F A Q E T

Dienstag, 28. Mai 2013

Nikollë Kaçorri

Dom Nikolla (Kaçorri) shqipe mali
Krahu i djathtë i Ismail Qemalit".

Nikollë Kaçorri (1862-1917) ishte klerik, politikan dhe atdhetar shqiptar, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Zëvëndës Kryeministër i parë i Shqipërisë në kabinetin e Ismail Qemalit.


Jetshkrimi

Dom Nikoll Kaçorri u lind në fshatin Krejë, Lurë në vitin 1862. Fshat ky që ndan dy krahina të mëdha: atë të Dibrës dhe Mirditës[1]. Rridhte nga një familje, me babain katolik, ndërsa nëna me besim mysliman.
Falë zgjuarsisë dhe dëshirës për t’u shkolluar, Nikolla i vogël ra në sy t'arkipeshkvit të Durrësit n'atë kohë, imzot Ambrosio, gjatë një vizite në Lurë, i cili u kujdes që ta shkollonte dhe ta bënte meshtar.
Më 1884 mbaroi studimet filozofiko – teologjike për meshtar dhe u shugurua në Shkodër. Me kalimin e kohës kompletohet me shkollë të rregullt, kulturë të lartë duke mbaruar në vitin 1890 në Zvicër për teologji, politikë, filozofi e magjistraturë me nota të shkëlqyera, kjo gjithçka me ndihmën e kishës dhe priftërinjve[2]. Ai ishte sekretar i Arqipeshkëvisë së Durrësit me qendër asokohe në Delmnisht të Kurbinit, ku shërbeu për njëzet vjet, duke patur në administrim edhe kishat dhe famullitë e Kthellës, Selitës dhe Lurës. Pastaj u emërua famullitar në Durrës. Për veprimtarinë frytshme kishtare, Papa i asaj kohe e nderoi me “Kryqin e artë”, “Për Kishë dhe Papë”. Emërohet Ipeshkv. Shpejt avancon, ishte ndër të parët në organizimin e shoqërive patriotike "Vllaznia", "Bashkimi" Durrës (1907 -1909). Atje takoheshin intelektualët më me zë duke veçuar bashkëpunimin e ngushtë me Abdi Toptanin dhe Mustafa Merlikën[3], duke patur si problem primar dhe imediat – rilindjen e Shqipërisë, arsimimin dhe gjuha shqipe. Gjatë 1905 – 1907 drejtoi kryengritjen e armatosur kundër turqve në Kurbin. Pajis popullin me 500 armë, armë që u shpërndanë në Kthellë të Mirditës. Në bashkërendim me Gjin Pjetrin e Skurajve, i paraprin shpalljes së pavarësisë, duke udhëhequr me pushkë e penë kryengritjen mbarëkombëtare nga veriu në jug, në gjithë Shqipërinë etnike.[2] Më 1908, Kaçorri mori pjesë në Kongresin e Manastirit. Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit. Edhe pse i ndjekur e i përndjekur, Imzot Kaçorri nuk i shkëputi asnjëherë lidhjet me çetat kryegritëse, sidomos ato që vepronin në zonën e Kurbinit dhe në Malësitë e Kthellës, ku përfshihej edhe vendlindja e tij, Lura[4]. Në momentin kur ishte përfshirë për një kryengritje të armatosur në gjithë Shqipërinë. Për gjyqin dhe denimin me disa vjet burg dhe gjobë në të holla boton gazeta “Dielli”[5]. Gazeta “Dielli” e dates 8 Nentor 1911 shkruan:
Me 15 të Dhjetorit u knduen në gjykatore të Durrësit letrat që paten ardh të prishuna preji temizit të Stambollit, me 17 vazhdoi gjygji përsëri porë pa lën shum me folë të ndershmin prift atdhetar, dhe pa thirr njeri si dëshmitar. E dënuen përsëri me dy vjet burg e 25 lira gjobe. Avokati mbrojtes, zoti Talib Efendiu nga Gjirokastra kërkoji të zburgosurit e Don Nikoll Kaqorrit, dhe e bâni temiz (apel) për së dyti por gjygji nuk e liroji.”
Dielli nr 89 shkruan,
Nga gazetat e huaja mësuam sihariqin se të ndershmit prift katolik nga Durrësi z. Don Nikoll Kaqorrit ju dha falje preji sulltanit për dënimin që kishte dhën gjykatorja ushtarake. Përgëzojm nga thelbi i zemrës të shkëlqyerin atdhetar dhe i lutemi Zotit t'i falë pas këteji shëndet dhe prehje për të mirën e atdheut.”
Në korrik të vitit 1911 ushtria turke zuni në Shijak rrogtarin e imzot Nikoll Kaqorrit me tri manxerrë e do fishekë e letra poste, që po i qonte në Delbnisht te Arqipeshkvi i Durrësit imzot Bianki. Imzot Nikoll Kaqorri kjé qitë në gjygjin ushtarak e kjé dënue me burg e sidomos për shkak të një letre ku jepte drejtime për një kryengritje kombëtare.”
Përndjekjet, gjyqet, kërcënimet kundër tij nuk pushuen një çast, aq sa gjendjen e tij e përcollën jo vetëm gazetat shqiptare të mërgimit, si gazeta “Dielli”, por edhe gazetat e hueja si “Corriere di Trieste” apo edhe shtypi austriak me të cilin ishte i lidhun posaçrisht edhe për shkak të njohjes së gjuhës, pse atje kishte krye studimit. Ai me një zgjuarsi të rrallë, në polemika me klerikë myslimanë dhe ortodoksë, – të cilët predikonin, të parët gjuhën arabisht dhe turqisht, të dytët greqisht, – porosiste: "Të predikojmë në gjuhën shqipe, se Zoti na ndigjon edhe shqip!"[2]. Në Durrës gjendja e tij bahej gjithmonë e ma e vështirë: Ishte një paradoks, po ai u gjend në mes dy zjarrëve, pushtetarëve otoman, që e kishin përherë nën mbikqyrje, e në bashkpunim me ta edhe nga dhespoti i Kishës Ortodokse, Jakovi. Popullsia muslimane e Durrësit dhe e Shijakut, edhe pse e ndërsyeme liksht kundër tij nga turqit, nuk e tradhëtoi kurrë, po përkundrazi, e mbështeti, e mbrojti, shpesh herë edhe me armë. Ishte Imzot Kaçorri ai që priti delegacionin e mërgatës, që arriti nga Trieste me datë 22 Nëntor 1912. Durrësi ishte parashikuar nga atdhetarët si qyteti ku do të bëhej Shpallja e Pavarësisë. Por trazirat dhe trupat serbe n'afrim nuk lejonin qetësi. Bashkëkohësit e përshkruejnë si një klerik jo fort paqësor: Ishte kohë kryengritjesh për liri dhe meshtari nuk i shmangej as luftës së armatosun[4]. Në nëntor të vitit 1912, si delegat i Durrësit, mori pjesë në kuvendin e Vlorës dhe firmosi dokumentin e pavarësisë me siglën “Kaçorri”. Në mbledhjen e 41 delegatëve që kishin mbërritur në Vlorë, atdhetari Nikollë Kaçorri ngrihet e thotë:
"Në qoftë për nesër, vdesim sot, o flamur o dekë!"
Këto thirrje u bënë himn për të gjithë pjesëmarrësit. Në këtë moment mund të themi se del si figurë më lart se bashkëpunëtorët e tij dhe ka plotësisht të drejtë historiani dhe studiuesi i mirëfilltë, lurasi Sali Ajazi që e ka përcaktuar si "politikan të nxehtë", por rezultativ në momente sfide dhe kritike. "Sot, – përgjigjet me lot në sy plaku i nderuar Ismail Bej Vlora, – në mes të një gëzimi të papërshkruar shpallet pavarësia e Shqipërisë."[2]
U zgjodh nënkryetar i qeverisë shqiptare. Kuvendi i Vlonës, i çelun në orën 14,°° të datës 28 Nandor 1912, miratoi Shpalljen e Pavarësisë. Firmë e dytë, mbas Ismail Qemalit, ishte Imzot Nikollë Kaçorri. Valvitja e flamurit të Kastriotit atë ditë të shenjtë, siç e dëshmon një fotografi e vjetër, e paretushuar nga komunistët, u ba pikërisht nga Imzot Noli, Luigj Gurakuqi, Imzot Nikollë Kaçorri e Aqif Pashë Elbasani[4].
Ismail Qemali vinte pas një kohë te gjatë mërgimi dhe vinte në nje terren të përgatitur sigurisht nga pjesa e atdhetarëve të shquar të cilët për një ngjarje të tillë të madhe kishin bërë një punë kolosale, dhe në krye të këtyre punëve ishte Dom Nikoll Kaçorri, ku në këtë rast mund të themi pamëdyshje se ky post i rëndësishem iu dha edhe si një lloj shpërblimi per punën qe kishte bërë në përgatitjen e situatës se brendshme përfshirë këtu edhe atë të sigurisë, për shpalljen e Pavarësisë Kombëtare[1]. Pas rënies së kësaj qeverie, u tërhoq në Durrës. Me shpërthimin e kryengritjes së Shqipërisë së mesme me kryetar Haxhi Qamilin, i cili do t’i digjte qelën ku banonte dhe t’i shkatrronte bibliotekën e tij personale, ndër ma të pasunat në Shqipni në atë kohë[4]. emigroi jashtë atdheut, ku vazhdoi veprimtarinë e vet politike e patriotike. Pas dështimit të Qeverisë së Ismail Qemalit imzot Nikollë Kaçorri së bashku me Mustafa Krujën, Luigj Gurakuqin, Fahri Gjilanin, Themistokli Germenjin themeloi lidhjen "Për atdheun e për Thronin" për shpëtimin e atdheut nga trazirat e ndryshme antikombëtare. Me dekret të 28 janarit 1916, Franc Jozefi - perandori i Austro-Hungarisë dekoroi me Kryqin e Konturës (Kommtur Kreuz) të Urdhërit të Franc Jozefit[6]. Pas gjithë kësaj së bashku me shumë atdhetarë të tjerë imzot Nikollë Kaçorri emigroi në Austri, ku qëndroi tri vjet në Vjenë derisa vdiq me 29 maj 1917, nga një sëmundje e pashërueshme. Ai ishte i sëmurë nga mushkëritë dhe erdhi në Vjenë për ekzaminim e mjekim, por sëmundja kishte përparuar aq shumë sa edhe mjekësia e përparuar austriake nuk kishte çfarë të bënte më tepër. Vdiq në sanatoriumin Würth, pasi vuajti tre-katër muaj, më 29 maj 1917. Varrimi i tij u bë më 1 qershor 1917 në Zentralfriedhof. Në varrim morën pjesë komandanti i krahinës së Tiranës, Feldmarschall Braun, kryekonsulli i Shkodrës, Rappaport, Kviatorsski, Vinter si dhe e veja e konsullit austro-hungarez në Durrës, baronesha Lovontal-Linau, si dhe shumë diplomatë të tjerë. Më 2 qershor u mbajt një meshë nderimi për të në kishën Maria Treu në Vjenë. Varri i Dom Nikollë Kaçorrit gjendet në “Central Cementery” në grupin 84, rreshtin 32, numër 19[7]. Varri në këtë vendndodhje nuk ka asnjë shenjë guri, apo pllake, për shkak se në të gjendet aktualisht një pemë shumëvjeçare. Fakti që ai mbajti petkun e meshtarit, mbase u bë shkak që gjatë gjithë regjimit komunist portreti i tij patriotik dhe roli i tij në formimin e shtetit shqiptar u kalua mjaft tangent, duke u eklipsuar nga figura të tjera[1].



"Vrasja" e Imzot Kaçorrit

Tragjedia personale e Imzot Kaçorrit do të vazhdonte. Një mur heshtjeje, i plumbtë, u vendos përreth tij. Deri më 1962, që përkonte me 50-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, emni i tij u harrue plotësisht. Në atë përvjetor u përmend për herë të parë qysh prej vitit 1944. E si shpërblim e fyen deri në palc: Për veprimtarinë e tij atdhetare ndër ma të shquemet e dekoruen me urdhënin fyes "Për veprimtari patriotike e klasit të dytë"! Në përmendoren e Pavarësisë nuk u paraqit truporja e tij. Në asnjë vepër arti, aq të shumta për Pavarësinë, nuk u pikturue fytyra e tij. Në faksimalin e Aktit të Pavarësisë u arrijtë deri atje sa iu hoq firma. Në filmin “Nandori i dytë”, kushtue Shpalljes së Pavarësisë, del vetëm një herë, po jo në ballkonin ku u valëvit Flamuri i shejtë. Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, faqe 440, Imzot Nikollë Kaçorrit i kushtohen vetëm 27 gjysma rreshtash, prej të cilëve katër rreshta për një shpifje bajate ndaj Klerit Katolik. Vetë zani “Shpallja e Pavarësisë” (faqe 1031) ka vetëm 17 rreshta të një kolone.[1]



Çështja e eshtnave

Në mesjanarin e vitit 2011, pas plot 94 vjetësh, u gjetën eshtrat e patriotit e klerikut Dom Nikollë Kaçorri. Ai që kërkoi për identifikimin e varrezës së Imzot Kaçorrit ishte kleriku Dom Izak Doda, i cili punoi për komunitetin shqiptar, në Wien. Ky identifikoi vendin dhe filloi përpjekjet e para për nxjerrjen e eshtnave. Përpjekja e dytë ishte e Dom Pren Kolës me Edmond Kaçorrin, por që nuk pat sukses, (sipas korrespondencës së Edmond Kaçorrit me ambasadën austriake në Tiranë) ishte e pamundur për shkaqe teknike. Mësohet se përpjekjet e priftit kosovar në Vjenë nuk qenë të lehta. Atij ju desh të kërkojë me ngulm për tre vjet radhazi ndër dokumentet e Bashkisë së kryeqytetit austriak, së bashku me të afërmit e tij. Sipas Imzot Damian Kurtit, Dom Nikollë Kaçorri nuk i përket vetëm famullisë katolike "Shën Luçia" të Durrësit. Për këtë arsye është vënë në dijeni ambasada e Republikës së Shqipërisë në Austri. Është parashikuar që më 1 shkurt, në përputhje me procedurat zyrtare të shtetit austriak, eshtrat e identifikuara të Dom Nikollë Kaçorrit të nxirren nga toka ku u preh para 94 vitesh. "Në famullinë e Durrësit do të celebrohet mesha e parë për shpirtin e Dom Nikollë Kaçorrit, këtu në kishën ku shërbeu për gati 24 vjet si famullitar e më pas edhe si zëvendësarqipeshkv",- shton Imzot Kurti.[8] Falë ndihmës nga instituti Kulturevereinigung ne Wien me drejtues Bernhard Stillfried i cili mbështeti Pjetër Logorecin, u mundësua riatdhesimi. Ambasadori shqiptar në Wien, Willi Minarolli, firmosi kërkesën proceduriale për pranimin e eshtnave në atdhe. Për studiuesit e Kaçorrit, dosja me dokumenta (foto, film, të gjitha shkresat, e-mailet) e riatdhesimit të eshtnave, gjindet ne bibliotekën françeskane në Shkodër.


Burimi: WIKEPEDIA

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen