F A Q E T

Donnerstag, 11. Juli 2013

Nehas Sopaj: Figura letrare e Teki Dervishit

Special për "Ora shqiptare"

Nga Nehas Sopaj

Teki Dërvishi,
figura letrare e shkrimtarit

Pjesë nga libri "Individualitete letrare 2 Teki Dervishi"

    Individualiteti letrar i T. Dërvishit, më vete i mbart eleme­ntet e përbashkëta estetike të një brezi shkrimtarësh të cilët u formuan dhe u dalluan kryesisht në vitet ’70 të shekullit të kaluar, në mesin e krijuesëve të etapës së tretë të Kosovës e Maqedonisë, siç janë B. Musliu, M. Ramadani, J. Buxhovi, N. Soba, J. Gërvalla, Xh. Ahmeti, Y. Shkreli, N. Hali­mi, S. Hamiti, Z. Rrahmani, M. Kraja, Sh. Beqiri etj. Ky shkrimtar, indivi­dualiteti i tij, sa është i veçantë dhe domethë­nës, është edhe autonom, sepse shumë elemente, kategori dhe aspekte të veprës së tij, siç janë natyra e shkrimit, kodet, nënkodet dhe lidhshmëritë e përgjithshme estetike të gjuhës, autorin tonë e bëjnë jo vetëm bashkëveprues dhe bashkë­krijues, por shpesh edhe mësues për shumicën e këtyre emrave të sipërpër­mendur. Natyra e shkrimit të tij, me kalimin e kohës vjen duke u verifikuar si një poetikë njëmend shumë komplekse dhe shumë interesante që përshko­het me një ngjyrë të veçantë shkrimi, nis të identifikohet dhe të influencojë me tendencat drejt zgjerimit dhe konsolidohet si lëvizje e fortë letrare që me disa emra të tjerë që vijnë nga mëma Shqipëri (psh. F. Reshpja, Xh. Spahiu, M. Zeqo etj.), interkalohet nga moder­nizmi në postmodernizëm.
Teki Dërvishi, krahas Marin Camajt dhe Beqir Musliut (shkrimtarët emblematikë), në letërsinë tonë bashkëkohore është një ndër shkrimtarët më produktivë dhe vepra e tij shënon shkollë shkrimi më vete ku autorin e shohim shumë pjellor duke lëruar tri gjinitë letrare paralelisht: poezi, prozë dhe dramë dhe është vështirë të kuptohet pesha dhe rëndësia e veprës së tij nëse lexohet parcialisht, pra nëse lexohet vetëm si poet, si prozator apo si dramaturg. Por, edhe të lexuarit në tërësi të veprës së tij është i vështirë, sepse problem numër një për receptim paraqet mosnjohja e domo­sdoshme e kodeve të shkrimit të autorit, që është një sferë gnoseologjike e shumë stileve brenda një shkrimi, të dendur dhe intertekstuale, që na shtyn t’i kërkojmë reflekset e një metateksti i cili qet krye si ironi përtallëse e gjithçkasë që merr ta trajtojë për t’u bërë më tej një veçori tipike autoriale për t’u kuptuar saktë mesazhet e tij. Gjithë kjo flet për një nivel shumë të lartë të stilit të shkrimtarit, dendurisë së shprehjes së tij, e cila ndryshe nga M. Camaj dhe B. Musliu, ka një tjetër ndërtim që, sa duket i kapshëm dhe i qartë, prapa ka abstra­gimin, duke i selektuar lexuesit në lexues që mund ta përqafojnë, dhe në lexues që nuk arrijnë ta kapin ironinë e autorit dhe prandaj mbeten larg asaj që flet ai, që, jo se është e fshehtë në të folur, por sepse në të folurit ka sarkazëm që nuk kursen asgjë, madje as veten.

Teki Dërvishi u lind në Gjakovë në janar të vitit 1943 dhe shkollimin fillor e të mesëm i mori në vendlindje. Si nxënës i shkollës së mesme u burgos duke i shijuar mizoritë e Goli Otokut zulmëkeq jo vetëm për shqiptarët. Ka kryer studimet për gjuhë dhe letërsi shqiptare në Fakultetin Filozofik të Pri­shtinës. Qe i regjistruar në studimet e magjistraturës në Prish­tinë, në drejtimin Letërsi, të cilat i braktisi duke iu përkushtuar letërsisë dhe pub­licistikës.

Dhjetë vite (1971-1981) ishte gazetar në rubrikën e kulturës së gazetës Flaka e Vëllazërimit, shumë kohë gazetar që e përcolli teatrin, pak kohë qe redaktor gjersa e pushuan nga puna për t’u trasferuar në Prishtinë, në edicionin e botimeve Rilindja si korrektor, gjersa u pensionua në Teatrin Kombëtar të Prishtinës si drejtor i tij. Pas kësaj, deri në ditët e fundit të jetës, qe redaktor i gazetës Bota Sot. Ai gjatë gjithë jetës u mor me shkrime letrare dhe publicistikë. Është autor i shumë veprave letrare artistike, romane, poezi, drama, kritikë teatrore etj. që tok me ato të pabotuarat, e tejkalon numrin nëntëdhjetë vepra.

Vepra e botuar e autorit shënon vëllimet me poezi:

1.    Nimfa 1, poezi, bot. Flaka e Vëllazërimit, Shkup, 1970,

2.     I varur me vargje për drurin e blertë, poezi, bot. Flaka e Vëllazërimit, Shkup,  1971,

3.     Shtëpia e Sëmurë, poezi, bot. Flaka e Vëllazërimit, Shkup, 1978,

  1.  Thashë, poezi, bot. Flaka e Vëllazërimit, Shkup, 1981,
  2.  Nimfa 2, bot. NGBG Rilindja, Prishtinë, 1986.

Përmbledhje me tregime:

Etje dhe borë, tregime, bot. Flaka e Vëllazërimit, Shkup, 1974.

            Romanet:

1.     Pirgu i lartë, roman, bot. Flaka e Vëllazërimit, Shkup, 1972,

  1.  Padrona, roman, bot. Flaka e Vëllazërimit, Shkup, 1973,
  2.  Skedarët, roman, bot. Flaka e Vëllazërimit, Shkup 1974,

4.     Halveti, mini-roman ose cikli 3 i librit poetik Shtëpia e sëmurë, bot. Flaka... Shkup, 1978,

5.     Herezia e Dervish Mallutës, roman, bot. NGBG Rilindja, Prishtinë, 1981,

6.     Palimpsest Dush Kusarit, roman, bot. NB Blend, Prishtinë, 1993.

     Dramat:

1.    Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi, dramë, bot. Flaka e Vëllazërimit, Shkup, 1979,

2.    Bregu i pikëllimit, dramë, bot. NGBG Rilindja, Prishtinë, 1985,

3.    Pranvera e librave, 1990,

4.    Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit, 1990,

5.    Kufiri me atdhe, 1996,

6.    Vojceku, 1996,

7.    Nesër nisemi për Parajsë, 1999,

8.    Eshtrat që kthehen vonë, 2000,

9.    Ku është Populli?, 2003.

Ese dhe kritikë mbi teatrin:

1.    Qan e qesh Talia, bot. Flaka e Vëllazërimit, Shkup 1978.

Në bibliotekën shtëpiake, bibliografia e veprimtarisë letare të T. Dërvishit zgjerohet me një varg veprash tjera, kryesisht drama të pabotuara, që presin botimin e tyre, që dmth. se kjo përqasje ime i merr për konsideratë vetëm këto të botuarat. Edhe pse vepër letrare ndër më të rëndësishmet të letërsisë së sotme shqiptare, kapitale do të thoja unë, marrë në për­gjithësi për këtë vepër është shkruar pak, shumë pak. Hiq ndonjë shkrim të A. Aliut, R. Musliut, S. Hamitit, N. Islamit, J. Papagjonit e të ndonjë tjetri, për veprën letrare të T. Dërvishit është shkruar pak, kaq sa ajo sot vazhdon të jetë në margjina të interesimit të kritikës letrare dhe të shkencës filologjike shqiptare. Mjerisht. T. Dërvishi në skenën letrare shqiptare për herë të parë u paraqit në mesin e viteve gjashtëdhjeta me tregime, kryesisht me tema shoqërore dhe sociale që për nga mënyra e shkrimit japin t’i kuptosh edhe mësuesit fillestarë të tij: Migjenin, A. Çehovin, G. de Mau­passant-in etj. Në rrugën e tij krijuese, pas një ndërprerjeje për shkak të burgosjes në Goli Otok, në burgun më famëkeq në kohë të Jugosllavisë titiste, librat e para autori do t’i botojë në fillim të viteve ‘70 siç janë: Nimfa 1, I varur me vargje për drurin e blertë, Etje dhe borë, Pirgu i lartë, Padrona, Skedarët. Këto vepra realisht shënojnë fillimet e letërsisë së tij, në të cilat lexuesi do ta hetojë një penë shumë të mprehtë kritikuese, ku vlon gjithçka: temat të cilat “i prekin” muret e lirisë krijuese, shkollat e ndry­shme prej nga autori mëson dhe sidomos lufta për ta zotuar shkathtësinë e shkrimit letrar që të thuhet saktë ajo që mendo­het, qoftë kjo me alegori, qoftë edhe me simbolikë edhe kur kjo është e ndaluar. Realisht, T. Dërvishi kulmin më të rëndë­sishëm të krijimtarisë së tij letrare do ta shënojë me librin Shtëpia e sëmurë (1978) dhe dramën Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi (1979), prej nga fillojnë të rreshtohen veprat kryesore siç janë: Thashë, Bregu i pikëllimit, Nimfa 2, Herezia e Dervish Mallutës, Palimpsest Dush Kusarit, etj. Ky është fundi i viteve ‘70 dhe fillimi i ngritjes së krijimtarisë së tij dhe vitet ‘80 dhe ‘90, kur autori shquhet si një ndër pionierët e një modernizmi “ekstrem” duke u dëshmuar mjeshtër i shkrimit të të gjitha llojeve letrare të cilat do t’i kultivojë përmes shkrimeve eksperimentale. Letërsia shqipe e viteve ‘30 që kishte shënuar një kulm të lartë estetik, me një pluralizëm stilistik me emrat emblematikë siç janë Gj. Fishta, L. Poradeci, F. Noli, Migjeni, E. Koliqi, E. Haxhi­ademi, K. Floqi, A. Asllani etj., tani pas lufte, për nja dy dekada e sa, kishte rënë shumë estetikisht, ngulfatur nga ideologjizmi dhe soc-realizmi, në vitet ’70 me emrat emblematikë siç janë M. Camaj, I. Kadare, R. Qosja, A. Pashku, A. Podrimja, T. Dërvishi, B. Musliu, Xh. Spahiu, M. Zeqo etj. po e përngjiste ekuilibrin e humbur në shkallë edhe më të lartë estetike, duke e ringritur dhe duke e shpënë një me letërsinë botërore. Emri i T. Dërvishit për nga vlerat estetike që ka vepra e tij letrare, pranë emrave më të spikatur të letërsisë bashkëkohore shqiptare, bindshëm që­ndron pranë shumë emrave ndër më të spikaturit të letërsisë së botës. Për këtë gjë, sikur ka mbetur pa u informuar vetëm lexuesi shqiptar. Mjerisht. Dhe, pa fajin e tij. Siç po shohim, profili krijues i T. Dërvishit ndahet në dy fusha të mëdha të veprës së tij: letërsi dhe publicistikë. Ky studim mëton t’i prekë vetëm aspektet e veprës së tij letrare. Publicistika paraqet faqen e dytë të veprës së tij e cila është po kaq e madhe dhe e rëndësishme si edhe letërsia dhe paraqet vlerë të veçantë për opinionin e përgji­thshëm dhe meqë këtu qëndron afirmimi i tij, me të do të mirren studjuesit e fushës përkatëse. Esetë poli­tike, kolumnet dhe temat polemizuese rreth aspekteve politike, kombëtare dhe kulturore, janë fusha me të cilat priten të merren të tjerët.

 Veçantia

Emri i T. Dërvishit pa mëdyshje shënon vlerën e vërtetë të epokës interkaluese prej modernizmit kah postmodernizmi, me çka dëshmohet si një ndër krijuesit më këmbëngulës në kërkimet e tij në shkrime. Ai dëshmohet si një nga stilistët, sprovuesit dhe eksploruesit më të zellshëm të mënyrave të reja të shkrimit, një ndër eksperimentuesit më në zë që për kohën ka mbetur i paarritshëm edhe sot, mjerisht i pastudjuar akoma gjer sot. Siç do të shihet nga rruga e ngritjes së tij prej vepre në vepër, T. Dërvishi në kuadër të “modernizmit kosovar” do të veçohet si luftëtar i pakompromis i thyerjeve të tabuve dhe dogmave letrare të stileve të ndryshme të shkrimit të kohës, duke i lënë ato stile si një tradicionalizëm që nuk i sillnin gjë të re shkrimit shqip. Qysh atëherë, në vitin 1978, një qëndrim negativ autori e shfaq ndaj realizmit socialist, të cilin e përtall dhe stigmatizon si kiç politik të ditës, që për kohën ishte një lloj sfide dhe tundimi të veçantë për krijuesit, sepse të shkruarit në stilin soc-realist për kohën, për një pjesë të krijuesve “patriotë” të Kosovës, shitej si modernizëm (alias – novatorizëm siç e quanin në Shqipëri, prej nga e vidhnin) dhe të deklaroheshe kundër, ishte tradhëti. Në librin Shtëpia e sëmurë, me anë të një shkrimi poezi, plus prozë, plus dramë, do ta ironizojë, parodizojë dhe deplasojë totalisht soc-reali­zmin me anë të një eksperimentimi inverziv të zërit të autorit, i cili mirëfilli do t’i shënjojë fillet e postmodernizmit tonë. Siç do ta shohim më tutje, autori do të jetë në korrent me kohën, sepse në mënyrën e shkrimit të tij, ai i kishte absorbuar dhe absolutizuar të gjitha llojet e realizmave e modernizmave nga më të ndryshmit, si shkrime demode, të tejkaluara përgjith­monë prej tij, për ta kultivuar një mënyrë të re shkrimi, eksperimentale, që tundonte drejt shkrimeve të reja, për nga natyra hibride, siç është poezia, plus prozë, plus dramë brendapërbrenda strukturës narrative, duke paralajmëruar kon­ceptet tjera, fare të reja, për artin e letërsisë, larg farës rusofile prej nga qe importuar.

Ndryshe nga të gjithë shkrimtarët e kohës në kulmet letrare shqiptare të viteve ‘70, T. Dërvishi i pari e futi ekspe­rimentin si metodë krijuese që më vonë do të përçohet në gjithë krijimtarinë e tij letrare si mënyrë e veçantë drejt moder­nizmit “ekstrem”, me një gjuhë fare tjetër shkrimi drejt çarjes së censurës, hapjes së temave të ndaluara drejt eman­cipimit estetik të gjuhës poetike. Lufta me gjuhën drejt emanci­pimit të saj, te T. Dërvishi reprodukon një varg veprash të cilat lexuesit e sjellin në zanafillë të konceptit se çka në të vërtetë pre­supozon arti i letërsisë, cili realisht është misioni i tij, çka në të vërtetë mundet letërsia në konditat e epokës globale e çka jo. Që këtu, të gjitha veprat letrare të T. Dervshit, mëtojnë t’u japin përgjigje kësaj pyetje e cila presupozon pikërisht ema­ncipimin e gjuhës, fuqitë e saj të brendshme deri te ato më sakralet, që t’i thonë të gjitha kategoritë estetike të fjalës, duke përfshirë të gjitha aspektet e mundshme të kohës dhe të hapësirës (fundin e tyre), temat të cilat vetëm mund të ironi­zohen, pezhorohen ose esei­zohen (finesa e postmodernizmit).

Në vitet ’70, në galerinë e krijuesve letrarë shqiptarë tash­më më të dalluar dhe të patundshëm në altarin e letërsisë sonë siç janë M. Camaj, I. Kadare, A. Pashku, R. Qosja, A. Podrimja, F. Reshpja, B. Musliu, M. Zeqo etj., poeti Teki Dërvishi shkruan ndryshe nga të gjithë të tjerët. Gjersa ata në shkrimet e tyre mund cilësohen si poetë modernë, Teki Dërvishi si edhe B. Musliu e M. Ramadani, në shkrimet e tij dallohet me një tip shkrimi ndryshe nga të tjerët, diç “më modern” se modernizmi i asaj vale krijuesish që sot i çmojmë elitë e kohës e që sjellin një stil shkrimi “ekstremisht” të mbathur, me elemente të kultu­rave të ndryshme të botës, që për kohën dallohet sheshit me gjithanshmërinë, vibrimet dhe denduritë stilore të fjalisë prej nga ato edhe vijnë.

Letërsia latinoamerikane dhe sidomos tregi­met e H. L. Borgesit, që në letërsinë e përbotshme tashmë emërtohen thjesht borgesizëm, shkrimi i T. Dërvishit mbase do të kulmojë, do të ndalet aty, në atë stil. Shumë studjues, atë tip shkrimi e konside­rojnë shkrim abstrakt, njëlloj variacioni i ri i lartpur­lartizmit. Borgesizmi, ose shkrimi me denduri formacionesh stilore brenda një stili të vetëm (sepse shkrimi i dendur që e njohim gjer sot), në vitet ’70 ka patur një impakt dhe difuzion zgjerimi në të gjitha letërsitë kombëtare, në Ballkan, në Evropë dhe në botë që këtu edhe në Kosovë. Në letërsinë shqipe, T. Dërvishi është përfa­qësuesi ynë më tipik. Pikërisht sepse ky shkrim është përzierje diskursesh: poezi, prozë e dramë, një koagulim eseizimi, mbase kjo është arsyeja pse kritika e kohës nuk e priti autorin tonë me ovacione sikundër i prisnin krijuesit që sillnin inovacione, pa atë enthuziazmin e dalluar të atëhershëm. Megjithatë, ndryshe nga të tjerët, Teki Dërvishi edhe sot është i pa pranuar në skenën letrare shqiptare, i pa­le­xuar dhe i pastudiuar, pikërisht për shkak të stilit të shkrimit të tij, “të rëndë”, i cili rri larg shtresave të gjera të lexuesve, studentëve dhe profesorëve, të cilët edhe sot vazhdojnë të lexojnë klasikën tradicionale dhe klasikën moderne, por jo edhe shkrimtarët postmodernë të cilët shquhen me dendurinë stilistikore, me begatinë dhe thellësinë gjuhësore, në “trend” me ndryshimet në çastin kur edhe ndodhin ato ndryshime.

            Është një temë shumë e palavd të diskutohet sot për fillimet e letërsisë postmoderne shqiptare, që sipas mendimit tim, lidhet pikërisht me emrin e T. Dërvishit, kur këtij formacioni stilistik sot mund t’i dalë zot kujt t’i teket. Kjo për më tepër kur kësaj letërsie, këtij formacioni stilistik, kritika jonë akoma nuk ka arritur t’ia definojë saktë kuptimin semantik. Jemi në një kohë kur të gjithë flasin për epokën postmoderne dhe kur me këtë definicion infiltrohen atribute profilizimesh në pothuaj të gjitha shkencat dhe artet, të flasësh për letërsinë postmo­derne, kjo i bie sikur të flasësh për një kuptim shumë të gjerë që kemi sot, nganjëherë edhe pa definicion. Këtu më poshtë, unë do të orvatem t’i jap disa prova dhe skema të veprës letrare të autorit, sidomos duke filluar me librin Shtëpia e së­murë se në kohën kur qe botuar, shënoi fillimin e një shkrimi për të cilin them se nis dhe zhvillohet postmodernizmi në letërsinë shqipe.

Deri sot janë shfaqur mendime se për postmoderne mund të jetë edhe poezia e fazës së fundit të M. Camajt (të ashtu­quajturat poezi eksperimentale të librit Nën hijen e gjarpërit), dikush proza e R. Qosjes, më saktë nga romani Vdekja më vjen prej syve të tillë, dikush romanet e I. Kadaresë, por ka edhe mendime të tjera, që lidhen me vepra të tjera dhe me autorë të tjerë, qëndrime këto që duan t’i përafrojnë tezat e jo të rrinë larg të vërtetës. Dhe, meqë definicioni postmoder­nizëm është pafundësisht i gjerë dhe për të mund të flasësh e të thuash gjithçka por kurrë të vërtetën e saktë, sepse gjith­monë diçka do të mbetet pa thënë, Teki Dërvishi duke filluar me librin poetik Shtëpia e sëmurë, pastaj me dramën Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi e këtej, ka bërë që shkrimi i tij i veçantë të kërkojë nga lexuesi të jetë kategori aktive sa edhe vetë autori. Duke qenë aktanti i tretë krahas autorit dhe veprës, T. Dërvishi kërkon që lexuesi të jetë aktant relevant në aktin e interferimit vepër, autor dhe lexues, lexuesi të jetë i rëndësishëm me kulturën e domosdo­shme teorike po kaq sa edhe autori, domosdo për të mundur ta receptojë atë letërsi që i servohej, gjë që është një nga faktorët kryesorë që vepra të jetë në korrent me kohën, të jetë postmoderne [1].

            Më poshtë do ta përkujtoj lexuesin për një deklaratë të Teki Dërvishit me rastin e vdekjes së Beqir Musliut, mikut të tij të ngushtë për nga vokacioni dhe shkrimtaria, në të cilën ai thotë: “Poeti, romansieri, dramaturgu, eseisti dhe publicisti Beqir Musliu është përfaqësuesi i parë i postmodernitetit në letrat shqipe…” [2] Them se po të ishte gjallë B. Musliu, me siguri do të deklaronte se T. Dërvishi është shkrimtari i parë postmo­dern shqiptar. Kur e them këtë, për të mos u dukur kjo një kurtoazi e ndërsjellë, ne që kemi bashkëkrijuar në atë kohë kur ata i kanë ngritur kullat e tyre prej arti të veçantë, them se T. Dërvishi është borgesisti i parë, B. Musliu është surealisti i parë, ndërkaq të dytë tok me M. Camajn, janë postmodernistët fillestarë në letërsinë tonë. Në të vërtetë, pa kurrfarë droje dhe hezitimi them se emrat dhe veprat letrare të këtyre dy individualiteteve, shumë të veçanta dhe të rëndësishme, bashkë me veprën e M. Camajn, shënojnë fillimin e epokës së postmodernizmit të letërsisë bashkëkohore shqiptare[3].


[1] Shif: Iser, W. Procesi i leximit, qasje fenomenologjike,Teori dhe kritikë moderne, Prishtinë: Rozafa, 2008
[2] Shif te: Beqiri, Sh. Dhembja e jetës e kthyer në poezi; Deklaratat e shkrimtarëve me rastin e vdekjes së shkrimtarit B. Musliut; Eurozëri, Zyrich, nr. 28. VII, 1996
[3] Kjo temë është temë e hapur dhe studjuesit mund të kenë qëndrime të ndryshme jo vetëm rreth kësaj teme, por edhe rreth shumë temave të tjera, alternative, për çka mendimet e kundërta duhen mirëkuptuar. Megjithatë, këmbëngul në tezën për të cilën e kam zhvilluar gjithandej jo vetëm këtu dhe në këtë libër.
 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen