F A Q E T

Dienstag, 16. Juli 2013

Musa Ramadani

Musa Ramadani

Musa Ramadani më 1941 nga Gjilani, qysh si foshnje, bashkë me familjen, nga pushteti i atëhershëm, u deportua në Prizren, ku e kreu një pjesë të shkollimit fillor, për ta vazhduar atë (me të kthyer sërish) në Gjilan e në Viti. Në Gjilan e kreu edhe shkollimin e mesëm (Shkolla e Nxënësve në Ekonomi), ndërsa në Prizren – Shkollën e Lartë Pedagogjike, Dega e Letërsisë dhe Gjuhës. Që nga bangat e shkollimit të mesëm zu të merret me gazetari e letërsi, në mënyrë që, që nga viti 1965 e deri në mbyllje të saj pas vitit 2000, të punojë gazetar, redaktor në të përditshmen “Rilindja”.
Musa Ramadani është prezentuar në disa nga vëllimet, panoramat letrare e antologjitë, të përkthyera edhe në gjuhë tjera. Është laureat i një sërë Çmimesh. Talentin e tij prej krijuesi pluridimensional, e ka sprovuar edhe në krijimtarinë e fushave të tjera artistike. Është autor i një sërë tekstesh për këngë të lehta e të muzikës së tendencave moderne. Eshtë autor edhe i disa këngëve në frymën e zhanrit të muzikës së lehtë. Ndonëse pa ndonjë përgatitje paraprake muzikore, ka kompozuar këngë të cilat, madje në Manifesatimin më të madh muzikor të kohës “Akodret e Kosovës”, janë vlerësuar edhe me Çmimin e parë të Jurisë profesionale. Herë pas herë, është marrë e merret edhe me pikture. Madje një “kaptinë” e tërë e romanit të tij të fundit “Inamor:55”, është e “ilustruar” nga vetë punimet e autorit. Ramadani ka shkruar edhe humoreska, skeqe humoristike e shkrime satirike, me pseudonimin “Babloku”. Merret edhe me shkrime eseistike e kritikë teatrore, sikundër edhe me Udhëshkrime (nga Vjena e Parisi). Drama “Moisiu në unazën e Inflandit”, në sezonin 2003, u inskenua nga Teatri Kombëtar i Prishtinës, ndërkaq, drama “Ligatina” e Nebi Islamit, shkruar sipas motiveve të romanit homonim të Musa Ramadanit, në sezonin 2006, u inskenua në Teatrin Kombëtar të Gjilanit. Musa Ramadani punon me një përkushtim të madh, gjithnjë duke i qëndruar besnik frazës e vargut të latuar deri në përpikmëri, të një sintakse të kulluar shqipe, të një leksiku të begatshëm shprehjesh është cilësuar nga kritika letrare, siç është vepra “Ligatina”, sikundër edhe “Zezona” e një sërë tregimesh të përmbledhjeve të tij.

Vepra letrare


  • | “Mëkatet e Adamit” (poezi), “Rilindja, 1969;
  • |“Thirravaje” (poezi), “Rilindja”, 1971;
  • |“Neurosis” (poezi), botim autorial, 1973;
  • | Romani pa kornizë”, “Bota e Re”, 1975;
  • |“Muzat nuk flejnë” (poezi), “Rilindja, 1976;
  • |“Fluroma” (tregime), “Rilindja”, 1978;
  • |“Zezona” (roman), “Rilindja”, 1978, “Faik Konica”(ribotim), 2003;
  • |“Fjala në skenë” (recensione për shfaqje teatrore), “Rilindja”,1080;
  • |“Alfabeti i neurozave” (poezi), “Flaka e Vëllaznimit”, 1983;
  • |“Ligatina” (roman), “Rilindja”, 1983;
  • |“Moisiu në unazën e Inflandit” (dramë), “Rilindja”, 1984;
  • |“Eugjenika e tri deteve” (poezi), “Rilindja”, 1986;
  • |“Satana ma vodhi gurin e urtisë” (tregime), “Rilindja”, 1987;
  • |“Nostalgji antike” (përzgjedhje e poezive) , “Rilindja, 1995;
  • |“Vrapuesja e Prizrenit” (roman), “Dukagjini”, 1997;
  • |“Antiprocesioni” (roman), “Buzuku”, 1997;
  • |“Inamor: 55” (roman), “Buzuku”, 2000.
  • |“ Mëkatet e Ha(E)vës, poezi, Penclub, 2007, Prishtinë
  • |“Premiera shqiptare” (Recensione për dramën, shfaqjet), “Spektri”, Shkup 1996;


  • Përkthimet


  • |“Mariamna” – PärLagerkvist
  • |“Fillokteti” – Heiner Müler
  • |“Askushi” – Jezi Andzejevski
  • |“Shkretëtira e tatarëve” – Dino Buzzati
  • |“Legjenda per Araratin” – Yasar Kemal
  • |“Bufi i verbër” – Sadec Hedayat
  • |“Dhe nuk gjej vëlla më të mirë” – Maksud Ibrahimbekov
  • |“Humbella” – Mirko Kovac
  • |“Ditë pranvere” – Ciril Kosmac
  • |“Aromat, ari e temjani” – Slobodan Novak
  • |“Piramida e Emës” – Dubravka Ugrešić
  • |“Ogursëzi” – Nedzad Ibrisimovic


  • Poezi nga Musa Ramadani




    KËSHILLA MIKUT TIM

    Mik
    Shtëpitë tona si gota cakrrohen
    Gjerdhe as dyer përmes s’kmi bërë
    Dielli
    Udhën deri te ne kur e gjen
    Gëzim kuj më tepër i bjen

    Ty apo mua ?

    Mik
    Livadhet tona si dashnorë puthen
    Gurë a mexhde askund s’ kemi vënë

    Shiu
    Sixhim teposhtë kur ligron
    N’cilin më shumë fryt lëshon:

    N’tëndin apo timin?

    Atëbotë
    Kujtohu mirë lum miku im
    Përse prore më bën të druaj?

    Se për dallim o dredhim
    Koha kaherë ka kaluar

     


    JO, FAQET E PARA TË GAZETAVE S’ I LEXOJ

    Brenga mendjen n’ marimangë ma pështolli
    Tmerri zemrën n’ fole minjsh ma shndërroi

    Faqet e para të gazetave
    Kurr më s’i lexoj

    E rëndë është ajo peshë fjalësh
    Si shi plumbi n’shpirt m’rigojnë

    I kam lutur sytë që fjalën
    Luftë të mos e venerojnë

    I kam bindur veshët që fjalën
    Mordje kurrë t’mos e dëgjojnë

    E kam urdhëruar gojën që fjalën
    Gjak përjetë të mos e shqiptojnë

    Se e rëndë është pesha e fjalëve
    Si shi plumbi n’shpirt m’rigojnë

    Dëgjomëni ç’ju them
    Unë faqet e para të gazetave
    Jo, nuk i lexoj kurrë më !

    Gjersa njerëzit në bisha shndërruar
    Shekullin e zjarrit s’do e kenë shëruar

     


    NJERIU KA NJË KOKË
    NJË JETË NJË DASHURI

    Njeriu ka një kokë
    Glob i gjallë për lule e predha
    Ku drejtpeshohen hapësira e koha

    Mos luani me kokën e tij !

    Njeriu ka një jetë
    Skenë e mirësive ndaj mëkateve
    Pse lindin e vdesin çdo ditë

    Mos luani me jetën e tij !

    Njeriu ka një dashuri
    Fjalë ( vallë) e tepërt n’histori
    Nga ligjërojnë mëkatet e motive

    Mos luani kurrë me dashurinë e tij !

     


    VETËM NËNA VETËM

    (Letër Nënë Symbyles që s’do t’i arrijë kurrë)

    Jam imunizuar i tëri kundër harresës
    Gjurmët e kujtimit s’mund t’m'i fshijë kurrë

    “Atë ditë që shohim nënën të vdekur, fillon pleqëria”
    - Aforizmën e një mençuraku veç ma rikujtoi
    Vesa e papandehur në globin tim të gjallë

    Jeta më mësoi të kuptoj mijëra shikime
    E shikimi Yt i mbramë enigmë më mbeti

    Nënë

    Vetëm në ndarjene memece fare s’kam besuar !

    Ato ditë befas sytë e mi shterruan, më fal
    Dhembja m’ishte peshë më e rëndë se loti

    E dije se shkrova vjersha e libra mbi mëkate
    Në asnjë varg tëë lirë s’Të zura ngoje dot
    Jeta Jote jeta ishte vargu më i bukur imi

    Në bregun e fashës Ti më s’i ndien këto fjalë
    As vajet që tërë jetës sime do të rigojë

    Por…kundër harresës jam imunizuar i tëri
    Kurrë s’mund t’m'i fshijë gjurmët e kujtimit

    ( Prishtinë, shkurt – mars, 1973)


     



    TËHUAJËSIMI

    Mësyva për të satën herë këtë qytet
    Pa ëndrralla e gjakime
    Sall t’shkëmbej ndonjë fjalë me miq
    T’ia uroj ndokuj martesën
    T’ia përgëzoj familjen ndoshta
    Ngushëllime t’i shpreh ndokuj
    Po shokët luftonin me brengat dëgjova
    Miqtë ishin dalldisur në pontë e poker
    Të tjerët me se merreshin as që pyeta
    U kujtova: mujat ishin ndërruar në kalendar
    Dhe vitet pritnin të shumëzohen ndër vete
    Në bujtinë udhëtarësh të rastit ktheva
    Duke darkuar me vetveten në qindra pjesë
    Njëri plot domethënie më shikoi e shikoi
    Si një ardhës që befas sjell fatkeqësi
    Tjetri vërente ashtu plot dhembshuri
    Se si vetëluftoja pa mëshirë në vetmi
    Portirit i kërkova dhomë me një shtrat
    Duke thënë: do punoj, pa treguar frikën
    Në qytetin e lindjes në qytetin tim
    Dyer që happen oda që grishin s’kish

    Atëherë në dhomën (më duket) numër 209
    Ndieva se sa i rëndë qenka tëhuajësimi


     



    MIQTË E MI MEMECË

    Ja, ndodhen në dhomën time frymojnë
    Të vegjël, të mëdhenj, të ëhollë, të trashë
    Të bardhë, të zez, të kuq, të verdhë
    Dërdëllis me ta netve si me vetminë
    Nuk më hidhërojnë, nuk më kundërshtojnë
    Më gjezdisin pa përtesë ndër kohëra e hapësira
    Civilizime e rrënime, qytete e shtete më shpien
    Dhe prapë më kthejnë këtu në dhomën time
    Qëndrojnë heshturazi ndanë murit më vështrojnë
    Pranë njëri-tjetrit në këmbë e gjithë huti
    Në ballë shkronjat seç ua shndrisin emrat
    Zemrat u janë të hapura për shpalim
    Çdo gjë shoh e ndiej tek miqtë e mi
    Duke udhëtuar në vete pa shpresuar për kthim
    Ndonjëherë edhe grindem ashtu fëmijërisht
    Në ndërrim motesh me tat ë vdekur a të gjallë -
    Pse nuk më përgjigjen po veç tok më dëgjojnë

    Bah, as miqtë memecë s’janë ngushllimtarë të mirë !

     





    MIQTË DHE HIJET E TYRE

    Në cilën stinë vallë të marrësh udhë
    Çfarë rruge dredhore të ndjekësh
    Ku të ndalesh për pushim e një pikë ujë
    Cili bisht gjarpri të zvarritet deri në krye
    Kur të nisesh me njatë të verbtin besim
    Është mirë të ndalet ora në fillim të shtegut
    Busullën gjithsesi ta harrosh me qëllim
    Natën të ecësh sin ë lojën symbyllurazi
    Armën ta varësh në mur për kujtim
    Fjalët t’i ruash deri në takim
    Heshtjen ta bartësh si mëkatin deri në shpinë
    Sytë të mos i ndërsesh si qentë e zgjidhur
    Këmbët të mos i urdhërosh si ushtarë të gjorë
    Duart t’i shtrish me shuplaka kthyer teposhtë
    Kokën ta ngresh lart si krushku në dasmë
    E në trastëne zbrazët kraheqafë të marrësh
    Një libër të vogël për ta dëftuar kthimin

    Se në vend të miqve të ardhëshëm e të rinj
    Ngjet të tëp resin vetëm hijet e tyre




     
    HISTORIA E PIKËS SIME

    S’para unë s’isha veçse një pikë
    Më pas u mërzita e u bëra presje
    Aventura filloi brenda gjysmëharku
    Kaluan shekuj, era e mileniume, epoka
    Luftëra, armëpushime, shumë paqe e pak liri
    Harku ecte udhës së rrethit e u mbyll
    Gjysmë shekulli isha një zero e madhe
    Në fillim të këtij mileniumi të tretë
    Droj në mos do kthehem sërish nënjë pikë

    ( Më 30.8.1993)




     
    AS I MBYS TË DASHURIT E MI AS I NGJALLË

    Njeriu e koha shpalojnë misteret
    Mistike mbetet vetëm vdekja mistike

    Ç’të bëj me një jetë e njëmijë vdekje
    S’mund t’ju ngjall nga mjegulla
    Pas katërmijë e pesëqind vjetësh
    Si gilgameshi i lashtë e mitik
    Mundtë provoj e të gjej ndonjë barishte
    Kundër pavdeksisë ose amshimit
    Por droj nëse në udhëkryqet e botës
    Do të has papritmas ndonjë pasardhëse
    Të nimfave sikundër ajo Sabita e urtë
    Që të vërtetojë kotësinë e gjurmimit

    Nuk dua t’i ngjall përsëri nuk dua
    As t’i mbys nuk dua dot t’i mbys
    Të dashurit e botës nga mjegulla

    Misteret i shpalojnë njeriu e koha
    Vetëm vdekja mbetet mistike vdekja

    Vetëm vdekja nuk gënjrn në botë
    Ligjëron nga përvoja Sadek Hedajati

    (26.9.1979)


     



    POETIT TË AMSHIMIT
    (Mikut, Beqir Musliut)

    Kurdo që rrinim unë e ti, denim dhe të heshtnim
    Nëse fjalët humbnin kuptimet, heshtja ua kthente

    Më 24 qershor se si më humbe krejt papandehurazi
    Në mos je fshehur diku siç e kishe shprehi dikur
    Dhe do të gjendemi befasisht nëpër muzikën e sferave

    Unë s’e mohoj vdekjen veçse edhe ringjalljes i besoj
    Më humbe enkas hapësirave mistike e shumëpërmasore
    Por edhe përtej “Librit të anatemave” do të të kërkoj

    Ti do të më shfaqesh si një surprizë në pa(n)kohësi
    Që sërishmi ta vazhdojmë në duet atë farë heshturime

    ( Ulqin, 27 qershor, 1996)

    Keine Kommentare:

    Kommentar veröffentlichen