F A Q E T

Donnerstag, 23. Mai 2013

Avni Rrustemi

Avni Rustemi lindi në Libohovë të Gjirokastrës, në 22 shtator 1895. Pasi kreu shkollën fillore në vendlindje, vazhdoi studimet në shkollën normale të Elbasanit dhe më vonë në Shën Mitër Korone (Itali). Studimet e larta për pedagogji i kreu në Universitetin La Sapienza të Romës. Avni Rustemi punoi si mësues në Libohovë (1910), në Tragjas (1913), në Tepelenë (1916-1917) e në Vlorë (1917-1918). Më 1908 braktisi bankat e shkollës për t'u bashkuar me çetën e Çerçiz Topullit , më 1910 bëri një përpjekje për të vrarë në Shkodër komandantin e ekspeditës ushtarake osmane gjeneral Shefqet Turgut pashën. Më 1914 u radhit në forcat shqiptare për çlirimin e Shqipërisë së Jugut nga pushtimi i forcave greke. Më 1918, me nismën e tij u formua në Vlorë shoqëria atdhetare e rinisë vlonjate me emrin "Djalëria e Vlorës". Në krye të saj organizoi demonstratën e 28 Nëntorit 1918. Në pranverë të vitit 1919 në Shën Mitër krijoi "Lidhjen e Rinisë Shqiptare", kurse më 13 qershor 1920 kreu dhe aktin që e skaliti emrin e tij në murin shqiptar të historisë - vrau në Paris Esat Pashë Toptanin, politikanin që e akuzonte se po bëhej pengesë për konsolidimin e shtetit shqiptar pas Kongresit të Lushnjës. Me t'u kthyer në Shqipëri në dhjetor 1920, Avni Rustemi u mor me bashkimin e disa shoqërive ekzistuese në një organizatë të vetme. Një Kongres i mbajtur më 25 prill 1921 në Vlorë krijoi një federatë që mori emrin "Atdheu". Kryetar nderi i saj u zgjodh Avni Rustemi. Me nismën e tij u krijuan edhe organizatat profesionale të mësuesve. Pas mbylljes së federatës "Atdheu", në gusht 1922 përsëri nën drejtimin e tij, më 13 tetor 1922 u krijua në Tiranë shoqëria demokratike "Bashkimi". Avni Rustemi ishte një ndër ideologët më të spikatur të kohës. Idetë e tij gjenden të formuluara në një numër fjalimesh e artikujsh publicistikë të kohës dhe në fjalimet në Asamblenë Kushtetuese të vitit 1924, ku u zgjodh deputet nga populli i ish-prefekturës së Kosovës. Ishte kritik i fortë i shpërdorimeve të aparatit burokratik të kohës, fodullëkut e injorancës dhe mbronte publikisht kauzën e ribashkimit Shqipëri-Kosovë. U vra më 22 prill 1924, në një atentat, i cili iu atribua ministrit të brendshëm të kohës, Ahmet Zogut.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen