F A Q E T

Dienstag, 28. Mai 2013

Abdyl Frashëri

Abdyl Frashëri lindi në vitin 1839 në fshatin Frashër, Shqipëri dhe vdiq më 23 tetor të vitit 1892 në Stamboll, Turqi ishte patriot demokrat i shquar, një nga ideologët përparimtarë të Rilindjes Kombëtare dhe një nga udhëheqësit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Hero i Popullit.
Lindi në Frashër (Përmet) në familjen e një spahiu të vogël të deklasuar; vëllai i madh i Naim Frashërit dhe Sami Frashërit, fis Dakollarësh nga Dera e madhe Frashëri. Abdyl Frashëri e kaloi pjesën e parë të jetës në fshatin e lindjes deri në moshën 18-vjeçare kur u vendos për nevoja pune në Janinë. U shqua si personalitet politik qysh më 1877, sapo u duk se Kriza Lindore po rrezikonte trojet shqiptare. Si kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës që u formua po atë vit, hartoi projektin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë me anën e kryengritjes çlirimtare antiosmane. Por shpresat e tij se idenë e shtetit shqiptar do ta përkrahnin rivalët e Perandorisë Ruse, të cilët nuk e dëshironin supremacinë e saj në Gadishullin Ballkanik, nuk u realizuan. Bisedimet që zhvilloi me përfaqësuesit e Greqisë në korrik dhe në dhjetor 1877, për një aleancë politike dhe ushtarake shqiptaro-greke kundër Perandorisë Osmane dështuan gjithashtu mbasi as Athina nuk e pranoi idenë e një Shqipërie të Pavarur në kufijtë e saj etnikë.
Në fund të vitit 1877, Abdyl Frashëri (atëherë deputet i Janinës në parlamentin e dytë osman), u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll (Komiteti i Stamboilit). Si kryetar i tij ai dha një kontribut të rëndësishëm në përpunimin e platformës politike që adoptoi lëvizja kombëtare pas fitores ruse mbi Perandorinë Osmane dhe sidomos pas nënshkrimit të Traktatif të Shën Stefanit. Sipas tezës së Abdyl Frashëri në kushtet e krijuara nga prirjet ekspansioniste të Rusisë cariste, nga interesat e fuqive perëndimore për ta mbajtur më këmbë Perandorinë Osmane dhe nga synimet e monarkive ballkanike fqinjë për ta copëtuar Shqipërinë, zgjidhja më e përshtatshme (një zgjidhje kjo e përkohshme) ishte krijimi i një shteti autonom shqiptar nën suzerenitetin e sulltanit ose, të paktën, krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadrin e Perandorisë Osmane, i cili, po të realizohej, do të sanksiononte kufijtë etnikë të Shqipërisë dhe të drejtat kulturore të shqiptarëve.
Si një nga autorët kryesorë të platformës politike të Komitetit Qendror të Stambollit, të cilën Abdyl Frashëri e parashtroi publikisht edhe me anën e artikujve që botoi në disa organe të shtypit evropian gjatë pranverës së vitit 1878, ai mori pjesë aktivisht në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pas themelimit të Lidhjes, e cila e adoptoi këtë platformë, Abdyl Frashëri. u shqua si udhëheqës, organizator, diplomat dhe aktivist i saj. Veprimtarinë e tij kryesore e zhvilloi sidomos në viset e vilajetit të Janinës dhe të Kosovës. Nuk e shkëputi asnjëherë luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut nga lufta për autonominë e Shqipërisë. Mori pjesë pothuajse në të gjitha kuvendet kryesore që u organizuan nga Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare ose nga komitetet ndërkrahinore të saj. Kudo udhëhoqi krahun autonomist të lëvizjes. Në Kuvendin themelues të Lidhjes së Prizrenit u zgjodh kryetar i koinisionit të punëve të jashtme të saj. Ai përfaqësoi Toskërinë në Kuvendin e Parë të Dibrës (1 nëntor 1878), ku u miratua rezoluta me të cilën kërkohej zyrtarisht nga Porta e Lartë krijimi i vilajetit të bashkuar autonom të Shqipërisë. Ai qe organizatori kryesor i Kuvendit të Prevezës (janar 1879), i cili arriti ta pengonte lëshimin e Çamërisë në favor të Greqisë. Në pranverën e vitit 1879 kryesoi delegacionin e Lidhjes që vizitoi kryeqytetet e Fuqive të Mëdha për të mbrojtur nga afër tërësinë territoriale dhe të drejtat për autonomi të Shqipërisë. Abdyl Frashëri, ishte promotori i projektit që miratoi Kuvendi i Dytë i Frashërit për të formuar qeverinë e përkohshme. Ai udhëhoqi gjithashtu Kuvendin Kombëtar të Gjirokastrës që u shpreh për krijimin e shtetit autonom shqiptar me anën e lëvizjes së armatosur.
Abdyl Frashëri, e mbrojti programin e Gjirokastrës në Kuvendin e Dytë të Dibrës ku udhëhoqi si gjithnjë krahun radikal të lëvizjes. Edhe pse programi i autonomisë nuk u pranua nga përfaqësuesit e rrymës së moderuar, ai kaloi në Kosovë dhe aty së bashku me bashkëluftëtarët e vet kosovarë, vuri në jetë vendimet e Gjirokastrës. U bë anëtar i qeverisë së përkohshme që u formua në Prizren në fillim të vint 1881 dhe dha një kontribut të rëndësishëm né përgatitjet politike dhe ushtarake që u morën për mbrojtjen e autonomisë kundër ekspeditës ushtarake osmane.
Pas shtypjes së Lidhjes, u arrestua dhe u dënua me vdekje nga gjyqi special osman, por dënimi u kthye në burgim të përjetshëm. Megjithatë, pasi qëndroi në burg 3 vjet dhe në internim 20 muaj, për arsye shëndetësore u lirua, por me kusht që të, hiqte dorë nga veprimtaria politike patriotike. Edhe pse i sëmurë dhe i izoluar, ai e vazhdoi veprimtarinë patriotike derisa vdiq në Stamboll më 23 tetor. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë më 1978.

Burimi WIKIPEDIA

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen