F A Q E T

Freitag, 31. Mai 2013

Ismet Aliu

Ismet Aliu u lind më 1957 në  Balaj të Ferizajt. Ka kryer studimet e larta në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, (Fakulteti Filologjik)  në Universitetin e Prishtinës.
Shkruan poezi e prozë.

Ka botuar veprat:

“Rrathë në hapësirë”, poezi  (Rilindja, Prishtinë, 1987)
“Babai i pasjellshëm”, poezi  (Rilindja, Prishtinë, 1989)
“Vrasja e indiferencës”, tregime (Rilindja, Prishtinë, 1990)
“Ëndrra me krahë dylli”, poezi për të rritur – (Buzuku, Prishtinë, 2007)
“Në anën tjetër të pasqyrës”, roman – (Ura, Ferizaj, 2010 )
“MURI I QELQTË – mes mortit e jetës”, roman – ( Faik Konica, Prishtinë 2011)

Është prezantuar në librin poetik “Rrjedh e lë gjurmë” (Bota e Re, Prishtinë, 1982 si dhe në antologjinë e poezisë shqipe “Fjala poetike” që sapo doli nga shtypi.



K R I J I  M I

Më erdhi ëndrra e thellësive kozmike
Muza e përndritjes me Zjarr astral
Shëtitëm në hapësira të pastra lirike
Qiell i fjalëve: Etje – Zogj plot mall

Nis gjakimin, zhytem në thellësi
Shpirti Lumë Qiellor i pavdekshëm: poezi
E lë trupin në dhomë shfaqem Njeri i Ri
Në mëngjesin e vargjeve Pema pikë bukuri



TERRI KOZMIK

Do të ketë zgjatur shumë ajo Natë...

Hapësira ishte Urith
Mendjemadhësia
I shëtiste nëpër pafundësi

Koha kotej e kotej
Në Pusin e thellë
Prej pakuptimësie

Trishtonin pafundësitë
Me sy Urithi

Do të ketë zgjatur shumë ajo Natë...



BOSHËSI DHE HIÇ

Nëpër
Trupin e Urithit
Ngjitej Hiqi

Kalorësi pa Udhë
Zvarritej nëpër vetvete

Kotësia ushqehej
Me Frutat e Mërzisë 



 MUZIKË

Tingujve të heshtjes
U shpërbëhej
Shpirti delikat
Tek grisnin
Pelerinën e Territ

Muzat që do të vinin
Ëndërronin
Baletin kozmik

S’ di
Nëse e dëgjonte kush
Nokturnon e Shiut

Në gjithë atë boshësi
Me sy prej Urithi
Mungonte prania ime



PIKTURA

Në gjithë atë Zbrazëti Idiote
Ishte sall një Pikturë

Për hata ishte...

2
Koha
Tulatur brenda vetes
Lexonte zbrazëtinë
Pa tekst

Piktura me Sy Urithi
Me ëndrrën pa formë
Në Vetminë mendjemadhe
Ishte për hata

Nuk e di
Si e duronte Zoti!!!


ANTIKOHË

Në Terr, Vetmi
Në pamjen pa imagjinatë
Portreti i kotësisë
Zgërdhihej

Jokoha
Dremitej Qiejve të mbyllur

Kur ia behën
Prindërit Tanë
Antikoha u mbyll
U hapën Qiejt



BALETI KOZMIK

Në hapësirat
Që trishtojnë
Trupat
Luanin Balet

Por
Mungesa jonë
Ia lagte
Faqet qiellit..



UJI

I tejdukshëm
Si dita
Dhe hyjnor
Si qiejt

Je fragment Edeni
A Ëndërr Qiellore
Mes njerëzish

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen