F A Q E T

Mittwoch, 17. Juli 2013

Muhamed Kërveshi

Muhamed Kërveshi lindi në Mitrovicë më 1935. Shkollën fillore e kreu në Pejë, ndërsa gjimnazin në vendlindje. U largua nga Kosova për të studiuar filozofi në Universitetin e Beogradit dhe më pas kreu studimet pasuniversitare në Zagreb. U rikthye në Kosovë, në Prishtinë, ku mbrojti më pas edhe doktoraturën.
Aktualisht jep mësim në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Ka një krijimtari voluminoze në poezi. Ka botuar 15 vëllime poetike origjinale, plus dy të tjera me përkthime. Poezitë e tij janë paraqitur në shumë panorama e antologji të poezisë shqipe të botuara në Kosovë, Shqipëri dhe vende të ndryshme të botës, ndër të cilat “Antologjia e lirikës shqipe” në italisht, përgatitur e botuar nga Emest Koliqi, Milano, 1963 dhe janë përkthyer në rreth njëzet gjuhë.
Është gjithashtu përkthyes i shquar i frengjishtes, kritik e eseist, si edhe autor i disa librave me vjersha për fëmijë.
Në gjininë e dramës ka shkruar dramat “Zëri i Teutës”, “Prometeu”, “Dashuria peng”, “Rrobat e sundimtarit” dhe “Aktori”, të përmbledhura në botimin me titull “Dashuria peng” të SHB Vëllezërit Frashëri, Prishtinë, 2002. /Wikipedia/


Poezi nga Muhamed Kërveshi


 YLBERI POETIK


1.(Bardh)
 
Me sy
me duar

dita e zgjuar

larg
nata e fjetur

hijet e thyera

në tokë
dhe në qiell

rrugë rrezesh

edhe
ura stinësh

rojë
një zog

pikturës me sy gjelbërimi.


2.(Gjelbër)

Në të
flasin
sytë e Kosovës

dje
mërgimi
varr u shekujve tanë

rruga
edhe
në brendësi të gurit

ashti i Kosovës
tunel i ri
në qiell me krahë

stinën e pestë
e mundon etja
larg burimi

retë
vishen
me petk shikimi.


 
3.(Kaft)

Këta sy
në det
dhe në qiell

i numërojnë
anijet e fundosura ilire
në shikimet e romakëve

varrit të Teutës sonë
në shpellë

çdo natë
i afrohen yjet
e qiellit të mbyllur

në çati
valon
flamuri i gjakut tonë

banorët e qiellit
shpesh
me të flasin.


4.(Kaltër)

Edhe
brendësinë
e ka të ndritur

rrallë
edhe
të pikëlluar

një zog bonjak
dikush e nxori
nga Drini i Bardhë

kafazi i hapur
era
i përplas dyert e gjelbrimit

gjethet e agullimës
shpatë flake me krahë
-vezullon në sy qielli

kjo ditë
kurorë kaltërsie
në kokë të metaforës.


5.(Kuq)

Metafora
në vargun tim
-nuse kosove në qiell

në brendësi
valle flake
-rrugë zjarri

në të
Drini i shen rrugën
dhe hijen e vet

aty
bën dritë
fanari i gjakut të kosovës.


6.(Verdh)
 
Zogjtë
me sy tanë

lot pikëllimi

shumë gjethe
ditë tona të vyshkura

i varros era

syçkat e dashurisë
në ballë të Kosovës

shesh i qiellit

Drini dhe vjeshta
nën ura të njëjta

kalojnë të përqafuar

hija e kontinentit
dhe planeti yjor

në sytë e zogjve tanë.

 
7.(Zi)
 
Sytë
dhe pema e shikimit

në terrinë

hija
e Alpeve tona

lahet ne Dri

zogjtë
foletë e tyre

në lisa gjelbrimi

u marrin erë
gjetheve të ditës

i mundon etja e gjelbrimit
 
yjet
e ngacëmojnë terrin

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen