F A Q E T

Sonntag, 26. Mai 2013

Jusuf Gërvalla

Jusuf Gërvalla poet shqiptar dhe atëdhetar i shquar, lindi më 1 tetor 1945 në Dubovik, rrethi i Deçanit, nga një familje bujare. Vritet mizorisht më 17 janar 1982) në Untergrupenbah (Gjermani).

Shembulli i tij mbeti i gjallë nder intelektualë të kohës moderne, si shkrimtarë dhe atëdhetarë i shquar përe liri deri në vdekje.
Jeta e Jusuf Gërvallës ka qenë e vështirë, vdekja e tij ka qenë tragjike. Për këtë është thënë e shkruar shumë dhe do të thuhet e do të shkruhet shumë. Por, edhe shkrimtari J. Gërvalla pësoi vështirësira të mëdha. Për poetin, prozatorin dhe dramaturgun Gërvalla është thënë e shkruar relativisht pak. Vepra e tij letrare nuk është tepër e njohur, me gjithë botimin shembëllor që ia bëri J. Gërvallës më 1992 Sabri Hamiti (Jusuf Gërvalla: Vepra letrare. "Ora", Prishtinë, 1992). Opinioni e respekton dhe adhuron dëshmorin e kombit, simbolin e luftës për liri, shembullin e kurajës prej qytetari dhe intelektuali, ndërsa duket se e harron shkrimtarin e rëndësishëm që ishte dhe mbetet. Roli i tij prej simboli të qëndresës e hijesuaka faktin se ishte poet i dorës së parë.

Në letërsi, ai nuk i takonte qarkut të "lapidaristëve" të poezisë fjalëpakë që e shoshiste të tashmen me shkrimin simbolplotë alegorik në petkun e arkaikes mbikohore e në frymën e visarit të traditave të lashta gojore.

Zëri i tij poetik ishte zë më vete, mjaft origjinal, personal dhe individual. Poezia e tij na flet drejtpërsëdrejti, ngrohtë, zbutë, thellësisht njerëzor e me një sensibilitet të stërholluar. Në dy përmbledhjet e tij të para - "Fluturojnë e bien" (1975) dhe "Kanjushë e verdhë" (1978) - poezia e tij merrej kryesisht me vatrën e poetit tek janë mjaft kuptimplotë titujt e cikleve "Shtëpia në kornizë" dhe "Skena nga jeta e fshatit". Poezia e tij e përmallshme e këndon dashurinë, e kujton dhimbshëm (dhe pa idilë ruraliste) vendlindjen dhe na e rrëfen porosinë e saj qendrore, kërkimin e poetit për "pak frymë njeriu e pak dritë qiriri". Me kohë, duke u bërë gjithnjë e më shumë refleksiv poeti kaloi gjithnjë e më shumë te një qark më i gjerë tematik dhe te të folurit poetik me bukuri e begati të rrallë metaforike e figurative. Kështu, poezia e tij e përmallshme e vendlindjes gjithnjë e më shumë bëhet edhe universale. Në vëllimin e tretë poetik, "Shenjat e shenjta" (1979), kemi të bëjmë dhe me fjalë e elemente si "hije", "pluhur", "frikë", "terr", "ftohtë", "varr". Shkallëzohen vetmia dhe shqetësimet e poetit që flet shpesh edhe për fundin dhe vdekjen. Me një thellësi që nuk hetohet në lexim të cekët, na qet tabllo tejet të qëlluara të groteskës që e quajmë "jeta". Thelbi kryekëput human i vargjeve, ligjërimi lirik dhe substancial i poetit të mallit, të dashurisë, të dhembjes, të vetmisë e të vdekjes e bëjnë Jusuf Gërvallën një zë të patjetërsueshëm të poezisë së re shqipe. (WIKIPEDIA)


Poezi nga Jusuf Gërvalla


U MËSOVA TË DUA

Në duart e mia të ftohta me duart e mia
Trupin tënd e preka të ftohtë në argjilë
Largimin tënd akull dhe gazi m’u bë helm
Dimrin tonë të ftohtë e ngurosa në qepallë
E mapësuar dora ime e hapi kuvelinë
E dimrit
Dhe erdhi pranvera e dashurisë ndaj njeriut.
Gazi i tij pa kripë kripa e tij pa det e argjilë
Portofoli imë rëre gërshetat e tij kallam
Duart e mia të ftohta
Trupi i tij ujë
Dhe letër e verdhë.

Recitonte në sallën e madhe të zbrazët të ftohtë
Rendi i katërt ishte plot
Dyshemeja me lëvore gështenjash
Këndet e larta rrjetë merimangash
E dikush tha. Po cirresh kot!
Duart e tij të ftohta e sytë e tij të ngrohtë!

Pikëllimi s’ia kishte frikën 
Aii dukej si kuvertë anijeve në detin Marmara
(nuk e di nga m’erdhi ky përfytyrim)
Ashtu dukej. Si kanjushë.
I verdhë. I ftohtë e i dashur
Mbi të gjithë që dashurojnë.

Në duart e mia të ftohta
E kam ndjerë shtrëngimin e dorës si prush
Në largimin e tij nuk kishte dhera të huaja
As shtigje që përsëri e sjellin aq të përhitur
Të dashur
Si fjalët e para si deti i ri si qyteti
Në kartëpostale.



TASH PO NISEMI

Tash po nisemi në mundshim të heshtim pak
E të flemë. Po jemi lodhur. Këmbët të ënjtura
Nën tryezë. Koka që rëndon. Aspirinë?
Tash po nisemi? U bë vonë. Edhe ylli i fundit
Ra përmbi tryezë.

Jemi bërë si planeti që kërkon ta pranojnë
Si palaço të punojë
Në cirkun e verdhë.

Unë hënë e zbehtë ai diell i zjarrtë
-që të dy prej letrës së verdhë-
Që me nesër na pret takim’ i ri, bisedat për shëndetin
Dashurinë, poezinë.
E mbaruam bisedën mbi sëmundjen e poetit shëndetlig
-të ngrihemi, u bë vonë në këtë tavernë
Vetëm tym duhani e fjalë që shkëlqejnë
Prej fjalësh të pathëna
Dhe prej mëlçisë së zezë.

Shtrati i madh nën një çati diku do të ftohet 
Në pritjen e vet
Rrugicat e përgjumura ritmin e mugën dritareve
Të fikura derdhin kot
Si një pikë në det 
Jemi si yje
Në qiell.
Tash po nisemi në mundshim të heshtim pak
Dashuria s’është ilaç as helm.
Me kokën time e krijoj
Me duart e mia dhe eci nëpër planet.
Natën e mirë:
Mua më duhet të shkoj atje prej nga mund t’ju gjej.



DO TË KTHEHEM NËNË

Sa fort më mundon
Vetmia, o nanë
E votër braktisa një ditë
N’vendlindje ishte vjeshtë
Tani vonë
Të presin të korrat e brengat

N’mendime më ke tretur
Tani, o nanë
Për birin që të la në vetmi
Shikim imi kah dera, kah dera më përgjon
Trokitje të lehta dëshiron.

Ktheu shpejt më ke pas thënë
Se brengat më kanë molisur
Të presin sokët në varr nën bli
Porositë e babit tënd

Kaluan pranvera dhe vjeshta o nanë
Që kur të ndjell veç një kthim
Nëse vetë nuk do të mundem
Do i them birit tim
Në vendlindje të shtrojë çdo gëzim

Të lutem jeto me shpresa o nanë
Se një ditë dikush do të trokllojë
Në atë votër ku së pari zëri im jehoi

Andej nipat do të ngrej shtëpinë.




Skena nga jeta e fshatit 

dritarja e avulluar semaveri i çajit edhe vjeshtë
i tillë i lirë rrethuar me sendet që vjetërohen
përmbi rafte ftonj një plakë si pikturë 
a nuk qenka vallë krejt zjarri një trillim
bien gjethet e në kopsht femra kotet në luhajë
me goditje të rënda imagjinate me një botë prej letre
tek gjej ngushëllim mes sendesh që s'janë më
atje diku në botën time atje diku larg
eja përsëri netve të vona si hije që sajon
pak frymë njeriu e pak dritë qiriri.



Nga memoaret e një shëtitësi

kur u ktheva nën pullazin tim mbuluar me kashtë
nën qepallat e lodhjes e të kohës botën
e në botë s'kish tjetër pos shkëlqim ari e qelqi
mbi rrashta e penda të larta zogj alumini
kish edhe uri edhe poetë edhe ujëvare në botë
kish njerëz prej druri e kafshë të buta kudo
kish edhe hieroglife dy fjalë dhe gjurmë që s'fshihen
kish lumenj të egër e fosile të lashta



Pluhur e ngjyrë

Sytë e tu qiell çerdhe e lumë i pakapërcyeshëm
ndërsa jam përgjumur përmbi tavolinë
im vëlla dhe fëmijëria ime pemën e kanë vjelë
kanë korrur kallinj
ime ëmë ka zier ftonj
shelgjet kanë vajtuar
si poeti sentimental në vjeshtë
- po asgjë s'është zverdhur.

Duart e tua pushim diçka si ujë zgjojnë
ndërsa kam ecur shtegut rrëzë mali krejt vetëm
në njërin krah shkurre zogjsh
në tjetrin gështenjat
dhe gjarpërinj.
Im vëlla të ka dashur të ka marrë dhe tash nuk je
as ti as ai s'jeni dridhmë plot fletë
nga fluturimi yt tash vetëm ngjyrë
dhe pluhur ka mbet'.

Tash po vij
fëmijë që buzëqesh mbi krahun e nënës kur pret
para shitores qumështin - tash po vij i pikëlluar
në shportën time pemë e fletë
dhe shije gjumi.
Kur të zgjohem do të iki
tash po vij në prehrin tënd, mëmë
tokë e zezë e lapidar, bajame e verdhë.
Dashuri e paluar si arni në arkë
oh s'mund ta them
as ta rrëmbej.
Tash po vij
por di se në ngjyrën e pelhurës vetëm pluhur
mbi buzëgazin tënd të shtrenjtë

mes muresh të trasha fshesa dhe minj.



Libri i shenjtë

shpuzë e errët matanë qelqeve që avullojnë
mesnatës së ngjyer me tëmbëlin e detit
në oborr po fshihej një hije dhe qerrja e drunjtë
kuajt sonte askund s'do të marrin udhë
në mur ndrit dhe pipërrin kandili
e në letër mes dy vijash të zeza si përherë
druri i vetmuar më tutje ca hithër
ia djegin këmbët fëmijës që ëndërron
drita e praruar gjerdan me guaca
hën' e verdhë atje lart në tavan - dhe teja
tok me djepin e vjetër që s'përkundet - e ha
nuk shihet atje rrëzë gardhi një vogëlush
që shiu i tetorit e qull ngadalë
në vatër u dogjën urët - s'ka mbetur më prush
frika nga trupi im në shtrat po më fton

mbi tryezë ora e vogël rrah e s'pushon



Lufta dhe arti

Tutje gjithnjë akull
Këndej gjithnjë zjarr
Unë jam syri i Aladinit
E shoh veten si digjem
në betejën e tmerrshme
të fjalës 
e të mendimit

Me shenjtëri të mallkuar
me përfytyrimin e qartë
e krijoj
Në mua shushurijnë dete
të qena
në ëndërr

S'po flas kotnasikot
Mund t'i merrni fjalët e mia
e të niseni nëpër botë
Unë s'kam guxim
Kuptoj se pa dritën e tyre
Nuk do ta di rrugën nëpër dritë
Janë krijuar prej frenimesh
prej kthesash theqafjesh
dhiaresh të shenjta
zigzage

Unë nuk i shoh yjet
pështjellë në terr
Gjithësia e ftohtë
nuk e ka gji diellin
Sikur të mos e ftohte
ana e errët e planetit



Fletë testamenti

në zgjimin tim të heshtur të më ngurosin
në flijimin tim të begatshëm të verës
në nisjen time në fillimin tim të ri
në gjumë shekujsh me ndërrime të më zgjojnë
le të më puthë rrezja e qartë ngazëllyese
e druvarit të fjetur në rudinë
myshku le të jetë gjithmonë i blertë mbi gurë
emër të mos ketë e shkronja le të flasë
në gjuhën e vjetër të kafshës së zezë
guaca e kërminj le të vijnë për dasmë
mbi rrasën time
le të shtrihen edhe ata si dy yje
ftohtë le të bëjë verës e verës verë
e me një pikë ujë verdhësisë së barit tim
le t'i mëshirohen
vërmeni atje tek do të tregojë guri për udhën 
deri te shtëpia ime bërë me dru e kashtë

le të thyhet çdo pasqyrë që ka ballsamosur
ballin tim e mërrolën e çastit plot mllef
se ja tek po zgjohet er' e re e dashurisë së tokës
se jam i parrezikshëm kaq i pafuqishëm
mumje përfytyrim që krahasohet me rrahun
tek do të më vini përsëri ju pas
le të më lënë të fle qetë si pranë stufe
dimrit të madh të dashurisë sime
nuk do të përpëlitem s'do të rrotullohem
s'do të shplohem natën nuk do të kollitem
me fjalët e mia le të më mallkojnë
në rrasën time atë rrasë të zezë të ftohtë
në duart që i kam prekur le të më lëshojnë
rrjedhës të qetë të fatit që pret
shigjet' e mërisë le të bjerë mbi dhe
në shkretëtirën e moskuptimit le të fiket
kurrë të mos vijnë kur unë nuk i pres
ata që tërë jetën i prita, të dashurit


ç'po flas kështu pash zotin?


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen