F A Q E T

Montag, 1. Juli 2013

Albina Idrizi

Albina Idrizi e lindur në vitin 1966 në Tërnoc (Lugina e Preshevës) prej ku si fëmijë shpërngulet në Gjilan ku kryen shkollimin fillor dhe ate të mesëm. Fakultetin Filologjik, drejtimin Letërsi dhe Gjuhë Shqipe përfundon në Universitetin e Prishtinës.
Prozën e parë e boton si nxënëse e shkollës fillore më 1980 në revistën për fëmijë ‘Pionieri’ nga ku, përmes shkrimeve në vazhdim poezi e prozë, përfshihet në pe...riodikun e kohës deri më 1997 kur boton përmbledhjen e parë me poezi për të rritur ‘Heshtje e mbarsur’ në botim të RILINDJES.Në nëntor të vitit 2007 boton përmbledhjen për fëmijë ‘Ëndrra me ylberë’. Në prill të vitit 2009 boton romanin ‘Hijet e kullave’.I mirëpritur nga lexuesit dhe kritika si ‘një ndër librat që bëjnë historinë’ (Mihail Antonesku),romani përkthehet në gjuhën rumune pot ë njejtin vit në Bukuresht në bashkëpunim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumunisë ALBANESUL.
Në të njetin vit përzgjidhet t’I bashkohet poetëve shqiptarë nga të gjitha viset në antologjinë poetike dygjuhëshe, shqipe dhe rumune, ‘Templul Cuvantului’ (‘Tempulli i fjalës’).
Në prill të vitit 2010 del nga shtypi përmbledhja me poezi për të rritur ‘Dashuruar në diell’.
Në Gembloux, qytetin muzeal në periferi të Brukselit në Belgjikë, në majin e vitit 2010, në Sallonin e 40 jubilar nderohet me medaljen e argjentë për poezi nga Akademia Europiane e Arteve.
Ndërkaq, nga Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve PEGASI Albania, nderohet me Çmimin Special për romanin ‘Hijet e kullave’.
Në dhjetor të viti 2010, nga drejtorati për Rini, Kulturë dhe Sport i qytetit të Gjilanit , nderohet me mirënjohje për artin letrar.
Po këtë muaj, dhjetor 2010, në kuadër të manifestimit VJESHTA LETRARE E GJILANIT, nderohet me mbrëmjen përkushtuese letrare të krijimtarisë në përgjithsi ku marrin pjesë dhe proklamojnë emra të njohur të letërsisë shqiptare.
Këtë vit, 2011, poezitë e kësaj autoreje përfshihen edhe në antologjinë e poetëve botëror ‘Antologija da associacao internacional poetas del mundo I, II’.
Më 2011, nën përgaditjen dhe kujdesin e LNPSHA ‘PEGASI’ i botohet përbledhja me poezi në katër gjuhë: shqip, anglisht, greqisht dhe italisht ‘Orbita e fjalës’.
Në të njejtën kohë, 2011, me financimin e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte të republikës së Kosovës, del nga shtypi përmbledhja me tregime ‘Pergamenë e gjallë’.
Është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Akademisë Europiane të Arteve, Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve ‘ PEGASI’ Albania, dhe nënkryetare e e ARS Clubit ‘Beqir Musliu’ në Gjilan.
 
 
Poezi nga Albina Idrizi

MOMENT

Në pjatë kohe servir veten
Zbukuruar në dekorin e kopshteve
Që ushqeva me lëkurën time
Krojeve që në djersën time shuan etje
Fjalë, buzëqeshje, prekje,...
Çastet ngopen e rriten sakaq
Në ditë, javë, muaj, vite,...
Përbindësh me barqe zerosh
Të pambaruara
Ndërkohë që unë i këndoj
Vetes nën zë
Ninulën e të vdekurit bukur
Pa e kuptuar
Nga e kisha mësuar.



KUJTIM
( Tim eti )

Në pllakën e mermertë
Të varrit tënd
Sot u pashë si në pasqyrë
Unë, grua e martuar
Gëlltitëse pasthirrmash
Që klithin nga trupi, nga sytë
Nënë e duruar
Që me qindra herë
Përplaset, rrëzohet e ngrihet
Në dy fëmijë.
Por jo! Në gurin e akullt
Kujtimesh të dërsirë
U duk ajo -
Vogëlushja me piptha
Në flokët e zi
Ulur në prehërin tënd
Si atëherë kur i mësoje
Infinitin në dashuri.



UNË TË DUA

O qenie e brishtë
Prej njeriu
Që aq ëmbël di t'u hidhërohesh
Gjërave të vogla, të imta të jetës
Kur bijnë mbi ëndrrat tua
Si guralecë rrëshqitës
Shkëmbinjve të lartë
Të cilët nuk kapen dot
Nga shikimi yt
Dhe shpeshherë i trembur
Godet në vend të përqafimit
Kafshon në vend të puthjes
E ik, ik diku larg vetes
Strukur në një fytyrë tjetër
Me ehun e piskamës
Më të lashtë se sanskrishtja
Që të tradhëton nga pas
Unë ,,,gjithsesi, të dua!



DASHURISË

Në kërkim tëndin
Prekim gjithçka
Më parë se ty
Përplasemi, lëndohemi
Si në errësirë
Kur kërkojmë dritë
Ndaj, më duaj
Dhe të verbër, o shpirt
Në mos, ma hiq
Imazhin tënd nga sytë
Dhe flake tutje, tutje
Andej nga nuk kaloj përditë.



ĒNDRRA

I dashur, çfarē pa ëndërr
Kur mbrëmë qeshe në gjumë
Lojën që bënim si fëmijë
Puthjen e parë
Apo vallëzimin e çmendur në shi
E di, ka akoma
Ma thuaj, cilado të jetë
Çfarë pa ashtu ëndërr
Kur mbrëmë aq ëmbël
Qeshe në gjumë
Veç mos thuaj, të lutem
mos thuaj kurrë -
Se nuk isha unë.



VJESHTA

Dhe ja ku u takuan
Dhimbjet tona përsëri
Një grua dhe një vjeshtë
Mbuluar me petkun e pjekurisë
Tuat gjëmime struk thellë
Mes ofshamave të mia në gji
E shiut ia kthej fytyrën
Pa dashur t'ia di
Cilat nga pikat që lagin mallin tim
Pikëllimin e kuqërremtë në ty
Janë lotët e mij.



THIRR JE NGA BRENDAE


kotë të shtiresh
Pjesë e një alegroje të kohës
Kur përbrenda gjithmonë të fton
Një harfë Orfeu
Me miliona vjet drite rrugë:
Eja
Vetëm poetët kanë
Të drejtën e zhbirimit
Nëpër tejbotë
Atje, ku arkeologjia e fjalës
Është aq afër Zotit
Vetëm ata munden
Të flasin me yjet, bimët, shtazët
Të fluturojnë qiellit pa krahë
Të kalojnë detra pa u lagur
Të zbërthejnë enigma perandorësh
Të këmbejnë mrekulli profetësh
Të dëgjojnë për çdo natë
Rrëfimet e Sheherzades
E t' i përvidhen Kreontit
Sa herë duan të kalojnë matanë
Pastaj prapë, si asgjë
Të kthehen po aty ku janë
Eja
E kotë të shtiresh
Kur përbrenda një pastoraleje shpirti
Ngarkuar me trastën e absurdit mbi shpinë
Gjithmonë ndjek një zë
Pas të cilit, si në përrallë
Mbeten thërrmijat e misterit-
Cila nga ne është vërtetë gjallë?!



PRANVERA ËSHTË GRUA

E ndjen
Gjakun si lëvrin
Damarëve të tokës
Kur shpupurish ëndrrat
Kujtimeve rrënjë
Për flladin që puth gjethet
Për shiun që lan petalet
Për rrezet që ngjyrosin shikimin
Dhe gjithçka ngjanë
E ngrohtë
E ëmbël
Për të qenë e dashur
Mos u çudit, o Diell
Nëse prapë e sheh duke qeshur
Sikur të mos kishte qarë kurrë
Të flasë
Të këndojë
Të dashurojë
Sikur të mos kishte vdekur kurrë.



PEISAZH FËMIJËRIE

Në krahë malli
Kthehem të shetis peisazhit të vjetër
Varur në vite kujtimesh
I pandryshuar
Me të njëjtat gjëra fëmijërore përreth
Lulet, barin, shkopin magjik të dëshirave lodër
Librin e përrallave më tej
Mbi hulajën e drunjtë mbështetur
Të gjitha, të gjitha po aty
Njësoj ishin
Vetëm unë isha bërë tjetër.



PROFECI NJERËZORE

Në fillim do të të rrahin erërat e kohës
Nga të gjitha anët (për të cilat ti as nuk di)
Pastaj dielli do përkujdeset të krijojë
Me shqetësimin e ngrohtë mburojë indesh
Për shpirtin tënd që syve të botës derdhet
Dhe gjithkush merr ngjyrë a shije pas qejfit të tij.
Asgjë s'do të lënë - gjithëçka do të mbetet.
Dhe, kur krater i shpërthimit mbyllet i tëri
E përreth kurreshtja heshtet si bishë e ngopur
Ti do ledhatosh fshehurazi në lëkurë vulën e dhimbjes
Kur e ndjen dhe me ndjenjën e saj rri
I lumtur që përbrenda teje gjallon akoma plaga
E domosdoshmja yte që të bën Njeri.
 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen