F A Q E T

Dienstag, 28. Mai 2013

Ku shtrihen Trojet Shqiptare


“Në qoftëse ata vazhdojnë të ngrehin pretendimet e njohura dhe të vjetra territoriale ndaj Epirit, atëherë do të dridhen varret e etërve, vëllezërve shqiptarë që ranë për lirinë e grekërve dhe që kanë dhënë ndihmesë jo më pak se grekërit në themelimin e Mbretërisë greke.”
(JANI VRETO)


Shkruan: Isuf B.BAJRAMI
 
      Një nga çështjet për të cilat nuk është folur e nuk po flitet është: Sa e ka dëmtuar coptimi i 1913-ës edhe pjesën që ka mbetur gjoja e lirë brenda kufijve të shtetit ekzistues shqiptar? A është me të vërtetë e lirë kjo pjesë e kombit ? Nuk është fjala se duhet vetëm për t’i ditur këto gjëra, por për ta realizuar një lëvizje sa më të gjallë kombëtare. Duhet të buçasin të gjitha mjetet e informimit, duhet të botohen studime dhe libra, për t’i pohuar shkencërisht të vërtetat që na janë mohuar e po na mohohen aq padrejtësisht. Problemi kryesor më i ngutshmi është që duhet ta dime dhe t’i tregojmë me hollësi vetes dhe botës se sa e si janë tejdëmtuar Shqipëria dhe shqiptarët nga ndarjet dhe vendosjet e kufijve të dhunshëm mes neve. Zhgënjimi i madh ndaj fqinjëve, për tërë atë gjak që derdhën shqiptarët në altarin e lirisë së tyre, të bën të rikujtosh gjithnjë fjalët e Bajronit për Shqipërinë: “S’ka komb tjetër të jetë marrë nëpër këmbë kaq pamëshirshëm nga shtetet fqinjë” (1)
.

     Ku janë trojet autoktone të shqiptarëve? Cilat janë trojet e vërteta shqiptare? Autorë të ndryshëm dhe specialistë të gjeografise kane spjeguar me të dhënat e tyre për madhësinë e trojeve shqiptare. Sami Frashëri thoshte se: “Shqipëria ka një sipërfaqe prej 70000 km2 (7). Studjuesi francez L. Uelavitch thote se: ’’Madhësia e sipërfaqes së Shqipërisë është 75000 km2’’ (8). Studjuesi tjetër shqiptar T. Selenica na jep një “sipërfaqe të Shqipërisë prej 80000 km2” (9).

      Ndërsa kufijt e vërtetë etnik të Shqipërisë, ashtu siç na i përshkruan Prof. A.Gashi, janë: (Shqipëria)


Kufiri perëndimor

    Nga kjo anë Shqipnija etnike kufizohet me detin Jon dhe fillon nga Preveza e mbaron në pikën Skepi i Zi. Gjatësia e buzës në këtë anë është 651 km.


Kufiri veri - perëndimor

     Ky kufi fillon nga pika Skepi i Zi e mbaron nga Ferro.


Kufiri veri - lindor

 
    Ky kufi fillon nga veriu i katundit Shapoja, ecën nga lindja deri tek katundi Japor, pastaj varet nga jugu deri tek kuota 1548 e pastaj kthen përsëri në lindje të Karakollit të Osman Pashës nën kuotat 1619 - 1931. Kjo vijë e kufirit përmbledhë qytetin e Kurshumlisë, Prokuples, Leskocit dhe të Vrajes së bashku me rajonet dhe katundet e tyre.



Kufiri lindor

    Ky kufi fillon nga Gradnica dhe mbaron në qoshin ku bashkohen dy lumenjtë Venetika e Vistrica me një gjatësi prej 342 km. Kjo vijë lindore fut përbrenda krejt viset e humbura mbas luftës Ballkanike (1912), të cilat përbëhen prej këtyre kryeqendrave dhe krahinave: Gjakovë, Prizren, Kaçanik, Vranie, Gostivar, Tetovë, Shkup, Kumanovë, Preshevë, Dibër, Kërçovë, Strugë, Ohër, Krushevë, Përlep, Resnie, Manastir, Follorinë, Kostur, Naselicë e Grebenë.

 
Kufiri jug - lindor

     Kjo vijë fillon nga pika ku bashkohet lumi Bistricë me Venetikon e mbaron në grykën e lumit Artë me një gjatësi gati 180 km.


Kufiri jugor

     Përmbledh brigjet detare të gjirit të Artës. Këto brigje janë shume të përthyeme e kanë një gjatësi prej mëse 93 km dhe duke filluar nga goja e lumit Artë mbërrijnë tek qyteti i Prevezës.

 
    Brenda këtyre kufijve ndodhet Shqipëria, e cila shtrihet në jug - perëndim të siujdhesës Ballkanike, mbi brigjet detare të Adriatikut dhe të detit Jon, nga jugu në veri ndërmjet skepave Skepi i Zi në lindje të Vrajës gjatësi lindore nga Ferro (10). Me luftërat Ballkanike dhe Konferencën e Londres më 1913 plotësuan ëndërrat e shteteve fqinje, Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi dhe u vendos kufiri i sotëm që përmbledh më pak se gjysmën e Shqipërisë së vërtetë (11).

     Shqipëria etnike para ardhjes së turqve në Ballkan zinte një sipërfaqe prej rreth 110000 km2 (12). Në periudhën e pamvarësimit të shteteve të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, Turqia u ‘’fali’’ këtyre shteteve rreth 5000 km2 të tokës Shqiptare (13). Pas luftës se vitit 1876 - 1877 me Rusinë, Turqia dhuroi në interes të popujve ortodoksë të Ballkanit rreth 25500 km2 të tokave Shqiptare (14).


     Në fund të shekullit XIX dheu i Shqipërisë etnike do të tkurrej në 80000 km2 me 2.5 milion banorë (15), ndërsa Konferenca e Paqës që u mbajt në Versaje më 1919 - 1920 do të pranonte se dherat shqiptare në vitet 1912-1913 zinin një sipërfaqe prej 90270 km2 me rreth 3 milion banorë (16). Përkundër këtyre pohimeve kjo Konferencë lejoji vendimet e Traktatit Paqësor të Londrës (1913) duke shkëputur nga trungu etnik shqiptar rreth 80000 km2 që iu shpërndau shteteve fqinje, kështu që Shqipërisë i mbetën vetëm rreth 28700 km2 (17). Ndërsa sipas Vjetarit Shteteror Statistikor të Shqipërisë sipërfaqja në km2 e shtetit shqiptar është 28748 km2 (18).

    Sipas dokumenteve historike të botuara qysh herët Ilirinë e Jugut grekërit e quanin Epir, ashtu siç e shihnin nga ishujt (20, 21). Është njëlloj, vazhdojnë studjuesit, si peshkatarët e ishujve Bohama ta quanin Floridën ‘’Kontinent’’. Emër që s’ka asgjë të përbashkët me kombësinë e popujve që jetojnë aty. Në pjesën që i kushtohet Greqisë, Straboni nuk e përmend Epirin kurse Ilirinë dhe Maqedoninë i trajton së bashku. “Pas epirotëve dhe ilirëve, thotë ai, vinë fiset greke” (22, 23). Sipas veprës Iliada, këto fise ‘’barbare’’ jo helene nuk bënin pjesë në Lidhjen kundër Trojës (24). Maqedonia dhe Epiri kishin një gjuhë të përbashkët jashtëhelene, thotë Straboni dhe Plutarku (25). “Epirotët e maqedonët, përforcon studjuesi gjerman Hahni (26), qenë fise të afërta me njëri-tjetrin ose me prejardhje të përbashkët”. Skënderbeu thoshte: ’’Nëse kronikat nuk gënjejnë, ne quhemi epirotas’’ ndërkohë që Barleti e quante Skenderbeun ’’Princ i epirotëve’’ (27). Ndërsa Pirroja quhej “Shqiponja’’ (28).


     ‘’Në Epir gjatë lashtësisë banonin vetëm popujt jogrekë, shkruante Tumman, që flisnin gjuhën maqedone ose ç’ka është njësoj gjuhën ilire’’ (29). Aristoteli te vepra e tij “Politika” (30) i kushton vëmendje të veçante Kushtetutës së Epirit (31), si e ndryshme nga ajo helene. Skylaki (32) i lashtë duke përmendur Ambrakinë (33) thotë: ’’...prej këtej nis Helada’’ (34). Aristoteli shkruan për ishullin Diomeda (35) në detin Adriatik se: ’’...kur vinë këtu helenët...’’ dhe më poshtë: ’’...kur vinë barbarët që rrojnë aty afër...’’. Të gjithë autorët e hershëm grekë gjuhën e Epirit e quajnë pellazgjike, jo greke. Në asnjë dokument a historian s’përmenden përkthyes në bisedime mes popujsh “barbarë”. Pasi ata merreshin vesh pothuaj në të njëjtën gjuhë të tyre johelene. Rrënjët e fjalëve të vjetra të Epirit s’njiheshin nga grekërit, sepse qenë të kohës së pellazgëve më të lashtë me të cilët grekërit trazuan gjuhë e kulturë (36).

     Në këtë rrjedhë historike studjuesi suedez Martin P. N. Nilson (37) thotë se: “Epiri nga çdo prirje del jogrek”. Perandori bizantin i shekullit X Luani i Mençur (38) thotë se: “Banorët e Epirit janë shqiptarë”. Studjuesi Lyber (39) shkruan se: “Ishulli i Korfuzit në zanafillë banohej nga ilirët”. Kronisti bizantin i shekullit XIV Mihal Dukasnantari (40) i Shtëpisë Perandorake tregon paanshëm se: “sunduesi i Janinës Thoma Preluboviqi, i mbiquajtur “shqiptar vrasës”, Janinën e pastronte nga shqiptarët në një mënyrë të tillë sa që dhëndrrit të vet shqiptar Gjin Bue Shpatës, i cili e rrethoi kërcënueshëm, i dërgonte me cinizëm si dhuratë shporta me sy të nxjerrë të shqiptarëve”! Megjithate, osmanët të kujdesshëm në regjistrime Janinën kur e pushtuan më 1431 e quajtën tokë shqiptare. Kështu ata shkruan Delvinë, Grebenë, etj. e jo Dhelvinon, Grevena, etj., pavarësisht se kishte ndodhur që në shekullin VI p.e.r. mbreti Tharip i Epirit në administratën e oborrit mbretëror kishte marrë me rrogë një athinas, i cili gjeti rastin dhe e hapi greqishten si një gjuhë të dytë (41).


     Bajroni sapo arriti në Prevezë shkruan: “Shqipëri, lejomë të kthej sytë e mi mbi ty, o nënë e rreptë burrash të ashpër”. Më tej vazhdon: “O Shqipëri, ku lindi Iskenderi...”. Duke e nisur një letër më 31.10.1809 ai shënon: “Janinë - Shqipëri”. Më tej përshkruan arritjen e tij: “Së pari zbrita në Shqipëri, Epiri i qëmoçëm, ku ne hymë gjer afër malit të Tomorrit...udhëtuam mes Ilirisë e Kaonisë...”. Në poemën e tij për shqiptarët, Bajroni shkruan për një nga fiset e njohur: “E kush është më trim se sulioti zeshkan”; më tej: “Agimi lind, me të çohen brigjet e Shqipërisë së rreptë, shkëmbinjtë e Sulit” (42).

    Dr. Holand në vitin 1812 - 1813 shënon në shënimet e tij: “Udhëtime në Ishujt Jonianë, Shqipëri’’. “Hyra në Epir në brendësi të Shqipërisë”, shkruan piktori i shquar Levis. Në vizatimet e veta piktori I. Leiç shënon mes të tjerash: “Janinë, kryeqytet i Shqipërisë; Qyteti dhe Kështjella e Paramithisë - Shqipëri; Varri i Ali Tepelenës – Janinë, Shqipëri; Kështjella e Pargës - Shqipëri; Lugina e Sulit – Shqipëri”, etj. Në ditarin e vet në Qefalon në Gusht 1823 Bajroni shkruan: “Suljotët qenë një kastë ushtarake e të krishterëve shqiptarë që rronin në male të larta, të cilat sundonin rrjedhën e lumit Akeron”. Për njerëz të tillë Bajroni vazhdon: “...ka diçka të trashëguar nga lashtësia, diçka epike nga koha e Pirros” (43).


     Në librin “Udhëzues për udhëtarët në Greqi” (44) thuhet se: “Shqipëri sot quhet tërë Epiri i lashtë si dhe provincat jugore të Ilirisë së hershme që arrijnë deri në gjirin Rizonik ose grykat e Kotorrit”. Marksi shkruan: “Duke zotëruar Durrësin dhe bregdetin shqiptar nga Tivari te Arta ... ai popull flet në gjuhën e lashtë ilire që bënë pjesë në familjen e madhe të gjuhëve indoevropiane” (45). Koloneli Lik (46) shënon se: “Shqipëria zë tërë vijën e bregdetit në lindje të Jonit dhe Adriatikut, e përfshirë në paralelet 39 – 43”. Duke qenë në Epir, ai shkruan se: “...aty rregulloheshin punët në atë mënyrë që qe e përgjithshme në Shqipëri”. Në zgjatje të Epirit më në Veri, Liku shkruan se: “Asgjë nuk mund të jetë më tërheqëse e më piktoreske se pamja e Luginës së Gjirokastrës ... katundet e shumta tregojnë se ajo është një nga rajonet më të lulëzuara të Shqipërisë”.

     Dijetari Spencer (47) bën një gjykim përgjithësues: “Mund të ndryshojnë emrat e një sërë rajonesh e t’i përfshijnë ato në provinca të tjera, por hartën natyrore të Shqipërisë s’ka dorë njeriu ta fshijë ndërkohë që banorët krishterë a myslimanë shquhen nga të njëjtat tipare, zakone, doke dhe prej të njëjtës gjuhë”. Dr. Holland gjatësinë e Shqipërisë e përcakton 250 milje; Lik e jep 30 milje në skajin jugor dhe 100 milje në pjesët e tjera, ndërsa kufijtë në bregdet i jep gjer në Prevezë dhe Sulin e quan rajonin e skajshëm të Shqipërisë. Ai plotëson më saktë duke thënë se: “Shqipëria nis me një rrip toke të ngushtë nga malet e Sulit në Vai të gjirit të Artës, duke u zgjeruar me një gjerësi që është vështirë të përcaktohet”; dhe vazhdon më tej: “Gjiri i Artës mund të quhet dalje kryesore për pjesën jugore të Shqipërisë” (48).


     Shoku i shquar i Bajronit, Hobhauz, thotë se: “Kufijt e Shqipërisë mbarojnë në jug në gjirin e Lepentos, ose sipas disave në gjirin e Artës ... E tërë zona duke përfshirë dhe Akarnaninë mund të quhet pa gabuar Shqipëri”(49). Kur vizitoi fshatin Qestorat të Gjirokastrës, ai tha për shtëpitë e tyre: “...krejt ndryshe nga ç’kishim parë në Shqipërinë e sotme”. Të njëjtën gjë por nga një drejtim tjetër e përcakton ushtari anglez Paton: “Prej Novipazarit 10 orë larg tokës së Malit të Zi ... fillon shqipja e cila që këtej shtrihet për në jug drejt Epirit” (50).

      Dijetari Erkhart (51) Janinën e quan: “Kryeqytet i fiseve came”. Hjuz (52) duke e përcaktuar Janinën në Shqipëri shton se kësaj të fundit “mund t’i shtohet Arta e Lura”. Më tej Konicën e përshkruan si: “...një prej maleve më të mira të qytetit Shqiptar ... ka 5000 banorë me dy të tretat myslymanë, 600 shtëpi Shqiptare, 200 greke”. Pastaj flet për peshkopatën e Gjirokastrës Drinopollis (Dropulli i sotëm) me shkurtimin e emrit Fusha e Drinit (53). Para meje, shkruan Erkharti, kur doli përballë limaneve të Artës “shtrihet toka e Pirros, e Skënderbeut dhe e Ali Pashë Tepelenës”. Gjithashtu, gjatë vizitës së tij, studjuesi Doduell (54) shkruan se: “Gjiu i Ambrakisë ndan Epirin nga Akarnania dhe në anën jugore të tij është fillimi i Greqisë“. Regjistrimet osmane kanë qenë mbajtur tepër saktësisht, pasi lidheshin me interesat ekonomike e administrative të tyre me rastin e krijimit të nahijeve. Epirit i shënojnë 617 mijë vetë, nga ku rreth 120 mijë grekë dhe 33 mijë vllehë dhe të tjerët i vë shqiptarë; pra, vetëm një e pesta grekë. Statistikat e Sanxhakut të Gjirokastrës në mesin e shekullit XIX shënojnë 148759 banorë; nga këta 68915 myslymanë, 60872 krishterë, 18972 grekë, asnjë vlleh (55). Çamëria kishte 212 fshatra të krishterë dhe 80 myslimanë. Statistikat më pas shënojnë se më 1913 në Çamëri 96% flasin shqip, ndërsa më 1940 bie në 80% (56).


     Pukëvili i njohur si filohelen shkruan (57): “Habitem shumë dhe nuk mund të kuptoj si ka ndodhur që në Çamëri dëgjohet vetëm gjuha shqipe, sikur shqiptarët të jenë këtu vendës e jo grekërit”. Napoleoni e quajti pashallëkun e Janinës (58): “...një shtet i qëndrueshëm me popullsi e zakone të të gjithë shqiptarëve”. Për këtë hapësirë shqiptare i apelohet Papës së Romës për të ndihmuar Epirin, kur i shkruhet nga Shqipëria “për një pjesë të vendit ... nga Gjiri i Artës në portin e Vlorës, përfshi Manastirin në kufi të Maqedonisë e Mecovën në shpatet e Pindit”. Në botimet e Pukëvilit (59) lexojmë: “...me numrin e tyre të madh, me guximin, zellin e veprimtarinë e tyre, shqiptarët do ia ndërronin një ditë faqen Greqisë”. Studjuesja e shquar rumune me origjinë shqiptare Dora D’Istria (60), thotë për shqiptarët në Greqi: “Vetmohimi e flija e tyre qenë ndihma më e madhe në kryengritjen greke për çlirim. Mbi shkëmbinjtë e mbi zellin e Pargës gjenden ende tepricat e një populli që dha jetën e vet për Pavarësinë e Greqisë. Atje ndodhen edhe gjurmët e gjakut të martirëve”.

      Bashkëkohësi i Ali Pashës, rusi i pranishëm E. Golubinski (61), thotë për të: ’’Atdheu i tij qyteti i Artës, nuk gjendet në Perandorinë e Konstandinopojës...por në një principatë të lire shqiptare. Ai qe pushtuar nga turqit më 24.03.1449’’. Këto thënie pohojnë atë që Ali Pashe Tepelena i tha lirshëm Bessierit francez: ’’Unë e quaj shtëpinë time Butrintin, Pargën, Prevezën dhe Vonicën’’. Çamëri quhet qarku i Shqipërisë që përfshinë krahinat e Paramithisë, Filatit, Pargës, Margëlliqit, Gumenicës, etj. Topografikisht, etnografikisht, folklorikisht, Çamëria përbënë një krahinë jo të veçantë të Shqipërisë’’ (62). Po kështu thuhet edhe më vonë: ’’Çamëria është pjesa më jugore e Shqipërisë dhe jep të dhëna për numrin e popullsisë në myslimanë e ortodoksë’’. (63)


     Historiani grek Sathos (64) shkruan se: ’’...në Mesjetë Thesprotia përmendet si krahinë e banuar kryesisht prej shqiptarëve’’. Një përcaktim të tillë e jep edhe Enciklopedia italiane (65): ’’Thesprotia është emri grek i Çamërisë’’. Edhe në Konferencën e Loussanos në janar 1913-të përfaqësuesi i shtetit grek M. Cacllamanos (66) në debatet e nxehta për Shqipërinë u shpreh: ’’...shqiptarët banojnë në një krahinë plotësisht të caktuar në Epir’’. Ç’ndodhi me tërë këta shqiptarë në Epirin e tyre?! “Tretja” nga çkombëtarizimi prej Patriarkanës dhe megalidesë motivoi parashikimin e diplomatit grek Stefano Skuludhis (67), shprehur me letër Ministrit grek të Punëve të Jashtme më 18.02.1877, ku thuhet: ’’...shqiptarët pa gjuhë të lëvruar, pa arsim të zhvilluar, pa fe të përcaktuar, nuk do t’i ruajnë dot për një kohë të gjatë kombësinë e tyre, po do të asimilohen gradualisht prej grekërve të Epirit’’.

    “O GAR THANATOS SOU ZOI MOU ! Thonë grekërit, që në gjuhën shqipe don të thotë: ’’ VDEKJA JOTE, RRITJA IME !’’. Fatkeqësi dhe fyerje për shqiptarët dhe Shqipërinë, për sakrificat që bëri për fqinjët e jugut. Më vonë ndodhi ajo që e thoshte Noli i madh: ’’Ata që u çliruan me gjakun e mundimet tona janë armiqtë më të këqinjtë tanë’’(68).


     Pas revolucionit francez (69), filloi një epokë e re. Me likuidimin e copëtimit feudal lindën tërësitë kombëtare. Një ndër shtetet që lindën pas kësaj periudhe është Greqia (1831), e cila u garantoi shtetasve të saj liritë civile, politike në masë të barabartë. Klauzola të tilla u përcaktuan me Traktatin e Londrës më 1829 (70), të Parisit 1856 (71), të Berlinit 1878 (72), që janë quajtur traktate ‘’Minoritare’’. Deri më 1914 ishin bërë jo më pak se 30 traktate të tilla ndërkombëtare. Siç u tha edhe më lart Pukëvili (73) shkruan: ’’Çamët jetojnë në jug të lumit Kalama. Distrikti i tyre shkon deri në Janinë. Vendbanimet e tyre kryesore janë: Suli, Paramithia, Luarati, Margariti, Parga dhe Agjia’’. Çamëria, pra, është një zonë e banuar nga popullsia autoktone shqiptare. Ajo e cila e përbënte pjesën kryesore të pakicës kombëtare shqiptare në Greqi, në një sipërfaqe me 1950 km2, u çlirua nga pushtimi turk më 1912, në të njëjtën kohë si e gjithë Shqipëria.

    Kongresi i Berlinit (1878), Konferenca e Londres (1913) e më pas Koferenca e Firencës (74) që përcaktuan kufijtë e pjesës jugore dhe juglindore të Shqipërisë vendosën që kjo trevë shqiptare të kalonte nën sundimin grek. Ajo përfshinte 189 qytete dhe fshatra me një popullsi sipas regjistrimit turk të vitit 1908 mbi 72.000 banorë. Pas caktimit të kufirit shqiptaro – grek nga Protokolli Firencës (75), Fuqitë e Mëdha i kërkuan Greqisë të tërhiqte trupat e pushtimit brenda një muaji nga Shqipëria e Jugut. Por personalitetet politike reaksionare greke me E. Venizellosin(76), i njohur si antishqiptar i tërbuar, penguan tërheqjen e forcave greke dhe manipuluan organizatën ‘’Autonomiste të Vorio - Epirit’’ (77), e cila me një terror të egër vërsulej kundër shqiptarëve që kërkonin bashkimin e atdheut të tyre.


    Më 02.03.1914, ministri i Greqisë J. K. Zografos bëri luftë për aneksimin e Shqipërisë së Jugut. Ai u bë edhe kryeministër i të ashtuquajturit ‘’Vorio - Epir’’ me qendër në Gjirokastër. Por kjo ‘’zonë e Autonomisë së Vorio - Epirit’’ nuk e pati jetën e gjatë se iu kundërvunë forcat e qeverisë së Vlorës. Rezistenca e popullit të kësaj zone të udhëhequra nga luftëtarët Muharrem Rushiti, Alush Taka, etj. (78) i shpartalluan forcat greke. Në vitet e mëvonshme 1923 - 1924 u ndoq politika e gjenocidit, dëbimit të popullsisë shqiptare me anë të kombinimit të detyrueshëm me popullsinë greke. Po ashtu u organizuan çeta të cilat bënin terror të paparë, u bënë shpronësimet arbitrare, u vunë sanksionet në ekonomi e bashkë me to inkurajuan e nxitën edhe përçarjen fetare midis shqiptarëve. Para këtyre veprimeve çnjerëzore që përbëjnë krime të rënda qëndrojnë deklaratat demagogjike të Greqisë për gjoja kujdesin dhe interesimin që ajo tregon për pakicat kombëtare që jetojnë në territorin e saj. Per shembull në Traktatin e Konstantinopojës 1881 (79), pasi mori provincën e Thesalisë dhe një pjesë të Epirit, u zotua se do të mbrojë pakicat kombëtare. Artikulli i tretë i traktatit thotë: “Jeta, pasuria, nderi, feja dhe veprimtaria e këtyre zonave të dhëna Greqisë dhe që do të mbeten nën administratën greke duhet të respektohen me kujdes. Ata do të gëzojnë të njëjtat të drejta politike dhe qytetare si dhe shtetasit grekë’’.(80)


     Në përfundim të Luftës së Parë Botërore Greqia nënshkruan në Servë (81) më 10.08.1920 Traktatin për mbrojtjen e të drejtave të gjuhës e të fesë të minoriteteve. Pas dështimit të fushatës ushtarake greke në Azinë e Vogël, Greqia u detyrua të nënshkruaj më 30.01.1923 në Lozanë një Konventë (82) për shkëmbimin e detyrueshëm të shtetasve turq me origjinë greke që jetojnë në Azinë e Vogël me shtetasit grekë të kombësisë turke që jetojnë në Thrakinë lindore. Për të mbikqyrur shkëmbimin sipas konventës u caktua një komision të përbërë nga katër anëtarë turq, katër anëtarë grekë dhe tre anëtar të zgjedhur nga Këshilli i Lidhjes së Kombeve midis shtetasve që nuk kishin marrë pjesë në Luftën e Parë Botërore. Këta u emruan më 17 shtator 1923: një danez, një spanjoll dhe një suedez. Ndërkaq qeveria greke vazhdoi fushatën e saj të shpifjeve kundër Shqipërisë edhe pse kishte deklaruar se nuk do të përfshinte shqiptarët e Çamërisë në shkëmbimin e popullsisë turke. Sigurime të tilla ishin dhënë edhe nga përfaqësuesi i Greqisë në Tiranë. Por për pabesinë dhe mungesë korrektsie grekërit përmenden që nga kohërat e vjetra. Aleksandri i Madh për këto veprime i përmend disa herë. Kështu dhe pasardhësit e tyre nuk e mbajnë fjalën, ndryshe firmosin e garantojnë dhe ndryshe veprojnë. Kështu që mijëra çamë u dëbuan nga vatra e tyre dhe u dërguan me forcë në Turqi duke i paraqitur si pjestarë të kombësisë turke (83).

     Shumë herë shqiptarët e Çamërisë gjatë kësaj periudhe i janë drejtuar Lidhjes së Kombeve me protesta dhe telegrame ku kane kërkuar prej saj mbrojtjen e të drejtave të tyre të shkelura nga qeveria greke. Në këtë kohë qeveria shqiptare e F. S. Nolit ndërhyn pranë Këshillit të Lidhjes së Kombeve me një letër më 11 Gusht 1924 ku i shkruan ndër të tjerash: ’’...Është deklaruar gjithashtu se çdo anëtar i Lidhjes së Kombeve ka të drejtë duke u nisur nga ndjenja e dashurisë të tërheqë vëmendjen e asamblesë ose këshillit mbi çdo rrethanë që cenon marrëdhënjet ndërkombëtare dhe që si pasojë rrezikon të turbulloje paqen ose mirëkuptimin midis kombeve...’’(84). Qeveria shqiptare i kërkonte Këshillit të Lidhjes së Kombeve që qeveria greke të përmbushë me besnikëri zotimin që kishte marrë në Konferencën e Lozanës që mos t’i trajtonte shqiptarët si turq. Si rezultat i telegrameve dhe protestave të vazhdueshme që i vinin Këshillit të Lidhjes së Kombeve nga krerët çamë dhe qeveria shqiptare, në muajin dhjetor 1925 Këshilli ftoi anëtarët asnjanës të Komisionit të mbikqyrte shkëmbimin e popullsisë greke dhe turke që të bëheshin garant përpara Lidhjes së Kombeve për mbrojtjen e pakicave kombëtare shqiptare. Më 15.03.1926, Këshilli i Lidhjes së Kombeve pohoi çështjet e ngritura nga delegati shqiptar më 04.12.1925.(85)


     Përfaqësuesit grek në Këshillin e Lidhjes së Kombeve iu tërhiqet vërejtja dhe pranoi për suprimimin e nënkomisionit të Epirit dhe ndaloi dërgimin e 800 personave të popullsisë çame nga fshatrat Kardhiç dhe Dhragomi që ishin përgaditur për t’u shpërngulur me forcë. Kjo ishte një fitore e pjesëshme për ndalimin e mëtejshëm të shpërnguljes së popullatës çame. Por nuk arriti asgjë për riatdhesimin e afro 33000 shqiptarëve çamë që u shpërngulën me forcë për në Anadoll. Kalojnë dy vite e gjysëm nga koha kur qeveria Shqiptare duke parë se deklarata e qeverisë greke nuk po zbatohej, përsëriti kërkesën e saj më 09.05.1928. Kjo kërkesë u shqyrtua në sesionin e 50 të Këshillit të Lidhjes së Kombeve më 05.06.1928.


Në këtë sesion delegati shqiptar u përqëndrua në këto kërkesa:

 

1-     Qeveria greke nuk ka bërë asnjë deklaratë punimi publike,kështu që departamentet e ndryshme nuk dijnë që shqiptarët janë të shkëmbyeshëm dhe në këtë mënyrë kundër tyre vazhdojnë të merren masa shtrënguese.

2-     Kthimi i pasurive të marra popullsisë çame në favor të refugjatëve grekë të ardhur nga Azia e Vogël.


3-     Pjesëmarrja e popullsisë came në zgjedhje si edhe qytetarët grekë. Sipas numrit popullsisë çame i takonin dy përfaqësues ndërkohë që nuk kishte asnjë.

4-     Ndalimi i shpronësimit në kundërshtim me ligjet, që i bënte fshatarët shqiptarë pa tokë dhe pa kullotë.


5-     Ngritjen e shkollave në gjuhën shqipe.

6-     Lirimin nga disa taksa të tepërta, etj.’’.(86)


 

     Le të shikojmë dhe të krahasojmë arsimin në të dy anët e kufirit jugor se si i kanë zbatuar aktet ndërkombëtare. Këshilli i Lidhjes së Kombeve i mbledhur më 08 Gusht 1928, pasi diskutoi për problemin e pasurisë së shqiptarëve në Greqi dhe arsimin e tyre, vendosi që problemi të zgjidhet me bisedime dypalëshe, sipas akteve ndërkombëtare. Në këtë kohë, sipas dëshmive të komisionit hetimor, minoriteti grek në Shqipëri kishte shkollat me mësuesit e vet, me mësimdhënie në gjuhën amtare. Në të njëjtën kohë në Greqi ku pakica kombëtare shqiptare, dy herë më të mëdha se pakica greke në Shqipëri, nuk kishte as edhe një shkollë të vetme në gjuhën shqipe. Fan Noli në cilësinë e tij si kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve deklaroi para asamblesë më 1924: “Çamëria, tërësisht shqiptare e aneksueme Greqisë më 1913 nuk ka të drejtë të ketë një shkollë të vetme, në një kohë që minoriteti i vogël grek në Shqipëri ka shumë shkolla greke...’’.(87)

 
    Edhe vet Venizellosi (88) në vitin 1924 përpara Lidhjes së Kombeve deklaron se në zonën e Epirit që përmblidhte edhe Çamërinë nuk kishte asnjë shkollë për pakicat kombëtare shqiptare. Ky përfaqësues i

 Greqisë, megjithëse dha premtime përpara Asamblesë, asnjë ndryshim nuk e bëri. Në vitin 1933 doli Kushtetuta e Re e shtetit Shqiptar që ndalonte funksionimin e shkollave private në Shqipëri. Kështu u ndryshua Neni 5 - të i deklaratës shqiptare të 2 tetorit 1912. Si pasojë e zbatimit të këtyre dispozitave u mbyllën 48 shkolla private të llojeve të ndryshme si dhe 19 shkolla të huaja private. Këto shkolla ndaheshin: “21 Shkolla Laike, 14 Shkolla Moslemane, 7 Shkolla Katolike, 6 Shkolla Ortodokse’’.(89) Për mbylljen e 6 shkollave private ortodokse qarqet shoviniste greke të tërbuara se u prekën të drejtat e pakicës greke bënë ankesë në Këshillin e Lidhjes së Kombeve.


     Delegati shqiptar në seancën e 14 - të, më 18 janar 1935, deklaroi: ’’Shtetasit shqiptar që u përkasin pakicave të racës, fesë apo të gjuhës, do të gëzojnë të njëjtin trajtim si dhe të njëjtat garanci në të drejtë dhe në fakt si edhe shtetasit e tërë shqiptarë. Arsimi dhe edukimi i shtetasve shqiptarë i rezervohet shtetit. Arsimi fillor do të jetë i detyrueshëm dhe do të jepet falas,...’’(90). Pas shume debatesh në përfundim Dhoma Parlamentare e Drejtorisë Ndërkombëtare vendosi për ndalimin e shkollave private në Shqipëri më 15 prill 1935.Vlen të theksohet se qarqet shoviniste greke bënë një zhurmë të madhe për mbylljen e 6 - të shkollave ortodokse dhe heqjen e dy mësuesve. Në këshillin e Lidhjes së Kombeve u paraqitën statistikat e kohës të cilat tregojnë se: ’’...popullsisë shqiptare i takonte të shkojë në shkollë 4.8%, ndërsa për pakicën greke në Shqipëri, në atë kohë shkonin në 9.9%, kurse pakica kombëtare shqiptare në Greqi nuk kishte asnjë shkollë. Kurse në Greqi në vitin 1930 vetëm 75% të fëmijëve ndiqnin shkollën me minoritetin grek në Shqipëri, me financat e shtetit e ndiqnin 79.3%. (91)

    Më 1938 prefekti grek në Çamëri Andonaqas e ndaloi zyrtarisht përdorimin e gjuhës shqipe në Çamëri (92). Të gjitha këto plane shfarosëse përgaditën tragjedinë e madhe, tragjedinë më të madhe për çamët në vitet 1944 - ’45, ku shovinistët grekë vranë me mijëra çamë dhe shpërngulën me dhunë popullsinë shqiptare të besimit mysliman nga trojet e veta autoktone (93). Duke u munduar që të lihen mbrapa (në harresë) tragjeditë e trojeve dhe popullsisë çame, ’’Omonia’’ vazhdon komedinë e vet përpara me pretendime të reja; siç duket zbaton thënien e ministrit grek Samaras në ‘’Neo Thesprotia’’ se: ’’...minoriteti në Shqipëri është shtylla jonë ku ne do të mbështetemi atje për të ardhmen’’. Më qartë s’ka se si thuhet. Nëse marrin argument integrimi faktin se në Shqipëri ka pasur koloni helene, atëherë bukur e thote një thënje Abdyl Frashëri (94): “...se grekërit duhet të kërkojnë edhe Italinë Jugore, Azinë e Vogël, Rumaninë dhe Marsejën e Francës!!!’’.


     Në qoftëse ata vazhdojnë të ngrehin pretendimet e njohura dhe të vjetra territoriale ndaj Epirit, atëherë, siç thoshte Jani Vreto: ’’Do të dridhen varret e etërve, vëllezërve shqiptarë, që ranë për lirinë e grekërve dhe që kanë kontribuar jo më pakë se grekërit në themelimin e Mbretërisë greke (95). Greqia e sotme nuk mund të quhet shtet demokratik. Ajo është antidemokratike,e mund ta quajmë me plot meritë një shtet mesjetar. Shteti grek jo vetëm që nuk i njeh të drejtat e çamëve, por as nuk i lejon të vizitojnë trojet e tyre ku i kan varret e të parëve. Nuk ka asnjë ligj në botë që të përvetësojë me dhunë tokën, shtëpinë dhe pasurin e tjetrit. Grekërit me dekada i shfrytëzojnë pasurit e çamëve!. Po djemve dhe vajzave shqiptare, që të detyruar për bukën e gojës shkojnë me koka të ulura për të punuar,pse u ndërrohen emrat, kombësia dhe u varin kryq të zinjë ortodoks që qafë?! Pse i keqtrajtojnë si skllevër?. Vlen t’iu bëhet kjo pyetje edhe përfaqësuesve të Evropës, SHBA, Japonisë, etj. të cilët morën pjese në ceremoninë e 2500 vjetorit të demokracisë greke më 04 tetor 1991, përse nuk pyetët a ka sot demokraci Greqia?!.
 __________________
 

1.”Correspondence de Lord Byron”, Paris, 1825
2. Z. Mirdita, ”Mitet dhe mitologjia në antikë”, Rilindja Prishtinë 1988, fq. 147
3. ”The memoirs of Ismail Kemal Bey”, London, 1920
4. Dr. Ali Hadri, ”Historia e popullit shqiptar”, (për shkolla fillore), Prishtinë 1966, fq. 82
5. Po aty.
6. Po aty.
7. Sami Frashëri, ”Dheshkronja”, Bukuresht, 1886
8. L. Uelavitch,”L’Albania”, Paris, 1902
9. T. Selenica,”Shqipëria në vitet 1927”, ”Nezioni geografiche sul Albania”, Roma, 1902, fq.5
10. ”Kosova” (OSHAPK.), Tiranë nr. 20, 8 dhjetor 1991, fq.1
11. Dr. Muhamet Pirraku, ”Ripushtimi jugosllav i kosovës”,fq.7
12. Dr. Muhamet Pirraku, ”Kultura kombëtare Shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit”, Prishtinë 1979, fq.11-20,

13. ”Dielli”, nr.21/27, 1979
14. Mr. Kolë Krasniçi,”Roli i fesë në ruajtjen e identitetit dhe të harmonisë kombëtare te shqiptarët”,Vjenë 1996, fq. 56-58

15. Ahmet Hamiti, ”Çështja shqiptare”, Koha, nr.14/1991, fq. 26
16. Liman Rushiti, ”Stradanja albanskog Naroda na Kosovu “1912-1918, Zagreb 1991, fq. 24
17. Dr. Muhamet Pirraku, ”Kultura kombëtare Shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit”, Prishtinë 1979, fq.6

18. Vjetari Statistikor i Shqipërisë,1991, fq.12
19. Konferenca e Ambasadorëve (1912-1913), shih FESH, fq. 503
20. Po aty, fq. 812
21. Hansjërg Frëmmer, ”Die Illyrer”, Karlsruhe, 1988
22. HPSH, pjesa parë, fq. 46
23. Straboni ,VII-5
24. Homeri, ”Iliada”
25. Lufta e Trojës, shih “Fjalor i mitologjisë”, fq.150
26. Po aty.
27. J. G. Fon Han, ”Albanesische Studien”, Wien, 1854
28. M. Barleti, ”Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut”, Rilindja, Prishtinë, 1982.
29. Neoptolemi (Pirroja), shih. ”Fjalor mitologjik”, fq. 173
30. Johan Erik Tunman (1746-1778), ”Untersuchungen uber die Geschichte oestlichen europaeischen Voelker”.

31. Aristoteli, ”Politika”, Rilindja, Prishtinë, 1978
32. Po aty.
33. Po aty.
34. Po aty.
35. Po aty.
36. Po aty.
37. Agim Shehu, ”Kombi”, nr. 8,9,10, fq. 4
38. Martin P. N. Nilson,”Studien z.Geschichte d’alten Epiros”, Lun, 1909
39. Po aty.
40. Lyber, ”Fjalori i Antikiteteve klasike”.
41. Po aty.
42. A. Shehu, Po aty.
43. Bajroni, Po aty.
44. A. Shehu, Po aty.
45. ”Manual për udhëtar në Greqi”.
46. A. Shehu, Po aty.
47. Uilliam Martin Lik, ”Travels in Northern Greece”, 1835
48. A. Shehu, Po aty.
49. A. Shehu, Po aty.
50. A. Shehu, Po aty.
51. A. Shehu, Po aty.
52. A. Shehu, Po aty.
53. A. Shehu, Po aty.
54. A. Shehu, Po aty.
55. A. Shehu, Po aty.
56. A. H. Stamboll, Po aty.
57. F. C. H. Pukëvil (1770-1838), ”Voyage de la Greece”, Paris, 1820 dhe Histoire de la regeneration de la Greece.

58. Napoleon, ”Kujtime”, Bruksel, 1834
59. Pukëvil, Po aty.
60. A. Shehu, Po aty.
61. A. Shehu, Po aty.
62. ”Enciklopedia e Madhe Elenike”, v. 223.
63. ”Enciklopedia greke”e vitit 1936
64. A. Shehu, Po aty.
65. ”Enciklopedia italiane” e vitit 1972
66. Arben Puto,”Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e fuqive të mëdha”,1912-1914
67. Stevano Skuludhis, (Ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë), ”Letër”, 18.02.1877
68. A. Shehu, Po aty.
69. Rasim Bedo,”Çamëria”,nr.19 (38), fq.3 , Dhjetor 1992
70. R. Bedo, Po aty.
71. R. Bedo, Po aty.
72. R. Bedo, Po aty.
73. Pukëvili, ”Reise durch grecheuland”, Hamburg 1824
74. HPSH, pjesa e dytë, fq. 401
75. Po aty.
76. Po aty.
77. Po aty.
78. R. Bedo, Po aty.
79. Po aty.
80. Po aty.
81. Po aty.
82. Po aty.
83. Po aty.
84. R. Bedo, Po aty.
85. Dhimitru, ”Das Mindercheitenrech in Grechenland”, Hamburg, 1935
86. Zeitschrift fur geschischtwissenschaft, nr. 1976
87. Gazeta “Bashkimi”, 1924
88. Po aty.
89. Gazeta “Besa”, 1935
90. Po aty.
91. Po aty.
92. Gazeta “Zëri i Çamërisë”, 1945-1946
93. Po aty.
94. Abdyl Frashëri, Gazeta,”Moniteur Universal”, Paris, Maj 1879

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen