F A Q E T

Dienstag, 28. Mai 2013

Besëlidhja Shqiptare e Pejës

Në vitet e fundit të shek. XIX u shtuan lakmitë e shteteve fqinje ndaj Shqipërisë dhe ndërhyrjet e fuqive të mëdha në Ballkan. Fillimisht u acarua e ashtuquajtura çështje maqedonase, e cila, për nga emërtimi, dukej se kishte të bënte vetëm me Maqedoninë, por në të vërtetë ajo lidhej drejtëpërsëdrejti edhe me Shqipërinë dhe tërësinë e saj territoriale, më konkretisht me vilajetet e Manastirit e të Kosovës, që shpesh i konsideronin Maqedoni, ndonëse shumica dërmuese e popullsisë në to ishte shqiptare. Meqenëse Maqedonia në atë kohë nuk përbënte një njësi administrative - territoriale më vete, por ishte e ndarë në vilajete e sanxhaqe të ndryshme, monarkitë ballkanike (Serbia, Greqia dhe Bullgaria) përpiqeshin, secila për vete, të përfshinin sa më shumë toka shqiptare e maqedonase, që nuk u takonin atyre, duke përdorur mjete nga më të ndryshmet, që nga ,,argumentet historike’’ e të dhënat e falsifikuara etnike, e deri te bandat e armatosura. Një qëndrim i tillë jo vetëm që i kundërvuri ato me popullin shqiptar e maqedonas, por shkaktoi edhe fërkime e grindje ndërmjet vetë këtyre shteteve. Për të qetësuar lëvizjen antiosmane të popullit maqedonas dhe për të shmangur ndërhyrjet e shteteve të huaja në Maqedoni, sulltani shpalli, në prill 1896, dekretin ,,Mbi reformat në vilajetet e Rumelisë’’. Këto ,,reforma’’ do të zbatoheshin në vilajetet e Manastirit, të Kosovës dhe të Selanikut, të cilat edhe sulltani i përfshinte nën emërtimin Maqedoni. Masat e parashikuara nuk e ndryshuan gjendjen, sepse ato nuk plotësonin kërkesat e popullit maqedonas. Mirëpo përfshirja e vilajeteve të Manastirit e të Kosovës në zonën e reformave do të thoshte se ato zyrtarisht njiheshin si toka maqedonase. Në këtë mënyrë po shfaqej përsëri rreziku i copëtimit të trojeve shqiptare.

 

Kërkesat për autonominë e Shqipërisë (1896 - 1898)

Rreziku i ri i copëtimit të trojeve shqiptare i dha një nxitje të re luftës së popullit shqiptar për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut dhe për të drejtat kombëtare. Shqiptarët kundërshtuan me vendosmëri si pretendimet territoriale të shteteve fqinje, ashtu edhe ,,reformat maqedonase’’ të shpallura nga sulltani. Në të vërtetë ata nuk ishin kundër reformave në vetvete dhe as kundër zbatimit të tyre për popullin maqedonas, por nuk mund të pranonin në asnjë mënyrë përfshirjen e tokave shqiptare në zonën e reformave maqedonase. Patriotët rilindas, ashtu si në kohën e Lidhjes së Prizrenit, shtruan përsëri programin për autonomi dhe filluan përpjekjet për të formuar një lidhje të re shqiptare, që të vihej në krye të luftës për t’u mbrojtur nga copëtimi dhe për të realizuar autonominë.


          Në memorandumet që iu parashtruan Portës së Lartë dhe fuqive të mëdha nga shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, në vija të përgjithshme kërkohej njohja e kombësisë shqiptare dhe bashkimi i katër vilajeteve: i Shkodrës, i Kosovës, i Manastirit dhe i Janinës në një vilajet të vetëm, në të cilin gjuha shqipe do të përdorej në administratë dhe në shkolla. Parashikoheshin gjithashtu disa reforma në fushën politike, arsimore e administrative. Kërkesat për reforma ndryshonin ndërmjet tyre. Disa ishin më të kufizuara dhe disa më të plota. Kërkesat më të përparuara u paraqitën nga shoqëria ,,Dëshira’’ e Sofjes, nga shoqëria ,,Dituria’’ e Bukureshtit dhe nga Komiteti Shqiptar i Stambollit. Këto kërkesa përshkoheshin nga idetë kombëtare e demokratike të Rilindjes dhe shprehnin aspiratat e popullit shqiptar për liri e përparim. Madje manifesti ,,Ç’duan shqiptarët’’, i lëshuar në pranverën e vitit 1897 nga Komiteti i Stambollit, i parashtronte Europës dy variante të mundshme për zgjidhjen e çështjes shqiptare: sigurimin e autonomisë, në qoftë se ruhej ende status quo-ja dhe formimin e një shteti të pavarur shqiptar në rast se ,,Europa do të dojë t’i japë fund kësaj Perandorie që po heq shpirt’’. Por kërkesat e viteve 1896 - 1898 për njohjen e kombit shqiptar dhe të të drejtave të tij të ligjshme nuk u morën parasysh as nga qeveria e Stambollit, as nga fuqitë e mëdha.

 
 
Formimi i Lidhjes së Pejës dhe programi i saj

  Duke qenë se rreziku i copëtimit të tokave shqiptare po rritej dhe kërkesat për autonomi nuk po merreshin parasysh, rrethet patriotike shqiptare shtruan si detyrë krijimin e një organizate të re, si ajo e Lidhjes së Prizrenit, që të përfshinte të gjithë vendin dhe të vihej në krye të Lëvizjes Kombëtare. Përpjekjet e para filluan që në vjeshtën e vitit 1896. Në krye të kësaj të kësaj nisme u vu Haxhi Zeka, një nga udhëheqësit më të shquar të Lëvizjes Kombëtare në vilajetin e Kosovës dhe në mbarë Shqipërinë. Atdhetarët shqiptarë, të udhëhequr nga Haxhi Zeka, arritën që në shkurt - mars 1897 të hidhnin themelet e një lidhjeje të re ose, siç quhej në dokumentet e asaj kohe, Besëlidhjes Shqiptare (në një mbledhje që u organizua në Gjakovë). Në nëntor 1897 u organizua një mbledhje tjetër në Pejë, ku morën pjesë 500 përfaqësues të popullsisë së Kosovës. Mirëpo Porta e Lartë, e cila e kuptoi rrezikun që mund t’i vinte nga një lëvizje e organizuar shqiptare (e cila edhe kishte program kombëtar), mori masa të rrepta për shpërndarjen e Besëlidhjes.

  Në fund të vitit 1898 dhe në fillim të vitit 1899, acarimi i ri i ,,çështjes maqedonase’’ dhe ndërhyrja e shteteve fqinje në vilajetet shqiptare, i nxitën përpjekjet për krijimin e një lidhjeje shqiptare. Më 23 janar 1899 në Pejë u mblodh një kuvend i madh, ku morën pjesë rreth 500 veta të ardhur kryesisht nga vilajeti i Kosovës, si dhe disa përfaqësues të vilajeteve të Manastirit e të Janinës. Në këtë kuvend, që vazhdoi 6 ditë, u formua lidhja e re shqiptare që u quajt Lidhja e Pejës ose Besa-Besë. Kryetar i saj u zgjodh Haxhi Zeka, i cili edhe i drejtoi punimet e kuvendit. Në vendimet e Kuvendit të Pejës (Kararnameja prej 11 pikash), si detyrë kryesore shtrohej lufta kundër çdo orvatjeje të Serbisë, të Bullgarisë, të Greqisë dhe të Malit të Zi për copëtimin e tokave shqiptare. Rryma patriotike e kryesuar nga Haxhi Zeka shtroi edhe çështjen e autonomisë, por, për shkak të rrezikut të copëtimit dhe qëndrimit të elementëve konservatorë e turkomanë, ajo nuk u përfshi në vendimet e para. Në vendime kërkohej që Lidhja të formonte degët e saj dhe të shtrinte veprimtarinë në gjithë Shqipërinë. Kuvendi shpalli gjithashtu Besën për një vit, me qëllim që të ndërpriteshin hakmarrjet, grindjet etj.

 
 
Shtrirja e Lidhjes së Pejës dhe lufta e saj me forcat osmane

  Pas formimit të Lidhjes, Haxhi Zeka dhe patriotët e tjerë, brenda dhe jashtë atdheut, bënë përpjekje për ta shtrirë atë edhe në krahinat e tjera. Si rrjedhojë, Lidhja e Pejës u shtri në Shqipërinë e veriut, në Shqipërinë e Mesme dhe pjesërisht në Shqipërinë e Jugut. Njëkohësisht u bënë përpjekje për të organizuar një kuvend të përgjithshëm shqiptar, ku do të miratohej programi kombëtar i Lidhjes. Me anë të shtypit shqiptar dhe të thirrjeve drejtuar popullit kërkohej bashkimi rreth Lidhjes së Pejës dhe programit për autonomi. Pikërisht në këtë kohë (mars 1899) Sami Frashëri botoi veprën ,,Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhetë ?’’ Në të Samiu jo vetëm që përshkruante gjendjen e vështirë të Shqipërisë dhe rreziqet që i kanoseshin nga armiqtë e jashtëm, por tregonte edhe rrugën që duhej të ndiqte populli shqiptar dhe lëvizja e tij kombëtare. Samiu shtronte nevojën e sigurimit, në fillim të autonomisë, e pastaj të pavarësisë së plotë. Shqiptarët duhej ta arrinin atë me hir ose me pahir. Samiu e vlerësonte shumë Lidhjen Shqiptare të Pejës dhe kërkonte që ajo të shndërrohej në një organ të përhershëm qeveritar. E shqetësuar nga formimi i Lidhjes së Pejës dhe nga zgjerimi i veprimtarisë së saj, qeveria e Stambollit nxori një numër urdhërash për të çarmatosur shqiptarët dhe për të shtypur Lidhjen. Për këtë qëllim sulltani përdori edhe disa bejlerë reaksionarë, me në krye Riza bej Kryeziun, të cilët qysh në fillim i ishin kundërvënë Lidhjes së Pejës. Qeveria osmane ndaloi mbledhjen e kuvendit të përgjithshëm, që do të mbahej në Prizren në maj 1899.

   Në fillim Lidhja e Pejës u qëndroi presioneve të Portës së Lartë, madje në vjeshtë 1899 ajo filloi luftën e armatosur kundër administratës osmane dhe për ta zëvendësuar atë me administratë shqiptare. Lëvizja antiosmane përfshiu kryesisht Kosovën e Dibrën, por nuk u shtri në gjithë Shqipërinë.

   Veprimet e armatosura kundër autoriteteve osmane vazhduan deri në maj të vitit 1900. Atëherë Porta e Lartë dërgoi forca të mëdha ushtarake kundër Lidhjes së Pejës dhe e shtypi atë. Megjithatë ajo shënoi një ngritje të re në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.

 

 
LËVIZJA KOMBËTARE NË VITET 1901 - 1908

Forcimi i reaksionit osman dhe i qëndresës shqiptare

     Pas shtypjes së Lidhjes së Pejës, Porta e Lartë i vazhdoi ndjekjet dhe burgimet në Shqipëri. Ajo e forcoi më tej regjimin e terrorit policor dhe politikën e mohimit të të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Autoritetet osmane i dhanë një goditje të fortë edhe lëvizjes arsimore e kulturore shqiptare. Ndoqën e arrestuan mësuesit e gjuhës shqipe, ndaluan përhapjen e librave shqipe dhe mbyllën, përveç të tjerave edhe Mësonjëtoren Shqipe të Korçës (1902). Kësaj shtypjeje të egër politike iu shtua edhe ndërhyrja e fuqive të mëdha në punët e brendshme të Perandorisë Osmane. Në fillim të shekullit XX u rrit më shumë rivaliteti i këtyre fuqive për të zgjeruar ndikimin e tyre politik dhe ekonomik.

   Shtypja politike dhe ekonomike osmane dhe ndërhyrje e shteteve të huaja u bënë shkak për rritjen e qëndresës shqiptare. Në verën dhe në vjeshtën e vitit 1901 pakënaqësia u shtri në të gjitha vilajetet shqiptare. Popullsia e krahinave të ndryshme nuk pranonte të paguante taksat dhe të jepte ushtarë. Situatën e acaruan më tepër vrasja e udhëheqësit të Lëvizjes Kombëtare, Haxhi Zeka në Pejë, në shkurt 1902, nga një agjent i qarqeve shoviniste serbe dhe shpallja e ,,reformave’’ për ,,vilajetet maqedonase’’ në dhjetor 1902. Në rrethana të tilla, gjatë viteve të para të shek. XX, lëvizja e armatosur mori përpjesëtime mjaft të gjëra. Dhjetëra përleshje të armatosura u bënë në rrethet e Shkodrës, Pejës, Mitrovicës, Prishtinës, Prizrenit, Gjakovës, Lumës, Dibrës, Mirditës, Pukës, Vlorës, Tepelenës etj. Patriotët shqiptarë përkrahën edhe luftën çlirimtare të popullit maqedonas kundër zgjedhës osmane dhe morën pjesë në kryengritjen e Ilindenit (dita e Shën Ilisë), që shpërtheu më 2 gusht 1903 në Maqedoni. Ata mbajtën qëndrim kritik ndaj reformave demagogjike të sulltanit që sillnin më vete edhe rrezikun e copëtimit të Shqipërisë.

 
 
Komitetet e fshehta shqiptare
dhe çetat e armatosura (1905 - 1908)

 Rritja e lëvizjes kryengritëse në Shqipëri e në Maqedoni ishte në kundërshtim me politikën e status quo-së në Ballkan, prandaj fuqitë e mëdha u aktivizuan përsëri në këtë zonë. Po kështu, qarqet shoviniste ballkanike (serbe, greke dhe bullgare) u përpoqën që, me mjete të ndryshme propagandistike dhe me anë të bandave të armatosura, të ndryshonin karakterin etnik të ,,vilajeteve maqedonase’’. Këto veprime u shtrinë edhe në krahinat me popullsi shqiptare. Viktimë e terrorit shovinist u bë edhe shkrimtari patriot Papa Kristo Negovani, i cili, bashkë me disa bashkëfshatarë të tij, u vra në fshatin Negovan në shkurt të vitit 1905 nga një bandë greke.

   Në rrethanat e reja që u krijuan dhe me zgjerimin e lëvizjes së armatosur popullore shtrohej përsëri nevoja e organizimit më të mirë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Kështu, me nismën e patriotit Bajo Topulli (në atë kohë nëndrejtor i gjimnazit turk të Manastirit), në nëntor të vitit 1905 u formua në Manastir një komitet i fshehtë shqiptar. Ai mori emrin ,,Për lirinë e Shqipërisë’’. Në të bënin pjesë Halil Bërzeshta, Gjergj Qiriazi, Fehim Zhavalani, Nuçi(?) Naçi etj. Brenda pak kohësh, në shumë krahina të Shqipërisë u formuan komitete të fshehta, të cilët kishin lidhje me njëri-tjetrin dhe vepronin nën drejtimin e Komitetit të Manastirit. Në këto komitete mund të merrnin pjesë burra dhe gra. Qëllimi i komiteteve të fshehta ishte organizimi i lëvizjes çlirimtare dhe i luftës kundër ndërhyrjeve të huaja. Për arritjen e qëllimeve kombëtare ata i vinin rëndësi të veçantë bashkimit të shqiptarëve, pavarësisht nga feja dhe krahina, përhapjes së diturisë, agjitacionit patriotik si dhe organizimit të çetave të armatosura.

   Në pranverën e vitit 1906 në krahinën e Korçës u formua çeta e parë nën drejtimin e vetë Bajo Topullit. Pas saj u formuan edhe çeta të tjera patriotike si në Kolonjë, Devoll, Berat, Leskovik etj. Përpjekjet e para të çetave shqiptare me forcat osmane filluan që në maj 1906. Një aksion i rëndësishëm i çetave ishte edhe vrasja e mitropolitit grek të Korçës - Fotit, klerik reaksionar i vënë në shërbim të shovinizmit, në shtator 1906. Në vitet 1907 - 1908 çetat patriotike e shtuan veprimtarinë e tyre. Në pranverën e vitit 1907 u formua një çetë e re në krye të së cilës u vu Çerçiz Topulli (vëllai i Bajo Topullit), së bashku me shkrimtarin patriotik Mihal Grameno.

   Në fillim të marsit të vitit 1908 pjesëtarë të çetës së Çerçiz Topullit vranë në Gjirokastër komandantin e xhandarmërisë që kishte ndjekur patriotët shqiptarë dhe kishte terrorizuar popullsinë. Pas disa ditësh, forcat osmane e rrethuan çetën në fshatin Mashkullorë të Gjirokastrës. Aty u zhvillua një luftë e ashpër. Ndonëse me forca të pabarabarta, çeta u mbrojt trimërisht dhe arriti të çante rrethimin, duke lënë vetëm një të vrarë, Hajredin Tremishtin.

   Krahas çetave patriotike që vepruan kryesisht në Shqipërinë e Jugut, vazhduan lëvizjet e armatosura popullore në qytete e fshatra të ndryshme të vendit e sidomos në krahinën e Kosovës.

 

Shoqëritë e mërgimit dhe shtypi shqiptar

 Një rol të rëndësishëm vazhdonin të luanin shoqëritë e mërgimit e përgjithësisht diaspora shqiptare. Në fillim të shek. XX u shtua mjaft numri i të mërguarve për arsye ekonomike dhe politike. Përveç vendeve të afërta, si në Rumani, Bullgari, Egjipt etj., shqiptarët tani filluan të mërgonin edhe në vende më të largëta, deri në Rusi e në SHBA, dhe krijuan shoqëri të reja.

 Në vitin 1906 në Bukuresht u formua shoqëria ,,Bashkimi’’, në të cilën u shkrinë shoqëritë e mëparshme ,,Dituria’’, ,,Shpresa’’ dhe një pjesë e ,,Dritës’’. Po në këtë kohë, në SHBA u formuan disa shoqëri shqiptare, si shoqëria ,,Malli i Mëmëdheut’’ në Bufalo më 1906 dhe shoqëria ,,Koha e lirisë’’ në New York. Më 1907 në Boston u formua shoqëria ,,Besa - besën’’ me kryetar Fan Nolin dhe me degë në shumë qytete të SHBA. Po në vitin 1907, në Buenos Aires (Argjentinë) u formua shoqëria ,,Lidhja Shqiptare’’ kurse në vitin 1908 në Odese u formua shoqëria ,,Përlindja’’.

   Në kushtet e vështira politike në të cilat ndodhej Shqipëria në atë kohë, shoqëritë e mërgimit, që vepronin në rrethana më të favorshme, bënë një punë të madhe në dobi të Lëvizjes Kombëtare. Ato mbanin lidhje me njëra-tjetrën dhe me komitetet e patriotët në atdhe. Shoqëritë shqiptare të mërgimit, e sidomos ato në SHBA, u përpoqën edhe për të krijuar një kishë kombëtare shqiptare jashtë ndikimit të Patrikanës së Stambollit, që i shërbente shovinizmit grek. Pas shumë përpjekjesh, në shkurt 1908, Fan Noli u dorëzua prift në një nga kishat e New York-ut dhe filloi meshimin në gjuhën shqipe. Kështu u hodhën themelet e kishës autoqefale shqiptare.

   Meqenëse regjimi i sulltanit nuk lejonte asgjë të botohej në gjuhën amtare në Shqipëri, në shoqëritë e mërgimit u botuan mjaft libra e gazeta shqipe, si: ,,Shqiptari’’ (në Bukuresht, 1888 - 1903), ,,Shqipëria’’ (poashtu në Bukuresht, 1897 - 1899), ,,Albania’’ (në Bruxelles e pastaj në Londër 1897 - 1909), ,,Drita’’ (në Sofje, 1901 - 1908), ,,Kombi’’ (në Boston, 1906 - 1909) etj. Edhe pse nuk botoheshin në Shqipëri, ato përhapeshin nëpërmjet rrugëve të ndryshme në atdhe dhe ndihmuan në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, në përhapjen e kulturës dhe në mbrojtjen e të drejtave të kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

 

Haxhi Zeka

           Ka qenë udhëheqës i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, luftëtar dhe organizator i kryengritjeve popullore antiosmane në Kosovë. Lindi më 20 dhjetor 1832 në fshatin Shoshan të Malësisë së Gjakovës prej nga u shpërngul me familje në Pejë. Ishte një nga organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe një nga luftëtarët më të vendosur për autonominë e Shqipërisë dhe për mbrojtjen e tërësisë së saj territoriale. Në Kuvendin e parë të Lidhjes, më 10 qershor 1878, u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të saj. Mori pjesë si komandant ushtarak në krye të forcave të Lidhjes në ngjarjet e Gjakovës, në shtator 1878, kundër Mehmet Ali Pashës. Krahas udhëheqësve të tjerë politikë e ushtarakë të Lidhjes ai luftoi për mbrojtjen e Plavës dhe të Gucisë kundër forcave të Malit të Zi. Në pranverën e vitit 1881 mori pjesë në betejat kundër ushtrisë së Dervish Pashës. Më 1893, H. Zeka me Bajram Currin organizuan kryengritjen që përfshiu Pejën, Gjakovën e vise të tjera të Kosovës kundër shtypjes ekonomike e politike të sunduesve osmanë. Për veprimtarinë e tij atdhetare, më 1893 u thirr në Stamboll ku u mbajt i arrestuar deri në vitin 1896.

   Më 1896 - 1900 u vu në krye të luftës së popullit shqiptar për autonominë e Shqipërisë dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit. Udhëhoqi qëndresën e armatosur popullore në Kosovë në vitin 1897 dhe po atë vit themeloi ,,Besëlidhjen shqiptare’’.

Më 23-29 janar 1899 Haxhi Zeka organizoi Kuvendin e Pejës, që themeloi Lidhjen Shqiptare të Pejës, dhe u zgjodh kryetar i saj. Në prill - maj 1899 mori masa për thirrjen e një kuvendi tjetër të përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare, mbajtja e të cilit u pengua nga Porta e Lartë. Ai, pa marrë parasysh kundërshtimet e Stambollit dhe pengesat e fuqive të mëdha e të qarqeve shoviniste fqinje, i vazhdoi përpjekjet për forcimin e Lidhjes gjatë vitit 1900 derisa ushtria osmane e shtypi atë.

   Haxhi Zeka u vra pabesisht në Pejë më 1902 nga një agjent i qarqeve shoviniste serbe, që patën edhe përkrahjen e autoriteteve osmane.

 

     NGA VEPRA E SAMI FRASHËRIT »SHQIPËRIA Ç’KA QENË, Ç’ËSHTË E Ç’DO TË BËHETË ?«

   ,,XIII - Dituria

   Në ka një gjë, për të cilënë Shqipëtarëtë duhetë të kudesenë më tepërë, ajo pa ndryshim është Dituria. Gjithë katundetë e gjithë pshatratë a dy tre pshatra t’afërta bashkë duhetë të kenë shkolla të para fillore dhe qytetet të kenë nga më shumë se një, pas madhërisë së tyre. Gjithë djemt’ e vashatë që më 7 vjeç e gjer më 13 do të jenë të shtrënguarë të venë domosdo në shkollë edhe ata prindërë, që të mos dërgojnë fëmijënë në shkollë, do të qërtohen’ e të shtrëngohenë t’i dërgojnë. Mësimi do të jetë pa nonjë pagesë, edhe të varfëret do t’u epenë edhe fletoretë e karta etj. pa pagesë. Në mes të çdo nënëgastre (rrethi, qendre administrative) do të jetë një shkoll’ e dytë qytetëse për djemt edhe një për vajzat. Në mest të çdo Gastre (qarku, krahine) do të jenë veç shkollavet të dyta (ryshdije, skolin) edhe të treta (i ‘dadije, gjimnasion) [të mesme] për djem e për vajza veçan edhe shkolla për mjeshtëri pas vëndit a për bujqësi etj.

   Në kryeqytett të Shqipërisë, përveç shkollavet të dyta e të treta do të jenë një gjithëmësime (daryl fynun, panepistimion [universitet], një shkollë ushtrije, një për metaletë e për pyjetë, një për bujqësinë edhe shumë të tjera për dituri e për mjeshtëri të veçanta. Më pas edhe dy gjthmësime (universitete) duhetë të hapenë: një në Shqipërinë e Sipërme e një në të Poshtërmet. Shkoll’ e aniërisë duhet të jetë mb’anë detit, tek të jen’ edhe aniat’ e luftëse, në Durrës a në Ujët-të-Ftohtë (afrë Vlorësë).

 Një këshillë diturje (akademi) duhet të jetë në kryeqytet, e cila të kujdesetë për gjuhët’ e për livratë, që duhenë etj. Një shtypëtore e qeverisë do të meretë me të shtypurë livratë, që duhenë për shkollat edhe të nxjerrë fletore diturijë, të përkohshme e çdo gjë, që duhetë për të zgjuarë shqiptarëtë. Disa shoqërira do të bëhenë me ndihmët e ministrisë së diturisë për të shpënë përpara dhe shkronjënë (gjeografinë), istorinë, dhekëkonjënë (gjeologjia), metalet’ e të tjera punëra të Shqipërisë, edhe cilado nga këto do të nxjerrënjë herë në muajt e më pak një fletore të porkohçime, në të cilët të rrëfëhetë gjithë ç’ka gjetur’ e çpikurë shoqërija.

   Në kryeqytett të Shqipërisë do të jenë dy shkolla të mbëdha për gjuhërat; në njërët nga këto do të mësohenë gjuhërat’ e ra t’Evropësë, francishtja, gjermanishtja, italishtja, inglishtja, slavishtja, greqisht’ e re etj; në tjatërët gjuhërat’ e vjetëra: Greqisht’ e vjetërë, latinishtja, arabishtja, persishtja, sankrishtja etj. Cilado nga këto shkolla do të ketë një këshillë, e cila do të jetë e mbledhurë prej njerëz që dinë këto   gjuhëra, edhe do të përpiqenë të shkruajn’ e të shtypinë livra mësimietj. në këto gjuhë, edhe shtypëtore e qeverisë do të ketë shkronjat e gjithëve këtyre gjuhe për të shtypurë ato.

   Një musië (muze) e përgjithçme do të jetë në kryeqytett për gjithë sa gjerëra të vjetëra, shtatutëra, fytyrëra, gurë të shkruarë etj., që do të gjendenë në Shqipëri e gjetkë edhe qeveri’ e kësaj musie do të mihnj’ e të rëmojë gjithë vendet e qytetevet të vjeterë për të kërkuarë antikëra. Një tjatrë musië do të jetë për istori të naturtë edhe këshill’ e kësaj do të bënjë kërkime nëpër të tërë Shqipërit për barërat, drurëtë, metaletë, gjërërat’ e gjalla etj. të Shqipërisë, si dhe gjërërat’ e vjetra të dhetregonjëse e të njeritregonjëse. Cilado nga këto të dy këshilla të musiëvet do të nxjerrë një fletore një herë në muajt, në të cilat të shkruajnë kërkimetë e gjendjet’ e tyre edhe shumë diturirëra prej ç’bëhenë n’Evropë e gjetkë për këto punëra. Një bibliothek’ e madhe do të bëhetë e të ketë brenda livra etj. të shkruara të nevojta e të vyera në gjithë gjuhët, që munt të merenë vesh në Shqipëri’’.

 

   Çerçiz Topulli

   Ka qenë veprimtar i shquar i Rilindjes, udhëheqës i çetave patriotike kundër sunduesve osmanë për çlirimin kombëtar. Me vendim të Komitetit të fshehtë të Gjirokastrës, anëtarë të çetës së tij vranë në fillim të marsit 1908 në Gjirokastër komandantin turk të xhandarmërisë. Drejtoi Luftën e Mashkullorës më 18 mars 1908. Në thirrjen ,,Nga malet e Shqipërisë’’ drejtuar bashkatdhetarëve të tij dhe botuar në janar 1907 në gazetën ,,Shpnesa e Shqypnisë’’ Ç. Topulli, pasi dënonte grabitjet e administratës osmane, kërkonte që Shqipëria të shkëputej nga Perandoria Osmane dhe të bëhej e lirë dhe e pavarur.

    Pas fitores së revolucionit xhonturk të vitit 1908, Ç. Topulli punoi për formimin e klubeve shqiptare dhe për çeljen e shkollave shqipe në viset e ndryshme të vendit. Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më  28 Nëntor 1912, ai u vu në shërbim të qeverisë së Ismail Qemalit dhe luftoi për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut. U vra më 15 korrik 1915 në Fushën e Shtoit (Shkodër) nga forcat e pushtuesve malazezë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen