F A Q E T

Mittwoch, 5. Juni 2013

Shaip Beqiri

Shaip Beqiri

Shaip Beqiri ka lindur në vitin 1954 në Kosovë. Prej vitit 1973 deri më 1979 ka studiuar në Universitetin e Prishtinës, ku pastaj i ka ndjekur edhe studimet pasuniversitare. Paralelisht me studimet ka punuar mësimdhënës, redaktor i kulturës, publicist dhe poet. Në vitin 1976 ka botuar librin e tij të parë. Në fillim ka punuar një kohë të shkurtë mësimdhënës në Gjimnazin e Besianës; pastaj në vjetët 1976 - 1977 ka qenë redaktor i rubrikës së kulturës i gazetës së studentëve të Kosovës Bota e re; në vjetët 1977 - 1993 poashtu redaktor i rubrikës së kulturës i revistës Zëri; në vjetët 1990 - 1995 bashkëpunëtor i ndërmarrjes botuese Buzuku; në vjetët 1990 - 1992 anëtar i redaksisë së të përkohshmes për kulturë, art e letërsi Fjala; ndërkaq në vjetët 1993 - 1994 e ka themeluar dhe udhëhequr (bashkë me Adem Demaçin) të përjavshmen politike Forumi dhe më 1995 të përjavshmen tjetër Zeniti. Për aktivitetet kulturore dhe publicistike është dënuar dy herë me burg nga regjimi serb. Në vitin 1995 ka ardhur në Zvicër ku ka kërkuar azil politik. Prej atëherë jeton në Bern. Në fillim ka bashkëpunuar me disa gazeta e revista shqipe të diasporës, pastaj ka mbajtur kurse të gjuhës shqipe për gjermanofonët dhe u ka dhënë mësim fëmijëve të refugjatëve shqiptarë. Është paraqitur në manifestimin qendror letrar zviceran Ditët e Letësisë në Solothurn (1997) dhe ka qenë i ftuar në Panairin e Librit në Frankfurt për të prezentuar Letërsinë e Pestë të Zvicrës (1998) etj. Prej vitit 1976 është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, kurse prej vitit 1998 është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Zvicrës.

Ka botuar librat themelorë të poezisë: 

  • Fontana e etjeve, Rilindja, 1976, Prishtinë; Konica, 2006², Prishtinë, 
  • Flatrat e gjymta, Rilindja, 1983, Prishtinë; Konica, 2016², Prishtinë 
  • Eklipsi i gjakut, Pashku, 2000, Prishtinë; Konica, 2017², Prishtinë
  • Muranat e muzgut, Konica, 2015, Prishtinë;
  • Uragani i zhurit, Konica, 2018, Prishtinë;


Librat e zgjedhur të poezisë:

  • Rekuiem për veten, Buzuku, 1997, Prishtinë,
  • Prangat e praruara, Toena, 1998, Tiranë,
  • Hinoret e njëjta, Konica, 2016, Prishtinë,


Librat e përkthyer të poezisë:

  • Izmedju dva ponora / Ndërmjet dy humnerave, Jedinstvo, 1988, Prishtinë, përkthyer serbisht nga Ramadan Musliu,
  • Hydra des Zorns / Hidra e mllefit, Limmat, 2014, Zürich, zgjedhur e përkthyer gjermanisht nga Hans-Joachim Lanksch.


Poezi nga Shaip BEQIRI


TRIPTIK PËR ATDHEUN


SHQIPËRIA

Të ranë dhëmbët
Dhe nofullat të ranë
Veten duke ngrënë

Mes dy dhembjeve të mia
Çeli trëndafili yt i zi

Tash nga çdo anë e horizontit 
Më afrohet i njëjti diell përvëlues
Duke u fundosur hurdhave të tua  

U bëre ishull brenda vetes 
Të ribëhesh duke u zhbërë gjithnjë

Mbete me varrin tënd ngarkuar
Të presësh ditën që vjen 
Të bëhet syri yt i madh
Në ballin e kohës sime

Historinë ta shkruan kopilët 
E udha t`u mbyll në hanxharë

Do të ribëhesh përgjithmonë e tërë
Përfundi palës së qiejve të tu bubullues
Prej krahëthyerave ujvara gjunjpërgjakura
Me ritmin e këputur të rrëkeve të mllefit tënd



ÇAMËRIA 

Ajo ë midis emrit tënd
Si syri me thikën ngulur
Si lulja me gjarprin rrotull
Si gjëma që djeg mishin të gjallë
Dhe gjakun që mpikset ngadalë

Çdo plagë e hapur
Zinë tënde ka brenda 
Dhe ankthin tim breg

Ç`thonë bubullimat e tua
Që kurmin ta shkallmuan

Ëndërr në çengel stuhish

Ç`udhë të dëftuan vetëtimat
Tokë e kruspulluar në vete

Sa gjatë të lamë
Sa thellë të çanë
Oh përse të qamë

Ti mbajte frymën mbi vala
Kur vetulla urash të ranë
Ndër humnera të gjalla 
Dhe skundra të preu ballin
Atlantidë e re shqiptare 

Prapa flatrave të tua
Ndër re e mjegulla të mpira
Çel dita ime me bebëza të ngrira

Zemra t`u bë herbarium baladash



KOSOVA

K është skeleti i një balade
Mbetur në fytyrën e brendshme
Të dheut të thërrmuar në bebëza 
Të atij që vdes sërish për ty
Dhe i mbetet një jetë e pasosur      

O është dielli nga i cili kam hequr
Vetëm pjesën time të thyeshme
Me e përdorur pa kurrfarë nevoje
Në vend të zemrës sate  

S i ngjan gjarprit tënd të zi 
Që zgjatet nëpër jetën time 
Ndër hije degash e ëndrrash    

O një tjetër diell i fshehur
Në retë e mjegullat e tua
Apo zemra ime e verbuar
Në plagën tënde të gjallë

V jep profilin e një lugine
Në zgrip humbellash pa fund 
Ku vetë e nëntëdhjetenënta
Nata të pret prore në pusi  

A janë gjymtyrat e thyera 
Gozhduar për kurmin tënd 
Kur desha me të përqafuar 
Midis mija klithmave të tua
Në grahmën time të këngës 




TRIPTIK PËR BIJAT E MIA

NINULLA E GURTË

Bijës sime, Albulenës

Me vajin tënd të parë
Perden e mbramë do të grisësh

Ti do të vish patjetër
Çdo gjë të madhe të prekësh
Me dorën tënde tepër të vogël

Përrallën dëgjoje deri në fund
Pasi të mbyllësh grigjën në vathë

Do të vish patjetër ti
Të korrësh fushën që të mbolli
Pas të pesëqindenjëzetekatërtës verë

Çdo fjale të moçme mos i beso
Para se t`ia tëharrësh barin e keq
Dhe rrënjën në diell t`ia qesësh

Këtë lojë të mrekullueshme
Së shpejti do ta mësosh ngadalë

Se sall toka s`shkelet s`të mban
Pse gdhin e ngryset e rrallë vetëtin
Se kur të përkund nëna s`të tremb ëndrra

Do të vish patjetër ti
Të lidhësh plagën që kullon
Ndërmjet ashtit tim e hapit tënd
Pas të pesëqindenjëzetekatërtës verë

Përrallën asnjëherë mos e harro
Pse rriten thonjtë kur dalin dhëmbët

Ti do të vish patjetër
Të luash symbyllas në jetë
Po asgjë të mos thuash përmendsh

Në këtë lojë pa fund askush s`fiton
Besomë

Prishtinë, 18 Korrik 1981




MURANA


Bijës sime, Rozafës

Më jepet nganjëherë
Rraqet e mia t`i nxjerr
Në pikë të natës
Përjashta

Disa i vërvis shkallareve rrethore
Dhe ndalen tek rrënojat e ndonjë shekulli të harruar
Të tjerat përplasen në fund të ndonjë përroi
Të cilit gurgullima kaherë i është shndërruar në gur

Ndonjërën e vë me kujdes
Rrëzë tempullit të rrëzuar dje
Në sheshin ku ende s`është tretur buçima

Të gjitha ngrysen nën hije statujash
Dhe gdhijnë të mveshura nga bryma

Vetëm njërën e bart me vete
Edhe kur e zhvesh këmishën e lëkurën
Ajo do të gjëllijë në mua edhe pasi të më ndalet fryma

Ndonjëherë më jepet
Të kthehem nën strehën time të parë
Të shoh të mbramin muzg duke rënë
Sipër muranës ku çdo gjë timen kam vënë

Herzogenbuchsee, 26 Maj 1998



PURPURI I KALTËRUAR
Bijës sime, Lurës

U rrëkëllyen njëra pas tjetrës
Të shtatë palat e qiellit të dehur
Duke rrëshqitur grykave të veta
Dhe u ngrydhën t`i mbajnë yjtë
Në prehër të stuhisë së vdekur

Dora e ç’piktori të krisur
Përshkëlliu këto porta muzgu
Me ngjyra të pangjashme

Një selvi e plagosur
Me gjuhë flake në majë
Shkruan emrin tënd
Ndërmjet dy vetëtimave
Që shuhen në njëra tjetrën
Ndër zgavra të zhymta

U ngrys në çdo anë
Po terri kurrë nuk ra

Shkëlqimi hyjnor u derdh
Honit pa fund të qiellit
Ku u ngjitën së sodituri
Vetëm sytë e çakërritur
Pas flatrave të një shpirti
Që hijen la mbi dhe

Ai vjen përsëri gëluaras nëpër kohë
Duke mbledhur purpurin e kaltëruar
Të valles së pakëputur të yjve

Në çastin kur kotet ndonjëri sy
Zgjohet prej fundit të vet
Liqeni i fshehur me shekuj në mua
Dhe bëhet katarakt i hutuar
Brenda të cilit trupëzohesh ti

Mirditë, 7 Kallnor 2005



TETRAPTIK PËR MIQTË

KTHETRA MESNATE
            
              Beqir Musliut

Ndodh e humbim në këtë fushë lulëkuqesh
Që e kemi në fytyrat tona kur rigon vaji
Për ata që s`u kthyen në këngë as në varr

Dalim në breg të kohës dhe presim të agojë
Pas nesh vjen mesnata e therur pa magji

Ecim fshehtas gjurmave tona të gurëzuara
Pa i përmendur pranverat që nuk përsëriten
Në ballin tënd as në bregun që ëndërruam

Prapa çdo muri na pret një kafkë e bleruar
Harruar larg muranës pa emrin e vet të ri

A mund t`i zhveshim shpatat e përgjakura
E t`i ngulim në bebëzat gurore që përgjojnë
Nga kulisat e hijesuara të mesnatës së dehur

Mund t`i zhveshim shpatat po të flemë kurrë

Ç`muze do të mbeten zemrat tona të gjalla 
Që shkundin psherëtimën si pluhur ashtëror
Nëse balsamohemi gjunjëzuaras para vetvetes

Vallë si të kthehemi në atë kremte të kaltër
E të hyjmë përsëri në lëkurën e njëri tjetrit

Diku na presin hijet tona të gozhduara
Duke kërkuar amforën e gjakut që rrodhi
Përpjetë këtij muri si faqe rrene të vërtetë

Nëse heshtjen e bëjmë të flasë si historia 
Ç`do të thotë për arin e vet të ndryshkur
  
Ndodh e ngjallemi për fjalën që s`e thamë
   
Deçan, Gusht 1976



DYTËSHORI

Anton Pashkut

Nga e njëjta gurrë
Pimë ujin e shkumëzuar
Në pëllëmbat e njëri tjetrit

Rrëzë një rrapi shekullor
Cigaren e mbramë mbështollëm

Ende pa rënë terri
Kurthat i vumë në çdo anë

Flenim me radhë
Duke gërhitur thellë
Me gurmazin tonë të vetëm

Mish i gjallë
Dilnim nga lëkurat tona
Dhe ndryheshim në një kullë

Shtatë shekuj pasi zbardhi drita
Për të parën herë u ndamë 

Unë u ngjita shuloreve
Pas bishtit të një dhelpre
Ti rrjedhjen e përroit ndoqe

Diku larg ra tërmeti

Kodrat u bënë fusha 
Fushat në qiell vallëzonin 
E ne të njëjtën dhelpër vramë

Në të njëjtën gurrë
Fytyrën tonë të vetme 
Me duar të gjymta lamë

Prizren, 1978



PËRSHKRIMI I ANKTHIT

Teki Dërvishit  

Unë kur të dua të vras përsëri 
Në vend të gjarprit të këngës
Se jeta jote qenka një cirk i madh

Aty nis fjala dhe mbaron loja

Ti nuk di kurrgjë për veten
Biografinë të tjerët ta lexojnë
Në vija duarsh në rrudha balli

Nuk di as për shkretëtirat 
Që kaptove në jetën e tjetërkujt

Ato nuk i përndrit sall hëna e mekur
Që e fshehe diku thellë në një varg
Kur deshën me të shqyer qenët me zgjebe

Po jeta ç'është jeta o palaço

Teatër ku secili vë maskën e huaj
Ku vritesh për kushedi të satën herë

Ti ec tejpërtej oqeanit të trazuar
Nëpër perin kaherë të këputur
Nyjave ku lidhet e pazgjidhura

Tevona vijnë kritikët xhuxhmaxhuxhë
Duke i vënë shenjën çdo libri pa emër
Që vdes para se të shkruhet  

Shajnë artin e shpifur dekadent
Që jeton përtej epokave të arta

E kur bota kthehet përsëri në një gur
Të cilin nuk mund ta thyejë heshtja 
As ta mveshë lëkura jote e rrjepur
Ti mbyll kafazin dhe kërkon zarin 

Po murana e gjakut mbetet gjithnjë
E fjalës së mbramë që nuk thuhet
Në çastin kur mishi bie përdhe

Prishtinë, 1984




ORTEKU QË NGJITET

Ymer Shkrelit

Perde mjegulle qepur me re
Shkëmbinj që përenden tutje
Hamendas drejt humbellash 

Një skenë që rrotullohet
Boshtit të thyer të kurrizit 

Ti mban në gishtin dëftues
Sferën e madhe të ëndrrave
Të mbështetur në një pikë
Unë të voglën e nënujshme
Si një gjyç që më mbërthen
 
Ditën e ngrys e njëjta dramë
Me heronj qyqarë të ndërkryer  

Veç e vërteta u vërtitka vetë
Kur shkulmon mishin e gjakun
E orteku ngjitet duke u zvogëluar


Engelberg, 22 qershor 1997

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen