F A Q E T

Donnerstag, 30. Mai 2013

Shaban Cakolli

Shaban Cakolli, u lind në Krilevë të Dardanës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Dardanë, kurse studimet në Univerzitetin e Prishtinës. Shkruan poezi e proze dhe ështe shumë aktiv edhe në gazetari.  Është i përfshirë në 18 antologji në gjuhën shqipe, një gjermane në mërgim dhe Kosovë. Jeton në Gjermani. Shaban Cakolli ishte veprimtar i shquar i mërgatës dhe bënte punë shumë të madhe në prezantimin e krijuesve letrar dhe të veprimarive kulturore e shoqerore. Ishte fitues i shumë shpërblimeve  por tek poeti Shaban Cakolli, anëtarë i  Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Gjermani; mandej anëtarë i Bashkimit të Intelektualëve Shqiptarë në Mërgim etj.   
U nda nga jeta më 27. 07. 2014.


Veprat:
"TOKË DARDANE"
"LOTI I ATDHEUT"
"DETI I QIELLIT"
"KRISMA E FJALËS"
"AGSHOLI"
"LXIMI I KOHËS" (Iu botua pas vdekjës)


Poezi nga Shabn Cakolli

JEHONA E SHEKUJVE 

Aty pran trotuarit
rrokaqielli përgëdhel yjet
më poshtë
nën hije purgatori
tenda e fshehur e mallkimit


NË GUVËN ESHPIRTIT

Në guvën e shpirtit
Shpresa – ylber amshimi
ngrihet hark në qiell
nënë të cilin rrjedh
lumi i amshimit

Kush është ai trim
që mund ta kapërcejë
harkun e fatit të vet
që poemën e vet
ta dëgjojë për së gjalli


FJALA JUAJ

Në kujtesë do mbetet
ajo fjalë
që vjen maleve
me flakën e kushtrimit
heu
kush është trim
se ora ka ardhë
ujkun e çalë
ta heqim zvarrë
nëpër baltë


UNË DHE MALLI

Tërë natën bashkë
unë dhe malli

na mbyti halli
i kësaj jete jallane

Kur s’kam gjumë fare
ndez një cigare
brengat t’ kthej në tym


DROJA

Druaj se djalli
me xixa stralli
na vizaton yllin
midis balli

Vijnë pastaj hijenat
t’i grisin pelenat
e foshnjeve të palindura

Këta klysh popi
soji e sorrollopi
që të pijnë gjak populli
shekulli s’i ngopi

Në këtë rreth harkor
të rrugëtimit mizor
vetëm lëmshi i fatit
na mbeti në dorë


FJALA E HUMBUR

Mbeta pa fjalë
a ditën kur jam nisur në jetë
rrugëve të paruugë
në dritë e mugë

Në guvën e shpirtit
ndryer është qe një shekull
e betuar nën dritë qiri
para ikonës sate
liri



E GJATË KJO NATË

Sonte
gjithçka po fle në qetësinë ë vet

Në dhomën time
qielli i ka ndezur fanarët
të mos tremben
qelizat që tajisin
lëngun e jetës

të gjatë shekujt
që flejnë dhomat flejnë qytetet
sonte gjumë nuk kanë vetëm poetët
bëjnë qarqe,
nëpër vargje
të regjur si gëzofet
shkrihen në vuajtjet e popullit.



E NDIEJ HUMBJEN

Viti shkel vitin
pesha bie
pingul në shpirtin tim
tretur në mërgim

Një pjesë e diellit
m’ është shkëputur
nga qielli i bebëz
nga hija e lotit tim
derdhur
në dhe të huaj

Nëse unë s’ kthehem
hija ime do të bredhë
trotuareve të nbotës
pas mallit tim

Për çdo natë
e bëj nga një shtegëtim
në mendje
për në shtëpi
për amanetin e nënës
para se të japë lamtumirën
pranverave të ikura pa kthim


HALL MBI HALL

Turma shkojnë
turma vijnë
mbijnë si bari i keq
në faqen e blertë të globit

Prej shekulli në shekull
kërkojnë lëmoshë
trotuareve të fatit

Trokasin në portë të hapur
kastat luksoze
të ngopura parfumnesh
të një biznesi të ndyrë


ORA JONË

Gjurmë pas gjurme
bjeshkë pas bjeshke
na ndoq sopata shpatën
nëpër shekuj

Këtu varrë e atje varrë
më bëhet shpirti mulli ere
në skëterrë pas skëterre
deri kur të bredh me bredh
kështu,o shpirti im?
nga të palarat
e botës pelim

Këtu s' jam
atje s’më lënë,
o nënë

qenia ime e ndarë në dysh
në udhëkryq


E BUKURA MORE

Moj e bukura More
si të lash, e më s'të pash
si të lash, si të lash
si të lash, e më s'të pash
(popullore)

Ec nëpër të kaluarën
për ta gjetur të ardhmen
ëndërro shqip,
frymo shqip
o Arvanit

Hy kalabrisht
i dehur mendimeve
arbërisht
e jetën vazhdo
prore
e dasmën
bëje pleqërisht

Edhe varrin hape
me E bukura More

Rro sa malet
me dhembjen shkëmbore
buzë detit
me shikim të humbur
nga e bukura More


TY QË PO VJEN

Në këtë botë
erdhëm njëlloj
me rregullat e ngurta
të natyrës

A lejon natyra
pamjet me dy fytyra

Njëri maskë
laraskë
në atë degë të fatit
që çukit
kokrrat e inatit

Me kurriz për murriz
tjetri kruan
unazat e shekullit


LAMTUMIRË

Tërë kohën u rropate
për këtë jetë bajate
ndërtoje kulla prej letre
rrokaqiej e pallate

Atë që bëje ditën
rrënoheshin brenda nate

Falë të qoftë
o miku im
ky mashtrim


MORT

Të etur për gjak
këta barbarë
edhe në ëndrrat e tyre
hapnin varr

Po nga varri i tyre
s’ do mbijë as fije bari
vetëm ndonjë gjethe ançari
mund ta sjell
era nga shkretëtira


KËNGË NË DARDANË

Metush Krasniqit

Në Dajkoc
e në Dardanë
anembanë
këndohet një këngë
përjetësie

Këndon bilbili
maje lisit
për një legjendë
që e lindi fisi

Këndojnë në kor
shkëmbi
e lumi
duke rënë
nëpër fushë
për shqiponjen e Krasniqes
në qiellin e kuq
të Kosovës


KOSOVËS

Kosovë
copë fushe e Edenit
me përmasa ëndrre
me qiellin
përplot shqiponja
që ngrejnë qerdhe
nëpër zemrat tona


PËR TY DRITË

Flakadan lirie
që n driconte nëpër zemrat tona
me shekuj

Shekull pagjumësie
është ky
c’ të bëjmë me ty
në cilin qerpik
si në shandan
të vëmë
në cilin qiell
të bebëzave tona
të grisura

Tokë e shenjtëe
e Kosovës
me këtë florë
të kuqe gjaku
me xixëllonja stralli
që dalë kanë
nga nga limfa jonë


NË BRENDI

Këndej gjithë zjarr
e andej akull
vetëm gjurmë
e kthtërave
të stinës në xham

Zjarri djeg
leckat e stinës së ikur
nga fryma e detit
të strukur në gjethe bajameje

Një syth ëndrre
zënë e ka zogun e bilbilit
në kafaz


E GJATË KJO NATË

Sonte
gjithçka po fle në qetësinë ë vet

Në dhomën time
qielli i ka ndezur fanarët
të mos tremben
qelizat që tajisin
lëngun e jetës

të gjatë shekujt
që flejnë dhomat flejnë qytetet
sonte gjumë nuk kanë vetëm poetët
bëjnë qarqe,
nëpër vargje
të regjur si gëzofet
shkrihen në vuajtjet e popullit.


AS NË JETË; AS NË VARR

Më humbi shoku i shpirtit
e zhdukën pa gjurmë
këlyshët e ferrit

S' është askund
as në jetë
as ndër varre.
s’është më hija e tij

Ai s’është askund
se është gjithkund
duke u dhënë shpirt
gurit e drurit



LETRA E NËNËS

Më çoi nëna letër
shkruar më kishte
me lotët e saj

Liqe i pafundë
dukej pika e mallit
që derdhur ish
nëpër fjalë

Më shkroi nëna letër
dhë një liqe malli
e ktheu në avull
vetëm me një fjalë

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen