F A Q E T

Freitag, 31. Mai 2013

Myrteza Mara

Myrteza Mara

Myrteza Zoto Mara
- Lindur në Vlorë, 29.01.1943
- Banues në Vlorë.
- Ushtarak kariere me specialitet Kimi Ushtarake
Arsimimi:
Shkolla e mesme Ushtarake “Skënderbej”-1961
Shkolla e Bashkuar -1963Akademia e Lartë Ushtarake -1968
- Dalë në lirim sipas reformës Ushtarake në vitin 1992 me gradën Kolonel.
- Nismëtar dhe drejtues i Shoqatës së Poetëve dhe Shkrimtarëve “Petro Marko” Vlorë në vitn 1998, në fillim sekretar dhe më pas Kryetar.
- Emigracion në Itali në vitin 1999-2002.
- Shkurt 2006 zgjidhet Kryetar i Lidhjes së Shkrimatrëve, Dega Vlorë dhe
anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë.
- Rizgjidhet Kryetar i Shoqatës “Petro Marko” Prill 2009.
- Sekretar i Klubit të Shkrimtarëve në Botë “Drita” me qendër në Athinë.
- Tetor 2010 organizon shndrrimin e Shoqatës në “Klub i Shkrimtarëve
“Petro Marko”.
- Autor i 12 vëllimeve me Poezi dhe pesë në prozë.

Nderime speciale

   - “Mirënjohje e Qytetit të Vlorës” -20 Prill 2010
   - “Qytetar Nderi” i Komunës Vllahinë-Vlorë -18 Tetor 2010
   - Anëtar i Akademisë Europiane të Arteve 09.03. 2011

Çmime të fituara:

Penda e Artë-nga Klubi “Drita” Athinë-2006
Çmimi “Çift&Harmoni” nga gazeta “Horoskop”për San Valentino-2005
Çmimi i dytë në Konkursin Kombëtar “Poezi për Detin”    -Durrës 2006
Çmimi i tretë në Konkursin Kombëtar - Lushnjë 2007
Çmimi i Parë në Festivalin Poetik Ballkanik - Korçë 2010
Çmimi “Korça” Festivali Netët e Poezisë Korçare - Korçë 2011
Çmimi “Ali Asllani” si liriku më i mirë i viti 2009 - Athinë 2010
Çmimi i Dytë në Konkursin “Drita e Minatorit”-Mitrovicë-Tetor 2012
Çmimi “Mitrush Kuteli”-Klubi Drita Athinë për Novela e Tregime “Muzeu i Dhembjes” 2012
Përfshirë në tre Antalogji poetike si dhe në librin me kritika e vlerësime
te Dr. Fatmir Terziut-2011
Kanë referuar dhe publikuar mendime kritike në organe të ndryshme të shtypit Prof, Dr. Josif Papagjoni, Dr. Fatmir Terziu, Shkrimtari dhe poeti Thanas Jani, Fatime Kulli, Qerim Skënderaj, Raimonda Mojsiu, Xheladin Mjeku, etj.
Gjuhë të Huaja: Italisht
Aktualisht është President i Firmës së Ndërtimit “MARA”- SH.P.K  Vlorë


Krijimtaria

Poezi
1. Ku është Parajsa,1997
2. Mëkati i Botës,1998
3. Nisje e Vonuar, 2000
4. Dielli i Puthjes (lirika),2000
5. Në Portat e Iluzioneve,2003
6. Dëshmitarja e Verbër, 2003
7. Kur do kthehet Dielli, 2004
8. Nën hijen e një ëndrre të bardhë 2005
9. Gjurmët e Heshtjes, 2005 10. Qiriri i Penduar, 2006
11. Sytë e Erës, 2009
12. Stina e Pestë, 2013

Prozë
1. Semaforët e Thyer-roman, 2007
2. Faji i Bukur (ribotim Lisiana)-novelë, 2008
3. Gruaja e një ëndrre të bardhë-roman, 2008
4. Dy dashuri-roman, 2009
5. Muzeu i Dhembjes-Novela, tregime, 2011




Poezi nga Myrteza Mara


KUR DO KTHEHET DIELLI

Perëndimin e pafajshëm
të Diellit
e përcjell pragmbrëmjeve
me frikën e mosardhjes:
Ndoshta i zënë pritë!
Ndoshta e dhunojnë!
Ndoshta e marrin peng,
e lënë pa zjarr
dhe mua
më mbeten lotët e natës pa tharë!?
Prometeu ka vdekur,
bashkë me legjendën,
ndaj kam frikë dhe pyes:
Kur do kthehet Dielli?
Mbështes mjekrën e bardhë,
mbi jastëkun e zi të natës,
lotët, si pikë zhive
rrëshqasin ugarëve të faqes...

Kur do kthehet Dielli?!



MIQVE POETE

Të mirët miqt e mi!
Sa ura do ishin ngritur,
me psherëtimat e vargjeve tona,
mbi lumenjtë
që lagin brigjet e shpresave?

Drita do kalonte
pa ngrirë së ftohti,
dhimbjet do thyenin patericat,
rozafat do u çonin bukë ustallarëve,
pa u kthyer në çezma gjaku...

Ka ardhur koha,
me vargjet tona,
të mbjellim një legjendë,
frutet le t'i hanë brezat.

Kështu ka qenë
edhe në shkujt e vjetër:
Themelet e urave,
që lidhnin botët e shpirtrave
i ndërtonin poetët,
ani,
se mbajnë emrat e mbretërve!



NATA E MADHE

Kur bota pagëzonte lindjen e Krishtit,
Ne, të harruar në shpellat e natës.
Të tjerët si diell e përdorën kryqin,
Ne, syverbuar nga pishtarët e flakës!

U zvarrritëm mjegullave të përgjakura,
Mbollëm rrënjët e dhimbjeve të serta.
Gjethet lindnin të verdha, të plakura
Bini më parë se të vinte vjeshta.

Diell kish pak, hënë edhe më pak,
Zjarri i yjeve nuk mbërrinte në tokë.
Flijuam, u lutëm, por mbetëm në natë,
Nata jonë më e madhja në botë!

Me natën në krah shekujve udhëtuam,
Kërkuam rreth vetes, shteg nuk gjetëm.
Veç në errësirë një gjë nuk harruam,
Gjuhën e nënës, ngushëllimin e vetëm.

Nuk matet me vite, as me dekada,
Kjo natë e madhe harruar nga drita.
Natëmatësit ta kthejnë kokën prapa
Të shohin tymin që villnin pishat.

Të shohin blozën që errësoi qiellin,
Dhe ato pak ditë që na u dukën si fat.
Flaka e pishës nuk është si dielli,
Po s'fikëm zjarret do mbytemi në natë!




NESE NJE DITE

Nëse një ditë të lag shiu i trishtimit,
Nën ombrellën time ka vend përherë.
Aty do i gjesh gjithë "puthjet e kujtimit",
Dhe shpirtin tim muzeum me pranverë!

Nëse një ditë do të duhet një urë,
Të kalosh pa frikë detin e urrejtjes,
Mos u mundo, varkë bëhem unë
Gjoksndezur shkrijmë dhe ajzbergët.

Nëse një ditë do të humbas kënga
Trokit tek muza ime e vjetër.
Veç, të lutem, mos m'i zgjuaj ëndrrat,
E vetmja pasuri që më ka mbetur!

Nëse një ditë do të duhet një qiell,
I pastër si loti yt kristal,
Eja, pëshpëritmë lehtë mbi mermer,
Për ty do e le jetim atë varr!




ME MIRE ENDERR

Pse ma zgjon nga gjumi ëndrrën?
Ka zenë kore plaga e vjetër.
Pse ma drithëron zemrën?
Atë kam, s'kam zemër tjetër.

Aty stivosur kujtimet,
Aty bleta mbjell nektarin.
Aty shuhen dallgëzimet,
Aty thyen dhe deti dallgët.

Aty loti bëhet gurë,
Aty guri bëhet lot.
Aty ndez zjarrin një buzë,
Buzën që s'e putha dot.

E futa puthjen në ëndërr,
Një gjymtyrë më tepër shpirti.
Veç në ëndërr mjalt e ëmbël
Se syhapët më braktisi...

Tani vjen e më troket!
Ndryshkur dera, s'hapet dot.
Akulli s'bëhet i nxehtë,
Më mirë ëndërr, se sa lotë.




ZEMRES

Sytë ma ftojnë zemrën përherë në "mëkat",
Nëpër lëndina kur shikojnë një flutur.
Tufa xixëllonjash që vallzojnë si flakë,
Edhe kur pëllumbat çmallen duke u puthur.

Sytë ma lëndojnë kaq e kaq herë,
Oh, e gjora zemër ndrydhur në kafaz!
Zgjuar rri, si yjet, dhe kur sytë flenë,
E dënuar, moj zemër, mos të shohësh gaz.

Ah, këta sy dembel, ti ua jep dritën,
Mburren që janë dy dhe shikojnë botë!
Por s'e dinë të gjorët, se kur zemra fiket,
Ata dy diej balli s'rrjedhin dot as lotë.

Zemra ime zemër, sa të kanë munduar,
Këta sytë jeshil, si kuaj të hazdisur.
Kanë kaluar shumë vite, por s'jam penduar,
Deri në fund bashkë, siç dhe jemi nisur.

Unë nuk jam penduar për lirinë e syrit,
Vetë ua ke mëkuar atë flakë të zjarrtë.
Drit'e mbajt shpirtin, atje brenda gjirit,
Për vete, moj zemër, u mbylle në natë.

Ti e mira ime gjëmon si atëherë,
"Pi ende.-më thua, zjarr të jap unë!
Merri kësaj jete mjalt e kupa vere,
Jeta e përtejme është vetëm gjumë!"...

Zemra ime, zemër, sa të kam munduar,
Tani erdhi koha veç ty të të dëgjojë.
Vitet bënë detyrën, por unë s'jam penduar,
Kur kam ty të ndezur diellin e verboj!



MALLI I VIRGJER

Vite, e vite, pa u parë,
Dhimbjen e kishim gëlltitur.
Befas u gjendëm përballë,
Si dy drurë të zhuritur.

Unë, me mbesën duarzënë,
Me një tufë lulebore.
Ti, me nipin, dritëhënë,
Shtrënguar dorë për dore.

I fola, në emrin tënd,
Mbesës, kur më hodhe sytë.
Ti gati ngrive në vend,
U trembe nga emri yt!

Dhe unë, gati i pafrymë,
Kur i thirre nipit të vogël.
Ai mbante emrin tim,
Thashë: është trill, apo lodër!

Por,... jo! Sytë e vërtetuan,
Ish kujtim i një sekreti.
Paçka se nuk u bashkuam,
Malli i virgjër na mbeti!



FOSILE ENDRRASH

Çdo natë e njëjta ëndërr:
Mur i rrëzuar,
refren i legjendës së thinjur.
Mëngjeseve
fshijë gjurmët e dhimbjes,
me djersën e luleve
vadit buzëqeshjen e hutuar
dhe mbledh farëza dielli
për t'i mbjell brazdave të etura.

Natën tjetër,
mbështetur në supin e vetmisë,
errësira më kafshon sytë.

Në sofrën e bubullimave
retë përtypin rrufe.
ne,
përsëri pa dritë!

Ekranet e mureve,
paradë e kufomave të gjalla,
fantazma hamletiane...
Ringjallen fosilet e urrejtjes,
nuk mbajnë më andra
ëndrrat e jetës!



DASHURI E PASHTERUAR

Rend dallga tërsëllimë,
S'dihet ku e ka inatin!
Sa sheh bregun si qilim
Sillet si e zonj'e shtratit.

Heq këmishën lehtë-lehtë,
Kundërmon aromë deti.
Afshi i bregut të nxehtë
E tërbon "Bijën e Mbretit".

Ledhaton siç di dallga,
Dy trupa bëhen një zemër.
Lartë fluturojnë pulëbardhat,
Bregu thotë: "Jam në ëndërr".

Por kur bregu është shkëmb,
Zien dallga, derdhet shkumë.
E kafshon ëmbël me dhëmbë,
Dhe i ndez zjarrin në buzë.

Qeshet shkëmbi, guduliset,
Dhe i thith qumështin në gjinjë.
Lajkatarja përpëlitet,
Si një erë, si simfoni!

Zbrapset pak sa merr frymë,
Mos!-thotë shkëmbi,-ku po shkon?
Por e shpejtë si vetëtimë
Dallga me gjoks e mbulon!

Edhe puthen si të marrë,
Sikur s'do shikohen kurrë.
Pas pak dallga bëhet valë
Edhe shkëmbi ndihet burrë...

Nuk i pamë një herë të ngopur,
Shkëmb e dallgë të tërbuar.
Kullon shkumë trup i plagosur,
Dashuri e pashteruar!



RRETHI I ABSURDIT

Ftohtësi e diellit, zjarrmi e hënës,
Yje zvarritës në kurvërinë e ndershme.
Bardhësi e djallit dhe helmi i ëmbël,
Akuj që digjen në shkretëtirën e heshtjes!

Mirësi e intrigës, pleh i parfumuar,
Minj me gravata, korba këngëtarë!
Krimba fluturues në qiellin e shpuar,
Këngë të varura në erërat litar!

Kuaj që lehin nga hingëllimat e qenëve,
Ujqë barinj dhe kusarët fisnik.
Kasap që friken nga blegërimat e dhenëve,
Varre të ngrohtë, zogj zvarranik!

Pushtetarë pa xhep, peshq llafazan,
Absurd, absurd, nata dhe dita!
Politikanë serioz, oxhaqe pa zjarrë,
Vapë në pol, Ekuadori me ngrica!



MALL MERGIMTARI
Kam nje mall qe me zbut zemren
Dhe me ngroh vargjet e kenges,
Bute-bute si mjalt'i endrres,
Kam nje mall.

Kam nje mall per nje krua,
Per nje dardhe e per nje ftua,
Per nje xixellonje ne pyll,
Per nje rè e per nje yll,
Kam nje mall.

Kam nje mall qe po me djeg,
Kam nje mall qe po me tret.
Kam nje mall qe po me plak,
Po me thane e po me mpak
Une posht e malli larte,
Kam nje mall.

Kam nje mall ngjitur ne buze
Pervelon i nxehte si shpuze,
Nuk e shuan as loti i fatit,
As psheretim'e emigrantit.
Kam nje mall kush me beson
Bota mur, nuk me degjon
Kam nje mall.

Kam nje mall sa nje det,
Sa nje mal, sa nje termet
Pende ne krahet e pellumbit
Me i shpejt se sa plumbi,
Shkon ku prehet gur'i rende
Ku me gjejne eshtrat vend,
Ku lulon sythi i kenges,
Ku me pret ninull'e endrres
Kam nje mall.

Kam nje mall, por nuk jam vetem
Gjak arbri i patretur,
Fidan jete neper bote.
Fytyrehene, syte pa lote,
Kam nje mall

Kam nje mall llave vullkani,
Zemerçare si vater zjarri,
Mund te shuhet veç atje,
Ku varret mbulohen me dhè.
Ku lulet puthen nga bleta,
Ku me thone "Tungjatjeta!"
Kam nje mall.

Kam nje mall s'me le te vdes,
Kam nje mall qe me jep jete.
Eshte nje mall Shqiperie,
Mbushur drite dashurie,
Kam nje mall!

Rome, mars 2001 (Nga vellimi "Nisje e Vonuar")



NISA SHPIRTIN NE MERGIM

Pese vjeç nipi i vogel
Mori udhen e mergimit.
Ne dore mbante nje loder,
Ndersa une mbaja trishtimin.

Ne traget hipa dhe shpirtin,
E dergova emigrant,
Ti qendroje prane nipit,
Si dore e zgajtur nga larg.

Pa shpirt ditet i kaloj,
Por ushqej nje shprese te madhe,
Zerin e tij kur degjoj,
Harroj brenge, harroj halle!

"Gjysh, me ka marre malli!"
Percjell qielli nje cope shpirt.
Rrjedhin lotet ujevare mali,
Ketej une, andej im nip!

Eh, u thafshë det'i terbuar,
Sillme nje dallge ta bej kalë.
Te shuaj mallin e perveluar,
Te ngite dhe zemren e çare!

Deti shkumon i shurdhuar,
Qielli i ngrire s'me degjon.
Hena ka kohe e merguar,
Loti i nxehte dhe gurin shpon!



LOTI I GJAKUT

Ç'ti them qiellit, ç'ti them yjeve,
Ç'ti them gurit thare ne rrenje!
Ç'tu them zogjve, ç'tu them pyjeve,
Po ty ç'te te them moj hene!?

Ç'ti them detit, ç'ti them vales,
Ç'ti them bregut qe me pret?!
Ç'tu them fushave edhe maleve!
Supengritur gjer tek retë.

Ç'ti them Atit ballërrudhur,
"Bir, ku ishe, s'te kam pare!
Kaq vite ku ke humbur,
S'erdhe te me thuash nje fjale!?"

Ç'ti them nenes tretur mallit,
Ç'tu them dhe miqeve me bese!
Ç'fare t'i them vatres se zjarrit
Qe me pret te shkoj ta ndez...

Oh, mergim, o lot i gjakut,
Keto mote si u rrudhen!
Ikim si diell i perflakur,
Kur vijme s'na njohin udhet!




NEPER PUTHJET E POETIT

Une e di ku me ke strukur,
Ne nje cep te zemres sate.
Aty ku u dogj nje flutur,
Ne qiririn e asaj nate.

Une e di, ti s'e harron
Ate ze qe peshperiste:
"Jam i yti medaljon,
Dhe te treten njemije vite!"

Une e di, ti ke mall,
Per çdo lule qe ke prekur.
Puthja jote pikon zjarr
E mergon me shekuj vdekjen...
Mos shiko se ç'thot pasqyra,
Mos beso rete ziliqare!
Shpirti-diell tek fytyra
Vitet digjen fishekzare.

Eja, dalim prap tek shkembi,
shohim si perndizen dallget.
Eja, se zemra me çmendi,
Po me ben si te marret!

Nuk do flasim, as do qeshim,
Te shijome kengen e detit.
Do rilindim, do rivdesim,
Neper puthjet e poetit!


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen