F A Q E T

Sonntag, 9. Juni 2013

Begzad Baliu

Begzad Baliu (Makresh i Ultë - Gjilan, 1966): albanolog, publicist, shkrimtar dhe editor. Profesor në Universitetin e Prishtinës – Fakulteti i Edukimit. Ligjërues në shumë konferenca shkencore kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare. Autor i shumë veprave studimore nga fusha e gjuhësisë, letërsisë, historisë, kulturës dhe publicistikës. Specialist i onomastikës, themelues i bibliografisë përmbajtësore dhe i karakterit historik të referencës. 2009: Profesor i asocuar  në Universitetin e Prishtinës. Ligjërues dhe anëtar i Komisionit të Doktoratave në Universitetin “Kirili e Metodi” të Shkupit; Koordinator për Kosovën në Seminarin Ndërkombëtar “Shkodra në shekuj”, Muzeu i Shkodrës, Shkodër 20-22 nëntor 2000; The Summer School in Political and International Relations organized by the Albanian Political Science Association (ALPSA), Tirana, Albania, Juli 9-30, 2000; Anëtarë i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës; Kryeredaktor i revistës shkencore “Shenjëzat”; Themelues i Qerthullit Shkencor “Eqrem Çabej”, Prishtinë; Hulumtues shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, Dega e Gjuhësisë, Sektori i Onomastikës; Themelues dhe drejtor i OJQ-së Qendra për  ndërlidhjen arsimore dhe shkencore, Prishtinë; Anëtar themelues i Qendrës për Studime Ballkanike, Prishtinë; Drejtor i Institutit Alb-Shkenca (Prishtinë) dhe udhëheqës i Seksionit të Albanologjisë në nivel ndërkombëtar; Drejtues i Këshillit për botimin e veprës së plotë të Profesor Jup Kastratit; Drejtues i Redaksisë së botimit të veprës së plotë të Profesor Eqrem Çabejt, Ambasador i Paqes (2009), anëtar i redaksisë së revistës ndërkombëtare “Malësia”, Podgoricë, 2011-, anëtar i redaksisë së revistës “Sociolinguistika shqiptare” në Universitetin “Fan Noli” të Korçës, anëtar i bordit dhe recensues në qendrën euro-amerikane “Science Publisching”. Dy dekadat e fundit është besuar përgatitja e shumë veprave të autorëve dhe trashëgimisë albanologjike. Është kryesues i Këshillit për përgatitjen e veprave të Profesor Jup Kastratit dhe anëtar i Këshillit për botimin e veprave të Profesor Eqrem Çabejt. Ka përgatitur për botim veprat e Profesor Jup Kastratit, Profesor Shefki Sjediut, konferencave shkencore, i zgjedhuri i Qendrës së Studimeve Albanologjike për çmimin e vitit 2008; Njeriu i vitit 2012: nominuar nga Instituti Biografik Amerikan dhe fitues i Medaljes së Artë për Kosovë, nga po ky Institut; bashkëmentor i projektit të gjashtë studentëve polakë për temat e masterit “Kosova e pavarur në sytë e të rinjëve të saj (shoqëria - kultura – politika) etj.   
Veprat janë recensuar nga studiues të Universitetit të Prishtinës, Institutit albanologjik të Prishtinës, Arkivit të Kosovës, Institutit të Gjuhësisë dhe Historisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, Arkivit Shtetëror të Kroacisë, Arkivave të Përgjithshme të
Shqipërisë, Institutit të Gjuhësisë të Akademisë së Shkencave të Sllovakisë dhe Universitetit të Tetovës, Universiteti I Durrësit, Qendra e Studimeve Albanologjike, Universiteti “Eqrem Çabej” i Gjirokastrës.


Publikimet: VEPRAT

2013: Onomastika dhe dokumenti, Prishtinë
2012: Onomastikë dhe identitet, Prishtinë
2012: ‘Dhembje e bukur’, Prishtinë-Paris
2012: Bibliografia përmbajtësore e Librit shkollor, Prishtinë
2010: Referenca albanologjike, Instituti Albshkenca Prishtinë 
2010: Kërkime albanologjike, Instituti Albshkenca Prishtinë.
2010: Vareni kryengritësin e shenjtëruar, Instituti Albshkenca Prishtinë
2010: Hulumtime albanologjike, Instituti Albshkenca Prishtinë
2009: Onomastika e Kosovës – ndërmjet miteve dhe identiteteve, “Era”, Prishtinë.
2008: Bibliografia përmbajtësore e Seminarit NGJLKSH, Instituti Alb-Shkenca, Prishtinë
2006: Demitizimi dhe standardizimi i onomastikës së Kosovës, Shb “Argeta”, Tiranë.
2006: ÇABEJ 1, (Bibliografi e studimit të veprës së Çabejt në Kosovë), “Focus”, Prishtinë.
2005: Vepra bibliografike e Profesor Jup Kastratit, Institutin Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë.(Monografia e parë e karakterit diaktonik për bibliografinë në fushë të albanologjisë) 
2005: Regjistri i standardizuar i emërvendeve të Kosovës, (bashkautor), Era, Prishtinë.
2005: 2005: Mbi autorësinë e veprës Bibliografia e Skënderbeut, “Era”, Prishtinë
2004: Gjendja e toponimisë shqiptare në Ballkan, «Era», Prishtinë. (E përzgjedhur në mesin e veprave më të mira në Konferencën vjetore të Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë, 2008)  
2004: Jup Kastrati për Kosovën, (përkujdesja dhe parathënia), “Era”, Prishtinë.
2000: Gustav Majer dhe albanologjia. Botoi «Shpresa» Prishtinë, 2000. Ribotoi «Argeta LMG», Tiranë.

 
Profesor Begzad Baliu ka kryer edhe shumë punë tjera të rëndësishme. Ka bërë redaktimin dhe përgatitjën e veprave të ndryshme për shtyp, ka qenë autor i shumë paratheniesh dhe pasthëniesh të po atyre librave. Poashtu, ka marrë pjesë në shumë konferenca dhe simpoziume shkencore me karakter ndërkombëtar.
 
 
 Begzad BALIU
 
PËR GRATË E NJË KONFERENCE SHKENCORE

Ajo rri me duar në gji
Në gjoks ka vënë kartelën 
“NN, prof. asc., Universiteti i Arizonës”
E në qëndrimin e saj shoh Gjylën e Alisë 

Tek përkundë djepin në këndin e dhomës
Ajo rri kujtueshëm në fund të radhës
Në gjoks mban shënimin e varur 
“AA – prof. dr. në Universitetin e Oxsfordit”
E në kujtesën e saj shoh gruan e Artanit të vrarë 
Në fund të luftës së Kosovës
Ajo flet në Foltore radhë e pa radhë
Dhe fjalët i ngre në shprehje krenarie
Në gjoks ka vënë tiketën 
“AB - prof. dr., në Universitetin e Munihut”
E në pamjen e saj shoh nusen e Ademit
Tek ekzaltohej para grave në dasmën e fshatit
Ato rrinë ulur, flasin, meditojnë
                                             andej e këndej salle
Unë i shoh me botën e fëmijërisë dhe tretem larg ndër malle
Dhe shoh se si në sytë e mi shfaqen gratë e fshatit
Gratë e fëmijërisë sime që këtu më ngjajnë në shkencëtare

 
*
Tek rrudhin gojën e mbyllin sytë përgjumur
Tek flasin me drojë e gishtat trokasin me kujdes
Më zgjojnë kujtimet e fëmijërisë
Kujtimet për gratë e fshatit tek thonë
Marre e zotit çka thamë, këtu qenka një djalë!

Budapest, 10. 3. 2011, në Konferencën e CEU..


 
E SHKRUAR MË 14 SHKURT

Veje kokën në gjoksin tim dhe pusho
Harro dhembjen qetëso zemrën dhe beso
Beso njëherë se në jetë ka lumturi
Dëshirëplotë mbahu dhe qëndro në qetësi

Veje kokën në gjoksin tim dhe ëndërro
Belkëputur brezëhumbur më pushto
Fluturo dhe dallgëzohu në lumturi
Agullohu vegullohu rrëshqit në zemër me qetësi

Veje kokën në gjoksin tim më shtrëngo
Aureolë vullkani ku zjarri vlon me ashpërsi
Shtrëngohu fort mbahu dhe qëndro gjer në mbarësi
Deri sa gjiri qumësht të pikojë


1994


KRETA 

Anije e stërlashtë 
Harruar mes oqeanesh 
Ankoruar mes Detit Mesdhe 

Kreta 
Me shekuj ka mbledhur mitet e kontinenteve 
Dhe rri mes detit të ngrohtë 
E nuk i afrohet asnjërit
 Kreta 
Atlantida nga vijnë mitet pellazgjike    
Dhe ngjiten maleve të Europës 
Të përcëlluar nga deti, 
Kreta 
Detarë që nuk dinë notin 
Ciklopë që udhëtojnë deteve mija vjet 
Bëjnë natën e fundit para se të bashkohet kontinenti plak  
Kreta 
Barku i Penelopës 
Që pret kthimin e Odiseut dhe bashkimin e kontinentit plak 
Në pëlhurën e saj 
Kreta


Ηανια, 1989  

 
 
THONË NËNAT
NË VARRIMIN E DËSHMORËVE


Qani, thonë, qani me zemër
Po loti mos t’u shihet
Dheu ka nevojë për gjak

Qani, thonë, qani me kujë
Po kujën le ta dëgjojë vetëm zemra juaj
Atdheu ka nevojë për trima

Qani, thonë, qani 
Se nuk ka vdekje që se lëndon zemrën
Po mos i lëndoni nënat
Janë në muajin e shtatëzanisë


1998
 
 

DREJT BURIMIT

(Pjetër Bogdanit)

Më flasin më thërrasin më ftojnë në jetë
Po deshe burimin nisu rrjedhës së lumit
Unë e Bogdani: T'birtë e Atit e Shpirtit Shenjtë.

Aty ish Dheu, Qiella, Deti e Zjarri e shpirti
DHEU ku nisëm themelet e gjuhës përsëri
QIELLA ku kërkonin amshimin për njeri
DETI ku rritej rrënja dhe ngrihej maja mbi lartësi
ZJARRI i pjekjes diellore në sy
Shpirti ku kthehemi në shenjtëri.


1986
 
 

LUTJE

Shën Mëri
Mbrëmë kam parë në TV një fëmijë 
brenda një shtëpie që e shtynte vala e Cunamit 
Është Eni
Lutu për të!

Shën Mëri
Sot kam parë në gazetën ditore një fëmijë 
të shtrirë për bukën e gojës mes refugjatëve të Afrikës 
Është Eni
Lutu për të!

Shën Mëri
Mbrëmë kam parë në TV një fëmijë në Indi
me duar të shtrira drejt Nënës Tereze
Është Eni
Lutu për të!

Shën Mëri
Mbrëmë kam parë në ëndërr Enin 
që përpiqej të më thoshte një fjalë  
Është Eni
Lutu për të!

Shën Mëri
Mbrëmë kam parë në TV babanë e një fëmije tek lutej në portën e Parajsës 
Është babai i Enit
Lutu për të!


2011

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen