F A Q E T

Donnerstag, 23. Mai 2013

Anekdota popullore shqiptare (6)

Nga librat: “Anekdota 1 dhe 2”, botuar nga Instituti albanologjik i Prishtinës, libri Anekdota popullore (2) i autorit   Mehmet Bislimi dhe nga disa forume në internet .
 
 
 
            MOS IU PËRZIEJ NALLBANIN N'PUNË

            Një i barilevas e çon kalin te nallbani edhe po i thotë:
            - Mathma qit kali për qejf tem edhe me patkoj qisi fare, se m'pëlqejnë fort.
            Nallbani ja mbathi për qejf të tij, po kali nisi e po çalonte. E solli prapë edhe po i thotë nallbanit.
            - Ti ma mathe për qejfi, po kali po topallon.
            Nallbani, pasi ja ndërroi patkonjtë e ja ngjiti ata si i pëlqejnë kalit, i tha të barilevasit:
            - Tjera herë mos iu përziej nallbanit n'punë, se unë e mathi kalin ashtu qysh e lyp kali e jo qysh e lyp i zoti kalit.
 
 
 
 
            QITASH E BAJMË BAJRAM GJITHË VERËN
 
            Cak Bajra i Ponorcit ju kishte pas thanë të bijve, ditën e Bajramit, pasi hëngrën sillë:
            - Çonu djem, n'gjitni kijet n'parmenë e me mjellë, se po fryn jugu! E dini që toka jonë është hujli e jugu e thanë.
            Të bijtë po i thonë:
            -Babë, shka po thue kshtu? Qysh n'gjiten kijet ditën e Bajramit?
            - Çonu ma mirë - u tha i ati - se toni thahet toka e s'bahet me e mjellë për sivjet.
            - Jo, valla, tri ditët e Bajramit si ngjesim kijet edhe në u baftë  gazepi.
            Kur u bë e katërta ditë, shkuan për t'i ngjitë qetë në arë. Shkoi  edhe Caka me ta. I ngjitën qetë... edhe  parmendën... dhe sa ja nisë me lëvrua  e u grahën qeve, parmenda u bë copa-copa, sepse  toka ishte e tharë!  Atëherë Caka u duel përpara të bijve e u tha:
            - Hajdi qitash e bajmë Bajram gjithë verën, se s'deshët me m'ngue!
 
 
 
 
            LENENI DIELLIN ME SHKUE PËR QEJF T'VET!

            Njëri i kishte pasur disa argat duke prashitë misër. Kishte pas dalë ara e vështirë e argatët ishin lodhë. Kur hanë drekë e i qesin do rena, njëri lodhet fort edhe po e shikon diellin. Hala ishte lartë! Ja bënë me dorë diellit që të ecë ma shpejt e të perëndoj.
            I zoti i shtëpisë e kishte pas parë edhe kujtoi se mos po e dëgjon dielli e po ec ma shpejt, e po i mbetet ara pa përfunduar. E çoi dorën edhe ai e po i jep shenj diellit të shkoj më mbrapa. Njëri prej argatëve i pa edhe u tha:
            - Mosni bre! Leneni diellin me shkue për qejf t'vet!


 
            
            DEK SE DEK BILE VDIS ME FAQE T’BARDHË!
 
            Njëri kishte pasur shumë frikë prej vdekjes. E për mos me gjetur Xhebraili shkon e futet brenda në oxhak.
            Xhebraili e gjen dhe e nxjerr nga oxhaku ku ai ishte futur e nxi e ba si futa. Kur e sheh Xhebraili në atë gjendje të mjerë po i thotë:
            -Po ti dek se dek, bile vdis me faqe t’bardhë!
 
 
 
 
            KUR TË KRUHET TY BY... I UL PANTALLONAT A?
 
            Një herë një punëtori, gjatë punës, po i kruhej koka. Por ne koke ai e  kishte një  kapuç, e kështu e  kruante kokën sipër kapuçit.
            Një koleg aty, po e sheh e po i thotë:
            - O njeri hiqe kapuçin e kruaje kokën se marove!
            Ky edhe po ia kthen:
            -Pse, a kur të kruhet ty by... i ul pantallonat a?
 
 

            T'PATËN ME HANGËR, PATËN ME PUNUE

            Ishte një Met Kurti nga Strellcit. I kishte pasë ndjekur qetë  përherë, mirëpo nuk kishte mundur t'i mbaj bash mirë e si duhet me ushqim. Qetë ishin ligështuar. Po besa edhe nga veshët ai kishte qenë i mangët.
            Shkon një ditë Met Kurti për të livruar. Qetë e ligë nuk i shkonin aq fort. Këtij, kishte pas nisur me i hy mërzia që s'po i shkojnë qetë bash fort e qysh duhet për ta lëruar fushën. Njëri ra atypari e i bërtiti:
            -O puna e marë, Met Kurti!
            Ky nuk e dëgjoi bash mirë; mendtë tek ushqimi i qeve që e kish të mangët. Tha:
            -O, t'patën me hangër, patën me shkue (me punue), po e kanë henë mangi.

 
 

            A QITI DJERSË BUKA KAH E GATOVE?

            Njëri e kishte marr një re (nuse). Renë e kishte marrë prej një shtëpije pasanikësh. Nusja nuk kishte pas gatua kurrë bukë në shtëpi të vet, sa kishte qenë çikë. Kur hyri në magje si nuse, bukën e parë nuk e qiti hiç të mirë. Plaku i shtëpisë ishte njeri i mençur. Nuk deshi me ja marrë fytyrën resë, po i tha:
            -Deshta me t'vetë, bre bi, a qiti njersë buka kah e gatove?
            Reja i rrudhi krahët e se nuk diti çfarë t'i thotë. Plaku tha:
            -Kqyre pra nestra, kur t'gatuejsh. Kqyre mirë bukën a po qet njersë e toni nisja m'e pjekë.
            Reja, kur hyri  në magje të nesërmen, kah po gatunte, po shikonte a mos po qet brumi djerës. E ngjeshi, e ngjeshi sa mundi, po brumi nuk qiti djersë. Djersët i shkonin vijë resë, e dikur, kur u lodh, e qiti bukën në çerep edhe e poq. Kur u shtrua sofra, plaku po e sheh që buka kishte dalë e mirë. I tha resë:
            -A u njersë buka?
            -Jo babë, -tha reja. -boll u lodha, njers't m'kanë shkue vadë, po brumi kurrqysh nuk qiti njersë.
            -Po qato, moj bi, kur t'njersësh ti n'magje, qato janë njersët e bukës e qat herë buka del mirë.
 

 
 
            BOLL MË NDIHMOVE
 
            Ishin duke pirë dy shok në një tavolinë të një restoranti. Njëri kishte një ngatërresë me disa të tjerë, dhe këta (3-4 veta), e takojnë aty dhe fillojnë ta rrahin. Ky shoku tjetër, nuk kishte guxim t'i ndihmonte fizikisht, dhe po bërtet nga qoshja e tavolinës:
            -Lëshojeni more se u qova unë....
            Ata e këputën këtë tjetrin dajakë... e ky vetëm i përsëriste atë refren - lëshojeni more se u qova unë...
            Dikur ky shoku, që e kishin shtrirë për toke nga të rrahuar, po i thotë atij:
            -O mos bërtiti ma bre, se boll më ndihmove!...
 
 
 

            QYSH I KA GJANË TAFILI?

            Tafil Doda, komshi i Brahim Ukës, kishte qenë pasanik i madh. Kishte pasur shumë lopë pëlleja e gjë tjera të ima, po rendin se kishin pas si duhet. E vetën Brahim Ukën:
            -Qysh i ka gjanë Tafili?
            -Me sh'net i ka mirë, a tamël ma shumë kam unë me dy lopë, se ai me katërdhetë.
 
 
 
 
           PO JEPNAJU TË K’QIVE T’KEQËN HEJ
 
           Në Korish, një fshatë afër Prizrenit, që njihej si vatër e “Irridentës” kishin ardhur ata të UDB-s dhe i kishin mbledhur fshatarët për t’u mbajtur “ligjërata” (për t’i kërcënuar) nëse vazhdojnë me veprimtari "shoviniste, irredentiste, separatiste...." Dhe pas gjithë asaj bisede për situatën e tensionuar... një plak i mençur e qon gishti dhe po i pyet ata që ishin në “vllast” - pushtet:
         -Kjo Republika, që e lypin këta “axhamit” këta t’ritë, po du me ju pyet mixha, se unë plakë e nuk po marr shumë vesh nga k’to punë: a ashte send i mirë a send i keq?
          Njëri prej UDB-ashve, pa prit me e krye ky pyetjen, me zë të lartë po i thotë:
          -E keqe mixhë - shumë  e keqe ashtë!
          Ky edhe plakë me përvojë   (por edhe me sherr), po ia kthen:
         -Po masi tek asht shumë e keqe, bre mixhë, po jepnaju të k’qive t’keqën hej.... e të plas gazi e t’qohen ata të UDB-es, e bishtin nën këmbë....  
 
 
 
 
            SIMBAS PUNËS DHE FRYTI

            Ishte quar Syl Palushi edhe kishte pas shkuar tek Beqir Toma në Dollc me fjet një natë. Ata ishin edhe kushërinj ndër veti. Aty kishte qenë edhe Marka Skneri, që  kishte pas banuar ma së tepri te shtëpia e Beqir Tomës. Po rrinë e po bisedojnë. Dikur, pas darke vonë, po i thotë Syl Palushi, Marka Sknerit:
            -O Mark, shka ta merr menja punën e k'tyne vllazënve t'Beqir Tomës edhe t'Bardh Tomës?
            -Aiiii, a s'po e din a?
            -Besa, me kanë me e ditë nuk t'ves.
            -Mos m'shtin më fol keq!
            -Vetëm fol Mark.
            -Po flas, thotë -Bardh Toma, 3000 fije lakna i mjell edhe kurrnja nuk e vadit. Tana vinë tu' iu tha përmas. A Beqiri, 300 fije i mjell, qato i vadit e tana i xanë, kurrnja nuk i mungon.
 
 
 
 
            MOS I MERR NGA DY LUGË PËRNJËHERË?!!!
 
           Ishin ulur për të ngrënë bukë dy të verbër. Ishte kohë varfëria dhe për gjithçka ndihej mungesë, edhe për ushqim.
           E këta, për ta ndarë racionin, e kishin bërë, njëherë njëri një lugë, e pastaj tjetri.
           Dhe gjatë të ngërinit, po i thotë njëri  atij tjetrit:
          -Mos i merr nga dy lugë përnjëherë?!!!
          Ky i habitura po ja kthen:
          -E ku po më sheh ti që po i marr unë nga dy lugë, kur je i verbër si unë?!
          -Se po i marr vet nga dy - ia kthen ai.
 
 
 
 
            VEÇ NUSJA SOT PASKA PUNUE
 
            Një i Vërbovcas kishte qenë shtëpi e madhe. Në vakt të korrave, hyjnë në arë nja tridhet argat - burra e gra. Në bisht të rendit, korrte një nuse që sapo e kishin marrë ato ditë.
            I zoti i shtëpisë, kah dreka, duel të shikoj si po shkon puna në arë... Dhe kur e pa se ishte punuar me nguti edhe shumë keq, u bërtiti fort! Por krejt fajet u munduan me ja lanë nuses.
            -Kush korri kaq nalt? - Po i pyet i zoti i shtëpisë.
            -Nusja valla! - po i thonë.
            -Kush la kaq shumë kajzi?
            -Nusja!...
            -Kush i qiti dorzat, kaq keq nëpër duej?
            -Nusja!...
            Kur e shtruan drekën  dhe u ulën rreth sofrës, i zoti i shtëpisë po i ndan bukë veç nuses.
            Të tjerët po shikohen me habi dhe po e pyesin të zotin e shtëpisë:
            -Pse s'po na then bukë edhe neve, po veç nuses?!!!
            -Paj veç nusja sot paska punue, e ju paskeni kqyrë - po ia kthen plaku...
 
 
 
 
            MË LEHTË ËSHTË TË SUNDOSH ME NJË MBRETËRI SE SA ME NJË GRUA
 
            E pyesin një herë në shoqëri letrarin e madh francez, Molierin: “Si është e mundur që në disa shtete të lindjes princërit pushtetin e trashëgojnë nga 13 - vjeç, kurse martesa me rregull i mundësohet tek mbas moshës 18-vjeçare!”
            -“Sepse shumë më lehtë është të sundosh me një mbretëri të tërë se sa me një grua”, - përgjigjet Molieri.
 
 
 
 
            DUAJE ARMIKUN TËND

            Aktori anglez Charles Bannister mori pjesë një herë në një banket ku u ul pranë një mjeku. Kur ky i fundit vuri re se Bannister donte të pinte wiski, i tha:
            -Zotëri, hiq dorë nga alkooli, sepse është armiku juaj më i madh!
            Bannister iu përgjigj: -Por në bibël thuhet:
            "Duaje armikun tënd!"

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen