F A Q E T

Donnerstag, 27. Juni 2013

Majlinda Rama

Majlinda (Nana) Rama ka lindur në Tepelenë, më 27 maj 1980. Në vendlindje ka marrë dhe mësimet e para e ato të mesme. Gjatë viteve 1998 - 2002, ka kryer studimet e larta për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe dhe më pas, në vitet 2009-2012 ka kryer studimet, në fakultetin e dytë, atë të Shkencave Politike, në degën “Marrëdhënie Ndërkombëtare”.
Aktualisht vazhdo
n studimet Master Shkencor, dega “Komunikim Politik”.

Vendbanimi aktual - Fier.

KARRIERA

Ka punuar si Kryeadministratore e Shërbimit Social për Ndihmat Ekonomike dhe Paaftësinë në Komunën Krahës, rrethi Tepelenë. Ka punuar më vonë si mësuese e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë nw rrethin e Fierit. Prej disa vitesh jep kontributin e vet në mediat pamore dhe ato të shkruara. Ka punuar si Drejtore Informacioni në TV Rajonal “Apollon” në Fier. Ka punuar si gazetare e TV “Ora News”, Tiranë. Është autore, skenariste, dhe drejtuese e qindra emisioneve sociale, kulturore dhe politike në TV “Apollon”.

Aktualisht punon si Drejtore e Informacionit dhe Promocionit në Bashkinë Fier.
Është botuese e gazetës “Ora Juaj”, Fier
Punon si gazetare e gazetës “Panorama”, Tiranë.

KRIJIMTARIA LETRARE

Ka botuar vëllimet poetike:
1-“Merrma lotin peng”,(poezi, 2004)
2-“Hënë e qiellit tim” ,(poezi, 2006)
3- “…por gjyqi vazhdon…”,(prozë, 2007)

Ka në proces:
1-“Yasmina”, (roman)
2-“Kritikë”, ( kritika, ese, recensione, studime, publicistikë).

TË TJERA:
* Është përfshirë në 2 Antologji Poetike me autorë nga vendi e bota.
*Majlinda është anëtare e W.P.S. (Lidhje e poetëve bashkëkohorë të botës).
*Eshtë redaktore e librave të autorëve të ndryshëm në prozë dhe poezi.

VLERËSIME:
*Është fituese e Cmimit Special Letrar në Konkursin Ndërkombëtar “Muza Poetike 2012”.
* Ka marrë Certifikatë Mirënjohjeje nga Unioni i Gazetarëve.
*Ka marrë Titullin e Lartë Nderi i Lidhjes Internacionale të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pegas”.


 

POEZI
 

XXX

Sa më rëndojnë këto ditë të mbrapështa,

 si listë borxhesh mbi supe,

si fyerje,

      si kalimtar pa ngjyrë,

                    si vdekje të hazdisura ,

si kuaj pa fre …..

më duket kjo natyrë, e shkretë postmoderne

…liritë e burgosura,

            na përvidhen edhe ato si një jehonë e munguar.

Bota, në mesnatë ngre kurthin e vetvetes…

Gjëmimtare, e përcudnuar, shkretë.

Sa vonë…

          Si fjalë e trishtë prej gjoksit të maleve blu…

 

Ty po të pres

Në gjurmë të rumunit Mihail Eminesku…

Ja ylli zgjoi dhe dita ra,
për ty po pres, si ty nuk ka,
do vish, a jo, unë po të pres,
të përqafoj dhe le të vdes.

Të pata thënë mbi njëmijë herë:
“Në ty do dehem, shend e verë”.
Ti më lajthit me zërin tënd,
se ti më vdes, se ti më cmend.

Ti më tërheq e më kthjellon,
më le pa mend, e më largon.
A thua, dreq je më pastaj?
S’di si të mbaj, po si të mbaj?

Ti dashuri që vjen nga larg,
afrohesh pak e ikën prapë,
ti burrë i cmendur në det e lot,
më dehe sot, më vdiqe sot.

Ti lozonjar në ashtin tim,
i miri im, i shtrenjti im,
ti mbi çdo stinë je dashuri,
i dashur ti, i ëmbli ti.

Se bashkë u deshëm, e bashkë vrapuam,
u dashuruam…u dashuruam,
ty zemër burri vazhdoj të pres,
të përqafoj pa le të vdes…

 

Ndajnate 

Trojë e djegur,

            këngë e gjallë Ilioni!

                          Turren drejt teje

            si venduza oktapodësh,

      indogjenë të pangjyrë.

      Si të jem shtyllë harrese,

              rrjedh fytyra prej lëndine e,

                  sërish mbetem

                     në parmak të pikut të natës.

           Shtergu,

          në zgjim të ditës,

         në ëndrra të tejdukshme

              më çon.

 

Qyteti im

Si akrep i ngecur ore -
- qyteti im.
Me sytë e thinjur
kërkon shpëtim.
Teh i ndryshkur, mbetesh pa lëvizur,
fllad, erë, shkulm Tepelene,
që si silueta më shfaqen rrugës sime.
Braktisur kjo pranverë tek ti.
Pse qan?
Ke dhimbje?
Plagë të pashëruara?
Qyteti im!
Pikëlluar në çdo qelizë
nga grahma acari
Që të gërryejnë e të rrudhin mushkëritë…
 
Rendje për vetënjohje (Pasqyrë e thyer)
 
Natyrat – rrudha lakuriqe,

ti – flokë livadhesh kreh,

përtej teje dëgjohen thirrje.

            Pasmesnate.

   Kuaj me flatra brenda

           ujit të thyer,

                mes zemërimit të ëndrrës

                     me urrejtjen e zgjimit -

                - ti ecën,

                       edhe pse të trembin.

                      Lutje të bardha.

                    Qiejt t’i vodhën në petale

                   të thërrmuara, si tym vranësie…

                  Ti ecje.

                 Mjaftoheshe me atë ishull,

               ndërtuar vite më parë.

             Ishull i lashtë,

           rrethuar me akuj vetëtimash,

             me gënjeshtra qesharake…

                Vazhdo të rendësh,

                   edhe pse është hidhur.

                      Ti, pikëllimtar

                           në mozaikët e ajrit.


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen