F A Q E T

Sonntag, 21. Juli 2013

Miradie Zymberi - Avdullahi

Miradie Zymberi - Avdullahi është e lindur në fshatin Kapit të komunës së Medvegjës në vitin 1965.Qysh në vitet e hershme familja e saj shpërngulen në Fushë Kosovë ku vijon mësimet e para deri në fund të klasës së V për të vazhduar pjesën tjetër te shkollimit në Prishtinë pas zhvendosjes së sërishme te familjes.
 Kur ishte në klasë e gjashtë e shkollës fillore botoi poezinë e parë në revistën,”Shëndeti”. Mëpastaj vazhdon të botoj edhe në revistat tjera si: GEP-i, "Pionieri", “Rilindja për fëmijë” “Kosovarja” etj. .Kryesisht shkruan poezi. Është antare e Grupit Letrar, ”Bafti Krasniqi” dhe e redaksisë së revistës, “Zëri i Medvegjës” etj.
Në gusht të vitit 2012 botoi dhe librin e saj të parë me poezi “ Shtigjeve të heshtjes”! Aktualisht jeton Itali.



Shtigjeve të heshtjes

U shoqëruam bashkë nga e imja fëmijëri
Shëtitëm gjithë botën pa fjalë
Të ndrydha në letër të hollë të mbylla në zemër
Po ti e ëmbla ime nuk u ankove se të lash pa emër

Qëndrove në errësirë pa parë dritë me sy
Se na kishin vjedhur diellin mua dhe ty
Në gjunjë të bie falje të kërkoj se s'kisha mundësi
Të sjellë pak rreze as të të ndez qiri

Deshën të të zhdukin barbarët ti e fortë qëndrove
Deshën të të heshtin ti dhe e mbyllur zërin s'e shterrove
Shtigjeve me heshtjen së bashku ndër vite rrugëtuam
Të ndrydhura të ngrira por nga njëra-tjetra s'u larguam

Poezia ime të mbajta në shpirt me kujtime
Ishe ligjërimi i heshtur i zemrës time
Me vite të tëra gjithkund më ndoqe pas
Këtu në mërgim për ty gjeta një laps

Grilat e hapur i kishim për të dal në liri
Çelësin e prangave ta përdorim na mungonte guximi
U trimëruam të fuqishme u ngritëm bashkë
Heshtjes i dhamë fund tash pa të shtegtojmë kah agimi

Sot bëj festë në të madhin nëntor
Për herë të parë t'largova nga vetja ime t'përcolla me dashuri
Drejtë shtypëshkronjës t'bëhesh nuse me kurorë
Të kthehesh prapë tek unë e artë në fletë libri

E lumtur do të jem atë ditë
Kur ti më në fund do të shohësh pak dritë
Errësirës e heshtjes i dhe fund e imja poezi
Krahëhapur në kthim të pres të ledhatoj me dashuri

 Nëna shqiptare

Më preu rrugën djalli
Nuk munda të shtegtoj
Sot nuk ndalem dot
Jetës 'i këndoj

Isha gurrë derdhesha lumë
Shëndërrohesha në ujëvarë
Sërish jam rrugë pafund
Hapin kush s'mund t'ma ndalë

E pamposhtur -plotë fuqi
Si mal i lartë shkëmbgur
Do të bëhem përjetësi
Si Shqiponjë në Flamur,

Më lindi nëna Shqiptare
Mirësinë ma mësoi
Të ruaj nderin të jem krenare
Ballëlartë të qëndroj.

Si shqiponjë majmaleve

( I kushtohet heroit të rënë në luftë për çlirimin e Kosovës,
Trimit të Kapitit, Florim Rushitit)

Në shekuj mbet kreshniku
Kapiti këtë trim e rriti
I pa mposhtur në beteja
Hero Florim Rushiti

I urtë për vëllezër e shok
U bë shqipe mali trimi
Në luftë kundër pushtuesit
U nis kur doli kushtrimi

Si shqiponjë majmaleve
Me pushkë e me flamur
Kapiti e Medvegja e halleve
Nuk e harrojnë kurrë

Në vargan të viganëve
Kingj e njohu altari
U dha barot e plumb tiranëve
Si hero Adem Jashari.

Lum Medvegja e lum Kapiti
Ty o Kingj që të rriti
Me trimëri armikun luftove
Për Liri gjakun dhurove

 Hashim Hajdini

Armiku krime bëri
Deshi të na shfarojë
Një gjë ai se priti
Tha: S'ka kush t'i mbrojë

Çka mendove or shkja
Se Medvegja trima s'ka
Hashim Hajdini shqipe mali
Mori pushkën në krah

Zakon e ka shqiptari
Pret mikun me bujari
Por nëse ia robron vendin
E ndjek me trimëri

Si Baca Adem qëndrove
Hashim trim shqiptar
Vdekja nuk të mposhti
Jeton në lapidar

 Atdheu na fton

Kam lapsin në dorë
Më vërtitet një frymëzim
Të shkruaj vargje malli
Apo të bëj kujtim

Atje ku linda dhe u rrita
Tani dua të rri
Ka nisur tufani të fryj
Me erë borë e shi

Fjalët s'më vijnë sonte
Nuk i gjej dot rimat
Po mundohem kot
Të shkruaj për trimat

Mendja më është tretur
Nuk di pse vallë
Humbëm nëpër botë
Dhe jam shumë me mall

Të shkojmë në Kosovë
Atje të bëjmë gjallëri
Të jetojmë t'bashkuar
Me Nënën Shqipëri.

Trimat dhe flamuri

Shtat i kuq i larë në gjak
Janë bijtë që ranë u ngritën n'altar
Marigona shqipes n'qëndismë i dha hak
Kur valo në Vlorë simboli Komëtar.

Atje u mblodhën shqipet
Të shpallin Pavarësinë
Ismail Qemali me trimat
Ringjallën Shqipërinë

Të bashkuar rreth Flamurit
Më të fortë se çeliku
Jemi shkëmb i Arbërit
Nuk na thyen armiku

Trojet e ndara në copa
Do t'i bashkojmë të bejmë fuqi
Të bindet gjithë Evropa
Të mos bëjë më padrejtësi

Jemi të gjithë Shqiptarë
Flamur me shkabë në mes
Fusha e kuqe është gjaku
i trimave që kurrë s'vdes

Vetëm për ty

A jam fajtore pse të dua
Më vret i trishtimit çdo çast
çdo mëngjes pres e zgjuar
çdo natë emrin ta thërras

Vetëm ty të desha në këtë jetë
Vetëm ty të shikjonë sytë,e mi
Në qiell emrin ta shkruaj mbi re
Vetëm për ty akoma marrë frymë

Të dhuroj buzëqeshje vetëm ty
Faqe të lagura treten një ditë
Pa ty ditët nuk bëjnë dritë
Pa ty unë nuk shëndritë


Sonte

Sonte ua hap portën ëndrrave
Ato këtë natë si dorëzoj
As dhimbjes e ndjenjave
Në krahëror errësirës s'ia lëshoj

Sonte do marr me buzët e mia
Frymëmarrjen tënde si erën e pranverës
Të fundosem mes yjesh nga dashuria
Pa asnjë fjalë veç me përkëdheljen e hijes

Sonte do të zhytem mes krahëve të tu
Do të ledhatoj petalet e dashurisë
Të ëndërroj se të kam pranë këtu
Ti burimi im i lumturisë

Sonte të dua pranë meje
Kambana e natës fundin të lajmërojë
Mes përkëdheljesh t' i shkrijmë ëndrrat
Derisa aurora e agut ditën e re të fillojë


Dikur
Çdo ditë ngapak mundohem
Me laps të shkarravis
Ndjenjat seç më zgjohen
Për ditët e rinisë

Pa brenga kur shëtisja
Rrugëve në vendin tim
Për ardhmërinë kur flisja
Çfarë kisha qëllim

Shpirtin kam të bardhë si borë
Por nuk ndiej ftohtësi
Kam zemrën plotë dashuri e mbaj në dorë
Të jetojmë të pandarë deri n' përjetësi


Medvegjë krenare

Medvegjë për ty kam shumë dashuri
Dorën time mbi gjoks e qes
Në zemër më sjellë kënaqësi
Të mbaj ty në kujtesë

Si të mundem të të rrëfej
Për ty kam shumë mall
nuk të humba kurrë ty
S'vdes dhe njëherë tek ti pa ardh

Medvegjë me ty në zemër jetoj
Si dikur dhe tash në kujtim
Të ruaj të lirë të mendoj
Do të vi tek ti me nxitim

Çdo ditë e lodhur nga puna vi
Kam mall të jem në kullën e vjetër
Oshaj dhimbshëm mendoj atë bukuri
Lodhjen e zëvendëson një ndjenjë tjetër

Qëndro Medvegjë e fortë krenare
Djem e bija përshëndetje të dërgojnë
Do të kthehen tek ti me këngë e valle
Aty në shesh lirinë tënde të festojnë

Këto më poshtë nuk janë në përmbledhjen e librit
"Shtigjeve të heshtjes"


Thërret Lugina

Jam Lugina,
Sërbisë i çoj fjalë
Mos u afro
Mos më prek në Lapidar

Mos më lëndo plagët e janarit
Se i kam dhembje e krenari
Në damar kam gjak të shqiptarit
E të djeg të bëj shkrumb e hi

Fjala ime udhëto qiellit të shqiptarisë
Mos të më lënë në mëshirën e sllavisë
Nuk e lëshoj djepin ku u përkunda
Pa ia mbush armikut ballin plumba

E të flijohem për këtë vatan
Si dëshmorët jetën që kanë dhënë
Se në krahërorët tanë
E trimave na rrah zemra

Që sot n’lapidar me shkronja ari
U janë gdhendur emrat
Në këtë tokë ku u është derdhur gjaku
Veq lulëkuqe mbijnë pranë çdo pragu

17.01.2013


Kohë e shqelmuar

Sikur të kishte
pak çaste të rastësisë
së bashku me kohën
të i këndonim,lumturisë
një ditë apo natë
së paku,një baladë
po,koha nuk ndalet
ikën,pa pyetur
për hallet
kohë e netëve me yje
fryje hallin,fryje
ikë dhe shtegëton
plot iluzion
hijet e jetës
me ëndrra i mbulon
kohë e marrë djalli
hijeshon pëlhura
me shkëlqim ngjyrë ari
botë e çmendur,
merr kthesa
ofron mijëra shpresa
e prej këtij ofrimit
hedh në dyshemet e injorimit
mendje e zemër
në lojën e vallëzimit
një hap,
pastaj i dyti
nga tundjet shpirti
të vjen te fyti
ngushëllim i jetës
si shami valvitë
në këtë lojë
vdekja,jetën e gëlltitë.


Jam këtu ku jam

Jam këtu ku jam
Tek ti Medvegjë vi rrallë
Që nga mëngjesi deri në mbrëmje
Me mendje të sillem vërdallë

Jam këtu ku jam
Larg nga ti o vendi im
Tek ti shetisë nëpër ëndrra
Që nga mbrëmja deri në agim

Për t’i mbuluar rrugët e yjeve me hi
Shpresat nuk i lëmë të digjen në flakë
Po një ditë do t’i flakim ata kufi
Se në damar i shqiptarit na rrjedh gjak

Le të mbesin vetëm ura kujtimesh
Mbi lumin e përditësisë , gurgullimë e ujvarë
Do ta largojë era tymin e idhtësisë
Do t’sjellë gëzime, kur t’festojmë Bashkimin Kombëtar!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen