturisë së harruar
muzeve të cekta.

Nëpër stinë me peizazhe bujshmërie
dyert e zemrës ende pa ngujore
në grishje agmish të purpurta
me gurra të kristalta në gurgullimë.

Sfondit të trëndafiltë
muza në buzëqeshje të përkëdhelur
me uratën për diellin
në formën më përrallore.


LUMI I KOHËS

Lumi i kohës vetëm rrjedh
rrjedh vjeshtë e dimër
pranverë e verë,
nuk mbanë mend kush para t’i ketë dalë
kohë-lumit me suvalë
rrjedhën për t’ia ndërprerë.
Të gjithë shkrihen
në risinë e valë-lumit të kohës
dhe ndërrojnë ngjyrë flokësh
nga bardhësitë e shkumbës së tij.

Moteve rinore më vrulle vrapova
kohën për ta puthur në ballë,
me të për të ecur,
erërat e pluhrosura më ngatërruan,
më thanë se u nxitova!
Unë, megjithatë,
shkelja pa hamendje
mbi trupin e bindjeve të kota
në ruajtje madhështish të shenjta.
Lotë-krojet e nënave tona
me ngrohtësi shprese i kurova
për buzëqeshje mëngjesesh të bardha.

Nuk ishte lehtë,
ishte shumë vështirë
mallkimet e atyre
që lumin e kohës me presa e ndajnë
n’aromë lulesh prilli për t’i shkrirë.


JETA SUVALË

Në jetë përherë diçka mbetej e pakryer
si një kujtim i amshuar
djegur në afshin e erërave,
vazhdimisht si një shpresë e dëshiruar
për një buzëqeshje
në këndin e gjithësisë.

Diçka në jetë është cytje e thellë
për ngarendje
në thyrje heshtjesh të plagosura.               
Është nyje e lidhur
që duhet zgjidhur
kohët e mykura për t’i shkelur
nëpër shtigje të bardha për të ecur,
që të tjerët mbushur mëkate
më hije trishti
përherë i errësonin
mbrapa për të ngecur.

Jeta nganjëherë suvalë është
e nganjëherë bëhet pranverë
në krah për ta bartur dashurinë,
surprizë për të bërë
në ngrohje lumturish të vonuara.
Jeta ecejakjesh ritmike
më të papritura përherë.


KËNGA IME

Ti hyre në këngën time
me dridhjen e telave të kitarës
dhe hirësisë së shikimeve të zjarrta                      
buzë gurrës
me gurgullimë të shkumbëzuar,
në dridhje zemre u shdërrove.                   

Kënga ime
në ngrohtësinë e valsit të nisur
erërat dehur me përmallim zemre
shkundje apatish përjetuan                               
dhe spektër në prizmë,
për të hyrë në simfoni,
balerinë gishtat e mij. 
   
Suferinë mbi suvalë më more
sa shumë gabove!
Edhepse gjatë qemë udhëtarë stinësh
për afri largësish të trembura.

Në agoninë e përgjumur
me psheretima të lodhura
melodinë të pakomponuar e lamë. 
Mbretërisë së pafundme të kujtimeve
tërë jetën me ty bisedoj
kalorës i humbur.
_________________
Poezi janë marrë nga libri “Kohë flakadanësh të lirisë” - Naxhije Doçi. 
Botuar në Prishtinë, më 2013, i përkthyer edhe në gjuhën angleze.