F A Q E T

Donnerstag, 23. Mai 2013

Anekdota popullore shqiptare (8)

 Nga librat: “Anekdota 1 dhe 2”, botuar nga Instituti albanologjik i Prishtinës, libri Anekdota popullore (2) i autorit   Mehmet Bislimi dhe nga disa forume në internet .


         DHENT NUK HANË BURRNI

            Disa burra t'dheut, Isuf Kameri me disa prej Qerimi, kanë shkue mysafirë tu Smajl aga n'Lluga e kanë fjetë at natë aty. N'natje kanë marrë bisedat e po bisedojnë. Ka shkue nji kohë bukur e g'jatë. Ka ardh koha m'u qitë dhen'e. Ai Smajl aga ka lypë leje. Ka thanë:
            -Me leje burra, se tash m'erdhi koha me shkue e m'u qitë dhen'e.
            Isuf Kameri i ka thanë:
            -Hiqu dhen'e, more Smajl aga, se je ka rri me burra e s'ke ku me i marrë tjetër e me nejë kshtu me ta.
            -Ah, more Isuf Kameri, m'fal, se dhenve t'mija me jau qitë pesqin okë burrni, nuk e ungj kurrnja kryet n'ta. Shkova m'u qitë sanë, se ato burrni s'duen.
 
 
 
            KUR U PLAÇKIT NASTRADINI
 
            E plaçkitën Nastradinin komita, po ky s'ke tu shpija. Kur erdhi, shkuen mahalla me e pa. E pvetin:
            -A po mërzitesh?
            Nastradini bani gajret e u tha:
            -Jo, s'po mërzitna, veç m'ka metë merak qi s'jam qillue n'shpi.
            -He, bre Nastradin! Po s'ish kanë punë qi m'u qindrue, - i thanë.
            -Jo, s'kishna qindrue, po kishna marrë edhe unë dishka e  e kishna pshtue pej komitës.
 
 
 
            A KA KU KULLOTË KALI?

            Ish kanë ni katunar niherë e ish kan shkue n'Gjakovë. At'harë katunarët shkojshin n'Gjakovë për me pre tesha. Shkon ky katunari e i thotë terzisë:
            -A po m'i prenë ni parë tesha se m'nevojiten, po paret t'i jap n'kohë t'lamës.
            Terzija e veti:
            -Kut t'vi atje te ju me i marrë paret, a keni bar, a ka ku kullot kali?
            -Po, ka ku kullotë kali, se ka bari tekteri n'gu, sa t'don ka tërfojë e bar e çdo sen ka.
            Ky edhe i tha:
            -Jo përze, s'po vi hiç se, me pasë njerëz t'gjallë e gja q'kullotin n'at bari, ti kishe pas me m'i pague paret. Mirpo, masi s'ka kush i kullot gjanë, e gja s'ka q'kullosin bar e tërfojë, ti s'kie kah m'i paguen paret, e për qeta borxh s'po ti jap.
 
 
 
            SHAMATA E JARGANIT
 
            Nastradin Hoxha ish tuj fjetë me  t'shoqen n'shpi. Dikush u ndie tuj u rrahë e tuj u shamatue te dera e aborrit. Nastradinit i mushet mendja me dalë me pa çka ish. Si kje, n'kmishë e n'tlina, mori jarganin për krahesh e doli m'i pa. Ata t'dy tuj u shamatue, ja kapën jorganin për krahesh e ikën. Shamata prani.
            - Çka ke jashtë nieri? - e dveti e shoqja.
            - Asgja, maj grue, shamata e jarganit tem. Shamat pushoi e jargani m'shkoi.
 
 
 
            S'P'E PRISHI GJUMIN PËR 'I GJYSË DELMJE

            Ishin kanë gjashtë vllazën e i kishin pasë tri copa dhen. U kish ra uki aty. I kishin thanë vllaut q'i ruejke dhet:
            -çu, se na ra uki n'berre!
            Ai, masi u çue, i ra n'men q'ni gjysë delmje po i bie' hise, e ra apet. Tha:
            -S'p'e prishi gjumin për 'i gjysë delmje.
 
 
 
            "ATATURKU I DEHUR"
 
            Na ishte një koha kur Ataturku, si burrështetas dhe reformator i madh, kishte arritur famë të pakontestueshme, jo vetëm në vend por edhe  në arenën ndërkombëtare. Një ditë prej ditësh, pa kurrfarë tendencioziteti qëllimkeq, një këshilltar i besueshëm nga suita e tij e afërt, e këshillon:
            - Pasha im i nderuar! Ti tanimë i ke realizuar në vepër shumicën e synimeve tuaja. Si një lider i madh popullor dhe kudo i respektuar, mendoj se ka ardhur koha që nga pak ta rralloni përdorimin e tepruar të pijeve alkoolike!
            - A besoni ju sinqerisht se të gjitha këto të arritura të sotme të Turqisë janë meritat e mija dhe unë vërtetë jam burrështetas madhor, sikur thoni? - ishte kjo si pyetje në vend të përgjigjes së pritur drejtuar këshilltarit të vetë.
            - Po, po, lartmadhëri! Nuk ekziston as më i vogli dyshim në këtë bindje. Jo që e dimë vetëm ne këtë realitet, por edhe gjithë populli turk dhe tërë bashkësia ndërkombëtare!
            - Bukur pra! - iu përgjigj qetë Ataturku. - Të gjitha këto rezultate të dëshmuara, unë i kam arritur mu ashtu sikur isha në të vërtetë: në vete i pajisur edhe me atë ves të keq që ti ma konteston. Por, me këtë rast, nëse më duhet të dëgjoj ty dhe në të ardhmen ta eliminoj këtë shprehi, atëherë, unë më nuk do të jem origjinali - ai Mustafai i gjertanishëm. Përkundrazi, do të shndërrohem në dikush tjetër: do jem i mangët dhe jo tërësi e mentalitetit tim karakteristik. Edhe diçka, miku im i nderuar! - vazhdoi mëtej Ataturku - Ta zëmë, po ta dëgjoj këtë këshillë tënde që të mos konsumoj pije alkoolike, atëherë, patjetër në këtë gjendje të esëllt, ty duhet të të largoj nga posti që ke sot, sepse, edhe atë ditë kur të kam dekretuar si këshilltar timin më të afërt, kam qenë mu ai “Ataturk i dehur”... ?!!
 
 
 
            TE NA S'BAHET MA VONË!
 
            Një qytetarë shkon një ditë te një mik i veti në fshat, edhe duke biseduar koha kalonte e bëhet bukur vonë... Dikur, ky qytetari, pasi nuk shihte orë në mur, po e vetë mikun:
            - Sa u ba ore bre?
            E miku po i përgjigjet:
            - Afër 12-shit.
            Qytetari po i thotë:
            -Herët qenka, unë mendova se është më vonë.
            Plaku i shtëpisë (babi i atij mikut) që kotej në qoshe, kur e dëgjoi këtë, u kthye e po i thotë këtij qytetarit:
            -Jooo or dashamirë, te na s`bahet ma vonë se tash ja nisë apet prej fillimit 1,2,3...
 
 
 
            TË DY KANË TË DREJT!
 
            Në Kuvendin e Kosovës, kishte ndodhur një incident verbal mes dy deputetëve që iu takonin subjekteve të ndryshme politike.
            Pas një debati të nxehtë, njëri nga deputetë, po e fyente deputetin tjetrit:
            - “Rri aty e mos fol, mor hut, gënjeshtar, huligan, rrugaç e injorant, dallaveraxhi e zagar, hajn e kusar!”...
            Ndërkaq, deputeti tjetër, duke treguar mos përmbajtje ia kishte zbrazur tjetrit, po në të njëjtën masë:
            - “Ëëë, mor imoral e tradhtar, naiv e zagar, maskara e shpifës, intrigant e pis, t’i thyej hundët dhe dhëmbët, hajdut e injorant!”...   
            Në një odë burrash, tek po e përcillni seancën për mes TV-ës, njëri nga të pranishmit, po i drejtohet një plak të urtë që kishte rastisur aty:
            - Hë, axha Rifat, çka po ta merr mendja ty; cili ka më shumë të drejt?
            - Qe besa mor djalë, më ke futë në siklet, por megjithatë këtë pleqni, nuk është vështirë me e nda, pasi që të dy kanë të drejt?!
            - Si kanë të dy të drejt, këta po shpifin njëri- tjetrin?!- po e pyet ai me habi Rifat plakun.
            - Jo qe besa, këta nuk po shpifin njëri-tjetri as pak, krejt çka po i thonë njeri-tjetrit, janë të sakta, prandaj që të dy kanë të drejt!- ia ktheu përgjigjen atij Rifat Plaku.
 
 
 
            NJË GRUSHT BLETA
 
            Një bujk nga Vraniçi merrej edhe me kultivimin e bletëve dhe për to bisedonte përherë dhe kudo. Shkon një ditë te i vjehrri i vet dhe fillon e po i shpjegon atij për dobinë e bletëve dhe i thotë se veç mjaltit, bletët kanë edhe veti tjera shëruese. Pra s'ka nevojë për barëra të mjekut po i thotë ai vjehrrit të vet. Më mirë është me të thumbuar nja 20-30 bletë sesa me e marrë një kuti hapa!
            -Hajt he djalë, le atë muhabet, - po i thot i vjehrri, se me qenë ashtu, mjeku në vend të ilaqeve e mban një krojshe me bletë dhe kur të shkosh për t’u vizituar, ta fut një grusht bletë në pantollana...!
 
 
 
            MENÇURIA E LEKË DUKAGJINIT

            Lekë Dukagjini u nis për të shkuar në një kuvend burrash. Rrugës takoi një fshatar, i cili i tregoi se turqit kishin zënë pritë për ta vrarë. Leka menjëherë u ndalë dhe ktheu rrugë.
            - Përse ktheve rrugë? - ia ktheu fshatari.
            - Më mirë të thonë dredhoi Leka, sesa vdiq Leka, - ia priti Lekë Dukagjini.
 
 
 
            ISMAIL QEMALI DHE KANAN MAZE

            Luftëtari Kanan Maze shkoi ne zyrën e rekrutimit te qeverisë së Vlorës për të hyrë në ushtrinë shqiptare.
            Oficeri pasi e mati i tha:
            - Shtatin e ke disa centimetra më të shkurtër nga sa e kërkon rregullorja, prandaj nuk mund të pranojmë në ushtri.
            Kanani shkoi menjëherë tek Ismail Qemali dhe i tha:
            - Ismail Bej, vetëm për të gjatët e ke bërë Shqipërinë apo edhe për të shkurtrit?
            - Pse si është puna? - e pyeti Ismail Beu.
            Kanani i tregoi çfarë i kishte ngjarë në zyrën e rekrutimit.
            - Shqipëria ka nevojë edhe për të shkurtrit e, veçanërisht për trimat si ti, - ia ktheu Ismail Qemali dhe i dha një letër për komisionin, që jo vetëm ta pranonin në ushtri, por ta bënin edhe suvari.
 
 
 
            FAN S. NOLI DHE DELEGACIONI GREK

            Në konferencën e paqes në Paris, përfaqësuesi i delegacionit grek, për të bindur të pranishmit se Shqipëria e Jugut është tokë greke, në mes të tjerash tha se të gjitha kishat në Shqipërinë e Jugut janë me mbishkrime greke. Fan S Noli që përfaqësonte delegacionin shqiptar, i dha këtë përgjigje grekut:
            "Në pjesën veriore të Parisit është një kishë me mbishkrimin grek, prandaj Komisioni i Paqes, le ti japi grekut njëherë Parisin, pastaj kur të dojë të vijë të shohë mbishkrimet greke në kishat tona."
 
 
 
            KËSHILLA E BALZAKUT

            Balzakut po i binte në qafë një i patalentuar që i jepte çdo ditë me dhjetëra faqe për t’i lexuar.
            - Dëgjo, - i tha Balzaku,- ti ke prirje por duhet të lexosh më shumë.
            - E çfarë përfitimi do të kem? – e pyeti ai me naivitet.
            - Duke lexuar shumë do t’ju mbetet më pak kohë për të shkruar...
 
 
 
            INJORIMI I VOLTERIT

            Një kundërshtar i Volterit i preu rrugën atij duke i thënë:
            - Unë nuk ua liroj rrugën budallenjve!
            Volteri bëri me një anë dhe tha:
            - Kurse unë ua liroj gjithmonë...
 
 
 
            SEKRETI I SOKRATIT

            Një athinas e pyeti Sokratin:
           - Në Athinë ti je mbret i fjalës. Ku qëndron sekreti i këtij vlerësimi?
           - Unë flas vetëm atëherë kur kam diçka për të thënë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen