F A Q E T

Sonntag, 2. Juni 2013

Fahredin Gunga

Fahredin Gunga lindi ne Mitrovice me 1936, ne nji familje te vorfun puntore. Shkollen fillore dhe gjimnazin e kreu ne vendlindje, kurse fakultetin filozofik, grupin e albanologjise, ne Beligrad. Tash punon si gazetar i “Rilindjes”.
Me pune letrare merret q’prej vjetit 1954. Ka botue vjersha edhe ne gjuhet tjera. Den me tash i kane dale ne drite dy permbledhje te vecanta — “Peshperitjet e mengjezit” (1961) dhe “Pozdrav ponovljen u meni” (Pershendetja e perseritun ne mue — 1964), ne serbokroatishte, si edhe nji permbledhje te perbashket me titull „Syte qe shkrepin dashni” (1960).


 
Fahredin GUNGA

LOJA E ESHTRAVE

(Epilogu kryeneç)

Duke luajtur eshtrat
ndërtuar kanë njerëzit Kullën e Rrashtave,

Duke luajtur eshtrat
ndërtuar kanë njerëzit Rozafatin,

Duke luajtur eshtrat
ndërtuar kanë njerëzit Lindjen e vet të vërtetë.

II

(FUQIA E DUARVE - OSE ATO QË BARTIN KOHËN NË GISHTËRINJ)

Po ta dhuroj
ashtin e dorës sime të djathtë
që ta lëmosh tokën
e etshme për dashuri,
që t'i japësh vetes emër -
po ta fal
ashtin e dorës sime të djathtë
që të rritesh me etjen e ujkut,
me etjen e flakës -

dhëmb i ujkut të nemur

2.
Merre ashtin
e dorës sime të djathtë,
dorës sime të majtë -
dhe ndërtoje piramidën
e flaktë -

të flaktë
me diell të vjedhur
në sy,

të flaktë
me fjalë të kafshuara
në buzë -
merre ashtin
e dorës sime të djathtë,
dorës sime të majtë,
dhe
ndërtoje urën, atë urë,
për lojën e eshtrave të mirë -

Lojën e eshtrave të çmendur
në lojën
e çmendur të kokës -

Merre ashtin
e dorës sime të majtë,
(ashtin e uritur
për palcën e fjalës,
ashtin e uritur
për lojën e vdekjes së fjalës)

ashtin e dorës
sime të djathtë,
ashtin e dorës
sime të majtë
e, ndërtoje:
djepin për të përkundur
blebëzimet e barit,
shtërzimet e fjalës,

e - mandej, le të jetë
vetëm fjalë,
le të jetë
vetëm lojë.

3.

Merre ashtin
e dorës sime të djathtë -
bonjakun
e fjalëve të përtypura
në nofullën e eçtuar
për gurrat e gjakut,

merre ashtin
e dorës sime të djathtë,
e mallkimit të lulegjaqeve,
endacakun e blerimeve,

merre ashtin e dorës sime të djathtë -
mjeshtrin çollak
për arkivolet e fjalëve,
që shpesh memece
vdesin në mes nofullash
me etje të nemur,
me etjen për lindje të re,

vetëm:
ashtin e dorës sime të djathtë,
ju lutem -

se është i urtë si urata,
se është i fortë si dhëmb ujku.

III

3.
Eshtrat janë
lojtarët e parë të stuhive të çmendura.

Eshtrat janë
skifterët e uritur të agimeve pa diell.

Eshtrat janë
dasmorët e dasmave pa krushq.

Eshtrat janë
ushtarët e lodhur të shtigjeve të pava' -

ku erërat thajnë palcëne  vet,
ku shkëmbi plas si loti.

IV

(KUPTIMI I LOJËS SË ESHTRAVE)

Eshtrat
kur luajnë
shtatë Bushtrica
s'ua shuajnë
etjen
sa shtatë mallkime
(o Zot
mashtrim e-
vetëm mashtrim)

Eshtrat
kur luajnë
skifteri i rrudh
qerpikët

si shenjtor i rrjeshëm

(o Zot
mashtrim e -
vetëm mashtrim)

eshtrat
kur luajnë
shqyejnë shtatë pashë
qiellin


si shtatë vajtime
të nënave shterpë -

(o Zot
mashtrim e-
vetëm mashtrim)

.................

3.

...Dhe, qe:
një lindje është
vetëm një shtërzim i ehstrave,

një vdekje është
vetëm një lindje e eshtrave.

Atëherë,
si duhet ndezur kohën?

V.

(POROSIA OSE URREJTJA E VDEKUR E UJKUT)

Mos shkelni
në hirin e ehstrave
të dorës për respekt të lotit -

mos shkelni
në hirin e eshtrave
të etshëm për shiun e prillit -

të etshëm për shiun e prillit -
të ngujuar ndërmjet nofullave
të fëmijëvepa va,

mos shkelni
në hirin e ehstrave -

se ngjallen ujqit e fjetur,

se ngjallen
erërat e çmendura,

mos shkelni në hirin e shtrave
ju lutem,
si për lulen e bardhë,
si për fëmijërinë time
të varur në udhëkryq.
..............

2.

(POST SCRIPTUM PËR NJË REKUIEM)

Duhet kalbur ehstrat
që të mund të luajnë
lojën e jetës në rrugën e madhe,

Duhet mos ngjallur ehstrat
për të ditur lindjen tonë të vërtetë
dhe emrin tonë të vërtetë.

VII

(Balada e lojës së ehstrave)

Ka qenë - kështu thotë përralla
një herë një pëllumb i butë i shesheve,
dhe, prore ndalej në mes të sheshit
ku njerëzia ndalet ditëve të diela për të pushuar.
Por vetëm një herë sheshi nuk e deshi pëllumbin,
se pëllumbi ishte tepër i butë - shumë i butë
(në krahë të çdokujt ulej
e me butësi për faqe njerëzit i lëmonte).
Kështu jetone pëllumbi i butë i sheshit
në mes dashurisë dhe urrejtjes së qytetit.
Por, një ditë, një ditë prej ditësh,
në shesh mbetëm vetëm do pupla të përhime
dhe - pikat e gjakut në trotuar të rrugës.

Ishte mëngjes vjeshte me dhëmë të gjetheve të mbrame.

Krahët e njerëzve të nesërmen mbetën
si tymtarët e vetmuar në mes të stuhisë
e - lotët sytë i vesuan... Thonë:
atë ditë kishte rënë shi i madh dhe qielli ishte nxirë
vetëm, (ndoshta!) për ta larë gjakun e pëllumbit.
Vërtet kishte rënë shi i madh
vetëm për ta larë
gjakun e pëllumbit nga trotuaret e qytetit.

Kështu thotë përralla të cilën e dinë
edhe fëmijët e llagjes sime duke i ndjellë pëllumbat
që të kthehen me lagjen e tyre -

E lagjja ime di përralla shumë, shumë.


____________
Nga VOAL

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen