F A Q E T

Dienstag, 25. Juni 2013

Anton Pashku

Anton Pashku

Anton Pashku lindi më 8 janar 1937 në Grazhdanik (katund afër Prizrenit). Nënën, Getën, e kishte nga Zymi, kurse babën, Tonin (bukëpjekës), nga Karashëngjergji (katund pak më larg Zymit, rrëzë Pashtrikut). Kishte të kryer shkollimin e mesëm - Gjimnazin real në Prishtinë. Gjithë kohën punoi në Rilindje, njëherë gazetar, mandej redaktor i Rubrikës së kulturës e në njëzet vjetët e fundit, redaktor në Shtëpinë Botuese Rilindja. Shkrimet letrare filloi t’i botojë që nga viti 1955. Shkroi prozë dhe drama. Vdiq në Prishtinë, më 31 tetor 1995. Në tregimet e Anton Pashkut dallohen tri qarqe themelore tematike; ai i temës së dashurisë, i vetmisë, të kërkuar dhe të kushtëzuar nga një totalitarizëm; dhe, qarku tematik për dhunën mbi individin. Tregimet e tij antologjike janë: Nën qarr po rrinte vasha, Floçka, Kulla, Si e përshkroi ëndrrën e vet njeriu me kapelë, Dy fjalë për një plak dhe librin e tij kushtuar tymit, Kënaqësitë e Megalopolisit, Anija e dehur.Me vlerat e veta të pakontestueshme artistike, romani Oh ka bërë një ndikim të ngadalshëm por të fortë në prozën shqipe, që nga koha e shfaqjes së tij. Dramat e Pashkut Sinkopa e Gof janë luajtur në Teatrin e Kosovës, në Teatrin ITD të Zagrebit, në Teatrin e Shkupit dhe në teatro të tjera të shqiptarëve. Vepra e tij letrare, është bërë vlerë kulturore kombëtare dhe tashmë është materie që mësohet në të gjitha nivelet e shkollave shqipe, ku ligjërohet letërsia bashkëkohore shqipe.
Vdiq më 31 tetor 1995.

Titujt e veprave:

  • Tregime, Jeta e re, Prishtinë, 1961
  • Nji pjesë e lindjes, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1965
  • Kulla, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1968
  • Sinkopa, dramë, Rilindja, Prishtinë, 1969
  • Oh, roman, Rilindja, Prishtinë, 1971
  • Kjasina, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1973
  • Gof, dramë, Rilindja, Prishtinë, 1976
  • Lutjet e mbrëmjes, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1978
  • Tragjedi moderne, drama, Rilindja, Prishtinë, 1982


  • Shtëpia Botuese Rilindja në vitin 1986 i botoi veprat e zgjedhura të Anton Pashkut në tri vëllime:

  • Tregime fantastike, Rilindja, Prishtinë, 1986
  • Oh, Rilindja, Prishtinë, 1986
  • Tragjedi moderne, Rilindja, Prishtinë, 1986


  • Tregim nga Anton Pashku

    Kitara

    Zemra ime vallëzon vetëm atëherë kur dëgjon titrimin e telave të kitarës. Vetëm shpatat e zërit të saj mund ta copëtojnë brengën dhe t´ua falin flatrave të harresës. Po, vetëm kitara, kjo kitarë që rri përpara meje e varur aty në mur, mundet.

    Edhe pse tash vrik jam mësuar të luaj me telat e saj, kitara ime lëshon zëra që, duke u ngatërruar ndërmjet vete, krijojnë jone, për mua shumë të hareshme. Vetëm për mua! Them vetëm për mua, sepse tingujt e saj janë shumë të çuditshëm. Nuk mund t´i kuptojë, ose nuk do t´i kuptojë, gjithkush: qajnë kur duhet të gëzohen, gëzohen kur duhet të qajnë.

    Si tash më kujtohet vaji i vashës, që m´u lut t´ia këndoj një këngë. Pranova. Mora kitaren në duar. U ula pranë dritares, duke shikuar në qiellin e natës, i cili, nëpër dritaren time, dukej katërkëndësh me fillim, por pa fund. Pëlqeva telat dhe gishtat e mi zunë të luajnë nëpër to. Tingujt e kitarës përcillnin fjalët e këngës për Hënën e dashuruar në një yll që tradhtoi Diellin, i cili, zemëruar pamasë, shkreu që ta shëmtojë përgjithmonë fytyrën e Pabesës.

    - Pse t´u mbush mendja ta këndosh këtë këngë?-pyeti ajo dhe sytë ia mbytën bulzat e lotëve që i gufonin pajada.

    Rrudha krahët. Rrudha edhe ballin. Nuk dita ç´t´i them. Dita, por diçka më lidhi në fyt.

    - Po pse, pse po loton?-dëgjova pyetjen mbasi doli prej gojës sime.

    - Si…pse?!-tha ajo duke u munduar për t´i ndalë lotët, që i rridhnin nëpër faqe.

    - Si, të lutem, si ka mundur Dielli të bëhet aq mizor…

    - Mizor?!

    - Po, po!-tha ajo—Si ka mundur të bëhet aq mizor ndaj Hënës, e cila për çdo mbrëmje del për ta stolisur lumin tonë me shtyllën e artë të rrezeve të veta?

    - Shtylla e artë e Hënës?

    - S´është e Hënës.

    - Po e kujt është?

    - Fol sa të duash, por ti s´je duke prekur telin e solit?

    - Unë?

    - Ti, pra. Të Pabesës…-thashë dhe u ndala. Mendimin, që desha t´ia them asaj, e përtypa në heshtje.

    Më shikonte. Pesha e shikimit të saj, që më kaploi, ishte tepër e rëndë. Ishte e rëndë sa s´bëhet.

    - Mirë, mirë!-thashë.

    Preka telat e kitarës sime. U krijuan tinguj që s´kishin lidhje me njëri tjetrin.

    - A di çka,-tha ajo,-ta lëmë Hënën.

    - Ta lëmë, nëse na lë.

    - Mos u tall!

    - Nuk po tallem.

    - Atëherë, pra, jipja këngës për sumllën e djersës!

    - Për sumllën e djersës, pa të cilën nuk mbin as therra për gardhiqe?

    - Po, ke të drejtë.

    - S´dua!

    - Pse?

    - S´dua t´ia them asaj kënge, sepse është e dhimbshme.

    - Ani që është e dhimbshme, ani.

    - Por ti s´e merr vesh!

    - Si nuk e marr vesh!-tha ajo.-Vëllaut tim të vogël ia shoh sumllën e djersës sa herë që mundohet ta gënjejë nënën…

    - Eh…-thashë unë.

    Një e qeshur, për mua fare e pakuptimtë, shpërtheu në gojën e saj. Ishte aq therrëse dhe e padurueshme, sa mua më hypi gjaku në krye.

    Shikova nëpër dritare: m´u duk se një yll kishte zbritur dhe tashti ishte mu përpara syve të mi. Çova dorën dhe mora hov: desha ta thej kitarën në njërën këmbë të atij ylli. Por, sjellja shkoi kot: ylli ishte larg, atje lart duke hequr valle me shokët e vet.

    - Ha, ha,ha!-dëgjohej e qeshura e saj.

    Mora kitaren. Drodha një tel. I thashë:

    - Për ty, për lëkurën tënde pa asnjë pore!

    Ndali të qeshurit. Më shikoi me ballë të mrrolur. Drodha të gjashtë tela e i thashë:

    - Për ty, për ty që m´je tingull i pazëshëm!

    - Paska tinguj të pazëshëm?

    - Ja, paska!

    Brofi në këmbë. Bëri një hap dhe u ndal përpara meje.

    - Shiko veten, o i mjerë!-tha ajo.

    - O gjuetar i ëndrrave, a s´po sheh se je krejt lakuriq!

    - Unë?

    - Ti, ti…A s´po sheh se ke mbetur lakuriq?…A s´po sheh se kitara të solli në këtë ditë të zezë?…Hidhe atë kitarë e mos rri kështu lakuriq, se do të bëhesh gazi i botës…

    Zonjusha Vulë lëvizi vendit. Megjithatë, shtrëngova kitarën. Kitara u dalldis. Kurse ajo u mrrol edhe më shumë. Dikur fluturoi jashtë, duke mbyllur derën me forcë.

    Mbeta vetëm unë, kitara dhe tingujt e saj magjikë që përpiqeshin për ta zhdavaritur rrapëllimën e derës së mbyllur…


    Shkurt, 1957

    Keine Kommentare:

    Kommentar veröffentlichen