F A Q E T

Donnerstag, 30. Mai 2013

Nebih Bunjaku

Nebih Bunjaku është nga Poliçka e dardanës. Ciklin e ulët të fillores e kreu në vendlindje, tetëvjeçaren në Malishevë të Gjilanit. Në Gjilan kreu shkollën e mesme, ndersa studimet për Gjuhë dhe letërsi shqipe i mbaroi në Prishtinë. Si student ka filluar karrierën e tij pedagogjike, duke punuar fillimisht në Shkollën fillore  në Banjën e Sjarinës, pastaj në Gjimnazin e Dardanës, në Shkollën teknike të Gjilanit, në shkollën fillore në Banullë- Gllogofc, në Gjimnazin e Lypjanit, në Shkollën teknike të Kastriotit.
Që nga viti 1993 punon në Gjimnazin “Eqrem Çabej” të Prishtinës, ku ishte drejtor i kësaj shkolle.
Ka botuar këto vëllime me poezi: “Dalje nga balada” (1994),”Gramatikë zemre”(2004),
“Terapia e dashurisë” (2005), “Një samimt për një simit”(2007), “Prushimë buzësh (2008), Zemra nuk ka dimër (2009), “Testamenti i lotit” (2012) dhe “Kopshti i shpirtit” është në procesin e botimit.
Nebih Bunjaku bashkëpunon me shumë gazeta dhe revista shqiptare, ku ka botuar edhe poezi të ndryshme. Disa poezi i janë shpërblyer me vendin e parë, të dytë dhe te tretë nëpër konkurset letrare. Cikle poezish i janë botuar edhe në turqisht, anglisht, polonisht.... Ky autor është i prezantuar edhe në disa libra të ndryshëm. Përpos poezi, Nebih Bunjaku  ka botuar edhe shkrime publicistike për personalitete te ndryshme të shquara shqiptare: për Mulla Idriz Gjilanin, Lot Vakun etj.
Për krijimtarinë poetike  të Nebih Bunjakut kanë shkruar disa nga penat e shquara të letërsisë: Rushit Ramabaja, dr. Faik Shkodra, Abdullah Konushevci, Spiro Xhavara, Zef Pergega, Shefik Shkodra, Xheladin Mjeku, Shefqet Dibrani, Pëllumb Gorica, Naim Kelmendi,Spase Thanasi, Hasan Hasani, Shahbaze Vishaj, Vezir Ukaj, Reshat Sahitaj, Krishtaq Shabani, Selatin Novosella, Tefik Selimi, Flori Bruqi, Hya Haxhiu, mr. Kadri Mani, Rrustem Geci, Hysen Këqiku, Shaban Cakolli, Bilall Maliqi, Sinan Sadiku...
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Jeton në Prishtinë.
 
 
 
 
RRUGËS PA KTHIM      

(Ali Podrimjes)

“Të jesh shqiptar
e vdekja të mos gjejë
edhe në skaj të botës
e pamundur është”.
Ali Podrimja

N’Universin letrar perëndoi Ylli
Një javë ditë lotoi dhe Dielli

Fjala mbajti shtatë ditë zi
Vetëm për Ty Poet Ali

Dhembja e Lumit doli nga shtrati
U trondit Gjakova Çabrati

Ura e Shejt u përkul për Ty
S’rrodhi ujë por Lot Ali

Simorta e Mostarit s’t’harron dot
“Dallëndyshen” ktheu në lot

Nata e huaj për Ty sirenë
Shpejt misteri mori dhenë

As natës sonë s’i zihet besë
Është stërkequr të pret n’besë

Herët u nise rrugës pa kthim
T’u prehtë shpirti në amshim

Prishtinë, 26.72012
 
 
 


PORT DASHURIE

Unë jam port i çdo dashurie
ku mund të ndalet çdo anije
e ngarkuar me intimitete
n’ujëra t’ëmbla e në dete

për ty jam shumë kureshtar
mezi pres të ankorohesh
midis shpirti lësho spirancën
të pushosh të relaksohesh

valët e zemrës m’i trazon
në çdo stinë unë ty të pres
nëse s’ndalesh më kalon
për një puthje do të vdes

mos ngrit flamurin e bardhë


 
PRITJA

Në pritjen tënde u plak udha
edhe pritja ç’mu thinjosh
shpresa ime mbushur rrudha
e durimi kurrë s’m’u sos

në kujtesë të portretizova
nga korniza nuk del dot
në ngjyra zemre të fiksova
pikturë ndjenjash jetë e mot

unë e di se ti do vish
zemra zemrën s’e tradhton
atë kupë fati do ta pish
se vetë zemra ta kërkon


 


NË PORTËN E ZEMRËS

Në portë zemre kur trokita
në blerim prilli në pranverë
s’çave kokën për trokitjen
mbylle dritare mbylle derë

shpresën time e plagose
tani dergjem në spital
s’ka ilaç që ma shëron
shpirtin tim sentimental

kështjella jote prej çeliku
e mistershme krejt kallkan
si jeton në atë manastir
pa pikë dielli ti moj xhan

dil nga kështjella e Mesjetës
vetë buzëqeshjet do të çelin
në dashurinë tonë të zjarrtë
shpirtin n’shpirt do ta mbjellim

portën tënde me shtatë dryna
e ka ndryshkur koha vetë
gjysmën e shpirtit të burgosur

falja gjysmës së shpirtit të vet

 
KRYEFJALA

Në gramatikën e shpirtit
vetëm ti je kryefjala
nuk na duhet kallëzuesi
as në përqafime të rralla

emri më i dashur
në morfologjinë time
t’i dua buzëqeshjet
në rasa në zgjedhime

në sintaksën e syrit
periudhë në degëzime
në analiza zemre
ëndrra më intime


 
LULJA E SHPIRTIT

Lulja e shpirtit tim
rrënjët në zemrën time
pa ty nuk lind dielli
as nëpër vegime

lulëkuqja e prillit
çel vetëm n’blerim
lulëzo pa pushuar
fresku i vargut tim

zemra e kurorës
pengu i zemrës sime
vesa e mëngjesit
flladi i zemrës sime

t’i ujis petalet
veç me ledhatime
ti je vesë mëngjesi
flladi i zemrës sime

me ngjyra ylberi
ato gonxhet tua
nektar dashurie
që me dehin mua


 
PLAZHIT TË ZEMRËS

Plazhit të zemrës
shtrihu gjer e gjatë
çokollatë e thekur
hahesh ditë e natë

nëpër viset e tua
kur shtrihesh në plazh
notoj pa pushuar
nëpër çdo mesazh

sapo del nga uji
gjelb’ron n’syt’e mi
peng ëndrrat e tua
mbushur dashuri

shpirtin buzëqeshje
buzët plot magji
as më shfaqesh mike
thellë nëpër vetmi


 
MENY DASHURIE

Në shtëpinë artistike
në sofrën e shtruar
s’mungon asnjë gjellë
me zemër gatuar

në do bukë të bardhë
apo do bukë mrume
zgjidh e merr zemër
mos harro një brune

ka dhe bukë të zezë
si edhe bukë nore
disa me shumë tule
të tjerat veç me kore

një bionde e ëmbël
sipas kësaj menyje
shtruar tejendanë
në sofër dashurie

asnjë lule e vyshkur
s’ringjallet me ujë
kur shet dashuri
s’i takon askuj’


 
NË TAKIM TË PARË

Në takim të parë
lirshëm flet belbëzimi
fjalëve u dridhen buzët
buzëve vetë guximi

syve plot kureshtje
u dridh shikimi
nga buzëqeshja e parë
me lule gjelbërimi

duart e flakëruara
kudo hulumtojnë
gishtat ndezur flakë
ëmbël ledhatojnë

femrave buzëqeshjet
këmbëve u dridhen leqet
gjatë puthjeve të zjarrta
edhe burrave musteqet

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen