F A Q E T

Samstag, 1. Juni 2013

Anton Marku

Anton Marku u lind më 15 gusht 1971 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe shkollën e mesme i mbaroi në Gjakovë, ku kreu edhe Shkollën e Lartë Pedagogjike ,,Bajram Curri” - dega gjuhë dhe letërsi shqipe. Studimet Universitare i përfundoi në Prishtinë, ndërsa në Vjenë magjistroi në studimet evropiane.
Shkruan kryesisht poezi për të rritur. Deri më tani ka botuar katër libra me poezi të cilët jan...
ë përkthyer edhe në gjuhën angleze dhe gjermane: 

1. ,,Cikloni i dashurisë’’ (2000)
2. ,,Gjurmë mbi hije’’ (2002)
3. ,,Dielli i mesnatës‘‘ (2004) 
4. ,,Vizioni blu'' (2010)

Ai poashtu është prezantuar në vitin 2009 edhe në përmbledhjen me poezi të poetëve me origjinë të huaj që jetojnë në Austri me titull ,,Man fragt mich, ob ich bin‘‘ (,,Pyetem nëse jam‘‘ (2009)). 
Anton Marku është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i Klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës si dhe i Shoqatës Kulturore ’’Aleksandër Moisiu’’ në Vjenë. 
Ky është libri i tij i pestë. Jeton dhe punon në Vjenë të Austrisë edhe në vendlindjen e vet në Gjakovë.



ANTON MARKU – POEZI TË ZGJEDHURA PËR “ORËN SHQIPTARE”



LETËR DËRGUAR VETVETES

Jeto i lirë
Apostull i paqes
I lindur për qiellin.

Në emër të dashurisë
Pranë vetes mbaj
Ngjyrat e shpirtit.

Nisu vetëm atëherë
Kur zëri të tradhton
Vijës së kuqe.
 
 

PA ADRESË

Dhembja ime mbeti atje
Ku gurët i rrokulliste era.

Pas lashë zjarr veriu
Që na dogji të gjithëve nga pak.

Loti më përcjelli detrave
I vetëm pa askënd pranë.

Udhëkryqeve më përplasi
Jetë e shumëzuar me asgjë.

Derisa bota po zvogëlohej
Në sytë e mi.



ANA TJETËR E DIELLIT

Hyr në botën time
Aty ku erërat takohen
Larg diellit.

Ku fituesi
Merr gjithçka.

Ku dhembja grimcon çastet
Lotët e huaj në litar.

Hyr pa trokitur
Në trupin tim
Kameleon.



EKSPERIMENTI K

Erdhën nga perëndimi 
Nga lindja erdhën
Dhe sollën
Kaos kreativ.

Gurëve të kuq përplasej
Mbi tokë paradoksesh
Hija e së zezës.

Tani disa ikin në veri
Në jug do të tjerë
Pas po lënë
Katastrofë atraktive.


JERUSALEM

Në themele gurë lashtësie
Dhëndër e nuse të murosura
Për çdo ditë të lume.

Brenda mureve frymon jeta
ashtë e lirë shëtit vdekja.

Loti takon lotin
Qiellit mbi ty.

Hyrje e dalje bashkë
Një portë e vetme.

Kryelartë. Qetë.
Pse nuk flet vet
Për të gjithë
I shenjtë
Jerusalem.



PARADOKS

Ku ka njerëz
Nuk ka vend 
Për gjarpërinj.

Pse atëherë
Aq shumë zvarranikë
reth nesh?



NJË QIRI PËR PAQE

I takova tek po iknin
Me nga një thes dheu në krah
Pranë meje kaluan të heshtur
E unë nuk u thashë asgjë.

I pashë tek po jepnin shpirt
Nga ethet në kraharor
Hekuri i shkrirë mbi damarë
Dhe ua mbylla sytë.

Kurrë nuk i pyeta
Pse iknin
Pse vdisnin
Unë vetëm doja
Të mos isha si ata.

Nesër nata mund të më gjej në rrugë
Mund të më vrasin në gjumë
Atëherë a do të gjendet njeri
T’i ndezë një qiri paqes?

(Nga libri ''Vizioni Blu'', 2010)



POST LIRIA

I lëshuan minjtë
T’i kapin macet
Gardhiqeve të Ballkanit.

Në Urën e Shenjtë
Në Bjeshkët e Nemuna.

Degë e huaj 
Në rrënjë të trungut.

Sa shumë pluhur
Pas lufte.



ASHPËRSI ALPESH

Në tokën ku ndizen qirinj
Malësori lutet për fisin e vet
Bjeshkatarët lënë sofrat shtruar
Lahutat mbështetur tek shkëmbi i plasur
Nguten të arrijnë tek ujëvara
Të zbrazin shtatë a tetë pushkë
Pastaj kthehen rrugës së vetëtimave
Një këngë të vjetër ja marrin
Për virgjerëshat kthyer në burra.



SKELET PA LËKURË

Qira të lartë
I pagova jetës
Për të mos u tretur 
Në mes të vargut

Përballë i dola
Kartëmortales sime
Fosil pa rrathë

Shërbëtor besnik
I lodhur nga përulja
Busteve



REMTIMI

Pak është të thuash
Jap gjithçka kam.

Mjafton të japësh
Diçka nga ajo që ke
Pa belbëzuar.

(Nga libri ''Në Duet me Vetveten'',2012)
 
_____________ 
Pergatiti për "Ora shqiptare": Besim Xhelili

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen