F A Q E T

Sonntag, 26. Mai 2013

Pjeter Bogdani

Pjeter Bogdani
(rreth 1625-1689)

Shkrimtari më i shquar i letërsisë shqiptare të vjetër. Lindi në Gur të Hasit (Kukës). Kreu studimet e larta teologjike e filozofike në Romë dhe mori titullin doktor. Shërbeu së pari si famullitar në Pult e Prizren, më 1656 u emërua peshkop , i Shkodrës, më 1677 kryepeshkop i Shkupit. Mori pjesë në lëvizjet çlirimtare që nisën në këto vite sidomos në Shqipërinë V e VL. Për këtë shkak iu desh të jetonte e të punonte më shumë maleve për t'u shpëtuar përndjekjeve osmane. Vdiq në Prishtinë.

Vepra e Pjetër Bogdani "Çeta e profetëve" (Cuneus prophetarum) u botua më 1685 në Padovë, u rishtyp më 1691 dhe 1702 në Venedik me titull të ndryshëm. Është një vepër orgjinale me temë kryesisht teologjike-filozofike, po herë pas here shtjellon edhe çështje të historisë, gjeografisë, astronomisë etj. Autori ka gjetur mundësi të shtjerë elemente të jetës shqiptare të kohës e të historisë së popullit tonë, si është rasti i qëndresës burrërore të kelmendasve kundër ekspeditës turke më 1639. Mendimet e njohuritë e Pjetër Bogdanit shpalosen më shkoqur në parathënien e librit dhe në relacionet e shumta, që hartoi pas vizitave në viset e peshkopatave që drejtoi. Shkroi me dashuri të madhe për gjuhën shqipe, për Shqipërinë e për popullin shqiptar, shprehu dhembje për gjendjen e mjeruar e padijen në të cilat i kishte hedhur robëria bashkatdhetarët e tij dhe urrejtje të thellë për pushtuesin osman. Pjetër Bogdani kërkonte që t'i jepeshin popullit libra në gjuhën amtare, punoi për mëkëmbjen e zhvillimin e kulturës kombëtare dhe çlirimin e vendit.

Vepra ka në krye një Seri kushtimesh e poezish shqip, latinisht, italisht, sllavisht, shkruar për nder të Pjetër Bogdani nga miq e të njohur të tij. Dy vjershat shqipe të L. Bogdanit e të L. Sumës dhe ato të vetë autorit të shpërndara në kapituj të ndryshëm të librit, me teknikën poetike përgjithësisht të sigurt janë tregues të lëvrimit të mbarë të vjershërimit shqip në këtë kohë.

Pjetër Bogdani luftoi me vetëdije të plotë për ta pasuruar e përpunuar gjuhën shqipe, gjurmoi dhe vuri në qarkullim fjalë e shprehje të vjetra të lëna në harresë, krijoi edhe fjalë të reja, duke bërë përpjekjet e para për krijimin e termave në ndonjë degë të shkencës. Ligjërimi i tij dallohet mjaft herë edhe për zhdërvjelltësi e ndërtime sintaksore të një arkitektonie të sigurt. Me veprat e Pjetër Bogdani letërsia dhe gjuha letrare shqipe shënuan hapa të rëndësishëm përpara.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen