F A Q E T

Mittwoch, 8. April 2020

Mimoza Leskaj

Mimoza Leskaj

Mimoza Leskaj ka lindur në Shijak në prill të vitit 1967. Gjatë viteve 1980 - 1985 ndoqi mësimet në gjimnazin e Shijakut, për të vazhduar mëpastaj studimet me korrespondencë në Universitetin Ekonomik të Tiranës, dega e Bisnesit, të cilin e përfundoj në vitin 1995.
Jeton në Pescara të Italisë.

Veprat:
  • "Flas me heshtjen", poezi
  • "Dashuri me ngjyra vjeshte", poezi
  • "Pyeta retë", poezi
  • "Kronikë e në dashurie të përjetshme", tregime
  • "Njëmijë e një trokitje zemre", poezi
  • "Me dritën e shpirtit", poezi në gjuhën rumune
  • "Katër polet e poezisë", poezi 



Poezi nga Mimoza Leskaj


Dëborë e heshtur!

Erdhe dhe ike si një mysafir e nxituar
Në kohë të turbullt rrethuar heshtjes
Fjollat m'u tretën shumë shpejt ndër duar
Një kollë e thatë u ngjit drejt reve.

Një vello e hollë dhe delikate
Mbeti pishave si kujtim
E mbyllur bota e tërë në halle
Mbi buzë të thara dridhet një hidhërim.

Ç'dreqin pate që shkrive kaq shpejt
Të dëshiruam një dimër të tërë
Trokite heshtur këtë pranverë
Dhe vetë ajo u ftoh nën këmbë.

Erdhe dhe ike sa një e rrufitur kafeje
Shijuam çastin në kohë kolerë
Bota ka njohur shumë qef mbetje
Por nuk mban mend si kësaj herë.



Pak rregull

Kam nevojë për pak rregull
Pak nga ai rregulli që ndan shapin nga sheqeri, 
(siç thotë një fjalë e urtë)
T'i vë fre trishtimit, ta ndaj në pjesë
Ca t'i, ca unë, ca të hedhura diku.

Edhe pranvera dashka ndarë,
I duhen vënë rregulla të forta
Ç'dreq ndodhi kështu?
S'di ku të vësh rregull më parë.
E patëm të trashëguar, apo ne të njerëzishmit,
deshëm dhe i vramë?

Po lëngoj për pak rregull,
Nuk është hera e parë që më ndodh
Ndodh qëkurse u këput kërthiza prej barkut të nënës,
Dhe kjo ka ndodhur, shuuumë kohë!



Kur ngjallen xhindët!

Covid 19-të Coronë (quaje si të duash)
Nga mbive e dole si xhind i tërbuar?
Të dinim një hiç, qeshëm si një grip i thjeshtë
Një botë të tërë muresh ke ngujuar.

Kalendari nuk qëndron më varur në mur
E ç'më duhet t'a shoh kur ditët po vdesin?!
Është mbledhur dhe dhimbja, është bërë gur
Njerëzia trishtë ka ndalur gjithë ecjen.

Zihem e grihem dhe me veten time
Ç'të bëj me orët pas lëngut të kafesë?
Në një botë memece të mbushur plot krime
Nis numëroj ditët vetëm me përtesë.

Ç'më duhet ora që bën tik - tak e varur
Kur varur është jeta dhe s' kam ku nxitoj?
Xhindet nga një dorë të gjithë qënkan ngjallur
E valles mbi njerëz ja kanë marë në tokë.

Botë e sëmurë që çalon e lodhur
Vjetëruar nga luftërat, e frikur nga ethet
Një ditë kur xhindet të ikin gjoja " ndrojtur"
Lakuriq do ndjehesh, si një pemë pa gjethe!



Dhe sorrat gëzojnë lirinë!

Dëgjoj sorrat tek përkëdhelen erës të kësaj pranvere të çuditshme
Ndërsa shoh të vetmen palmë që kam, të zhurmojë
Ndiej njëlloj sensazioni, sikur dikush po më mbyt
E unë mbledh supet nga vetmia, mërzitshëm, si pa gojë.

Njeriu në këto kohë, si druri që digjet në oxhak
Kërcet gishtat me nervozizëm të panjohur
Ditë pranvere ndryshe në zë kukumjaçkash dhe sorrash
Të vetmet zhurma kohe, që ndihen jashtë.

Virus që mblidhet e mblidhet në grykë ku duhet të zgjedhësh orët e tua, trashur
Veshur me pushtet vrasës, lidhur, trembur
Veshur rëndë në shpatulla, e gjysëm këmbëve zbathur.

Pranverë sorrash do thosha, e s'di të them asgjë.
Veç presim kohën të shkojë.
Ndërkohë, sorrat gëzojnë lirinë!