F A Q E T

Montag, 25. November 2019

Afrim Mustafa dhe "Bardhësitë e atdheut"

Libri enciklopedik "Bardhësitë e atdheut", kryevepër për UÇK-në.

(Afrim Mustafa, “Bardhësitë e atdheut” një libër për dëshmorët dhe luftën e lavdishme të UÇK-së, botoi Nëwborn Publishing, SHFD të UÇK-së dhe “Zëri i Sharrit”, Prishtinë, 2017)

  • Kjo vepër është kryevepër për UÇK-në, ku secili institucion i Republikës së Kosovës, apo i trojeve shqiptare, do ta ketë për nder që ta kenë në bibliotekat e tyre. Ato institucione, apo biblioteka, që do ta kenë këtë libër në raftet e tyre, do ta kenë ‘të gjallë’ luftën për liri dhe Pavarësisë së Kosovës, luftën për përmbushjen e të drejtave të shqiptarëve në Kosovën Lindore dhe luftën për njohjen e kombit shqiptar si komb shtetformues të barabartë në Maqedoni. Kjo enciklopedi meriton të shfletohet në çdo shtëpi, ashtu siç duhet të hapen dritaret për freskuar ajri, me këtë libër meriton të freskohet dhe të mos shndërrohet në harresë kujtesa jonë kolektive. Pra, ky libër enciklopedik është dritare e hapur e kujtesës sonë kolektive drejt ardhmërisë më të sigurt.

Shkruar nga: Dr. Nexhat ÇOÇAJ

       Në historinë më të re të Kosovës ka shumë ngjarje dhe shumë heronj, që ndikuan jo vetëm në ndryshimin e historisë së Vendit - Kosovës, por ndikuan në ndryshimin e hartës botërore. Ngjarjet që i përshkruan vitet e luftës, u bënë tema qendrore në shumë mediume botërore, duke zënë vend të rëndësishëm edhe në rendet e ditës së institucioneve vendimmarrëse botërore. Ndërsa heronjtë e kësaj lufte, me veprimtarinë e tyre atdhetare kanë bërë jehonë të madhe duke u bërë të pavdekshëm.
       Autori Mustafa, duke ndjekur standardin shkencor, e harton këtë enciklopedi të dëshmorëve të UÇK-ve, pra duke marrë në konsideratë të tre luftërat që u zhvilluan nga shqiptarët me idenë e përbashkët për bashkim kombëtar dhe të udhëhequr nga i njëjti parim. Ashtu siç janë të njëjta qëllimet e tri luftërave, ashtu janë të përbashkët edhe dëshmorët e këtyre tri luftërave, që e përbëjnë përmendoren monumentale të kombit shqiptar të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI.


Libri enciklopedik,”Bardhësitë  e  Atdheut” - dritare e hapur e kujtesës sonë kolektive drejt ardhmërisë më të sigurtë

       Autori Afrim Mustafa, përmes librit të tij “Bardhësitë e atdheut” ka arritur që me anën të një pune të madhe dhe të mundimshme brenda një libri, t’i prezantojë të gjithë dëshmorët brenda një libri, ashtu siç ranë ata brenda një emblemë të UÇK-së. Autori i vetëdijshëm, se sa do që të shkruajë për dëshmorët, do të jetë një pikë ujë në det, sepse vepra e tyre sublime është det e oqean i kombit tonë, kur thellësitë e tyre nuk do t’i arrijmë asnjëherë ne të gjallët, që sot po e gëzojmë lirinë falë gjakut të dëshmorëve.
       Në librin, enciklopedik të dëshmorëve, autori pos jetës së dëshmorëve, jep edhe të dhëna të mjaftueshme për masakrat dhe për ngjarjet më të rëndësishme që e shoqëruan luftën e UÇK-së dhe vuajtjen e popullit deri në çlirimin e Kosovës dhe ndjenjën e të qenit pjesë e shtetësisë për Kosovën Lindore dhe Maqedoninë.
       Ndonëse autori Mustafa, nuk parapëlqen që librin ta ndajë në kapituj, nga struktura e kësaj enciklopedie hetohet lehtas se në fillim janë të prezantuar themeltarët e UÇK-së, përkatësisht heronjtë e Kosovës, të cilët nuk u inkuadruan në radhët e njësive ushtarake dy-tre muaj para fillimit të luftës, apo para përfundimit të luftës, por ishin themeltarë të UÇK-së dhe dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në konsolidimin e vetëdijes kombëtare. Ndikimi i tyre qe shumë i madh në rritjen dhe shtrirjen e UÇK-së në gjithë hapësirën shqiptare, ku u zhvilluan luftime, meqë themelimi i kësaj ushtrie rrugëtoi në gjithë hapësirën shqiptare.
       Enciklopedia e dëshmorëve të UÇK-së “Bardhësitë e atdheut”, ndonëse nuk ndjek rrugën e enciklopedive alfabetike, alfabeti i kësaj vepre është veprimtaria luftarake e dëshmorëve dhe sakrifica e tyre, që i tejkalon të gjitha kriteret për hartimin e një vepre të këtillë. Pra, me pak fjalë, kjo vepër është kryevepër për UÇK-në, ku secili institucion i Republikës së Kosovës, apo i trojeve shqiptare, do ta ketë për nder që ta kenë në bibliotekat e tyre. Ato institucione, apo biblioteka, që do ta kenë këtë libër në raftet e tyre, do ta kenë ‘të gjallë’ luftën për liri dhe Pavarësisë së Kosovës, luftën për përmbushjen e të drejtave të shqiptarëve në Kosovën Lindore dhe luftën për njohjen e kombit shqiptar si komb shtetformues të barabartë në Maqedoni.
       Në këtë enciklopedi janë të përfshirë 1959 dëshmorë të UÇK-së, të cilët ranë në altarin e lirisë nga viti 1997 e deri në vitin 1999 dhe në këtë listë emërore të dëshmorëve, autori ndjek radhën sipas alfabetit. Në fund të kësaj liste autori, sqaron se lista nuk është përfundimtare, pasi ajo mund të plotësohet nga komisioni qeveritar dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve.
       Më pas, pason lista e dëshmorëve të UÇMB-së nga 30 dëshmorë, lista e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare me 102 dëshmorë, si dhe lista e 71 dëshmorëve të të tri luftërave nga Shqipëria. Në këtë libër enciklopedik të dëshmorëve, autori jep të dhëna të shumta enciklopedike, si numrin e studentëve, që kanë rënë dëshmorë në altarin e lirisë (322). Në këtë enciklopedi kushtuar luftërave të përgjakshme, nuk mungojnë as figurat qendrore historike, që kanë kontribuar dhe janë sakrifikuar për popullin shqiptar që nga koha e Skënderbeut e deri në fillim të luftës së UÇK-së. Një vëmendje të veçantë i është kushtuar ushtarëve të vrarë në ish- Armatën Jugosllavë (89). Ndërsa një rëndësi të madhe i kushton edhe klasifikimit të dëshmorëve sipas njësive komunale dhe rretheve.
       Enciklopedike janë edhe intervistat e autorit me komandantët e njësive të UÇK-së anë e kënd Kosovës, tani dëshmorë të kombit. Intervistat që publikohen në këtë vepër kapitale për UÇK-në, janë nga më të ndryshmet dhe nga autorë të shumtë, që kanë shkruar gjatë luftës. Por, në këtë libër nuk mungojnë as shkrimet dhe mendimet e udhëheqësve të institucioneve vendimmarrëse. Pra nuk mungojnë mendimet ‘e arta’ të atyre që e kuptuan dhe e ndihmuan luftën e UÇK-së deri në shpalljen e pavarësisë.
       Në këtë libër enciklopedik nuk mungojnë as shkrimet që u janë kushtuar dëshmorëve me rastin e shënimit të përvjetorëve të rënies së tyre nëpër luftërat dhe betejat në Kosovë, Kosovë Lindore dhe në Maqedoni.
       Të gjithë enciklopedinë e shoqërojnë fotografitë dhe ilustrimet, që në shumë raste flasin më shumë se njëmijë fjalë. Autori nuk ka harruar që të sjellë për lexuesin edhe një numër të madh të monumenteve të dëshmorëve si lapidarët, shtatoret dhe pllakat në shumë vende të rënies së dëshmorëve, apo edhe në varrezat e tyre.
       Të shkruash për jetën dhe bëmat e luftëtarëve të lirisë në frontet e luftës është gati e pamundur, sepse shumë herë ndodh që bashkëbiseduesit të paraqiten me ambicie të mëdha dhe në deklaratat e tyre në shumë raste preferojnë të flasin për veten se sa për heronjtë ë dhe për dëshmorët, andaj autori nuk bie në gracën e këtyre deklarimeve dhe jep të dhëna të sakta, të mbledhura kryesisht përmes shoqatave të dala nga lufta.
       Figurat emblematike të luftës së lavdishme të UÇK-së bëhen edhe më të mëdha kur ata brezat dhe gjeneratat e ardhshme i kanë brenda kopertinave të një libri, i cili meriton të shfletohet në çdo shkollë dhe institucion. Kjo enciklopedi meriton të shfletohet në çdo shtëpi, ashtu siç duhet të hapen dritaret për freskuar ajri, me këtë libër meriton të freskohet dhe të mos shndërrohet në harresë kujtesa jonë kolektive. Pra, ky libër enciklopedik është dritare e hapur e kujtesës sonë kolektive drejt ardhmërisë më të sigurt. Për fund, do të them se sado shumë që të shkruash për dëshmorët, përsëri është pak, sepse ata meritojnë më shumë seç ne u afrojmë atyre. Madje, kurrë nuk do të jetë e mjaftueshme asnjë iniciativë për të shkruar dhe për të dokumentuar tërë lavdinë e atyre që luftuan për liri dhe bashkim kombëtar.
       Ribotimi i kësaj enciklopedie, shpresojmë se do të sjellë të dhëna shtesë dhe përplotësime, meqë për secilën ditë do të dalin në dritë të dhëna të reja për heronjtë, dëshmorët, martirët,  viktimat dhe të pagjeturit e luftës.
___
Shkrimi është dërguar për poertalin "Ora shqiptare" nga autori i librit.