F A Q E T

Freitag, 19. Juli 2013

Shahadie Neziri – Lohaj

Shahadie Neziri – Lohaj u lind më 10 shkurt 1965 në Shkup. Aty ka mbaruar vetëm dy klasa të shkollës fillore, pasi familja e saj u shpërngul në Ferizaj. Këtu ka mbaruar shkollimin fillore dhe ka filluar të mesmin. Në vitin 1983, pushteti serb e dënoi me 3 vite heqje lirie, kur ajo ishte vetëm 18 vjeçe. Pasi mbaroi burgun, Shahadija mbaroi shkollën e mesme dhe u regjistrua në ish-Shkollën e Lartë Teknike në Ferizaj. Për dy provime, komitetlinjtë e atëhershëm ia mohuan të drejtën për studime, duke e konsideruar “të papërshtatshme politikisht”.Në vitet e nëntëdhjeta regjistroi studimet në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Filologjisë e Universitetit të Prishtinës. Pas një procesi gjyqësor në Ferizaj, më 1997, policia serbe kërkoi ta arrestojë me akuzën “ndihmë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Atë vit, gjykata serbe në Prishtinë e dënoi me dy vite burg në mungesë, pasi ajo ishte detyruar të ndërpresë studimet dhe ka qëndruar ilegalisht në Prishtinë dhe në Tiranë. Më 1999, kur u çlirua Kosova, Shahadija u kthye në Kosovë, ku i përfundoi studimet, më 2002.
Ajo tani është profesoreshë e gjuhës dhe e letërsisë shqiptare në shkollën fillore “Gjon Serreçi” në Ferizaj, ku jeton me familje. Ka të botuar librin poetik “Ëndrrat për atdheun”, Prishtinë, 2009.
Ka është libri i dytë poetik i saj. Ka në dorëshkrim librin e dytë edhe të tretin poetik i saj . Poezia e saj eshte e perfshire ne disa antologji.



Shahadie Neziri – Lohaj


PSALM PËR LIRINË

Me këmbë të stërlodhura
Zhurmojmë
Në këtë zgavër të errët
Të lirisë,
Nga kataklizmi i kohës
Gulçojmë.
Dhe, mëkatet na ndjekin pas,
Me kurmin e grisur
Nëpër vitet e rrebeshta.
Me frymëmarrjen
E stërlodhur shqip,
Me gishtërinjtë e mekur
Shkruajmë plagët
Në lëkurën tonë të regjur...
Pakoja Ahtisari,
Haga,
BE,
Uashington...
E ata faniten
Të përjargur nëpër jetën tonë,
Pështyjnë në idhujt tanë
Dhe pamëshirshëm
Na shungullojnë
Derisa liria të ngjizet,
Tek globi zë e dridhet.

 

AKUZË DHEMBJESH

Mbi flokët tuaj
Fjollat e borës digjen.
Pikojnë gjak
Eshtrat
E përplasur udhëkryqeve
Skllave të moralizimit
Brenda hirit të zemrës
Së dhunuar
Të ndëshkuara,
Me zhurmën e shurdhuese
Të thashethemeve.
Mundoheni ta kapni
Dritën,
Me plot dhembje,
Me unin e copëtuar
Te martirizimit.
Nën lutjet e shenjta
Bartët mëkatet
E shekullit,
Me skelete
Të mbështjellë me florinj.
Mes rrebesheve dehëse
Të psherëtimave
Shoh si bie
Figura juaj prej virgjëreshash
Në oazën zemërake
Të moralizimit...

 

IMAZHE SHKRUMBI E GJAKU

Dhe vargjet pikonin gjak
Mes gishtërinjve,
Mbështjellë me dhimbjen
E trishtë të shpirtit.
Zgërdhiheshin
Rreshtat së bashku
Me hienat
Nën retë e dendura
Të patriotizmit.
Zgërdhiheshin
Muzgjet
Me barrën
E dhembjeve e të gjakut,
Si nëpër legjenda.
Vërtiteshim
Në sheshin "Avni Rrustemi".
Ishte lodhur sheshi,
Na sillej rreth koke,
Ishim lodhur edhe ne
Tek i silleshim sheshit,
Me krisma Avniu në shpirt,
Por lamë amanetet
E strukura
Nga pabesia e gjakut,
E poezia dergjej në pritje,
Me vetëtima dhimbjesh
Me imazhe shkrumbi e gjaku.

 


MELODI E ZEZË
(Ditiramb për invalidë të luftës)

Dje, vitet shkërmoqeshin,
Buzë varrit me dhe hiri,
Dalldisur nga melodi e zezë,
Në pentagramin e lirisë
Digjej kurmi juaj.

Të vdesim,
A të rrojmë?

Refreni përplaset kolltukëve të mëndafshtë,
E këmbëkryq ulet në ndërgjegjen e oxhakut tim.

Sot, vitet e paqes
Ua gërryejnë plagët,
Ua shpojnë eshtrat tej e përtej,
U lanë në pështjellën e shtjellës,
Të ecni me proteza lëndinave me lot.

Ju mbetët
Si fëmijët jetimë,
Kur paqja shtrin flatrat e zeza
E zëri i kukuvajkave
Ngatërron melodinë:
"Mbeç, more shok, mbeç,
Të dy qetë të m’i shesë,
Të më rrisë djalinë oi,oi,oi..."

Melodia shkundi yjet e zjarrtë,
Si era kokrrat e mollëve në suferinë,
E ju mbetët copëza malli,
Në pragun tuaj,
E liria ua përtyp dhembjet,
Me dolli gjaku
Kapërdihet amshimi juaj.

Ata ua mallkuan ëndrrat,
Ata ua shëmtuan vdekjen.

Tani më nuk e dini
Kur ka ardhur,
A kur ka ikur?
Apo a e keni sjellë ndonjëherë,
Lirinë?

Të vdesim,
A të rrojmë?

Refreni përplaset kolltukëve të mëndafshtë,
E këmbëkryq ulet në ndërgjegjen e oxhakut tim.

 

E LODHUR EC

Prej premtimeve pa bosht,
Në rrjedhën e kohës
Çalon drita.
Gjethet e shekujve
Bëhen pleh
Për të ringjallur kopshtet
E ujitur prej plagësh e gjakut.
E lodhur ec,
Me Kuranin e Biblën në zemër
Me shpresë, që loti dhe dhimbja
Nëpër pluhurin e ligësisë
Të tretin përtej zisë.




THONJTË DO T’I BËJ PARMENDË

Për ty, dheu im!
Digjem flakëve të ferrit,
Mbytem valëve të detit,
Zhdukem nëpër cunamë,
Udhëve të botës,
Pres damarët e zemrës.

Për ty, dheu im!
Digjem vargjeve të Naimit,
“Balta është më e ëmbël se mjalta”.
Për ty, dheu im!
Thonjtë do t’i bëj parmendë,
Të të lulëzoj anekënd.

 
PËR DHEUN E LINDJES

Në vendin tim, kujtimet rrinë varur,
Si hardhitë e pakrasitura në pjergulla shtëpie.
Malet s’e zhveshin kollaj kurorën e lashtë,
Veshur prej shekujsh me njolla gjaku,
Të cilat ende mbajnë erë në degët e pemëve,
Në kangjellat e shtëpive, erën e barutit,
Në shamitë e zeza të nënave, vajin e bardhë,
Në muret e Drenicës, shenjat e plumbave.

Në vendin tim, trotuaret kanë hije trishtimi,
Njerëzit të përvuajtur ngjyejnë dhimbjen në sofër,
Skamja lëshohet hirshëm mbi buzët e jetimëve,
Burrat e të rinjtë marrin udhën e mërgimit,
Dhe harrohen, lëndohen në botën e qytetëruar,
Për një grusht mall, për dheun e lindjes!

 
EJA MERRE NUSEN NGA KOSOVA!
(Këngë për Dritëro Agollin)

Në bjeshkët tona, në vise të thella,
Në vatrën time rrahur nga baruti e era,
Është rritur mbesa ime e bukur si zanë mali,
La malin e si shqiponjë po zbret nga malli.

Këtë ëndërr kishim në zemër, këtë hall,
Eja se malli nuk shuhet dot me fjalë,
Në viset e shkrumbuara nga zjarri e flaka,
Nusja e re po të pret veshur me flatra.

Me fjalën LIRI binim nëpër beteja,
Eja e merre nusen, Dritëro eja!
Plagët mbesa dhe tash m’i kuron,
Merr një kalë, po deshe dhe një avion.

Valëvite flamurin në këtë Shqipëri, në atë Shqipëri,
E di se kufiri ka edhe pak thikë mbi Iliri,
Mos heq nga këpucët baltën e Devollit,
Flet me gjithë shpirt e ëma e nuses së Agollit.

T'i flakim pasaportat që e ndanë fisin në dysh,
E të mos jetojmë me legjenda e përralla,
Shuaje mallin poet e merre nusen e Kosovës!
Mbesën time zemër rritur majave të Rugovës.

Me shekuj të presin kafeja, çaji me dëllinja,
Rrjedhë e lumit nuk ndalet dot me ato thinja,
Eja e merre nusen me krushq e me kalë,
Dhe fshija pluhurin nga velloja e bardhë.

 
TRE SHOQE

1.
Dashuria dhe poezia
Të dehin si rakia,
Shoqe e pandarë jam dhe unë,
Sikur pikat në atë lumë.

2.
Të tria kemi sensin e amësisë
Rrotull botës, rrotull Shqipërisë,
Nga kjo jetë deri n’amshim,
Nuse në dasma, nuse n’trishtim.

3.
Udhë të jetës na bashkojnë,
Dhe kur nxeh dielli e re kur shkojnë,
Jemi një sa mijëra botë,
Kaq me zor na mban kjo tokë.

 
POEZI E MUZIKË

Më pëlqen poezia,
Shkruaj,
Kompozoj nota muzikore
Çdo ditë udhëve të stresit…
Për të ndjerë buzëqeshjen tuaj.
Edhe dhimbja është poezi e muzikë…
Fëmijë të mi të dashur!
Ju jeni tingujt më të ëmbël
Të dashurisë,
Të poezisë,
Edhe kur pëlcas
Prej mërzisë.

 
BULËZA TË VYSHKURA

Në melodinë shpresëthyer,
Ëndërroj bulëzat e vyshkura
Dhe puthjen në krahët e mbrëmjes...
Po deshe, më quaj mëkatare
E kundro përfytyrimin tim!
Mes fjalëve të ngërthyera,
Do të ngjyesh dëshirat e qullura për ty.

Nën tingujt e melodisë shpresëthyer,
Shtrihen notat për kohën e akullt,
Që zvarriten pas trenash, metropoleve,
Sipër qiellit përvëlues të fatit...
Dhe Ti, nuk lot asnjë hap
Për të kapur kohën...
E për të dëgjuar melodinë.
Unë ta dëgjoj zërin që buçet në heshtje,
E kënga jote e turbullt do të tretet,
Si vesa e mëngjesit,
Në hajatin të modernizimit të akullt.

 
JAM GRUA

Më vjen keq kur dëgjoj
Fjalë të rënda
Për duart që përkundin djepat
Si burim drite.
Treten bashkë me ironinë
Apo janë një hiç?
Patjetër më vjen keq
Për duart tona
Që mbledhin yjet muzgjeve
Dhe zhveshin rrobat,
Duke mërmëritur fjalë dashurie,
Përkëdhelin ndjenjat e këputura,
Me dhembje lehonie,
Përkëdhelin barkun agsholeve
Mes jetës dhe gjakut.
Unë jam grua,
Nuk jam një pellg dashurie,
Nënë me emrin Dije.
As mbeturinë e hedhur nuk jam,
Nuk hyj në arkivolin tuaj
As kur vjen vdekja,
Nuk jam dashuri e shtrydhur,
As kur më thinjet jeta.

 
TEATËR NË VENDLINDJE

Kur këndojnë gjinkallat,
Në livadhet e vendlindjes
Zhduket zemërimi.
Gjethet e pemëve valëviten,
Si rrjete merimange,
Në thua merr trishtimi.
Kur zogjtë fluturojnë
Në male e në kaltërsi,
Dashuria mposht çdo ironi.
Lumenj të etur gurgullojnë,
Si buza e etur e pelegrinit
Atdheu qesh me valën e rikthimit!

 
AVUJ ZEMËRIMI

Të zbulova
Në netët e skëterrta.

Në guacën tënde më mbylle,
Më shtrëngove fort,
Më shtrëngove
E më more krejt çka pata.

E shpirtin tim të përflakur
E avulloi zemërimi...!

 
MALLËNGJIM I NËNËS

Ky acar zemërak të ka lodhur,
Kjo çmenduri ikanake
Fërgëllon mes yjeve e zjarrit
Dhe përpiqet të të pushtojë.
Ti rri e mallëngjyer
Dhe dëgjon
Kumbimin e dhimbshëm të bijve të tu.
I pret te pragu ku linden ata
Dhe u këndon ninulla
Në djepat shkruar
Me shkronja të florinjta.
Fërgëllojnë yjet
Mes zjarrit dhe gjakut
Puhiza t'i përkëdhel faqet.
Shqip frymon
Kjo çmenduri ikanake
E ty pritja lodhur të ka.

 
THURUR ME LULEVARGJE

Ah, përse po përthith ajër me frikë?
Zemra po më mbetet bosh,
Edhe pse belbëzojnë
Zanoret e tufëzuara,
Në mbarsim prej lulevargjesh.

Eh, më marrshin zanat, më marrshin!
Që vrava dashurinë natjeve
E muzgjeve lulevargjet hiqeshin zvarrë.

Sot, kur s'kam fruta vjeshte,
Kur gjembat sehir bëjnë,
Digjet trupi, e djeg zjarri,
Gjethëza e dashuri në tokë i rrëzojnë.

 
DASHURI E ZEZË
 
Si zog qyqeje braktise
Çerdhen e dashurisë,
Mëkatove hapërimin
E zemrës sime.
Oh, qan nata e dita me shi
Si idhuj të lagur ne të dy...
Thitha mashtrimin e ofshamat e tua,
Tek puthja buzët me lëng mollësh
Prajshëm na rridhnin ofshamat
Dhe loznim valle meteorësh.
Oh, pse, pse?
Ah, s'ta pata borxh!
Pse me pluhurin e trishtë
Ndjenjat e mia i mbulove
Dashurinë e zeze
Në shpirt ma krijove!

 
STRALLI PUTH DIELLIN
(Akrosik)

Zjarreve zhurmshëm digjen shekujt,
Ashtu të përgjakur pikojnë në Prishtinë.
Hapërove si engjëll i sfilitur flakëve...
Idealet i mblodhe thërrime nëpër stinë,
Rizgjove himnet e tretura në robëri.

Psalm për lirinë thure me gjakun tënd!
Ah, sa ushtojnë dhembjet e pamëshirshme...
Jetën e flijove si strall që puth diellin.
Amanet na e lë himnin e tretur për liri.
Zemërak u bëre për trungun e ndarë në dysh...
Idol atdheun cep më cep Shqipëri e Çamëri,
Tok i shkruam hartat me pendë e gjak n’Arbëri,
I fortë qëndron në lirinë e dheut n’Dardani

Ferizaj, më 14. 11. 2012

 
PËRGJËRIM

O, Zoti im!
Më jep frymën tënde!
Më jep besimin tënd!
Më jep mirësinë tënde!
Që shpirtrave të vrarë
T’ua kthej frymën
Luleve ngjyrat,
Zogjve këngën,
Burimit ujin,
Fushave vrapin e kuajve,
Fluturave qiellin,
Vargjeve poezinë,
Rruzullit jetën,
Popujve lirinë.

 
NË RRUDHAT E NËNËS

E trishtuar
Shoh thinjat e flokëve të tua,
E kalamendur gjurmoj
Fijeve të tyre
Secila fije lidh vitet e jetës sime,
Me brenga të derdhura
Viteve të rrebeshta.
Kam frikë t'i prek me dorë!
Oh, kam frikë
Mos po rizgjoj mendimet e çlodhura
Në rrudhat e tua
Ugare të një are pa fund.
E sfilitur ec me farën e jetës në dorë
Ta hedh në çdo brazdë,
Unë bujku i keq,
Që nuk mund t’i jap shpirt vdekjes,
Në fund të çdo jete.
Kokën vë në prehrin e nënës,
Në atë palë dheu të atdheut tim,
Se kam mall për ato duar,
Të më ledhatojnë
Me tëra vrazhdësitë e shekujve.
Dhe biem në gjunjë bashkë
E puthim farën,
Ujitur me qumësht nëne.

 
BALADË PËR GJIRIN E ROZAFËS

Mbrëmë pashë Rozafën në ëndërr,
Mbi trupin e mekur
Kishte lënë gjirin jashtë
Të birin me mall të mëkonte.
Engjëjt ethshëm nanurisnin kohën e djepit,
E gjiri pikonte qumështin e foshnjës,
Shtrënguar mes palë muresh të ftohta.
Rozafa skërmiste dhëmbët
Kudo në kuje kukuvajkash,
E ustallarët vëngër shikonin me sy
Lidhur me fijet e këputura zanoresh,
Atje ku një copë varr
Kërkonte lëmoshë ndjenjash
Mrekulluar me sy nëne,
Mrekulluar me sy foshnje,
Ah, mrekulluar me gji Rozafe...
Në pentagramin e melodisë së djepit
E bukura Rozafë është këtu
Ah, është atje,
Nën këlthitjet e foshnjës
Me pajë nusërie vinte ngadalë,
Me plumbin e kokës sime brenda,
Kur kokën kisha mbështetur për një rrasë guri,
Pranë varrit mbi tokë,
Nën hijen e një lulevarri,
Ëndrrat i thura gërshetë Rozafe
Me shkronja lirie stolisa
Gjoksin e trimit tim.
Dhe Gjergji me shpatë kërthizën i preu
E mblodha flamujt betejave plot plagë
Kumar zura detin e paanë
Me dallgë poshtë Urës së Qabesë
Nëpër ato stërkala balte
Sikur shkundnin pemën e jetës sime
Lagur me lotin i thinjur,
Me dendësi ferrash korb të zeza,
Mbuluar me zjarrin e truallit arbëror.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen