F A Q E T

Freitag, 31. Mai 2013

Vullnet Mato

Poeti dhe prozatori Vullnet Mato, lindi në Sarandë në vitin 1937. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes. Ka mbaruar Liceun Artistik të Tiranës për pikturë, dhe ka kryer studimet e larta në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tiranës në degën Gjuhë letërsi shqipe. Ka filluar të botojë publicistikë dhe letërsi artistike në mjaft organe të shtypit. Ka bërë disa skenarë filmash dokumentarë dhe kronika të TVSH. Ka marrë pjesë në festivalet kombëtare të Radiotelvizionit shqiptar ku ka fituar çmime për disa tekste me kompozitore të dëgjuar si Agim Krajka, Pjetër Gaci etj. Dy tregime i janë përkthyer e botuar qysh herët në shtypin e huaj. Disa cikle me poezi të tij janë inskenuar dhe recituara nga aktorë të Tetarit Kombëtar. Në vitin 1970 u pranua anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Pasi u bë i njohur me krijimet e letrare, e tërhoqi redaksia e Revistës “YLLI” në Tiranë, ku u emërua redaktor. Por një vit më pas u vërtetua mungesa e garancive të nevojshme politike, për në atë organ partie dhe me urdhër nga lart e emëruan sërish në Librazhd, mësues në gjimnazin e qytetit. Me ndërrimin e sistemit u emërua shef në drejtorinë arsimore të këtij rrethi dhe e zgjodhën kryetar i degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Qysh prej vitit 1995 punon dhe jeton në Tiranë.
Është autor i vëllimeve poetike: “Tinguj malesh” 1969, “Krahët e erës” 1972, “Ninullat e hekurit” 1984, “Dritaret e prillit” 1994, “Katër plagët e Shqipërisë” 1999, “Nënëmadhe Fterra” 2007, “Poezi të zgjedhura” 2010. Ka botuar vëllimet me tregime “ E fshehta tronditëse” 1999, “Klithmat e mishit të bardhë” 2006. Romanet: “Ujësinor” 1976, “Era e kësaj kohe” 1984, “Lakmia” 2000, “Damkosja e engjëjve” 2004, “Maturantët” 2002, “Vajza e kyçur” 2007, “Marrëzia e madhe” 2008, “Matura e paharruar” 2009, Kohët e fundit botoi përmbledhjen me 30 tregime “Herbare njerëzore”.
Romani i tij “Lakmia” është nderuar me çmim në konkursin e Ndërmarrjes botuese “Gjon Buzuku” të Kosovës. Librat e tij janë tërhequr dhe kanë hyrë në fondin e pothuajse të gjitha bibliotekave të mëdha të botës. Është redaktor letrar i botimit të dhjetëra librave të autorëve shqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ka fituar disa çmime poetike, madje edhe kohët e fundit, Festivali i poetik “Netët e poezisë Korçare 2012” i dha “Çmimin Special”. Së fundi me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, iu akordua titulli i lartë “PERSONALITET I SHQUAR I QARKUT VLORË: me motivacionin: “Poet i talentuar i cili ka dhënë kontribut në zhvillimin e letërsisë bashkëkohore” 


Vullnet MATO

HAPUNI PORTA TË KOMBIT TIM !

Hapuni, në çdo kanat, o porta të lashta të kombit tim!
Se na thërret të gjithëve nënëmadhja jonë arbërore,
të ribashkohemi si bijtë e saj të zanafillës në krijim,
këtë fillim shekulli, kur po afrohen shpirtrat njerëzore!

Hapuni, o porta të rënda të kohës së hershme të gurit,
porta iliriane të gdhendura nga trungjet e fortë të lisit,
porta mesjetare të rrethuara me avllitë e larta të murit,
porta qëndrese me frëngjitë e kullave vigjiluese të fisit!

Hapuni, të dalim në oborret me diell për të pritur nusen,
mbi kalin e bardhë me bajrakun e shqiponjës dykrenore,
të festojmë sa të gjëmojnë malet nga daullet shungulluese,
të pimë dollitë me njëqind shëndete në sofrat vëllazërore!

Hapuni, o porta kosovare në Veriun e Eposit kreshnik,
porta çame në Jugun e valles magjike të Osman Takës,
porta shkupjane ku majëmalet ndrisin më herët në agim,
porta ulqinake ku dielli perëndon mes kuqëlimit të flakës!

Hapuni, të çlodhemi në dy dete e në dy burime të Drinit,
të çmallemi me vëllezërit tanë në të katër stinët e motit,
të dëfrejmë së bashku nga Pramëthia në brigjet e Ulqinit,
të na puthen të rinjtë në të katër puthitjet e horizontit!

Hapuni, porta mikpritëse për gjithë miqtë e këtij vatani,
vështrimin e penguar ta hedhim më së fundi gjerë e gjatë!
Se ndarja me hanxhar e trojeve nga kasapët e Ballkanit,
nuk ndodh më kurrë në këtë tokë ku jemi krijuar bashkë.

Hapuni, në çdo kanat, o porta të lashta të kombit tim!
Se na thërret të gjithëve nënëmadhja jonë arbërore,
të ribashkohemi si bijtë e saj të zanafillës në krijim,
këtë fillim shekulli, kur po afrohen shpirtrat njerëzore!



LUGA IME LEGJENDARE

Qëkur ngjita moshën për armë,
deri tani vonë, kur jetës i zbres,
isha dhe mbeta përjetësisht ushtar,
me lugën time legjendare në brez.

Luftëtar garde i Batos së lashtë,
pas çdo beteje të fituar me gjak,
lugën e uritur kruaja në trastë,
por nuk u ngjesha kurrë në bark.

Roje i Pirros burrëror të Epirit,
përpara goditjes në kokë me tullë,
lugën e futja në torbën prej liri,
një herë në ditë te gaveta me qull.

Adjutant i Aleksandrit të madh,
kryshpatar në krejt Maqedoninë,
lëpija kockat e tepruara në darkë,
kur kopileshat lakuriq ngrinin sininë.

Teuta iliriane më mbante pas kalit,
korrier sekret për pergamene dashurie,
por lugën ma linte, në pikën e hallit,
veç kur më shihte në gjendje vilanie.

Skënderbeu më kish mprehës shpate,
pas kthimit nga lufta në kështjellë,
urdhëronte sejmenët, pas mesnate,
të më mbushnin gavetën me gjellë.

Mbreti Zog nga Burgajeti i Matit,
më pati xhandar të pallatit në Sauk.
Ditë e natë me dyfekun pas shtatit,
vetëm makarona italie haja me lugë.

Krah Mehmetit në brigadën e parë
marshova nga Jugu në Çermenikë.
Ndërkohë Shtabi rrugën kish marrë,
për mua mbeti vetëm gjak dhie në thikë.

Enveri gjëmëmadh, gjysmë shekull,
më mbajti vigjilent te dera e bllokut,
më vuri triskën, për të mos vdekur,
sa të bëheshin gjithë bunkerët rrotull.

Kur kalasë Lindore i mbeti hiri,
më nxorën në ballë të protestimit,
duke më premtuar një lugë floriri,
në tenxheren plot të Perëndimit.

Por atëherë lugën time legjendare,
ma nxorën në një pension skandal.
Dhe prapë gjithë qeveritë shqiptare,
lugën në brez ma lanë gjer në funeral.



RRUGICA ME PORTA PULLAZI

Eh, si m’u shkund sot zemra në gjoks,
kur kalova te rrugica me porta pullazi,
ku para shumë vitesh, të kohës paradoks,
prisja të dilte zogëza natën nga kafazi!...

Lagjia e heshtur bënte gjumin e lashtë,
teksa djalëria ime përgjonte me sytë xixa,
mos ndonjë qen, a pijanec i mbetur jashtë,
trembte zogëzën të dilte tinëz te rrugica...

Kur çelte derën lehtas ajo pendëshkruar,
Hëna dhe yjet në qiell shuheshin tufa-tufa.
Filloja të ndizja me gishtërinj të përvëluar,
gjoksin e saj me dy kërpudha eshke të buta.

Pastaj të përpirë nga zjarri i flakëruar,
dyndeshim në këmbë me nxitim e ngutje...
O perëndi, ç’ishte ai kafshërim i tërbuar,
sikur muri i portës duhej shtyrë më tutje?!...

Eh, sa fort ma shkundi zemrën në gjoks,
kujtimi i asaj zogëze me kërpudha marazi!...
Kur kalova padashur, krejt rastësisht sot,
te ajo rrugicë e ngushtë me porta pullazi...



MOTRA MES LULEVE
(Kushtuar Vjollcës sonë)

Kishim një motër me emrin e lules manushaqe.
Gjashtë vëllezër, asaj vjollce të vetme i merrnin erë.
Shpirti i saj ka muaj që fle pranë Dajtit në një faqe.
pa çelur petale si atëherë, kur i trokisnim në derë.

Shpirtin, çuditërisht, ia kanë rrethuar gjashtë ullinj,
sikur aty jemi ne të gjashtë vëllezërit e saj përkulur,
me gjithë degët dhe gjethet e shpirtrave në vajtim,
për të mos e lënë vetëm atë shpirtin e saj të bukur.

Ajo zgjodhi vetë kodrën bleroshe, pranë Surelit,
ta kishte Tiranën përballë vetes në mbarim jete,
muzgjeve dhe mëngjeseve, qytetit ku la njerëzit,
t’i dërgonte me reflekset e diellit përshëndetje.

Kur shkuam pas muajsh te varri mes gurishteve,
kishin mbirë tufa vjollcash me erëmim të paparë.
Nga mahnitja na u përndritën fytyrat të gjithëve.
Shpirti i saj nëpër qindra vjollca ishte shpërndarë...
 
Ajo vazhdon të flejë e qetë, nën lulet e asaj kodre,
mes ullinjve-vëllezër që presin heshtur përjetësisht,
të zgjuhet përsëri buzagazi i saj i ëmbël prej motre,
si në kohët kur mblidheshim të shtatë vëllezërisht...



DRUHEM PREJ TEJE…

Ti vërtitesh si flutura
rreth një llambe nate.
Të vërej me siklet,
po s’të përgjigjem dot.
Druhem mos krahët
me brishtësi delikate,
nga afrimi i tepërt,
mund t’i djegësh kot.

Megjithëse je lastar
me kërcellin e njomë,
dëshiron me ngulm
ngrohtësi prej meje,
druhem mos ndoshta
gjethet t’i përcëllon,
flakërimi i oxhakut
me kërcunj qeresteje.

Ti nxiton natyrshëm,
prej moshës rinore,
të marrësh gjithçka
në kohë të shkurtër.
Por jo në të gjitha
shkurtimet kohore,
shpëton nga qarku
elektrik ku je futur...
  
Kam dhe frikën time,
deri në llahtarë,
se ajo bukuri që ke,
ndoshta fuqinë s’ia di,
më godet trurin,
bëhem lolo i marrë,
të më tallin përqark
me ha,ha,ha, e hi,hi,hi...

Ky shkak më bën
të qëndroj sa më larg,
të shmangem shpesh
nga magnetizimet e tua.
Të mbetemi thjesht
dy zëra në distancë,
jo se freskinë tënde
përçmoj e nuk e dua.

Ndaj të çoj me erën
përgëzimet në lagësi,
pa më ardhur pranë
lulëzimi yt i erëmuar.
Përfytyroj aromën
që përhapin lulet si ti
dhe kujtoj me vuajtje
pranverën e shkuar...

Ky nuk është fat,
por thjesht trishtim.
Oh, mos qoftë asnjeri
në këtë hallin tim!...



ËNDËRR PARAJSE

Mbrëmë gjatë një shiu
të zgjatur netëve me radhë,
pashë një ëndërr të kundërt
me këqësimin e motit.
Sikur agoi papritur
një mëngjes parajse i bardhë
dhe u zgjova gazmor
te mrekullia hyjnore e zotit...

Por në kulmimin e atij
ngazëllimi të madh qiellor,
shtanga krejt i befasuar
me trompeta në zemër,
kur pashë të strukur
mes shpirtmëdhenjve tokësor,
një nga xhelatët më kriminel
të kohës së egër...

Një nga ata jagot e dredhave
që arritën më vonë,
gjer në foltoren e parlamentit,
dhe aty publikisht,
për të drejtat e njeriut
buçitën me zërin jehonë,
duke luajtur martirin e pafajshëm,
vetmohuesin si Krisht.

Mes luleve vigane
ku ligjëronin zogjtë këngëtar
ai qeshte e lozte me shpirtrat,
në kulmin e haresë,
ndërsa mua më dukej
sikur në atë vezullim të paparë
vallëzonte në rrjetën e vet
një marimangë e zezë.
Fort i mahnitur mendova,
si ka mundësi të jetë futur,
te ky mjedis me pranverë
të përjetshme perëndie,
frymëvrasësi i shpirtrave
në moshën e frymës së bukur,
viktimave të tij edhe në qiell
t’u bëjë përsipër hije?....

Atëherë bërtita fort,
nëpër gjumin e mesnatës:
O zot i madh, kontrollo
sejmenët e tu të besuar,
kur zgjedhin shpirtrat
në dyert e parajsës,
se paske edhe mes tyre
ryshfetçi të korruptuar!...

Të lutem, të paktën
këtu ku buron drita jote,
mos lejo të shkelen
parimet e shenjta të qiellit,
duke shkaktuar pakënaqësi
dhe zemërime toke,
për kodet e marrëveshjes
që ke me njerëzit!...

Dhe si e pashë që aty,
nuk m’u përgjigj askush,
zbrita shkallët e qiellit
një nga një mjaft i zemëruar.
Shkova të hedh shpirtin
në ferr, mes zjarrit prush,
dhe atë çast brofa
nga shtrati tepër i tmerruar...



ROMJA QË MË DESHI

Në djalëri ndjeva
se nuk isha aspak racist,
kur zjarri i gjakut
m’u ndez keq për vajza.
Te një kumbull rome
befas m’u ngjitën sytë,
aq sa u çmenda
për ato kokrrat e saja.

Ajo qe e para ku desha
të kalibroj djalërinë
dhe rashë me kokë
në thellësinë që nxinte.
Thashë më mirë
të mbytesha tek ajo rominë,
të ma shuante tërësisht
atë prush që më digjte...

Ajo drithërohej si gjethja
kur e fëshfërin flladi,
dhe afshin përvëlues
ma gurgullonte në gjoks.
Kazani i piteve,
ku hojet kullojnë mjaltin,
nga rrotullimi i fuqishëm,
nuk shkundet më fort...

Pranoja dhe në kasolle
të braktisur nga çobenjtë,
të jetoja me atë rome
që shpirtin ma shpërthente,
sikur ai romi plak
që martoi të bijën shpejtë,
gaxhonjtë e bardhë
aq shumë mos t'i urrente...



TI HYRE BRENDA MEJE

Ti ishe një trëndafil,
që sapo të mora erë,
hyre brenda gjoksit tim
bashkë me oksigjenin.
Lëshove rrënjë e degë
nëpër inde deri thellë,
dhe filluan në brendësi
boçe trëndafili të çelin...

Aroma më shpërtheu
nga të gjitha poret,
dhe u mbush shtëpia
me të trëndafilit erëmim.
Më thanë të afërmit,
Ç’ke që parfumohesh,
sikur je femër që shkon
për çdo ditë në takim?...

Më pas nëpër rrugët
dhe oborret e lagjes,
aroma e trëndafilit
shkoi derë më derë.
Më shihnin përqark
me habitje ziliqare,
sidomos lulet e saksive
që nuk kishin erë.

Provova rrënjët e tua
të shkul nga vetja ime,
të drejtoj vështrimet
që më shihnin vëngër.
Por ndjeva dhimbje
të forta me sëmbime,
gjembat më shpuan
nga koka te këmbët...

S’mund të të shkulja,
kurrsesi nga trupi im,
se ti e gjitha përbrenda
më kishe mbirë!...
Atëherë shikimet i lashë
të pëlcisnin me gjëmim,
përderisa me aromën tënde
ndjehesha fare mirë!...



LULEKAMBANAT E MUZGUT

Kur perëndimi i ditës
arriti në çastet e rënies,
ranë kambanat e qiellit
me tone të drithëruar.
Atëherë përkulën kryet
në ritualin e mbrëmjes,
dhe lulekambanat e muzgut,
me nderim të trishtuar.

Cili arkitekt projektoi
formën e tyre kambanore?
Cili piktor përzgjodhi
ngjyrën blu - violet?
Cili metalurg shkriu
bronzin e cipës lulore,
të këndojnë zogjtë
halelujën e muzgut të qetë?...

Ndoshta të tre krijuesit
gjurmët i kishin në qiell,
apo ndoshta njëri
bëri të tria përsosmëritë,
për t’ua vënë përpara
gjithë muzgjeve dhe syve,
këto krijime natyre
mbi të tëra mrekullitë.

Janë çastet më solemne
që përsëriten dimër-verë,
kur horizontet bëjnë
nderimin e ditës që vdes,
lulekambanat e përcjellin
për të fundit herë,
për të pritur sërish
ditën e lindur çdo mëngjes.

Oh, në muzgun tim
nuk dua të jehojnë minaret,
as të bien kambanat
deri tutje nëpër kisha,
por vetëm këto lulekambana
të çelin dritaret,
të shkoj nga kjo botë i lumturuar,
ashtu siç nuk isha!...

2 Kommentare:

  1. Nje parade poezish nga poeti Vullnet Mato vibrojne pulsime nga drita e talentit te tij.Eksplorator I mendimit dhe I realitetit ai ngroh mendimin dhe shpresen se Shqiperia do bashkohet me gjysmen e trupit te vet , te ndare gjysem padrejtesisht.Ai udheton nepermjet luges legjendare ne historine e kombit tone duke shprehur mendimin ; megjithe sakrificat e bera ne shekuj vendi yne perjeton dhimbjen e varferise, ne vend te shkrifjes se saj , gjetjen e nje stabilizatori rregullues.
    Ne poezite e tij ndihen tinguj zemre duke kaluar ne linjat me te holla te ndjesive se dashurise, duke u bere pushtues I zemrave te lexuesve. Shpesh njeriut i duhet te heqe dore nga nje lumturi e afruar ne nje kohe te papershtatshme te vonet, duke treguar karakterin fisnik te njeriut.Shpesh shpirti I poetit gjen vetveten ne natyre , duke krijuar nje recital natyror te dite-nates.Shpirti itij frymon ne poezi duke krijuar repertore skenash qe levizin vargje te gjalla ne dekorin e stineve te jete. I uroj shume suksese dhe njehkosisht falenderime duke na dhene kenaqesine e leximit dhe magjepjes prej artit te tij ! Vjollca Tiku Pasku.

    AntwortenLöschen
  2. Faleminderit zonje e nderuar dhe poete e talentuar, per analizen e detajuar dhe me shume kompetence letrare qe i beni ciklit tim me poezi.Ndjehem tejet i nderuar dhe mjaft i lartesuar nga vleresimet e tua dashamirese per artin tim poetik.Ju dergoj urimet e mia te shumefishuara per frymezim dhe mbaresi ne punen tuaj krijuese.
    Vullnet Mato

    AntwortenLöschen