F A Q E T

Montag, 19. August 2013

Imri Trena

Imri Trena

Imri Arif Trena u lind më 1961 në fshatin Begrace të Kaçanikut. U diplomua në Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë. Në vitin 1999 migroi në Norvegji, ku jeton dhe vepron sot. Është themelues dhe kryeredaktor i Radiostacionit “Zëri i Arbërit”. Është arsimtar i Shkollës Shqipe në Oslo, që nga viti 2000. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe ka botuar këto vepra:
  1. "Buzëqeshja e tretur", 1996
  2. "Plagë në zemër", 1998
  3. "Shtegtim i shqipeve", 1999
  4. "Prapa grilave", 2001
  5. "Kosova ime e madhe", 2002
  6. "Andej është Kosova", 2004
  7. "Rruga e hidhur", 2007
  8. "Dhembje e lot", 2007
  9. "Në kampin Bjørnebekk, 2008
  10. "Aromë manushaqeje", 2008
  11. "Zgjidhma gjuhën dashuri", 2010
  12. "Mall i pashuar", 2012
  13. "Migrimet e para të shqiptarëve në Norvegji", 2012
  14. "Netët e bardha", 2012
  15. "Rruga për Vlorë", 2013.
  16. "Me zërat arbënor të Radio Zeri i Arberit", 2014
  17. "A është larg Begraca", 2015
  18. "Më shumë diell për Norvegjinë", 2015
Poezitë e tij janë perfshirë në disa albume poetike dhe janë përkthyer në disa gjuhë.



Poezi nga Imri Trena



PËR TY JAM KOSTANDINI

Për ty jam Kostandini,
i ngritur prej balte,
i rënduar nga betimi
i fjalës së dhënë!
Kostandin dhe Besnik.
dy emra burrërie,
me fjalën e shenjtë Besë,
lidhur me një fije fisnikërie!





VUAJTJA

Mos mendo
se njeriu nuk vuan
nëse nuk qan.
Mos mendo
se nuk digjem për ty,
edhe kur të kam pranë në gji.





DËGJOMË

Nëse mendon se gënjej
thuama,
Nëse mendon se qaj,
hesht
Nëse sé di sa të dashuroj
pyetmë
Nëse të dhimbsem se jam vetëm
Eja!





KUDO DO TË KËRKOJA

S´çuditem kur kërkojnë manushaqen,
se edhe ashtu mes ferrash është e bukur,
jam si ai që edhe pas të çjerrash,
me më të bukurën lule ndjehet i lumtur!





NJERI

Të bëhesh njeri me shpirt të madh.

është privilegj i atyre që kanë vuajtur.
Të lindësh i varfër është fatkeqësi
prej së cilës edhe mund të shpëtosh
por ta mbyllësh jetën i varfër është më zi,
me të vetmin ngushëllim krenar
Mbeta Njeri!





DURIM I LODHUR

Durim për varfërinë
n´fëmijëri durim për dashurinë larguar
durim për rritje vetmuar të fëmijëve,
durim sipas ligjeve,për të qëndruar
durim breng- kurbetin për të fituar.
Urtësi e durimit
prej Zotit je bekuar,
durimin e lodhur të jetës sime,
prej pritjes së gjatë e dua çliruar!…





MALL

Më dogj malli Gërlica ime,
pa ty si zogu çerdhe prishur,
bora ma zbardhi flokun,
kthimin në vendlindje duke pritur.





SFIDA IME

Të jap sa të mundem dashuri
në këtë jetë të ashpër u rreka,
edhepse të mbetesh vetvetja,
për ironi nuk u shpërbleka.
Krevat të të florinjtë mund të blej dikush,
po si unë ëndërrimesh s´bën gjumë,
paqja në shpirt të madh çmim ka,
në sfidën time ua provoj unë.


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen