F A Q E T

Freitag, 2. August 2013

Petro Marko

Petro Marko u lind në Dhërmi më 27 nëntor 1913 dhe nderroi jete me 27 dhjetor 1991 në Vlorë. Një kohë të sjkurter studioi në Athinë. Që kur ishte nxënës i shkollës tregtare në Vlorë (të cilën e kreu në vitin 1932) filloi të shkruajë poezi dhe proza të shkurtra. Petro Marko ka një biografi nga më të pasurat dhe më të bujshmet në letërsinë shqiptare. Deri në vitin 1936 ai punoi në Tiranë si gazetar dhe po atë vit, në moshën 23 vjeçare u nis vullnetar në Luftën e Spanjës, si luftëtar në brigadat internacionale. Pas Luftës së Spanjës, gjatë kthimit për në Shqipëri, ai do të ndeshet dhe do të marrë pjesë në shumë beteja antifashiste nëpër Evropë. Pas kthimit në Shqipëri në vitin 1940 do të burgoset nga italianët, që aso kohe e kishin pushtuar Shqipërinë dhe do të përfundojë në kampin e ishullit Ustika afër Palermos. Në përfundim të Luftës Antifashiste në vitin '44, Petro Marko do të marrë pjesë në radhët e partizanëve italianë, duke i rënë kryq e tërthor Italisë, si luftëtar dhe si komandant me përvojë luftarake. Kur kthehet në Shqipërinë e çliruar, ftohet që të qëndrojë në krye të gazetës "Bashkimi" në Tiranë, por shpejt do të përjetojë disa nga vitet më të rënda nëpër burgjet e shtetit shqiptar komunist, për të cilin Petro Markoja kishte luftuar nëpër Evropë dhe Shqipëri më se 10 vjet rresht. Kjo për të vetmin shkak se nuk mund të pajtohej që në ditët e para të pushtetit me fillimin e diktaturës, e sidomos kur provoi t'i rezistojë diktatit që i vinte Shqipërisë aso kohe nga jashtë kryesisht nga Beogradi.
Të gjitha këto përvoja jetësore i përfshin në romanet: "Hasta la vista" dhe "Qyteti i fundit". Në vitet '70 ai do të shkruajë romanin "Një emër në katër rrugë", ndërsa periudhën e vështirë të jetës së tij në ishullin e Ustikës do ta përjetësojë në romanin e tij të rëndësishëm "Nata e Ustikës".
Faqet më të fuqishme të prozës së Petro Markos reflektojnë triumfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor. Pas tërë atij ferri nëpër të cilin kalon njeriu në rrëfimin e Petro Markos, ai arrin të mbetet i pamposhtur nga mizoritë e botës. Këtë bërthamë të brendshme e rrezatojnë personazhet nga romanet e tij, këtë shkëlqim biblik reflekton Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar në tërë veprat e tij.
Nuk ka shembull në letërsinë shqiptare, ku të jetë gërshetuar dhe njehsuar aq shumë mes vetes njeriu dhe krijuesi - Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar. Tek vepra e tij rrezaton bindja dhe besimi i lindur për dashurinë dhe humanizmin njerëzor, ndonëse sa rrojti ishte ndër personalitetet më të persekutuara dhe më të munduara. Qyteti i Vlorës e nderoi duke i dhënë emrin “Petro Marko”, teatrit të tij. Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2003 dekoroi Petro Markon me Urdhrin "Nderi i Kombit".
 
 
Disa nga veprat e Petro Markos:
  • “Hasta la vista”, 1958
  • “Qyteti i fundit”, 1960
  • “Një emër në katër rrugë”
  • “Ara në mal”
  • “Nata e Ustikës, 1989
  • “Shpella e piratëve” roman për fëmijë
  • "Horizont”,
  • “Fantazma dhe plani 3+4”
  • “Çuka e shtegtarit”
  • “Një natë dhe dy agime”
  • "Stina e armëve”, roman
  • "Halimi:, roman
  • "Tregime" - tregime
  • "Gazetari, mbreti e uria”
  • "Retë dhe gurët”:, 2000
  • “Ultimatumi”, 2002
  • “Tregime të zgjedhura”, 2003



Tregime nga Petro Marko
 
 
VAJZA E VALAVE
 
 Valët e tërbuara të detit që pëlcisnin të shkumëzuara mbi shkëmbinjtë e thepisur të bregut, bënin që të humbiste kënga e zakonshme e djemve të lagjes, që ia kishin shtruar rrëzë Shën Mitrit. Melodia, megjithatë, arrinte gjer te veshët e Lolës, e cila plaste nga marazi dhe, fshehurazi, qante e qante me dënesa që të këputnin shpirtin. Atje poshtë, në fund të horizontit, mbi det, disa re të kuqe silleshin vërdallë nga fryma e fundit e tramundanës. Këtej lart minaret blegërinin. Ktheheshin nga mali. Mu në mes të fshatit kënga lëvonte, kurse fashatarët, që gjithë ditën kishin punuar, tani, të lodhur, i drejtoheshin vatrës së tyre. Dita po perëndonte…
-Bijo, mos qaj më. Bëj durim, se Neçoja do të kthehet!-kështu i përsëriste gjithnjë Lolës vjehrra e saj,-Ta dije se sa vjet më iku edhe mua, ndjesë pastë, plaku im! Iku, more, iku edhe ane kur të kthehej! Ti do të thuash se mua më la Neçon në bark, dhe shpresoja! Eh, mirë! Ka Perëndia edhe për ty. Por bëhu trime dhe duro të durojmë...
Nga njëra anë këto fjalë dhe nga ana tjetër kënga e mallkuar që oshëtinte në sheshin e Shën Mitrit, ia copëtonin zemrën nuses së gjorë, e cila kishte humbur çdo shpresë. Se kishin kaluar tetë vjet dhe Neçoja nuk dukej. Neçoja levend, këngëtari i fshatit, që me këngën e tij e kishte çmendur fare Lolën e ëmbël, kishte marrë gjurmët e mërgimit. Kishte ikur për të fituar para. Kishte vajtur shumë larg, atje ku perëndon dielli, në Argjentinën e pasur.
-Do të kthehet plot flori dhe i ngarkuar me peshqeshe. Ai thoshte se do binte pesë baule të mbushura...Tërë lagjen do të kënaqë..
-Po pse nuk na shkruan, moj nënë? Ka Perëndia edhe për ne. Mos u merakos, se Neçoja s’është nga ata që humbet kollaj në mërgim…Vetëm lutu gjithnjë e mos ua vër veshin shoqeve. Ashtu e ka ky kurbet i zi...
Dhe, duke mbaruar fjalët me një psherëtimë të thellë, plaka e regjur nga vujatjet lidhte duart, ulte kokën dhe largohej në majë të këmbëve. Ajo e gjora e dinte se ç’i ziente brenda shpirtit të saj. Neçon e shtrenjtë, djalin e vetëm, e martoi të vogël, vetëm e vetëm që të zinte gojët e këqija. Se qe ditën kur Neçoja këndoi këngën “Vajza e Valave” në dritaren e Lolës së ëmbël, tërë fshati nisi të pëshpëriste. Dhe kështu, një ditë vendosi dhe e martoi, se i vinte keq edhe për vashën që i dolën fjalë...Dhe bëri një dasmë të madhe, ku u dehën që të gjithë me verën që kishte mbledhur për të pritur burrëzinë, që s’kthehej kurrë. Në dasmë u këndua pa pushim edhe kënga e të martuarve, “Vajza e Valave”, kënga që Neçoja kishte ngritur për Lolën.
Djemtë e lagjes, të mahnitur dhe gati të shkalluar nga bukuria që dita-ditës i shtohej Lolës, e kishin ndryshuar këngën në disa vargje dhe përsëritnin:
...Gjithë bota ven’ e vijnë,
por ai nuk vjen, a e mjera,
por ai nuk vjen....
Dhe, me gjithë këto nxitje e shkrepëse për t’i ndezur ndjenjat, Lola duronte e duronte. Priste me besim Neçon e saj. Shpresonte në fjalët e tij të fundit që i tha kur iku: Sado që të vonoj, do të kthehem një ditë...Edhe i vdekur, unë do të kthehem....”
Atje poshtë, te shkëmbi i madh, shikonte varkat që lundronin. Vërente vendin ku punonte bashkë me Neçon, edhe qante. Dhe matanë djemtë, që kurrë nuk e linin të qetë, këndonin:
Vajz’e Valave,
je një vajz’ e re,
un martohem n’atë jetë,
ti martohu atje, a e mjera,
ti martohu atje...
Sa e sa djem të pasur dhe levendë e kishin kërkuar Lolën engjëllore. Por kjo, besnike gjer në vdekje, askujt s’i kthente sytë. Priste Neçon e saj.
Dhe vitet kalonin.
Asnjë lajm. Asnjë të re nga Neçoja. Shtatëmbëdhjetë vjeç u martua Lola. Vetëm dy muaj ndenji me Neçon e saj. Dhe pastaj ai i iku. Tani, grua tridhjetë vjeçe, dukej më e bukur dhe më e re se ditën që u martua. E shkreta! Qante e qante dhe hera-herës mërzitej aq shumë, sa mendonte të mbytej atje pishtë, tek ai shkëmbi i madh, ku valët e shqetësuara pëlcisnin, duke mbuluar këngën që dita-ditës dëgjohej në mes të fshatit. Ishte kënga që e çmendi, që e bënte të dashuronte gjer në vdekje Neçon e humbur. Ishte kënga e saj që mbante gjallë në zemër kohën e parë, ku shtrihej me Neçon atje poshtë nën portokallet dhe qitrot, ku Neçoja i thoshte se ajo ishte “Vajza e Valave” dhe ah, atje, të pandarë, të përqafuar, kujtuan se vetëm në Argjentinë ka shumë flori për të ngritur një pallat mu në mes të fshatit, sa të pataksej bota...Ajo ishte kënga që i sillte ndër mend çastet më të lumtura, dhe prapë ajo ishte kënga që i copëtonte zemrën, që e dëshpëronte dhe që nuk e linte të qetë...Por ajo shpresonte. Priste Neçon e saj....
 
* * *
Dhe një mbrëmje vjeshte, kur Lola kthehej e lodhur nga puna, u ndalua mu në hyrje të fshatit nga një vajzë e vogël.
-Sihariq! Sihariq!
-Ç’është? Ndonjë lajm...ndonjë letër?
-Erdhi? Gjallë... apo?
Dhe me shpirt të ndezur e me gjunjë të prerë deshi të vraponte, por nuk mundi... Përqafoi vashëzën:
-Do të të jap... do të të jap..., -por nuk fliste dot… Lotët nuk i mbajti dot… i rridhnin çurkë në faqet e saj të djegura nga dielli i Himarës.
Si në furtunë, kokulur, çantë njerëzit që kishte mbuluar oborrin e shtëpisë së saj. As dëgjonte se ç’i thoshin... Për çudi, nuk e vuri re as heshtjen që kishte pllakosur tërë ata fshatarë, që e shikonin Lolën me dhembje, sikur i qanin hallin. Shkarkoi barrën, dhe ashtu, si nëpër gjemba, kokulur, u ngjit shkallëve. Para i doli plaka. E përqafoi dhe me lot në ndër sy i tha:
-Erdhi, bijo... Erdhi... po...
-Po... si?
Si e shkalluar, si e zgjuar nga një gjumë i trubullt, hyri brenda. Dhe e pa Neçon e saj të shtrirë në shtrat. Me sy të përlotur, pa e dalluar mirë fytyrën e zverdhur dhe sytë e thelluar të burrit të saj, u gjunjëzua për ta përqafuar...
-Mos... mos më puth o “Vajza e Valave” -i tha, dhe kthehu kokën matanë, pa i përmbajtur lotët...
E mjera! E kuptoi se Neçoja i saj ishte verem! Heshti. Pastaj iu bë sikur dëgjoi këngën e saj të këndohej përjashta, në sheshin e Shën Mitrit, nga djemtë e lagjes... U trondit aq thellë, sa i ra në prehër Neços së saj duke thënë:
-Mirë se erdhe!- dhe e puthi fort mu në buzë...
 
1937

 
ZHGENJIMI I MARISE
 
 
- Mos fol kështu, mor bir, për uratën!
- Më vjen keq për ty.
- Po të të vijë keq për mua, mos e shaj para meje, se më lëndon këtu - dhe i tregonte zemrën.
Maria, që kur ishte fëmijë, besonte këto: Urata është mëkëmbësi i Zotit mbi dhè, urata shëron gjithë sëmundjet dhe, urata që të pagëzon, që të vë kurorë, që të kungon para se të vdesësh, të ka në dorë edhe në këtë botë, edhe në atë botë. Këto Maria i kishte të ngulitura në tru, në gjak, në frymëmarrjen e saj.
Te personi i uratës shikonte njerinë e shenjtë. Njerinë me tru dhe zemër të mirë. Njerinë që qante hallet e të gjithëve. Lekët që ajo kish dhënë gjithë jetën për trisaitë, për meshët, për përshpirtjet, për shënjtorët, për ujët e bekuar, për ditën e Shën Vasilit, për bekimet e shtëpisë dhe të arës dhe të gjësë së gjallë... as që i qante kurrë.
Meshët, grurin e zier, verën, vajin që ajo kishte shpenzuar gjithë jetën e saj sa u bë pesëdhjetë e pesë vjeçe, as që i qante kurrë, as që i zinte fare në gojë. Përkundrazi, ajo ankohej se s 'kish qen në gjendje të jepte më shumë për shpirtin dhe mëkatet e saj - se edhe ajo njeri është dhe mëkate patjetër ka bërë, me dashje ose pa dashje - për shpirtin dhe mëkatet e prindërve dhe gjyshërve të saj, e sidomos të vjehrit dhe të vjehrës.
E krishterë fanatike, Maria. Dhe me priftin kurrë nuk ishte prishur. Edhe kur nuk kishte patur mundësi që ta paguante menjëherë, ai e kishte pritur... Shpirt njeriu urata!
Dhe do të vdiste me këtë përshtypje për uratën, po të mos kishte ndodhur kjo:
E lajmëruan se vëllai ishte sëmurë rëndë.
Dhe kjo duhej të shkonte natën. Ndezi një fener nga ata që nuk i shuan era. Binte shi. Natë dimri.
Dhe natën sidomos në dimër, ato vende nga do kalonte Maria, janë shumë të rrezikshme. Thonë se natën atje dalin shejtanët në forma të ndryshme: kaçupe të fryra që hidhen, gjarpërinj të gjatë, skelete që kërcejnë, dhe lugetër që hedhin valle...
Maria para se të nisej, bëri kryqin në konizmë dhe doli. U pështoll në një xhaketë të vjetër të djalit dhe u nis. Edhe gjatë rrugës, duke lëvizur buzët, ajo përsëriste disa fjalë nga ato të meshës që kish dëgjuar gjithë jetën e saj, po që kuptimin nuk ua dinte fare. Era frynte dhe shiu i hollë i përplasej në fytyrë. "Kohë e keqe, si s'më lajmëruan më parë? Meqë e kanë kunguar, ka mbaruar..."
Kaloi monopatin e lagjes së parë dhe i afrohej vendit nga ku kalohej aq lehtë natën. Ajo nuk shihte asgjë përveç dy ose tri metrave të rrugicës që ndriçonte feneri. Po e dinte fare mirë se ku gjendej. Prandaj edhe pa fener sikur të ishte nuk do të rrëzohej në asnjë gropë, në asnjë shkallë.
"Hyra në tokën e djajve. Po ku ka sot djaj. I ka larguar urata. Urata... Po pse im bir e urren. Ç'ka që e shan? Ai është njeri i Perëndisë, që i di të gjitha, të gjitha..."
Frika që i kish mbirë në gjak dhe që i ish rritur gjithë jetën e saj, e tmerronte dhe e mundonte, sidomos në këtë moshë. "Po prëmë u takova me uratën dhe ai më dha temjan, më bekoi". Sytë e saj nuk i lëvizte as djathtas e as majtas. E dinte që tani ishte po në atë zonë ku shejtanët dalin si kaçupe të fryra. "Urata më bekoi dhe më dha temjan. Temjani i largon shejtanët. Po ku e kam temjanin? Më mirë ta nxjerr", Fut duart në xhepat e palltos së vjetër. E kërkon atë thërrime temjan. E gjen. E afron në hundë. Era e temjanit i pëlqeu shumë. "Tani sikur të ketë shejtanë, do të largohen". Me të hedhur një çap, pa përpara saj një gjë shumë të zezë.
- O Shën Mëri, ç'është kjo?
Një gjë e zezë, shumë e zezë. Më e zezë se nata. Më e zezë se korbi. Feneri i mbeti ashtu lart. Me sy të tmerruar shikonte atë gjë të zezë pak metro larg.
- O Shën Mëri... Më duket si kamillaf.
Mbi atë gjënë e zezë, ishte me të vërtetë një kamillaf. E fërkoi pakëz temjanin që t'i dilte era... dhe të largohej shejtani. Po asgjë nuk lëvizi.
Maria thirri me të madhe: "Piso mu satana...". Këtë shprehje e dinte përmenç. E kishte dëgjuar me mijëra herë nga urata. "Piso mu satana" - thirri përsëri me të madhe Maria. Po ajo gjë e zezë me kamillaf në majë nuk lëvizi fare... Prifti nuk ishte. Se ajo gjë e zezë ishte sa një ka, sa dy qe së bashku... "Piso mu satana", "Piso mu satana", përsëriste këto fjalë. Ajo nuk e dinte kuptimin e këtyre dy fjalëve.
Ajo e dinte vetëm qëllimin e këtyre dy fjalëve. Kur thoshje këto dy fjalë, satanai ikte, zhdukej. Po ja që satanai aty po qëndronte. Nuk lëvizte. Dhe sa i madh që i dukej Marisë. Ai ishte sa katër qe, po Marisë i dukej më i madh se tërë madhësia e errësirës së natës.
Ç'të bënte? Të kthehej prapa? Po ai mund ta ndiqte pas. Temjani nuk e bëri punën e tij. Satanai nuk u largua. As fjalët "piso mu satana" nuk patën sukses. Maria u ul e mori një gur dhe e vërviti mu te djalli i zi. Guri lëshoi një tingull të thatë.
Maria u tremb nga ky tingull i thatë i gurit dhe... do të ulërinte po dëgjoi ja aty, pak metro mbi atë gjën e zezë dikë që psallte. Mbajti frymën dhe të rrahurat e zemrës.
"Hoj... hoj... me sytë e zinj... me sytë e zinj... Mos ki frikë nga mjekra ime... mjekra ime... mjekra ime..."
Këto fjalë të kënduara po me atë ritëm që urata këndon ungjillin në kishë dhe që psalleshin ja aty, përmbi atë gjë të zezë, e tmerruan më shumë Marinë e gjorë.
"O Shën Mëri, shpëtomë, shpëtomë!" - tha me zë Maria...
"...Mos kij frikë nga mjekra ime... mjekra ime..." - dëgjoi përsëri Maria.
Psallmi erotik dilte i shtruar, i ngjirur, i lodhur, po me afsh, me pasion dhe i dredhur.
"O Zot, si zëri i papa Dhimitrit! O Shën Mëri, o papa Dhimitër shpëtomëni"! - tha me zë Maria. Dhe filloi të dridhej, të dridhej. Dhe sytë nuk i hiqte nga ajo gjë e zezë. Po psallmi nuk dilte nga ajo gjë e zezë me kamillaf në majë.
"Mjekra ime... mjekra ime..."
Maria nuk priti po ulëriti. Dhe ulërima e saj u zgjat shumë sa u zbraz gjithë era e mushkërive të saj. Përsëri ulëriti. Dhe do të binte pa ndjenja aty në shesh, po të mos kish dëgjuar një zë burri:
- Ç'është?
- Ndihmë!
Zëri afrohej.
- Ç'është moj? Pse ulërin?
- Ndihmë! Ndihmë!
Zëra tjerë u dëgjuan. Zëra burrash dhe zëra grash:
- Ç'ka ngjarë?
- Kush ka vdekur?
- Kush ra?
U afruan dhe... kur panë atë gjë të zezë, u drodhën nga tmerri. Burra të tjerë dhe gra të tjerë me fenerë, me pisha të ndezura në duar, ishin bërë si barrikadë. Shikonin vetëm atë gjë të zezë të frikësuar.
Maria erdhi në vete kur pa gjithë ata fshatarë me fenerë dhe pisha të ndezura në duar. Disa burra të guximshëm u afruan më shumë te ajo gjë e zezë. E goditën me shkop, me këmbë, po asgjë, fshatarët panë njëri-tjetrin në sy.
- Shumë i fortë, si prej guri.
- Si prej hekuri. Theva këmbën.
Kjo i tmerroi më shumë. Ajo ishte rasa, hedhur mbi një gur të madh.
Më lart u dëgjua psallmi:
"Pse ma mbylle derën, moj syzezë, moj syzezë".
Burrat shikuan andej nga vinte ky psallm erotik.
Disa ngritën fenerët dhe thanë:
- Po ai atje?
Të gjithë fenerët dhe të gjitha pishat u ngritën dhe e ndriçuan atë që ishte shtrirë në përrua, brenda në ujë.
- Lugati, lugati, - tha një grua dhe bëri kryqin.
- Ç'lugat more, është papa Dhimitri - tha një burrë dhe ju afrua uratës së shtrirë në përrua, në mes të ujit. Ishte me benevrekët e gjata dhe me një xhaketë të shkurtër. Mjekrën e kishte futur në ujë. I dukej gërsheti i trashë i flokëve.
Burrat u afruan dhe ngritën fenerët. Gratë të pataksura bënin kryqin.
-Ç'bën këtu, more djall? - i tha një burrë dhe e qëlloi me shkelm.
Papa Dhimitri filloi të psallte tropare erotike të sajuara prej tij. Me këto tropare ai shprehte hidhërimin e tij, se ajo e la përjashta dhe nuk ja çeli derën.
- Është bërë thumb.
- Si gjithnjë.
Merreni dreqin ta shpiem në shtëpi. E ngritën. Ai akoma psallte tropare erotike dhe shumë të ndyra. Kallëzonte për kofshët e Dhoksisë dhe për gjinjtë e saj të mëdhenj. Gratë u turpëruan. Ulën kokën dhe mezi e mbanin të qeshurit.
Maria nuk bënte më kryqin. Shikonte burrat se si e ngritën papa Dhimitrin, se si e hiqnin zvarë, se si i hodhën rason në krahë dhe se si i ngjeshën në kokë kamillafin. Dëgjoi dhe gratë të pëshpërisnin:
- Për cilën Dhoksi këndon?
- Ehu, sa Dhoksi ka fshati!
Maria nuk donte të dëgjonte më. Ato fjalë, ajo pamje që pa, ishte më rëndë për të se vdekja e vëllait.... Vëllanë  e qau ashtu siç e qan motra vëllanë, po duke qarë vëllanë, ajo qante dhe për diçka tjetër, qante për atë që humbi: për besimin dhe adhurimin ndaj uratës. Nuk deshi t'i dëgjonte më as emrin.
I dha të drejtë djalit të saj, i cili shumë herë ja kujtonte atë ngjarje të llahtarshme që zhgënjeu Marinë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen