F A Q E T
▼
Freitag, 28. Juni 2013
Cikël poetik nga Nikollë Loka
Nikollë Loka
FJALA E HESHTUR
Një fshehtësi e ngrirë
më mbush me brymë,
kur më vështron pa ndjenjë,
si një robinë vjeshte.
Mallin që ruaj në sy
ma heq me frymë
me një fjalë
të thënë me heshtje.
Zëri im i brendshëm
fshihet brenda teje,
vjen një këngë e vjetër
netëve pa hënë.
M'i rrëmbeve ndjenjat
e jo ëndërrën.
Ëndërrën e fundit
ty peng kam për ta lënë.
TË SHOH NË SY
Të shoh në sy,
je një pasqyrë me mjegull,
nga sytë te zemra
nëpër shkallë
hutimin e zbres,
e në thellësi
të shpirtit tënd të virgjër,
për ty,
një qiri po e ndez.
Ai qiri
mbi një altar
po shuhet,
e nën altar po pres,
i rënë në gjunjë,
sa herë të shoh,
zemra më bëhet akull,
kur do të shkrijë,
më thuaj!
VDEKJA E HIJSHME
Ndër male kësulbardha
lotin kurrë s’e pamë,
dhimbja kalon
si një flakë bubullime,
ndër votra vdisnin fatzinjtë,
fatbardhët
ndër shkrepa i linin shpirtërat.
I pari burri i Hotit
malet i dridhi,
kur u rrëzua
në gjakun e vet,
le të rrojë Shqipëria tha
dhe në frymën e fundit,
e shpirti iu ngjit
mbi Malin e Shejtë.
Shtatë mirditas
e përgjakën ballin,
e dhimbjen për plakun
ia dhanë gurit e lisit.
Për Dedë Gjo Lulin,
ne vdesim,- i thanë hasmit
me jetën u ndanë
nën tokë,
në Shpellë të Akullit.
Rrugës nëpër bjeshkë
sot fryn frymë lirie,
në gjurmë të Plakut të Hotit,
kur ngjitesh mbi një shkëmb,
mëson se dhe vdekja
kreshnikëve u ka hije,
dhe i shenjti shpirt i tyre
na duket gur i rëndë.
MALIT TËND
Malit tënd
jepi pak frymë,
tregoja
legjendën e murimit
nëpër shi!
Përpiqu të bëhesh
gur i rëndë,
që çmuroset në heshtje
pa u ndje.
Në malin tënd
me altar në çdo lis,
ndër forca hyjnore
që zhduken pa gjurmë.
Nga ëndërrat krijo
legjenda dhe gongje
në syth,
kur në shpirtin që zbrazet
të gjallnon
fjalë e pathënë.
SHPIRTI ËNDËRRIMTAR
Një ëndërr
e hap
portën e botës tjetër
e drita vjen si frymë,
teksa u bie
kryq e tërthor qiejve,
mbledh vetëm
rrufe të pandezura
dhe brymë.
Ëndërra të mjegullta,
bëhen flakë e ujë,
nëpër stuhi
me shi e vetëtima.
Shpirti ëndërrimtar
më bën të vuaj
e në hapësira të pafundme
s’po nginjem!
KOHA QË DHEMB
Vështrimi yt
një lumë drite
i ftohtë,
muzgun në sytë e mij
e zbraz.
Kjo kohë e ngrirë
më dhemb
e s’gjej të ngrohtë
diellit i qepem nga pas.
E nesërmja
në sytë e ty
më mbajti peng,
ndër ëndërra
që pres t'i shoh,
po të përmend.
E ti hënë e plotë,
pasqyrë
ku po çlodh sytë,
zgjuar prek vetminë,
e në ëndërra
vetë i dytë.
NJË DALLGË
Desha të merrja
më shumë frymë
se deti,
teksa frynte një erë…
Desha me frymë
ta tres dhimbjen,
kur një dallgë
m’u duk si pulëbardhë.
Te një pulëbardhë
që flinte
më tërhoqi ëndërra,
një dëshirë e panjohur
më shtyu.
Prita me shpresë
në atë plazh të braktisur,
atë dallgë
që më përpiu.
E preka
një gjysëm dallge
dhe ika,
gjysma tjetër
m’u kthye në hije.
Shëtita vetëm
në atë plazh të braktisur
që më fali një motiv poezie.
E NESËRME
Po të më shfaqesh
si e nesërme,
do të jem e tashme
që të ndjek
nga pas…
Të shoh nga larg
e të ngatërroj mes rrezesh,
deri në muzgun e pafat.
Në muzgun tim
je pasqyrë e skuqur,
në terrin që nxin
e më djeg!
E ndjej
se akoma të ngatërroj
në mes rrezesh
që vijnë
nga një tjetër diell.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen