F A Q E T

Sonntag, 9. Juni 2013

Leter diaspoës

Shkruan Dren Pozhegu

Ju, anëtare të dashur të diasporës, keni mundësinë për përmirësimin e gjendjes ekonomike të familjareve tuaj dhe ekonomisë në përgjithësi me investime në këto fusha. Në vend se të stimuloni pasivitetin dhe dembelinë, ju mund të jeni motori i ekonomisë moderne të Kosovës. Ju mund t’i ndihmoni Kosovës në rrugën e saj drejtë Bashkimit Evropian dhe në të njëjtën kohë të ndihmoni në uljen e shifrave enorme të papunësisë.

 
Shumë e dashtuna diasporë

Po e filloj këtë letër me një falënderim të madh për ju. Një falënderim i cili i prek disa aspekte. Një falënderim për ju që i latë babë e nánë, motër e vëlla, e mbi të gjitha grua e fëmijë, vetëm për të marrë rrugën e mërgimit si mënyre për të siguruar një jetë më të mirë për familjen tuaj. Për ju që me djersë punuat e fituat, vetëm për t’i dërguar këto fitime në shtëpi duke mbajtur gjalle gjeneratë pas gjenerate. Për ju që, edhe pse larg atdheut, dhatë kontributin tuaj në çështjet shoqërore dhe politike për Kosovën. Për ju, që jeni shembull i atdhedashurisë edhe për ne që jemi këtu. 

Dhe kur flasim për të ardhurat që ju i dërguat në familjet tuaja (remitencat), është e pa mundur që të mos flasësh edhe për efektin pozitiv të tyre në ekonomi. Pikë së pari, remitencat vjetore që ju dërgoni kapin shifrën e 400 milion eurove në vit. Këto remitenca kontribuojnë në rreth 15 përqind të Bruto Produktit Vendor. Në një ambient më rreth 34 përqind varfëri, remitencat lehtësojnë gjendjen e rëndë të shumë familjeve. Përveç lehtësimit të gjendjes për të varfrit, tashmë ekziston edhe një kategori e turizmit, turizmi i diasporës, të cilin Kosova e ka zhvilluar si sektor të rëndësishëm të ekonomisë së saj. Dhe në një ambient me 45 përqind papunësi, remitencat ndikojnë edhe në krijimin e vendeve të punës përmes rritjes së kërkesës për shërbime dhe produkte të ndryshme.

 Mirëpo, në anën tjetër, përveç efekteve shumë pozitive të remitencave, ka edhe disa aspekte të cilat nuk luajnë rol të mirë (në mos dëmtues) në ekonominë tonë, përkundër qëllimit të mirë të tyre. Fakti që Kosova vazhdon të ketë një deficit shumë të lartë tregtar, ritmi i rritjes së të cilit nuk ka të ndalur, ka shumë të bëj me remitencat. Pjesa më e madhe e remitencave përdoren për konsum.  Dhe konsumi me paratë të cilat nuk i fiton vetë, mund të shkaktojë dembeli . Me dembeli po i mendoj tri gjera: 1) uljen e nevojës për punë, 2) ngritjen e pragut minimal të pagës për të cilën një person do të punonte, dhe 3) zvogëlimin e incentives për inovacion dhe mbytjen e sensit të ndermarrësisë. Të gjithë këto faktorë ndikojnë negativisht në masë të madhe në ekonominë e vendit.

 Unë jam shumë i sigurt që ju këto gjera i dini më mirë se unë, pasi që jeni duke paguar për to. Jam i sigurt, gjithashtu, që e dini edhe fjalën e urtë, e cila thotë: Jepi njeriut një peshk, do ta ushqesh për një ditë; mëso atë të peshkojë, dhe ai do të ushqehet vetë gjithë jetën. Kjo letër ka të bëj me mundësinë se si ju mund të i ‘mësoni’ familjarët tuaj në Kosove për të ‘peshkuar’.

Kohëve të fundit, sidomos pas protestave të shumta qytetare, është përfolur shumë për çmimin e energjisë elektrike në Kosovë. Për shumë familje ky çmim nuk është lehtë i përballueshëm. Për fat të keq, trendet tregojnë se çmimi i energjisë elektrike veç sa do të rritet. Në anën tjetër, një burim që deri më tani shumë e kemi përdorur për ngrohje, drutë, vazhdojnë të jenë të papërshtatshme për përdorim për shkak të hapësirës së madhe që ato zënë në shtëpitë tona, tymit dhe hirit qe e lëshojnë (problematikë e qyteteve), dhe më e rëndësishmja, degradimit që kjo praktikë, e pakontrolluar deri me tani, i shkakton pyjeve tona. Me fjalë tjera, situata energjetike sipas të gjitha gjasave do të rëndohet në të ardhmen.

Në anën tjetër, ndërtesat tona vazhdojnë të jenë shumë jo-efiqente në përdorimin e energjisë. Të gjithë jemi dëshmitarë të shtëpive të ndërtuara deri në kulm, mirëpo në tulla të kuqe pa fasadë dhe izolim. Dëshmitarë të ndërtesave me dyer dhe dritare të vjetra të cilat në dimër lëshojnë një fishkëllime e cila qartë tregon lëvizjen e ajrit së nxehtë jashtë dhe futjen e të ftohtit brenda. Dëshmitarë të ndërtesave pa kulm, apo me kulm i cili shërben vetëm për të mos e lejuar shiun dhe borën të futet brenda, por lejon të ftohtin gjatë dimrit dhe të nxehtin gjatë verës. Dëshmitarë të poqave të vjetër të cilët më shumë lëshojnë nxehtësi sesa dritë. Këto janë vetëm disa prej shumë aspekteve të mungesës së efiqences së ndërtesave tona. Për fat të keq, ligji i ri për ndërtime vetëm sa e ndihmon një fenomen të tillë, pasi që nuk parasheh ndonjë kriter të efiqences së energjisë që duhet përmbushur për të marrë lejen e ndërtimit. Ndërsa sjelljes njerëzore, si lënia e dritave ndezur edhe kur nuk nevojiten, ngrohja e dhomave të mëdha dhe dhomave të panevojshme, janë aspekt tjetër për te cilin nuk do të flas.

Duke marrë parasysh këto probleme të efiqences së energjisë dhe situatën energjetike e cila vetëm sa pritet të vështirësohet, ‘mësimi i peshkimit’ për familjarët tuaj do të ishte pikërisht investimi në luftimin e këtyre problemeve që u përmendën më lart. Ju dërgoni mesatarisht 2,500 euro në vit për familjet tuaja. Shumë mund të bëhet me këto mjete. Do  listoj disa prej investimeve që ju do të mund t’i bëni që do të ishin shumë më afatgjatë, do të i ndihmonin familjaret, dhe do të evitonit problemet e remitencave që u përmendën më lartë.

Po fillojmë me më të lirën: ndërrimi i poqave elektrik prej të zakonshmeve (inkasendent) në efiqent (floresent). Investimi në një shtëpi e cila ka rreth 20 poqa, do të kushtonte hiç më shumë se 80 euro. Si kthim, familjarët do të paguanin rreth 80 përqind më pak për ndriçim dhe jetë gjatësia e poqave efiqent është shumë më e madhe sesa e poqave të zakonshëm. Në terma monetar, një familje do të kursente rreth 150-170 euro në vit nga ky investim.

 Investimi në ndërrimin e dyerve dhe dritareve ndryshon shumë varësisht prej llojit të investimit. Fillon prej rreth 100 euro për vendosjen e gomave apo izoluesve të tjerë në dyert dhe dritaret ekzistuese dhe kushton maksimalisht 2,000 euro në ndërrimin e të gjitha dyerve dhe dritareve. Izolimi i shtëpive të madhësisë mesatare në Kosove kushton rreth 5,000 euro. Ndërrimi/izolimi i kulmit të një shtëpie mesatare në Kosove kushton jo më shumë se 8,000 euro. Dy shumat e fundit, edhe pse në dukje nuk janë shumë të vogla, shpaguhet shpejtë nga përfitimet e investimit. Është e vështirë të monetarizohen përfitimet nga këto investime. Megjithatë e sigurt është që kthimi në investim nuk zgjatë më shumë se 4-5 vite.

Më i rëndësishmi fakt për këto investime është që kostoja fillestare, apo investimi qe duhet bërë, është i përballueshëm. Ndërrimi i poqave, dyerve dhe dritareve futen brenda shumës mesatare që ju dërgoni brenda një viti. Ndërsa izolimi i shtëpisë dhe kulmeve, edhe pse kushtojnë me shumë, nuk janë edhe aq të shtrenjta sa të mos jenë të përballueshme.

Element suplementar ndaj efiqences janë edhe investimet në energji të ripërtrishme. Dhe këtu nuk po mendoj për ndërtimin e hidrocentraleve apo mullinjve me erë. Po mendoj për instalimin e ngrohjes gjeotermike apo vendosjen e paneleve solar për ngrohje te ujit ose për prodhimin e energjisë elektrike. Këto investime nuk kushtojnë rreth 3,000-4,000 euro për një shtëpi, ndërsa përfitimi është zvogëlimi i faturës së energjisë për së paku 35-40 përqind.

 Këto investime përveç se do të ndihmonin (dhe jo dembelonin) familjarët tuaj, do të kontribuonin shumë në ekonominë e rënduar të Kosovës. Investimet në efiqence të energjisë dhe në energji të ripertrishme njihen për faktin që krijojnë shumë vende punë. Në një ambient ku ka 45 përqind papunësi, vendet e punës janë prioritet kyç. Këto investime ndihmojnë Kosovën t’i përmbush kriteret Evropiane të mbërritjes së kuotës së 20 përqind efiqence, 20 përqind energji të ripërtrishme, 20 përqind ulje të emisioneve të karbonit deri në vitin 2020. Këto investime do të ndihmonin në përgjithësi në tranzicionin e ekonomisë së vendit në ekonomi moderne dhe të zhvilluar.

Ju, anëtare të dashur të diasporës, keni mundësinë për përmirësimin e gjendjes ekonomike të familjareve tuaj dhe ekonomisë në përgjithësi me investime në këto fusha. Në vend se të stimuloni pasivitetin dhe dembelinë, ju mund të jeni motori i ekonomisë moderne të Kosovës. Ju mund t’i ndihmoni Kosovës në rrugën e saj drejtë Bashkimit Evropian dhe në të njëjtën kohë të ndihmoni në uljen e shifrave enorme të papunësisë.

Publikuar në gazetën "Koha Ditore", 7 Prill 2013.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen