F A Q E T

Freitag, 7. Juni 2013

Rëndësia historike dhe simbolika e kullave

Prof. Ismet Haskaj
Rëndësia historike
dhe simbolika e kullave në Irzniq
Pas shumë shekujve robërie, fryma për liri kombëtare apo Rilindja Kombëtare ndikoi që edhe vendbanimet të shndërrohen në një fortifikatë, si familjare, ashtu edhe kolektive, në trevat e Kosovës. Për ndërtimin e kullave ndikuan shumë faktorë, si natyrorë, fiziko-gjeografikë, historikë etj. Rrethanat shoqërore, politike, ekonomike në periudha të caktuara historike kanë ndikuar që në trevat e Dukagjinit të ndërtohet një stil arkitektonik i veçantë, veçanërisht kullat, të cilat ishin shndërruar në vendbanime, por edhe në fortesa.


Ndërtimi i kullave

Kullat shqiptare nga mesi i shek. XVIII filluan t’i ndërtojnë feudalët vendas dhe fshatarët që ishin më të pasur, ku për ndërtimin e tyre merreshin mjeshtër nga Dibra, e cila periudhë ndërtimi zgjaste dy e më shumë vjet. Se kulla kishte karakter banimi dhe mbrojtjeje, dëshmon ndërtimi i tyre katër-këndor, një teknik ndërtimi kjo e veçanta, ku karakteristik e tyre ishin frëngjitë për pushkë, si dhe mbyllja e derës më shul nga brenda. Fshati Irzniq si vendbanim ishte shumë i hershëm, që nga fillimi i shek. XIII e gjejmë të shënuar në dokumentet historike. Ky fshat gjatë periudhës së luftës mars 1998 - maj 1999, nga barbaria serbe u dogj katër herë dhe pothuajse asnjë kullë dhe shtëpi nuk i shpëtoi zjarrit.


Reforma agrare

Ndërtimi i kullës kishte filluar rreth vitit 1850 dhe Feta Osmani fillon të ndërtojë fortifikatën e stilit Kullë në mes të këtij fshatit. Ndërtimi zgjati dy vjet, ku gjatë vitit të parë u ndërtua baza, përkatësisht ahuri dhe kati mbi, ndërsa vitin e dytë oxhakun. Kështu për shumë vjet kjo kullë do të njihet si kulla e Haxhi Fetës, gjer në vitin 1918 kur Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene ( SKS ) fshatin Irzniq e kishin shndërruar në Komunë dhe pikërisht në këtë kullë e kishin vendosur selinë e tyre, ndërsa familja e Haxhi Fetës ishte vendosur në qytetin e Pejës. Mbretëria SKS-së shpalli reforma agrare me qëllim për të kolonizuar Kosovën, duke marrë tokat e shqiptarëve. Në Komunën e Irzniqit mbretëria SKS mblidhte dyfishin e taksave shtetërore dhe zhvillohej një gjenocid i paparë në këto anë. Por, djali i Haxhi Fetës – Aliu, vendos të kundërshtojë këto padrejtësi dhe vendos të kthehet në kullën e të parëve .
Ali Haxhiu në një mbledhje të udhëheqjes së fshatit, në odën e Avdyl Dautë Çekajt, ishte i vetmi që kundërshton Gaj Dragoviqin, si kryetar i Komunës se Irzniqit, për padrejtësitë që po bëheshin në këto anë. Kjo familje vendos që dy prej tri shtëpive, që i kishin blerë në Pejë, duke u marrë me artizanat, t’i shesë për ta mposhtur Gaj Dragoviqin si kryetar dhe ta largojë nga Kulla e vet, që i ishte uzurpuar.


Gjendje e rëndë

Komuna e Irzniqit kishte nën kontrollin e saj shumë fshatra që ishin kolonizuar nga familje serbo-malazeze që ishin vendosur në: Maznikë 44 familje, Rostovica dhe Preilepi 81 familje, Kodrali 18, Pozhar 8, Lumbardhi 41, Dobriqe 30, Firaja 4, Ratish i Poshtëm 42, Gllogjan 28, Ratish i Epërm 16, Dashinoc 81, Vranoc i Vogël 13, Irzniq 5 dhe në malet e këtij fshati 23 që bënin gjithsej 426 familje, duke vështirësuar gjendjen edhe ashtu të rëndë në fshatrat e kësaj komune. Ali Haxhi Haskaj gjatë periudhës sa ishte kryetar i komunës bëri një luftë të pakompromis kundër kolonizimit serbo–malazez, duke gjetur mbështetjen e bashkëfshatarëve të fshatit dhe familjeve të tyre.
Për të larguar familjen e Ilia Popoviqit Alia Haxhi Haskaj blen shtëpinë e tyre dhe në atë shtëpi vendos Komunën, e cila shtëpi ishte ndërtuar në vitin 1934 për këta kolonë serbo-malazez. Ndërsa Kulla e Haxhi Fetës u shndërrua në kullë të rezistencës shqiptare, duke u njohur si Oda e Ali Haxhisë. Ai kishte lidhje të fortë me familjen Kryeziu nga Gjakova, sidomos me Gani Begun dhe atdhetarin Haki Tahën e familjen e Metë Ali Pozharit si dhe më Ramë Binakun e Dashinocit etj..


Gjenocidi serb

Gjenocidi dhe marrja e tokave nga shteti SKS, Aliun e gjen si prijës të një delegacioni më 17 nëntor 1939 dhe më 15 korrik 1940 në Beograd, ku këmbëngul që tokat shqiptarëve të mos u merren si dhe t’u kthehen ato që ua kishin marrë për kolonët. Ai punoi dhe u përball me inxhinierët që po bënin projektimin e marrjes së tokave të bukës në kodër të Rastovices, duke u prirë fshatarëve kundër tyre, për çka arriti që t’i largojë këta armiq të shqiptarëve pa e realizuar detyrën.
Trimëria e treguar në delegacionin që i kishte prirë rrethit të Pejës dhe Gjakovës dhe ndërprerjen e punimeve të inxhinierëve, mbretëria SKS e shikoi si njeri shumë të rrezikshëm, kështu që alarmohen edhe organet ushtarake për ta vëzhguar lëvizjen e Ali Haxhisë. ( Arkivi Ushtarak i SKS, P11 ). Gjatë qëndrimit të tij si kryetar i komunës në vitet 1930-41, tri herë tentuan që ta vrasin grupet e armatosura serbo-malazeze, duke i kurdisur prita të pabesisë.


Kullat, frymëzim patriotizmi dhe trimërie

Në atentatin e parë Ali Haxhiu, duke u kthyer nga Lluka e Epërme, i shoqëruar nga Avdyl Dauti dhe Qerim Haxha, me të hyrë në fshat, fillojnë të shtënat mbi të, plagoset në dorë dhe humb gishtin tregues pas dyluftimit.
Edhe në pritën e dytë të vendi i quajtur Rrepishtat e fshatit Prejlepit, falë zbulimit të shpejtë të bandës serbo-malazeze nga disa fshatarë të Prejlepit, të cilët menjëherë shkojnë dhe e informojnë për pritën e zënë, Ali Haxhiu i shpëton vdekjes. Përgatitjen për vrasjen e Aliut për të tretën, e bënë serbo-malazeztë e fshatit Glogjan, por falë Idriz Fazli Dervishajt, nga fshati Glogjan, që kishte vërejtur afër gjashtë çetnikë, duke shkuar në shtëpi të Popoviqëve në fshatin Irzniq, që në mëngjes të kryenin atentatin.


Atentatet

Në mesnatë Idriz Fazli Dervishaj kishte ardhur tek familja e Aliut dhe se bashku me shumë fshatarë që nga mëngjesi kishin zhvilluar një luftë, dhe u arrit që të gjashtë çetnikët të arrestohen dhe disa të tjerë edhe të plagosen.
Në të tri rastet Ali Haxhiu ishte njeri me orë dhe i shpëtoi më të keqes. Gjatë vitit 1941 Aliu sëmuret dhe nuk pranon që të vazhdojë postin e kryetarit. Avdyl Qerimi, një atdhetar i madh nga Tropoja, porositi djalin e tij, Rrustemin, që në Irzniq ta takojë Ali Haxhiun dhe posa vjen në kullë të Aliut, Rrustem Qerimi i drejtohet me fjalët: “Sa të qet ky oxhak tym dhe të rrahë fryma juaj, Ali Haxhiu ti do jesh kryetar edhe unë do mundohem të punoj si punove ti”, dhe kështu i lodhur shërbeu deri në vdekje. Ndërroi jetë më 10 maj 1942, duke lënë porosi që të bashkuar të luftojmë për lirinë kombëtare. Atdhetari nga Tropoja, Rrustem A. Qerimi, ishte emëruar kryetar në Irzniq edhe pas vdekjes së Aliut, ndërsa në vitin 1944 u vra nga partizanët si antikomunist.


Ndërtimi kullave

Në kullën e Ali Haxhiut përgatiten planet për ta djegur Malin e Zi. Asllan Boletini niset së bashku me shumë trima, në mesin e tyre edhe Isuf Haxhiu (i vëllai i Aliut) për të marrë gjakun e atdhetarit të pazëvendësuar shqiptar, Isa Boletinit. Kjo kullë do të qëndroj gjer në vitin 1998, kur piromanët serbë iu vunë zjarrin dhe thuajse u shkatërrua tërësisht.
Afërsisht në të njëjtën kohë fillon të ndërtohet edhe kulla e mulla Met Çekajt, e cila mund të konsiderohet si një nga kullat më të mëdha në Kosovë, ngase kishte një gjatësi prej 21 metrash dhe gjerësi 11 metra. Mulla Meta ishte një dijetar islam shumë i njohur në këto anë dhe si rezultat i dijes dhe miqësisë që kishte, vendosi të ndërtojë kullën trekatëshe në një afat prej tre vjetësh. Familja e Avdyl Daut Çekajt, që ishte një familje e madhe gjatë historisë, tregojë trimëri, u nda në dysh, një pjesë e familjes në Qyshk të Pejës dhe tjetra në Irzniq. Mjafton të përmendim gjeneralmajorin, dëshmorin e kombit, Skënder Çekaj, Maxhun Çekaj- komandant i fshatit në luftën e fundit, që ra dëshmor më 11 gusht 1998.


Gjurmë në histori

Pas vitit 1865 fillojnë të ndërtohen edhe kulla të tjera, si ajo e Zymer Fetë Berishës, që në luftën e fundit dha dëshmorin e kombit, Agim A. Berisha. Ndërsa Avdulla Efendi Çekaj, pasi që kishte mbajtur poste të larta në Perandorinë Osmane, kur ishte edhe këshilltar i sulltan Hamidit, vendosi që t’i lërë të gjitha në Stamboll dhe të kontribuojë për çështjen kombëtare. Avdulla Efendija kishte ndërtuar kullën e vet që ishte shndërruar në vatër të dijes për fshatin dhe për Komunën e Irzniqit. Në ditën e “Besës Shqiptare” te Verrat e Llukës, më 1910, ndërroi jetë ky dijetar i kohës, që më vonë kjo kullë do njihet si kulla e Mehmet Hajdarit.
Familja e madhe Çekaj ndërtoi edhe kullat e tjera, si ajo e Sylë Seferit, Ibër Islamit, Cufë Ramës etj. Edhe familja Daci kishte ndërtuar kullën, (përmendet kulla e Asllan Dacit), e që më vonë kishte shkuar në Gjakovë, si dhe atdhetarin Cenë Dacin, i cili u masakrua nga çetniket serbë në vitin 1945. Në Irzniq kullë kishte ndërtuar edhe Beqë Musa Krasniqi, që më vonë marrin mbiemrin Dervishaj.


Edukim brezash

Familja e Ahmet Dautit-Zejnaj po ashtu ishte një familje e madhe që la gjurmë në historinë tonë më të re, sidomos në luftën e fundit me djem trima dhe guximtarë. Në periferi të fshatit, në Kodër të Dodës, gjendet kulla e Avdulla Dodës, po ashtu një familje trime, që edhe në luftën e fundit u dëshmuan, pasi që aty u ndërtua spitali ushtarak i UÇK-së.
Ky historik i shkurtër i kullave të fshatit Irzniq dëshmon rëndësinë që ato kanë pasur në edukimin e brezave me radhë, dhe se këto oda frymëzuan patriotizëm dhe trimëri duke lënë gjurmë në histori. Riaktualizuam këtë çështje, për t’u bërë thirrje institucioneve shtetërore që ato pak mure të mbetura të kullave shqiptare t’i mbrojnë dhe t’u ofrojnë ndihmë trashëgimtarëve të tyre, si në fshatin Irzniq, duke i restauruar, për të mos u zhdukur gjurmët e tyre, ngase kanë vlera të pazëvendësueshme në historinë tonë kombëtare dhe shtetërore.

Burimi: "Bota sot", 8-9.06.2009 (Online)

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen