F A Q E T

Dienstag, 25. Juni 2013

Hilë Mosi


Hil Mosi lindi me 22 Prill 1885 në Shkodër dhe vdiq në shkurt 1933 në Tiranë, biri i Mark Mosit, qe ndër atdhetarët më të vlefshmit, që nga mbarimi i shekullit të XIX luftuan për idénë kombëtare, duke dalur nepër male me pushkë në krah dhe duke shpërndárë në kohën e robërísë libra shqip dhe flamuj me rrezik gijotine. Vdiq në Tiranë në shkurt e vitit 1933 dhe u varros në Shkodër. Poet luftëtar e publicist, patriot dhe demokrat, figurë politike e njohur e periudhës para e pas Pavarësisë. Pjesë e brezit të dytë të Rilindasve Shqiptarë.
Në Shkodër i filloi mësimet në shkollën italjane, të cilat i vijoi në shkollën teknike tregtare dhe në Kolegjin Saverjan të Jezuitvet e më vonë ndoqi degën e mësuesísë në Shkollën Normale të Klagenfurtit. Duke ndjekur shembullin e prindit, që në moshë të ré, ìu kushtua propagandës kombëtare e duke u gjetur në Vjenë, në 1902 me shokë tjerë shqiptarë nën kryesínë e Gjergj Pekmezit bashkëpunoi në shoqërínë letrare “Dija”, e cila mot për mot botoi nji kalendár, dhe nxorri një fletore me emër “Vllaznija”. Qysh prej asokohe Hila filloi të shkruante me pseudonimin Sakoli proza dhe vjersha atdhetare. Hapën të parin klub "Bashkimi" në Stamboll më 1908. Punonte të botonte gazetën e re "Shqiptari" bashkë me ikanakët nga Struga, Ibrahim Mehmet Naxhin dhe Dervish Himën, dhe Eqrem bej Vlorën.

Mbasi u shpall Kushtetuta e Turqve të Rij në vjetin 1908, u kthye në Shkodër, ku themeloi shoqërínë “Gegnija” e më vonë qé përfaqsues i saj në Kongresin e Manastirit bashkë me Fishten, Mjeden, Gurakuqin dhe Logorecin. Ishte dhe anëtar veprimtar i Komitetit te Kryengritjes së Malësisë së Veriut (1909-1912), ku luftoi edhe me armë në dorë në krah me Risto Siliqin.
Gjatë pushtimit austriak në Shkodër (1916-1918) qé pjesë i Komisísë Letrare, të cilën detyrë e vijoi edhe më vonë kúr Shkodra u bashkua me qeverínë e Tiranës mbas lirimit të vet nga ushtrítë franceze. Në vitin 1919 me 16 Shkurt shoqërítë e Shkodrës “Mustafa Pasha” dhe “Vaso Pasha” u bashkuan dhe sajuan shoqërínë e vetme me emrin “Vllaznija”, e cila qé nji ndër shoqërítë më të organizuara të Shqipërísë dhe që me veprimtarínë e vet letrare, teatrore, muzikore dhe gjimnastike pati një meritë të madhe për zgjimin e rinísë shqiptare, sidomos me botimin për tre vjet me radhë të së përkohëshmes “Agimi”. Hil Mosi qé kryetár i kësaj shoqërije për një kohë të gjatë dhe me artikujt e përkthimet e veta të ndryshme e zbukuroi organin e shoqërísë. Në këto përkthime është për t’u përmendë studimi historik mbí Vlorën e kohës së mesme, të nxjerrur nga vepra e historjanit Kostandin Jireçek-ut, i cili bashkë me Milan Šufflay dhe Tallotzi-n mblodhën dokumentat e historísë së Shqipërísë dhe i botuan në dý vëllime të mëdha me titull “Acta et Diplomata res Albaniæ Mediæ illustrantia”.

Jeta e Hil Mosit është një shembull i gjallë atdhedashurije, zelli, veprimtarije dhe vetmohimi për qellime kombtare: e dëshmojnë shoqërítë e themeluara me nismërinë e tij, të përkohëshmet dhe fletoret që nxori ai vetë, ose që i përkrahi me bashkëpunimin e vet. Jeta e tij qé nji jetë ravgimi, dhe kudo që zuri vend, edhe për pak kohë, u pá menjëherë vepra e tij shoqërore dhe letrare, e frymzuar përherë prej një shpirti dinamik dhe prej dëshirës të zjarrtë për t’u liruar nga zgjedha e huaj. U përshkua nepër shum lëvizje politike duke përballuar trimërisht pengime dhe kundërshtime të mëdha. I shërbeu kombit edhe me veprimtarínë e vet të parreshtur si zyrtár shteti: si mis i Komisísë Letrare të Shkodrës, si deputet, prefekt, si Drejtor i Përgjithshëm i Sigurimit botues, si Ministër i Arsimit. Përfaqësoi vendlindjen e tij, Shkodrën, në Parlamentin Shqiptar nga viti 1920 ne 1924, dhe shërbeu gjithashtu si anëtar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve duke filluar nga nëntori, 1920. Senator i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë nga 27 mars 1920 deri më 20 dhjetor 1920. Gjatë qeverisë së Fan S. Nolit, 1924, ai ishte Prefekt i Korcës dhe Gjirokastrës. Në 1927, Mosi u kthye ne Shqipëri pas amnistisë së dhënë nga Ahmet Zogu dhe u bë Ministër i Punëve Publike. Në vitin 1930 bëhet Ministër i Arsimit gjatë kohës së cilës qeveritë shqiptare shfaqnin prirjet për shtetëzimin e shkollave, politikë kjo e cila ra ndesh me françeskanët në Shkoder që mbronin liceun "Illyricum". Postin si ministër e mbajti deri në vdekje, më 1933. Gjatë asaj kohe njihet dhe me Petro Markon një ditë ku i thotë dhe shkruej poezi, poezia asht forma ma perfekte e artit dhe e sistemon si mësues në Dhërmi. Në polemikat e shtypit të kohës, mes Hil Mosit e Át Anton Harapit tek Hylli i Dritës, u dëtyrua Fishta t'i shkruante një polemikë klasike që në sintezë i thoshte "Gabove Hil!"; siç mbante edhe titullin. Polemikë të cilën, bashkë me vepren "Bujari", Mosi s'e kapërdiu.

Thamë më përpara se Hil Mosi duke qênë endè në moshën e ré nisi të shkruante nepër fletore shqipe vjersha dhe aty-këtu edhe proza; kështu, gjithnjë nxënës n’Austrí, bashkëveproi rregullisht n’ “Albania”-n e Konicës me pseudonimet Zog Sakoli, Sakoli, Zog Dushmani, Lirijasi, Speci etj. gjithashtu edhe ndër të përkohëshmet e kohës si “Drita” e Sofíes, “Kombi” i Bostonit, “Albania” e Beogradit, “L’Albania” e Dervish Himës, “Shpnesa e Shqypnís” e Raguzës, “Diturija” e Lumo Skëndos, “Lirija e Selanikut”, “Vllaznija” e Vjenës, “Lidhja Orthodokse” e Korçës, “Shqiptari” i Stambollit, i së cilës qe kryeredaktor, “Agimi” i Shkodrës etj. Në vjetin 1913 themeloi dhe drejtoi, bashkë me Karl Sumën dhe Risto Siliqin, fletoren e përdyjavëshme “Shqypnija e Ré”, e cila e vijoi botimin deri në plasjen e luftës botërore. Në vjetin 1913 botoi në Trieste një grumbull poezísh me emrin “Zâni i Atdheut”, vjersha atdhetare të përpiluara, më të shumtën, mbas frymës popullore, ku qëndron si faktor i parë malli për atdhé. Në ketë përmbledhje Mosi këndon Shqipërínë kúr kjo vuante, dhe kúr coptohej prej diplomacísë së pamëshirshme europjane, për të ngopuë lakmít e popujve fqînj. Vepërza “Lotët e Dashunís”, e botuar në vjetin 1916 përfshînë një tubë lirikash me lëndë të ndryshme dhe me masa vargu gjithfarësh; një pjesë e këtyre janë originale, të tjerat janë përkthime të lira shkërbime autorësh gjermanë si Goethe, Schiller, Heine, Koerner, Lessing etj. Këtij vëllimi i bëni një botim të dytë me titullin “Lule Prendvere” duke i shtuar vjersha dhe balada të reja dhe duke përmirsuar të parat.

Në një vëllim të vogël përmblodhi në 1924 në titullin “Kangët Shqipe” disá prej vjershave të veta dhe të shokëve të vet që këndoheshin prej kryengritasve nepër malet shqiptare në luftat kundra Turqisë, ndër të cilat mori pjesë edhe ai vetë në malet e Shkodrës dhe të Korçës. Edhe si përkthyes penda e këtij shkrimtari njihet nepër “Cubat” (1928) vepër e Frederik Schiller-it, të cilën e ká punuar lirisht duke ìa përshtatë gjendjes shqiptare; nepër “Filja” dramë trí aktesh nga Theodor Koerner-i, duke e sjellur ngjarjen në Kurbî rreth kullës së Kapitan Gjekajt; nepër komedítë e Goldonit: “Shërbëtori i dy zotnive” e “Dy Shërbëtorët”. Poezítë e Hil Mosit me përmbajtje kombtare nuk kanë një vlerë aq të madhe artistike, por të gjitha janë të veshura me ndìesí të holla atdhetare, familjare e shoqnore, dhe meritojnë të çmohen për zgjedhjen e shprehjevet dhe për kumbimin melankolik e të thekshëm. Një meritim të veçantë për historínë e letërsís shqiptare ká Hila për poezínë prej 138 vargjesh me titullin “Natyra” (Albania, Vit X. nr. 10-11-12, 1906, fq. 188-1919 në të cilën takohet prova më e parë e përshtatjes së heksametrit në shqipen, provë e cila ká dhënë nji përfundim të pëlqyeshëm.


Luft'tarit
 
Atje n’at vend të lamun
Me gjak t’Arbnorit t’dlirë;
Atje nji djalë âsht vramun
Atje mbet nji Ilirë.
Atje n’at vend barbari
E njofti mirë djelmnín;
Atje rrëfei Shqiptari
Sá shtrêjt e blén lirín.

Atje Shqypja luftovi
Trimnisht me zogjt e vet;
Atje nji zâ ushtovi:
Në zjarm, se nji na mbet!”
Ai vend nuk do t’harrohet
I gjall’ do t’jét për né;
Mbas tashit do t’emnohet:
Nji çerdhe e Shqipes s’ré”.
Burimi: Wikipedia

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen