F A Q E T

Sonntag, 25. August 2013

Josif Bageri

Historia për Josif Jovan Bagerin u tregua shumë e pa mëshirshme, duke e mbajtur në heshtje gati për një shekull, edhe pse kohë pas kohe behej objekt studimi vetëm nga disa studiues, ndaj pa të drejtë ende nuk e ka zënë vendin e merituar në historinë e letërsisë.
Ishte rilindësi i fundit i kësaj treve, i cili edhe pse jetëshkurtër, i dhuroi popullit liridashës tërë veprimtarinë e tij jetësore, duke u përkushtuar me tërë qenien e tij mendore e fizike, se si të çlirohet nga Perandoria e madhe pushtuese (turke).
Josif Bageri lindi me 15 gusht të vitit 1870 në Nistrovë të Rekës (malësi e Dibrës se Madhe), në kohë kur lëvizjet e mëdha çlirimtare kishin marrë hovin e zhvillimit, kur popullit i nevojiteshin intelektualë dhe atdhetarë të tillë.
Vitet e rinisë se hershme i kaloi në vendlindje, i angazhuar si bari i varfër. Për shkak te rrethanave të prapambetura ekonomike, sociale e arsimore, Josifi nuk pati mundësi që të vijojë ndonjë shkollë, edhe pse, qysh në fëmijëri shfaqte interesim, dashuri e dhunti për arsimim.
Në vitin 1887, në moshën 17 vjeçare, për shkak të varfërisë së rëndë, emigroi në Sofje të Bullgarisë. Krahas punës se rëndë fizike, u angazhua në lëvizje kombëtare çlirimtare kundër pushtuesit.
Frymëzimet e para për zënë dituri krijuese i kishte nga Dhimitër Mole i Korçës. Dhimitrin e takon në dyqanin e tij në Sofje. Ai dyqan, njëherësh shërbente edhe si pikë takimi dhe organizimi e patriotëve shqiptarë. Ndodhte kështu sepse Dhimitri sillte libra dhe gazeta nga Bukureshti dhe mbrëmjeve u mësonte mërgimtareve të interesuar shkrim dhe lexim të gjuhës shqipe. Pra, Josifi, për herë të parë, vullnetarisht, në moshë 17 vjeçare, mëson shkrim e lexim nga Dhimitër Mole!
Numri i shqiptarëve, që vinin në Sofje për të siguruar qoftë ekzistencën sociale, qoftë për t’u strehuar nga përndjekja e pushtuesit, rritej nga dita ne ditë, prandaj ata ndien nevojë për themelimin e një shoqërie të tyre kulturore, arsimore dhe patriotike, e cila mëpastaj do të përhapte mësim të gjuhës se tyre amtare dhe frymëzim patriotik e çlirimtar. Andaj me 1 janar të vitit 1893, një numër i madh i shqiptarëve, të përkatësisë dialektore toske dhe gege, të përkatësisë fetare krishtere, themeluan shoqërinë e parë Dëshira. Josifi ishte bashkëthemelues i saj.
Bashkëveprimi i Josifit në këtë Shoqëri nuk do të zgjaste shumë, sepse ai hasi në kundërshtim me platformën e saj fetare. Ai jep dorëheqje nga kryesia e Shoqatës, sepse nuk i toleronte ndasitë fetare, sepse feja për të ishte një frymëzim që bashkon dhe ndriçon përpjekjet dhe angazhimet e përbashkëta kombëtare, dhe jo urrejtje, ndasi dhe përçarje. Mëpastaj, në vitin 1898, me disa bashkëveprimtare themeloi shoqërinë e re, të cilën e emërtuan Bashkimi.
Në Sofje Josifi mbante korrespondencë të rregullt dhe ruante miqësinë me patriotët liridashës nga Reka e Dibrës, Anastas Albanskin, Thoma Sergejin, me dibranët Dervish Hima, Jashar Erebara dhe Seit Najdenin, të cilët shquheshin në veprimtarinë e tyre kulturoro, arsimore, patriotike, duke shpërndarë libra, gazeta, revista, doracakë të gjuhës, dhe materiale të tjera.
Josif Bageri gjatë gjithë jetës, krahas veprimtarisë liridashëse, kishte edhe frymëzimin e krijuesit. Padyshim, njëri ndër frymëzuesit e tij me të mëdhenj ishte Naim Frasheri, sa që, kur kuptoi se ai ishte shumë i sëmure, në vitin 1899 përmbushi, me ato pak kushte që kishte, një dëshirë dhe ëndërr, duke e vizituar atë në Stamboll.
Takimi me poetin e madh Naim Frashëri i la mbresa të pa harruara, duke i dhenë frymëzim e force akoma më shumë për të vepruar sipas amanetit që i la „Bilbili i Frasherit”, siç e quante Josifi poetin. I pikëlluar thellë me humbjen e tij, Josifi i përkushtoi vjershën Para fytyrës se Naim Frasherit, elegji artistike tepër e arrirë për nivelin e atëhershëm të letërsisë shqiptare.
Një tjetër tragjedi do të pësonte Jusifi, kur i kumtuan lajmin e vdekjes se të Birit, Kristit, i cili në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, në vitin 1906, iu bashkua një çete kryengritëse çlirimtare në rrethin e Manastirit dhe aty, gjatë luftimit të pushtuesve turq, krah për krah me çlirimtarët kryengritës maqedonas, la jetën e tij të njomë.
Në vitet 1905-1907 Josifi pati bashkëpunim të ngushtë me gazetën Shpnesa e Shqypnisë (Nada Allbanie, Speranca dell Albania), që botohej në tri gjuhë: shqip, italisht dhe kroatisht. Atë gazetë e botonte Nikollë Ivanaj në Raguzë (Dubrovnik).
Josif Bageri, përmes angazhimit të tij të përkushtuar krijues e patriotik shqiptar, u bë i njohur jo vetëm në mërgatën shqiptare në Bullgari, por edhe mërgatën shqiptare në Bukuresht, në Shkup, Tiranë, Elbasan, Shkodër, Prishtinë, Dibër, kudo që shpërndaheshin gazetat për të cilat ai shkruante.
Në vitin 1908, me fitoren e të ashtuquajturit Revolucion Xhonturk, i cili popujve te robëruar u premtonte barazi, Josifi udhëtoi nga Sofja për në Shkup, Tetovë, Gostivar, Dibër, që të nxiste përhapjen e shkollave shqipe. Se fundi u kthye në vendlindjen e tij, Fshatin Nistrovë, dhe në fund të shtatorit të vitit 1908, hapi shkollën fillore në gjuhen amtare shqipe.
Ne vitet 1909-1911 behet redaktor i gazetës Shqypeja e Shqypnisë, të cilën ai e botonte në Sofje. Kjo ishte një organ politik, kulturor dhe letrar, siç ishte e shënuar në ballinë dhe në këtë Gazetë Josifi shkruante me pseudonimin e tij Rek-Rekasi, për të zvogëluar rrezikshmërinë e tij fizike nga përndjekësit politikë.
Në vitin 1914 kthehet në Shqipëri, me përcaktim që të ndihmoi Shtetin e pavarur të Shqipërisë londineze. Qeveria e kohës e ngarkon me drejtimin e gazetës Ushtima e Krujës. Për këtë qëllim ai vendoset Durrës. Kjo gazetë, për shkaqe të varfërisë ekonomike, pas disa numra pushon se botuari.
Kushtet e rënda jetësore, keqësimi i shëndetit dhe dëshpërimi i thellë politik e social, e shtynë Josifin në qershor të vitit 1915, të vendoste që të kthehej serish në Sofje.
Para nisjes për Sofje Josifi pati një takim të fundit me Fan Nolin, Faik Konicën e personalitete të tjera, ku u bisedua për qëndrimin që duheshin mbajtur ndaj vendimit të Fuqive të mëdha, që vendosen të dërgonin princin Von Vid, për të menaxhuar Shtetin e pavarur dhe të njohur shqiptar. Në atë takim ata vendosen të mos protestonin, fillimisht të mbanin qëndrim vëzhgues.
Rrugës për në Sofje ndalon në Prishtinë, për të takuar Hasana Prishtinën dhe personalitete të tjera, me mision që t’i njoftonte për vendimet e takimit me personalitete në Shqipëri. Në Prishtinë, në rrethana ende të pa hulumtuara, vdes në qershor të vitit 1915, ku duhet ta ketë varrin (ende të paidentifikuar)…
Josif Bageri, përpos që ishte njëri nga figurat më të shquara të lëvizjeve të mëdha çlirimtare në Ballkan, për lirinë e mendimit, shprehjes, arsimimit dhe për lirinë e popujve që jetonin të lirë në shtetet e tyre kombëtare, ai ishte edhe poet, prozator, publicist. Shkroi shume tregime dhe vjersha edhe për fëmijë. Shkruante dhe tekste pedagogjike e didaktike arsimore, tekste shkencore, krijonte e mblidhte aforizma e proverba, etj. Fillimisht i botonte nëpër gazetat dhe revistat e kohës: Kalendari Kombiar, Drita, Besa, Liria, Shqipëria, Shpnesa e Shqypnisë.
Josif Bageri ka shkruar edhe me disa pseudonime, prandaj studiuesit e kanë të vështirë të identifikojnë gjithë veprimtarinë e tij krijuese, publicistike, arsimore. Deri tani dimë për pseudonimet Rek Rekasi dhe Shpirti i Rekës.
 
Krijimtaria (e njohur deri tani) e Josif Bagerit:
 
● KOPËSHT MALSORI (Mësime të shqyptarueta dhe vjersha), botuar në Sofje në vitin 1910.
● REKA VENDI IM (vjersha të Josif Bagerit, të përmbledhura nga Dr. Nexhat Abazi), Tetovë 1995
 
Vjersha dhe shkrime:
 
  1. Secili nga ne lypen te mbjell fare te mire e jo te lig, “Diterrefenjesi shqip“, Sofje 1897
  2. Dashuri e mëmëdheut, “Kalendari Kombiar”, Sofje 1899
  3. Bariu, „Kalendari Kombiar“, Sofje 1906
  4. Mjaft në durim, „Kalendari Kombiar“, Sofje 1907
  5. Përmendim, „Kalendari Kombiar“, Sofje 1909
  6. Mesimi dëbon errësirën, „Drita“, Sofje 1902
  7. Ngreu amdhe, “Drita“, Sofje 1902
  8. Rrojtje e merzitun, „Drita“, 1909
  9. Mesoni gjuhen e vet, „Besa“, Konstatinopoje/Stamboll 1909
10. Vajtim e mallkim, „Shqiperia“, Bukuresht 1899
11. Cilët jena na?, „Liria“, Selanik 1908
12. Kushtrimi i shqyptarëve në Manastir, „Liria“, Selanik 1908
13. Fortësia e pares dhe vepra e saj, „Shpnesa e Shqypnise“, Raguzë 1907
14. Qajtje! zot. Nikolle bej Ivanajt, „Shpnesa e shqypnise“, Raguzë 1906
15. Nihma skemi as pi kuj, „Shpnesa e Shqypnise“, Raguzë 1906
16. Hurra!, „Shpnesa e Shqypnise“, Raguze 1907
17. Urime!, „Shpnesa e Shqypnise“, Raguze 1907
18. Për vehte kangmbaronjesh, „Shpresa e Shqypnise“, Raguzë 1907
19. Thirrje, “Shpnesa e Shqypnise“, Raguze 1907
20. Lamtumir, „Shpnesa e Shqypnise“, Raguze 1907
21. Afron dita, „Shpnesa e Shqypnise“, Raguze 1907
22. Vajtim, „Shpnesa e Shqypnise”, Raguze 1907
23. Mbrini dita, „Shpnesa e Shqypnise“, Trieste 1907
24. Para fytyres se Naim Frasherit, „Shpnesa e Shqypnise“, Trieste 1909
25. „Klithje mbi gjith Shqypetaret“, „Shpnesa e Shqypnise“;
26. „Detyra e shqiptarit“, “Shpnesa e Shqypnise“;
27. „Shkoj theror edhe një përpjekës“ (kushtuar Vasil Negovanit), „Shpnesa e Shqypnise“;
28. „Gjuha Shqype dhe shkronjesit e saj“, „Shpnesa e Shqypnise“
 
Josif Bageri ka lenë në dorëshkrim edhe dy vepra, njëra me përmbledhje poezish dhe tjetra në proze, si dhe ka pasur letërkëmbim të ngjeshur.
 
Shkrimet kushtuar jetës dhe veprës se Josif Bagerit:
 
1. Autori i panjohur, „Kopsht malsori“, recension, „Dielli e Flamuri“, Boston 1911
2. Autori i panjohur, „Libra Shqip“, „Kalendari Kombiar“, Sofje 1911
3. Autori i panjohur, „Josif Bageri“, „Java“ 1937
4. G. Petrota, „Josif Bageri“, „La litteratura Albanese“, Palermo -Itali 1932
5. Peter Elezi, „Josif Bageri“, „Shkolla shqiptare“, Konstance 1943
6. Peter Elezi, „Vepra e Bajram Curit nder vjersha të J. Bagerit“, Kostance 1943
7. „Letra e Kristo Bagerit“, (drejtuar te jatit Josif Bagerit), „Ilostracia Ilinden“, G. P. Stametovit, 1913
8. Petraq Pepo, „Kater letra te shkrimtarit demokrat Josif Bagerit“, „Arsimi popullor“, Tirane 1962
9. Autori i panjohur, „Nje gjykim i J. Bagerit per librin „Agimi i qytetnise, Shtjefen Gjecovi“, „Bashkimi”, Shkoder 1911
10. Mehmet Gjevori, „Portrete letrare J. Jovan Bageri“, gazeta „Rilindja” 1969
11. Pjeter Janura , „Josif Jovan Bageri“ (studim), „Jehona”, Shkup 1976
12. Qani Pertafi, „Tradita letrare ne Diber“ (mbi rilindesit Dervish Himen, Jashar Erbara, Josif Bageri), „Ushtima e maleve”, Peshkopi 1977
13. Bojka Sokollova, „Roli i kolonise shqiptare te Sofjes per zhvillimin e letersis shqipe ne kohen e rilindjes”, Seminari i kulturës per te huaj, Prishtine 1978
14. Zymbyle Zeneli, „Josif Bageri dhe krijimtaria e tij per çlirimin kombëtar“, „Ushtima e maleve”, Peshkopi 1977
15. Ismet Dermaku, „Rilindja Kombëtare Shqiptar edhe kolonitë e mërgimit në Rumani, Bullgari“, Prishtine 1983
16. Avzi Mustafa, „Kontaktet e Josif Bagerit me patriotë shqiptarë“, „E vërteta”, Shkup 1997
17. Shaqir Berani, „Gjuha e Josif Bagerit“ (doktoranturë), Prishtine 1988
18. Ruzhdi Mata, „Josif Bageri“ (Monografi), Tirane 1983
19. Dr. Boro Mokrov, „Zaednistvoto na makedonski i na allbanski narod vo emigratskiot pecat“ (feljton), „Nova Makedonia”, Shkup 1992
20. Pjeter Janura, „Josif Bageri“, „Jehona” 1976
21. Pjeter Janura, „Josif Bageri poet i mislitel od gorna Reka“, „Naucen Sobir”, Shkup 1978
22. Jup Kastrati, „Figura të ndritura Kombëtare“, Shkoder 1963
23. Shefik Osmani, „Rruga e Abetares shqipe“, „Flaka”, Shkup 1979
24. Shefik Osmani, „Dy Abetare te vitit 1911 (Gjuha dhe letërsia shqiptare ll), Tirane 1986
25. Bratoljub Klajic „Pedagoska enciklopedija l, ll“(Zagreb, Beograd Shkup Prishtine)1989
26. Dr. Nexhat Abazi, „Kontributi arsimor e pedagogjik i J. Bagerit” (Zhvillimi i arsimit, shkollave dhe i mendimit pedagogjik shqiptar ne maqedoni 1830-1920), Tetove 1997
27. Abdulla Bekteshi, „99 vjet te shoqerise „Deshira” të Sofjes“, „Bujku”, Prishtine 1992
28. Hamid Xhaferi, „Interlingua“ (kahe letrare studime), Shkup 2004
29. Lutfi Turkeshi, „Josif Bageri“ (felton), Shkup 2005
30. Skender Asani, „Veprimtaria atdhetare e J. Bagerit sipas gazetes Bullgare „Avtonomia“,”Studime albanologjike” Shkup 2009
 

LETRA E KRISTIT, DËRGUAR TË JATIT JOSIF BAGERI, PAK DITË PARA VRASJES NË MANASTIR, NË KRYENGRITJEN ÇLIRIMTARE
 
Kristo Bageri, djalë i ri e patriot shqiptar, i frymëzuar me ideale përparimtare dhe revolucionare, në moshën 16-vjeçare, vendosi t’i bashkohet një çete kryengritësish maqedonas, e cila luftonte kundër pushtuesit turk.
Çetës i printe kryengritësi i njohur i popullit maqedonas Bob Stojçevi. Në një përleshje të përgjakshme me ushtrinë turke, çeta u mund. Në këtë luftim u vra edhe Kristo Bageri.
Dhjetë ditë para se të vritej, Kristoja i ka dërguar të Jatit, Josifit, një letër, të cilën e përshkon fryma revolucionare e patriotike dhe vendosmëria e tij që të luftojë deri në fund për vdekje o liri.
Në këtë letër, që duhet të jetë e fundmja në jetën e tij, Kristi i shkruan Babait:
 
Babë, zemra ime gjithnjë rrihte dhe digjej nga etja për liri.

Kur pashë faqet e përgjakura të Maqedonisë, për mua çdo gjë qe e zezë dhe e errët.
Kjo situatë e tillë më shtyri të marrë pjesë në luftë kundër turkut. Kjo vepër që po e kryej unë,është fryt i aktivitetit që pate treguar ti për çështjen shqiptare. Unë si djalë i ri, nuk paraqitja gjë tjetër veçse një letër të bardhë, në të cilën sipas ligjit të ndërgjegjes, do të shkruheshin gjithë ato sende për të cilët ëndërroja, e për të cilat kam pasur etje të madhe në jetë. E kjo qe Vdekje o Liri!
I stërvitur dhe i edukuar prej teje, me një frymë dhe me ndjenja të tilla, nuk mund të mos i nënshtrohesha fatit dhe të mos merrja pjesë aktive në përpjekjet e të bukurës Maqedoni.
Ti babë dendur më ke folur e më ke treguar se Maqedonia dhe Shqipëria që nga kohët e lashta kanë punuar krah për krah dhe janë përpjekur trimërisht kundër zaptuesve të këtyre dy vendeve. Po përpjekje të ngushta dhe fort reciproke kanë bërë gjithmonë. Unë, i shtyrë nga këto ndjenja të përbashkëta dhe nga mendimet për përkrahje dhe ndihmë reciproke erdha, mora vendimin për përkrahje dhe ndihmë reciproke me Maqedoninë, prandaj erdha këtu të vdes, për lirinë e fqinjës dhe mikes sonë Maqedonisë. A kam bërë mirë apo keq, me këtë pjesëmarrje, vetëm gjeneratat e ardhshme të këtyre dy vendeve të robëruara do të mund ta çmojnë drejt.
Atë që kam për ta thënë para se të mbyll këtë letër o babë është: të lutem të vazhdosh veprimtarinë e pandërprerë për lirinë e Shqipërisë, ashtu siç ke vepruar deri më tani.
Vetëm në këtë mënyrë një ditë Shqipëria do të jetë e ngrohur dhe e ndritur nga rrezet e së bukurës dhe të dashurisë liri.
Biri yt
Kristi


VAJTIM MBI VARRIN E TË NDJERIT
VJERSHËTOR NAIM FRASHËRIT


Heshtje! Heshtje mbi ty o Natyrë,
Se ay që ty shumë të lavdëronte,
Ra si fill bari mbi kosën e vdekjes ndyrë.
Dhe lyra e tij që kurrë nuk pushonte,
Po këndonte bukurinë tënde që ke,...
Sot mbetet e ve!

Po vdes dhe shuhet kandil’i jetës ’tija!

Lulja q’e këndonte sot, e venitur bie,
Mbi fytyrën e verdhë; dhe vetëm shkëndija,
E yllit tij që ndritte një shkëlqim i shtie!
Mbi varr’e ftohtë, ku trupin e ti le
Ta hajë i zi dhe.

Të tëra ju fusha dhe ju male t’lartë

Bashkë që të gjithë zini sot me qa,
Vjershëtor’n e urtë që si lul’e thatë
Përmbi dhe ka rënë dhe jetë më ska!
Qani! Qani gjithë! Qani me vajtim
Se shkon pa gëzim! Shkon!

Shkon dhe ikën ku fati e shpie,
Veç një lamtumirë për jetë ne na le,
Me buzën e dredhur që sot s’i ka hie,
Se nuk ësht’e qeshur si që ishte dje!
Ikën dhe më s’kthehet, ndahet fare nesh,
Buza më si qesh!
Ah, nuk i qesh buza, si q’i qeshte një here,
Po fort të helmuar duket që ta ketë,
Se dëshirën që kish për Mëmëdhen’ e mjerë,
S’mundi ta mbarojë sa që kishte jetë!


MALLI IM

Amë e dashun, shumë mall kom,
Me lot m’kie lag!..
Unë prej teje lindun jom
Ande hyne n’flag
Ndon se Ti je shum e ngrat,
Po kie shum vles;
Gjith fëmis u ep urat..
Cilët kie shpres.
Të kom dashun, yti jom,
Kurri nuk harroj!
Do t’a di, vërte të thom,
Gjer sa un të rroj


SHTËPIA IME

Sa e bukur kja shtëpia,
Ku un u kom lind;
Për mu kjo asht atënia,
Se ktu u kom gjind.

Gjith kujë ku I ka ra kryet,
I asht atëni;
Mos kujton se ashtu gënjyet,
Sa bukur e di.


ENI TË GJITH NË MSIMTORE

Eni fëmi dor për dore!
Na të shkojm në msimtore;
Gjuhën holl e mir t’a msojm;
Amë e atë na të nderojm…

Eni djema dhe ju çika,
Se s’asht koha për ashika!
Po të shkojm dhe të msojm;
Gjuhën shqype t’pasunojm..

Eni gjith tash, o fëmi!
Në msimtore t’shkojm me mijë,
Se gjuhën e vet dot’ msojm!
Jo të tjera, që s’kuptojm…

Eni gjith ju me nxitim,
Gjuhën tën të msojm me gzim!
Dhe të kjemi urtësi,
Se kjo sjell mirësi.


PARA FËTYRËS NAIM FRASHËRIT

Fëtyrë, o fëtyr, hie gjeniu!
Ti s’kie mish as s’kie gjak….
As’që je mvesh në korp njeriu,
Për me hap gojën e me m’fol pak.

Nuk të kjemi ma,ah!nuk gjallon;
Oh!keq të ndrypi mordja e zezë!
Po Shqypënia kurri s’të harron,
Se me t’vërtet ti e ke ndezë…

Kush mund me msheh shërbimin Tënd?
Librat me vjersha, Ty predykojn;
Ton Shqypënia me kta u trondid!..
Dhe Ty gjithnja kënk dot këndojn…

Ka me u hup, doba trathtor;
Po emir yt, kurri s’harrohet;
Vjershat ç’ke shkru, Ti o vjershtor!
Dhe trathtori sot pendohet…


SHQYPTARËT E SHKUPIT !

Shkup, or’kjytet i ndëgjuet !
Me ta bijt e tu shqyptar…
Shum provime ki provuet,-
Po tash ke nis udhë të mbarë
Bijt e tu tash kan fillue,

Gjith te zonat me i lon’-
Dhe kan nis me u vllaznue !…
Amës nderim për me dhon.

Shum i lumtun je , o Shkup
Se bijt e tu, ktu sivjet :
Kan fillue me çel kllub..
Në atni n’vendin e vet.

Besa bij e tu i kie :
Trime t’fjamtun ç’ke rrit vet ;
Fëmi veshnje, bij Shqypnie-
Dhe kunora në kët jet.

Me kta trima ç’ka Gegnia !
Gjithkund edhe në Kosov …
I ka besa dhe Toskinia,
T’cilët s’prrallen po bojn prov …

Gjitha kta trima besa – besën
Pasha Zotin e kan dhon –
Së në t’errët s’duen t’jesën!…
Por gjuhën me msu kan thon.

Perande kta po përpiqen,
Dit e nat pa mprajtim;
Edhe të mdhenj nuk po hiqen !…
Derdhin t’holla, pa kursim.

Gzohu Shqypni amë e dashun ! …
Se nji koh të mir ke mbrrit ;
Bijt e tu s’te lon për mbysun…
Fort shum shpejt je tuj shëndrit.

T’rrojn Shkupnjonët dhe Shqypnia !
T’ rrojn kllubi me gjith shok !
T’rrojn bashkimi e vllaznia !
Kështu du për Qill’ dhe tok .

Shkup 25 . X . 1908 m..



KUSHTRIMI I SHYPTARVET
NË MONASTIR


Na ka çpik Natura me ndies të dlir,
Disa djem, Shqypnie, disa burra t’mir
Kombi ka fillue dhe ka zgjedh kta trima !
Burra të shëndrritun, por si vegëtima.

Prej gjith anësh kombi, senitës ka zgjedh
Dhe në Monastir kta djem u kan mledh;
N’ kushtrim me kushtruem në kët mujë sivjet
Dhe me kuvendu për gjuhën e vet.

Shkronja për me zgjedh, se shum na duhen, -
Se kombi dhe gjuha ; besa me kta ruhen !…
Me kta shkruhen fjalët : ‘’ Liri dhe bashkim’’ ;
Me kta shtohen punët, për ma t’mir unshim

Kta shëndritin komb, sjellin kjytetni !…
Ah, të cilat na s’i kemi në Shqypni.
Përande Shqypni, e lumtun sot je,
Se për ty besa, u nis jet e re.

Bijt e tu filluen, me t’qit faqe bardh !…
Ande kah gjith anët, në kët vend kan ardh
Kta trima ç’ke rrit, t’pudhin komb e dor!
A balt e tua, t’qindisin kunor.

Kombi sot kremton dhe fort shum gzohet!…
Se fëmia jote, shpejt dot’lulzohet…
Të rrojn! Keta trima, senitës kombi,
Se ky kushtrim ton botën trondi!…

Të rojn Shqypnia ! me gjith bijt e sajë !…
Besa tosk e gegë, kurri nuk i dajë.

Njësia bon forcin
Dhe bashkimi ka fuqin!
Cili komb kta i ka:
Kurri s’vritet vila me vlla..



Kjo letër dhe shënime të tjera gjendet e botuar në revistën Ilostracija Ililinden, nr.3/1913, publikuar nga G.P. Stametovit.
"Qoftë i pavdekshëm kujtimi për këtë bir të vlefshëm e të shquar të Shqipërisë, që dha kokën trime dhe rininë e vet për lirinë e Maqedonisë!" – shkruan G.P. Stametov në artikullin që ia ka kushtuar Kristi Bagerit.

Tekstin për jetën e veprën e Josif Bagerit që e publikova dhe poezitë e autorit i mora nga faqet e internetit dhe në të nuk ka kurrfarë autor teksti. Me qëllim që të bëj më të njohur këtë figurë tonën letrare e kombëtare, e shpërndava. Meqë nuk kishte firmë autori, e lash me autorësi anonime. Edhe unë do të kisha dashur të dija kush e bëri këtë kontribut të vyeshëm pë ndriçimin e jetës e veprës së Josif Bagerit.
____________________
Përgatiti: Agim Gashi

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen