F A Q E T

Samstag, 8. Juni 2013

Shaban Polluzha

Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu ka marrë vendim që ta dekorojë me Urdhrin "Hero i Kosovës" luftëtarin e shquar Shaban Polluzha, për kontributin e dhënë dhe trimërinë e treguar në luftën çlirimtare për lirinë e Kosovës gjatë viteve ‘40 të shekullit të kaluar.Ky Urdhër u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës të kohëve moderne nga Lidhja e Prizrenit e këndej, si dhe qytetarëve të Kosovës që kanë bërë vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë, kurse medalja me Urdhrin "Hero i Kosovës" do t’u dorëzohet familjarëve të Shaban Polluzhës në një ceremoni të veçantë, bëhet e ditur në një njoftim të Presidencës. /Telegrafi/ 19.02.2009


Shaban Polluzha lindi më 1871 në fshatin Godanc të Drenicës. Rrjedh prej një familjeje të varfër, e cila mezi siguronte kafshatën e gojës. I ati i tij ishte shpërngulur përkohësisht nga Polluzha në Godanc, ngase kishte marrë më shumë sipërfaqe toke nga bregu i atij rajoni. Familja e tij sërish kthehet në tokën e mëparshme në Polluzhë. Shabani qysh si fëmijë ishte kacafytur me problemet e luftës për ekzistencë. Në këtë kohë sheh format e vrazhda të eksploatimit të fshatarësisë në Drenicë nga sundimi turk, e më vonë edhe nga ai serb, bullgar e austrohungarez, dhe sërish nga ai serb. Si i ri, shpeshëherë kishte rënë në konflikt me njerëzit e pushtetit. Duke provuar këmbënguljen e tij në mbrojtjen e interesave të fshatarësisë, rrethi i Polluzhës në kohën e pushtimit bullgar, e zgjedh përfaqësues të vetin (çaush).
Polluzha aso kohe gjendej në vijën kufitare të pushtimit austrohungarez. Shaban Polluzha nuk mbante mbikqyerjen vetëm në zonën pushtuese bullgare, por shpeshherë dilte edhe në anën austrohungareze për të parë se si jetonte populli në atë pjesë. Përderisa pushtuesit bullgarë bënin zullum të madh në pjesën e vet mbi fshatarë, në anën tjetër pushtuesi austrohungarez ishte më i matur dhe mundohej të përfitojë sa më shumë popullatën vendase, duke përfillur deri diku të drejtat kombëtare, dhe duke hapur shkolla në gjuhën shqipe.
Kur Kosova pushtohet sërish nga Serbia, Shaban Polluzha ngre zërin kundër këtij regjimi. Për rezistencë që i bën, ai burgoset në Skenderaj dhe Mitrovicë.
Në vitet 1920 bie në kontakt me Azem Bejtën. Për disa çështje kishin pikëpamje të kundërta. Më në fund merren vesh për veprim të mëtejmë. Shaban Polluzha në këtë periudhë ishte zgjedhur kryetar komune në Polac.
Në Luftën e Dytë Botërore, në kohën e pushtimit italian, burgoset me gjithë familje në kullën e Sheremetit në Pejë më 1941. Merr pjesë në mbrojtjen e kufirit në Rozhajë, e pastaj me brigadën e tij shkon në Jeni – Pazar për t’i mbrojtur myslimanët e asaj ane nga çetnikët, që nëatë kohë bënin reprezalje të mëdha, duke i vrarë dhe duke u djekur tërë pasurinë. Atje qëndron një kohë përderisa i zmbrap forcat çetnike dhe me luftëtarët e vetë kthehet në Drenicë. Nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, angazhohet në anën partizane, por nuk u pajtua me vrasjet që i bënin brigadat serbe e malazeze dhe OZN-ja në Drenicë, prandaj nis luftën kundër tyre.
Tribuni i popullit, Shaban Polluzha, në të gjitha etapat e jetës së tij u angazhua për mirëqenien e popullit shqiptar, duke mos kursyer asgjë për të, madje as jetën, as familjen e as truallin dhe kullat. Ideali i tij për pavarsin kishte zënë vend në shtatin etij qysh në moshën e re. Për këtë ideal, më vonë do ta japë jetën.
Gjatë rezistencës që i bëri ushtrisë jugosllave në Drenicës e në Shalë të Bajgorës, u dëshmua si prijës tribun. Në këtë periudhë Shaban Polluzha barte flamurin kombëtar, me të cilin mbështillte plisin e bardhë. Pra, në të njejtën kohë flamurin dhe plisin – plisin mbështjellë me flamur! Në kujtimet e veta Tahir Topilla thotë se Shaban Polluzha, asnjëherë nuk doli pa flamur, sepse për të luftonte dhe për të ishte i lidhur gjatë tërë jetës. Me të u vra dhe për të dha jetën!
Shtabi i Shaban Polluzhës, ishte i vendosur në Rezallë, në kullë të Zymber e Hajzer Malajt. Ky shtab, në këtë vend strategjik, qëndroi afro një muaj. Nga kjo qendër bëhej strategjia dhe kontrollohej një pjesë e territorit të Drenicës përëndimore.
Shtabin e përbënin: Shaban Polluzha (komandant), Miftar Bajraktari, Sadik Lutani, Ukë Sadiku, Qazim Bajraktari dhe Rifat Maloku. Sali Xhinovc, ishte sekretar i Shaban Polluzhës, i cili me mjaftë gjeturi e kryen këtë detyrë deri në përfundim të luftës së Drenicës. Në përbërjen e shtabit ishin edhe: Hazir Xhaka i Oshlanit, Mulla Iljasi i Brojës, Feriz Boja i Kërnicës, Rexhep Gjeli i Likoshanit, Hamzë Istogu i Polluzhës. Në Rezallë shatabit i bashkohet edhe Jusuf Giliani, i cili vjen këtu pasi likuidon shtabin partizan në Prekaz. Në kreun e shtabit vjen edhe Mehmet Gradica. Korier ishte Nuhi Bradashi i Llapit, për të cilin kanë ditur vetëm komandanti dhe sekretari.
Në lagjen e Malajve të Rezallës, ku rrinte Shaban Polluzha, brenda ditës ushqeheshin me bukë me qindra njerëz të brigadës.
Në Rezallë, në lagjen e Malajve është ruajtur në tërësi kulla, ku ishte vendosur shtabi; dhe shumë gjëra të kësaj periudhe janë ruajtur me përkushtim. Në odë është ruajtur si kujtim edhe sixhadeja në të cilën ulej Shaban Polluzha.



PËRGATITJA E ATENTATIT KUNDËR SHABAN POLLUZHËS


Në fund të vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945, në Skenderaj e Gllogovc formohen komandat vendit dhe në to vendosën njerëzit që mendojnë se mund të jepnin kontribut në konsulidimin e pushtetit të ri komunist. Në komandën e vendit, të Skenderajit, asokohe vendosen Riza Voca, Vllado Kërstiq dhe Hysen Thaqi. Nëpër qendra të mëdha fshatare formohen edhe komunat. Në Polac kryetar i komunës emërohet Mulla Brahimi e kështu emërohen edhe kryetarët në qendrat tjera. Në këtë kohë, Shaban Polluzha me brigadën e vetë të posaformuar kishte shkuar në Sërbicë me qëllim që t’u bënte me dije autoriteteve në pushtet se duhej të kishin kujdes për sjelljet e tyre me fshatarët e Drenicës. Posa arrin në këtë qender, Shaban Polluzha hyn në komandë dhe takohet me udhëheqjen e saj. Menjëherë pas Shabanit hyn edhe Mulla Brahimi i Polacit dhe i drejtohet Riza Vocës me këto fjalë: “Qysh bën, unë si kryetar të mos di për arrestimin e njerëzve të mi, për burgosjen e Osman Xanit dhe të dy bashkëfshatarëve të tij”?. Në skenë del Vllado Kërstiq, i cili imamit të Polacit i thotë se nese i kanë duart të përlyera me gjak, do të marrin edhe të tjerë dhe nuk do t’i kthejmë më e nese jo, atëherë do t’i lirojmë. Ndërkohë që foli Kërstiqi, Shaban Polluzha kishte dal jashtë zyrës dhe në momentin kur u kthye i dëgjoi vetëm fjalët e fundit “duart me gjak” dhe menjëherë reagoi duke e pyetur atë se kush kërkon këtu gjak dhe me nervozizëm i thotë atij se kush ishte. Ç’ është e vërteta, Shabani nuk e njihte fare Vlladën dhe gjatë bisedës me të, nuk mund të hetohej se nuk ishte shqiptar ngase fliste mjaft mirë shqip. Ky i thotë se quhej Vllado Kërstiq dhe me të hetuar se ky ishte malazez, i drejtohet:”Ti po kërkon gjak, apo jo?”. Vllado mbeti i hutuar dhe papritur fare Shaban Polluzha nxjerr revolen për ta vrarë, por urgjentisht reagojnë Riza Voca, Hysen Thaqi, Iljaz Cini, Imami i Polacit dhe unë, tregon Shaban Aruqi i Rezallës, që ishte korrier në komandën e vendit. Vllado Kërstiçi, nga frika hyri nën tavolinë, ndërkaq ne e kapëm Shaban Polluzhën për ta qetësuar dhe mezi e bindëm të dilte jashtë. Më kujtohet, thot Shaban Aruqi, kur thekësoi këto fjalë: “Nuk do të lejojë çdo kënd të sundojë në Drenicë”. Mori brigadën dhe u nis, si më duket, në drejtim të Mitrovicës.
Sipas disa njoftimeve që kisha si korrier në këtë qendër, - tregon Shabani, - në Mitrovicë përgatitej atentati kundër Shaban Polluzhës. Menjëherë Vllado Kërstiq bën me dije autoritetet e Mitrovicës për vërsuljen që i kishte bërë Shabani.
Duke theksuar se gjatë asaj periudhe Shaban Polluzha gjithëherë është ruajtur dhe përcjellë mirë nga njerëzit e brigadës së vet dhe mu për këtë, si thotë Shaban Aruqi, nuk ka mundur të realizohet atentati i përgatitur në Mitrovicë.
Ky fakt është bindës, sepse Shaban Polluzha, posa kuptoi qëllimet e tyre, filloi të ngrinte zërin për t’iu kundërvën më vonë edhe me luftë të organizuar.


SI U VRA SHABAN POLLUZHA

Prej Bezheniqit shkojmë te Dvoranët e Tërstenikut dhe vendosemi në tri kulla. Të nesërmen në mëngjez, me 17.02.1945, rrethohemi nga të gjitha anët prej shumë brigadave e divizioneve ushtarake, që ato ditë ishin përqëndruar në Drenicë. Luftuam prej mëngjezit e deri në ora 15. Meqenëse ishim në kulla, sado që kishin forca të mëdha ushtarake, aa nuk mund të na afroheshin. Diku rreth orës 16, kanë mbërrijtur topat, me të cilët fillojnë të na gjujnë. Gjalet e topit – thotë Ramadan Polluzha, rrëzuan një pjesë të kullës, ku isha unë. Kur erdhi mbrëmja, shkova në kullën, ku ishte babai me Mehmet Gradicën. Shaban Polluzha plagoset nga trarët e kullës së rrëzuar, kurse Mehmet Gradicës i kishte rënë gjylja e topit në këmbë. Nëpër terr e kemi shpërthyer rrethimin. Babain e qita në kalë. Kur dolëm në rrugën kryesore, në drejtim të Gllogovcit, atë e mori një plum i kobshëm në gjoks dhe, pa hyrë në Gllobar, Shaban Polluzha vdes. Së bashku me Ali Ahmetin dhe Sejdi Mehollin vendosëm që kufomën e babait ta qojmë në pusin e thellë të lumit Drenica, në afërsi të tunelit të Poklekut. Aty thyem akullin dhe lëshuam kufomën.

Nga FORUMISHQIPTAR

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen