F A Q E T

Mittwoch, 10. Juli 2013

Nehas Sopaj: Trinomi postmodern letrar shqiptar


 Nehas Sopaj

Nga libri " Individualitete letrare 2 Teki Dervishi"

     Në letërsinë e sotme shqipe janë disa shkrimtarë të rë­ndësishëm të letërsisë sonë kombëtare, të veçantë me veprat e tyre, që do të duhej të ishin figurat qendrore për të cilët do të flisnim përditë, t’i njihnim dhe t’i vlerësonim vazhdimisht. Por, për paradoks nuk ndodh ashtu. Ata vazhdojnë të mbeten në mar­gjina, nuk vlerësohen, nuk botohen dhe prandaj edhe nuk arrijnë në duart e lexuesve që t’i njohë opinioni. Së pari, duhet thënë se shkrimtarët për të cilët është fjala, në opinionin tonë nuk janë edhe gjithaq të panjohur, dhe veprat e tyre nuk janë të vetmet për të cilët shoqëria shqiptare nuk çan kokën për - botimin, vlerësimin dhe popullarizimin e tyre si duhet dhe si meritojnë. Çështjen e trajtimit të keq të një shkrimtari, të vlerësimit shkart ose të vlerësimit me kute, siç dihet, në të kaluarën jo të afërme, krahas armiqve tanë të përbetuar, e ndihmonin edhe ideologjitë politike, prej të cilave ideologjia komuniste e epokës që e lamë mbrapa, sikur i vu kapakun.

Po sot? Sot në ditët tona kur s’ka kush mund të na pengojë, margjinalizimi i shkrimtarëve të rëndësishëm ngel për­gjegjësi e atyre të cilët e kanë në duar fatin e tyre: këto janë insti­tucionet e kulturës, botuesit, shoqatat dhe organet letrare, akademitë, institutet e letërisë e katedrat ku studiohet letërsia, të cilët e kanë për obligim të bëjnë çmos që veprat e këtyre shkrim­tarëve të botohen, kritika letrare dhe studiuesit t’i interpretojnë, t’u ofrohen lexuesve ato që t’i njohin. Nga ajo që është bërë gjer më sot, asnjëherë nuk mund të themi se puna është kryer për­fundimisht, sado të na duket se puna me letërsinë tonë është kryer. Sepse, kur shohim të mos duken në opinion disa emra shumë të rëndësishëm të letërsisë sonë për të cilët e dimë se kanë peshë të veçantë për kulturën tonë, kur nuk i shohim e nuk dëgjojmë të flitet për ta, atëherë kjo tregon se gjërat nuk janë në rregull. Kjo flet se shumë gjëra që kanë ndryshuar, ose nuk janë ndryshuar deri në fund ose ato që na kanë ndryshuar nuk kanë arritur të na bëjnë ta kapërcejmë veten tonë, të transformohemi plotësisht. Prandaj, duhet t’i ritheksojmë dobësitë tona. Kur na bie të shohim në mesin e botimeve autorë dhe vepra diletante tek na serviren nëpër antologji dhe prezantime që duhet t’i gëlltisim si ushqim i zgjedhur shpirtëror, atëherë kjo s’ka si të mos na dëshpërojë, prandaj pyetemi: si është e mundur, ç’po ndodh me letërsinë tonë, a akoma duhet të na dirigjojnë?!

Nuk ka dilemë se s’ka si mos të na brengosë të gjithëve tek i shohim të mënjanuara vlerat e dëshmuara, dhe në vend të tyre, vetëmashtrohemi me vepra të dështuara tek na preza­ntojnë! Kjo gjë duhet zgjidhur duke mos pritur as edhe një ditë të vetme, para së gjithash, në mënyrë që të ruhet kierarkia e vlerave të njëmendëta, sepse në këtë mënyrë mbrohet dhe ruhet tradita. Duke i prezantuar autorët e veçantë, më të rëndësishmit, përforcohet identiteti ynë, nuk lejojmë çarave­shjen e shpirtit tonë në emër të ndryshimeve që po ndodhin dhe nuk lejojmë të ngjasim çfarë s’jemi para botës. Pa asnjë fjalë, shkrimtarët që kanë dhënë dhe ofrojnë vlera të padisku­tueshme, duhet ta kenë ve­ndin e tyre të merituar. Nuk guxon të lejohet kurrfarë mbrapshtie rreth këtyre çështjeve që janë me interes nacional gjithëshqiptar. Çështja e ruajtjes së vlerave përmbi pseudovlerat, mund t’ua ngjeth mishtë vetëm interpretëve spe­kulantë të cilët me dekada na frustrojnë me mani­pulime. Ata, duke e ngritur infrastrukturën e gjithçkasë të mbrap­shtë, ndikojnë dhe kontribuojnë që skena jonë letrare të mbetet e copëzuar; i dezorientojnë lexuesit në emër të vendo­sjes së vlerave dhe të kierarkisë, në fakt këto dukuri i për­mbulojnë me ideologema dhe peudoshkencë, pra pa pardon i normojnë ato me dogma, skepsa dhe pseudoshkencë.

Prandaj, në këtë udhëkryq të kohës sonë është koha që të ashtuquajturin fenomen të distancës kohore [1] që ka të bëjë me shkrimtarët dhe veprat e tyre, ta orientojmë kah qëllimi fisnik që veprat të cilat kemi dëshmi të mjaftueshme se paraqesin vlera të mirëfillta, të dimë si t’i prezantojmë. Ta ndërtojmë idenë se si duhet ndriçuar akoma më shumë letërsinë dhe shkrimtarët duke i afirmuar, të kudesemi t’i materializojmë dhe t’ua sigurojmë vendin atje ku e kanë. Çështja e vendosjes së shkrimtarëve atje ku ata realisht e kanë vendin e tyre, është çështje që mund të na duket se është lehtë për t’u bërë, por kur fillojnë të numërohen të gjitha konstelacionet shoqërore që presupozon, ngel çështja më delikate: dora e ndershme për tundje para, e cila, është vështirë të gjendet. Sepse, vendosja e një shkrimtari në vendin e vet të merituar nis të ngatërrohet saherë kur nisin të përzihen kate­goritë estetike me ato joe­stetiket, të cilat, në vend që t’i afrojnë - i largojnë vlerat, i mënjanojnë, i lënë të presin larg tempullit të tyre të receptimit nga opinioni.

Tre janë shkrimtarët bashkëkohorë shqiptarë të cilët sipas meje urgjentisht duhet të njihen dhe studiohen në hollësi, do të thoja të mikrostudiohen, si individua­litete letrarësh ndër më të rëndësishmit të letërsisë sonë. Sipas risive që sjellin vep­rimtaritë e tyre të gjithanshme me vlerat e vërteta të patund­shme, këta janë: Martin Camaj, Teki Dërvishi dhe Beqir Musliu. Ka edhe shkrimtarë të tjerë të rëndë­sishëm të letërsisë sonë që meritojnë të studiohen dhe të cilëve është detyrë e kritikës letrare t’u japë përgjigje edhe atyreve, por ata të cilëve, si të thuash, kahmot u ka skaduar koha, janë pikërisht këta tre emrat të cilët i përmendëm më lart. Mendoj se kahmot pritet mendimi relevant shkencor ndaj këtyre shkrim­tarëve, veprave të tyre të shumta; lexuesit presin të njihen e të studiohen dhe mikrostudiohen si nismëtarët e vërtetë të risive që kanë sjellur para kohe epokën postmoderne, prej nga ka filluar të evoluojë letërsia shqipe përpara me një varg ndryshimesh vërtetë të reja.

Martin Camaj, Teki Dërvishi dhe Beqir Musliu që me kohë janë dalluar shumë nga të gjithë shkrimtarët tjerë bashkë­kohorë shqiptarë. Ata janë krijuesit e parë të letërsisë së formatit postmodern që me prurjet në laboratoriumet e tyre, kanë dësh­muar veçantinë e tyre autonome. Prandaj, duke i parë temat dhe idetë shumë interesante, dhe sidomos duke i parë mënyrat krejt të reja të shkrimeve të tyre, të panjohur më parë në letërsinë tonë, ata duhet të jenë më të parët objekt shqyrtimesh, analizash dhe hulumtimesh të holla shkencore. Këta krijues kanë pikat e tyre të përbashkëta të përgjasimit, sikundër që kanë edhe pikat e dallimeve. Kjo mund të shihet në natyrat e tyre të mimezisit dhe të katarsisit që i shquan si krijues, veç e veç. Ky trinom krijuesish që krijojnë poezinë, prozën dhe dramën një­kohësisht (përjashtim bën Martin Ca­maj, i cili është edhe filolog, gjuhëtar), e kanë shkallën e superlativit të risive që sjellin në të gjitha zhanret letrare që i kultivojnë. Sado krijues llojesh dhe zhanresh të ndryshme letrare, ajo që më së shumti u flë në shpirt atyre, është poezia, prandaj do të theksoja se ata mbi të gjitha janë poetë dhe pastaj janë edhe prozatorë e dramaturgë.

Këta shkrimtarë, lexuesi shqiptar i njeh (i njeh mirë, i njeh pak ose s’i njeh fare) si shkrimtarë të formatit postmodern. Ky fakt, bën që sot për sot presupozon një inercion mosko­mu­nikimi ose një impakt të vogël të lexueshmërisë së tyre. Por, siç ndodh zakonisht me shkrimtarët që lindin me talent, po para kohës së lexueshmërisë së tyre, këta shkrimtarë sikur po përjetojnë mo­slexim dhe mos­recep­tim mbase për shkak të shfaqjes para kohe të kodifikimit teorik të lëvizjes letrare që paraqet ajo, në rastin konkret, të postmo­dernizmit, të lindur në kontekstin kohor të soc-realizmit zyrtar. Prandaj, karakteri postmodern i cili i tipizon stilet që aplikojnë ata në veprat e tyre, u shkakton “huti” dhe “kokë­çarje” jo vetëm lexuesve, por edhe studjuesve, sidomos atyre me mbathje të vakët shken­core, në radhë të parë studjuesve pozitivistë që janë me shumicë ndër ne. Edhe pse mosreceptiviteti në një shkallë më të lartë borërore s’vihet në diksutim, them se si shkrimtarë bashkëkohorë, edhe këta shkri­mtarë modernë dhe postmo­dernë, ka ardhur koha kur duhet të studiohen, madje edhe me përkushtim. Prandaj, duhet theksuar se ky shkrim imi ka për qëllim ta shënojë veçantinë e këtyre shkrimtarëve, e si lexues i pasionuar i tyre, por edhe profesional që insiston të mos lihen në harresë ata, sepse janë figura madhore të kombit.

Këta shkrimtarë të parë të mirëfilltë postmodernë shqip­tarë, kanë sisteme poetike të veçanta që i aplikojnë. Ato lexuesi mund t’i pikasë menjëherë, me një pamje të parë të vëme­ndshme. Edhe pse kanë gjerësinë, thellësinë dhe madhë­sh­tinë, pakrahasimisht më të pamatshme, përballë, le ta zëmë, veprave letrare të disa autorëve minorë të cilët sot i shohim si mega­shkrimtarë (e të cilët nuk ia vlen as të përmenden fare), këta shkrimtarë në shtetin amë s’i boton kush. O s’i njeh shoqëria e botuesve, o nëpunësit shoqërorë nuk janë çrrë­njosur akoma nga mentaliteti soc-realist ose krahinorë duke i ruajtur kufinjtë e ndasive artificiale të kulturës sonë kombëtare e cila është e pa ndashme. Por, edhe nëse e botojnë ndo­njërin sosh, si psh. Martin Camajn, nuk e lexojnë; e pastaj, mungojnë inter­pretimet dhe interpretuesit adekuatë profesio­nalë, të cilët dinë t’ua ndriçojnë kuptimet veprave të tyre.

Martin Camaj, mjeshtër i fjalës dhe i mendimit, erudit dhe enciklopedist i llojit të vet, për nga natyra shkrues dhe kultivues i të gjitha diskurseve, prej atyreve folklorike e deri te ato pastër post­moderne, në të gjitha llojet dhe zhanret, paraqet shkollë më vete letrare që nga tradita di ta marrë më të mirën për të dalë pastaj mjeshtrisht në një poetikë moderne dhe postmoderne, një futurist i çuditshëm që në kështjellat e tij prej metaforash dhe metonimish, bredh mes mundësisë dhe pamundë­sisë së fjalës, ndërmjet kozmogonisë, kozmopoli­tizmit dhe ngjy­rërave të saj të zjarrta, shëtit me poezinë mes artit dhe artefakteve ku prehet pasi të jetë dehur. Shumë vjetë, shkollë për shkrimtarët e Kosovës, Martin Camaj nga një shkrimtar i angazhuar kërcen në krijues të artit të pastër, hermetiku i parë që evoluon drejt postmodernizmit.

Teki Dërvishi është demaskues, ironizues dhe alegorizues i koekzistimit të qenies shqiptare mes pushtuesit barbar serbo­sllav dhe veglave më besnike të tyre, shqiptarëve tradhëtarë. Ai në shkrimet e tij e zhvesh dhe demaskon pamjen artificiale të ish Jugosllavisë duke e koduar atë me një satirë tepër therrëse mu në kohën kur të tjerët i thurnin himne dhe panegjiri kreaturës së saj. Mjeshtër shumë i hollë i ironisë, sar­kazmit dhe parabolës, i simboleve, metaforës dhe metonimive nga më të ndry­shmet, që gjuhës së tij i japin forcën sintetike si në veprat letrare, ashtu edhe në publicistikë, ai do të jetë një individualitet i fortë e madje edhe unik i letërsisë sonë. Mes artit të angazhuar dhe të paan­gazhuar, mes syrealizmit dhe artit të pastër, Teki Dërvishi është i pari që përqafon eksperi­mentin dhe postmodernizmin dhe ia del me sukses të bëjë një mori veprash me vlera të padisku­tueshme artistike.

Beqir Musliu është syrealisti i parë hermetik, një ngritës i figurave nga më të ndryshme prej atyre mitike dhe biblike (ngjashëm si edhe T. Dërvishi), në një sistem figurash tjera, pastër të letra­rizuara dhe të mitologjizuara, që i trajton brenda një kështjelle specifike shkrimi, pastër artistike, lëvrues i si­mbolit, metaforës dhe gjuhës abstra­kte, pastër letrare, apliku­es i lojës me fjalë, gdhendës i fjalës dhe të mendimit. Lojtar me fjalën artistike dhe durimin e lexuesit, B. Musliu mund të sprovohet me lloj-lloj eksperimentesh artistike tmerrisht të ska­jshme, një flamurtar i formalizmit që s’e gjen edhe një tjetër.




[1] Fenomeni i distancës kohore presupozon fjetjen për një kohë (një, dy a tre dekada apo edhe më shumë) të ndonjë vepre letrare, të ndonjë shkrimtari apo të ndonjë dukurie të pazakontë letrare që shfaqet në një kohë të caktuar; fenomeni i distances kohore del nga teoria e recepcionit; horizonti i pritjes së lexuesit dhe interpretimi i tij gjithfarësh ndodh kur diskrepanca mes qëllimit të autorit dhe nivelit botëkuptimor të lexuesëve janë në shpërputhje dhe kërkohet të përafrohen; shif për këtë: H. R. Jauss: Literaturgeschichte als Provocation, 1970, ose: Teorija recepcije, 1978, Grupa autora: IKUB, Rečnik knjizevnih termina, 1992, str. 858

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen