F A Q E T
▼
Donnerstag, 29. August 2013
Pjesë nga romani "Kush e vrau dashurinë"
Albert Zholi
Fatbardha me Alketin
Pjesë nga romani "Kush e vrau dashurine"?!
KAPITULLI......
Ajo po e priste tek hyrja e kombinatit. Ishte mbështetur tek kangjellat e derës dhe me bisht të syrit shikonte me radhë të gjithë sa dilnin nga turni i parë. M.gj.s. shumicën e punëtorëve e njihte dhe e njihnin, tek tuk ndonjë e përshëndeste fare ftohtë. Kjo ishte Fatbardha, Fatbardha Hyka. E veshur si mos më mirë me një triko ngjyrë bezhë të gjerë dhe me mëngë të varura. Mbi jakën "V" të trikos i dukej jaka e një këmishe ngjyrë rozë. Fundi i bardhë me një palë përpara, me një të çarë të gjatë prapa, i rrinte për bukuri në atë kontrast të ngjeshur tërë hijeshi. Çorapet e xhamit ngjyrë hiri i rrinin të ngjeshura fort mbas këmbëve në formë birilash. Këpucët i kishte numër të vogël 35, llustrafin i zi dhe me një takë të lartë. Në krahë mbante një çantë të vogël me rrudha, me një rrip të gjatë që arrinte deri tek kofshët. Edhe çanta kishte ngjyrën e borës. Flokët i kishte të zinj pisk. Në fytyrë vinte e rrumbullakët dhe e bardhë. Në faqen e djathtë një nishan i zi i pikonte hijeshi, pikërisht në bisht të syrit.
Flokët i mbante të shkurtra dhe i ndante në mes. Buzët i kishte si prej qershize të shëndetshme. Ato s'kishin nevojë fare për të kuq. Dhe ajo të vetmin tualet që nuk përdorte, pavarësisht se ishte e martuar. Sytë i kishte të kaltër ndërsa qerpikët pisk të zinj. Hundën e kishte të vogël dhe pak të kthyer në majë. Kishte një shtat mesatar, të lidhur, me një qaftë të shëndetshme dhe të bardhë. Në gjokse vinte e bëshme. Ndonëse punonte si tornitore, duart i kishte shumë merak. Thonjtë e saj ishin më të gjatë se të një ndonjë nëpunëseje apo zyrtareje. Dimër apo behar, kur punonte vendoste në duar dorashka meshini. Kur e shikoje me atë veshje, me atë paraqitje të jashtme fizike, kurrë s’ta merrte mendja që mund të ishte tornitore. Të gjitha rrobat e saj mbanin vulën e firmave amerikane. Ai po vononte. Bardha e humbi durimin. Filloi ec e jaket përpara derës së kombinatit. Bënte dy tri hapa, ndalonte. Ngrinte kokën dhe shikonte në sheshin e kombinatit. Ai s'po dukej. Me majën e këmbës shtypte fort mbas asfaltit ndonjë bisht cigare, apo gurë të vogël. I shkoi mendja keq për një cigare. Hapi çantën dhe mori paketën "DS" në dorë. Por përnjëherësh ndërroi mendje. Jo, këtë veprim ajo nuk e kishte bërë kurrë në kombinat. Nënqeshi me vete. “S'duhet ta lëshojë veten këtu”, tha me vete. “Ashtu si deri më sot”. Punëtorët ishin rralluar. Tek tuk dilte nga porta ndonjë i vonuar. Kur ja, ai u shfaq para saj befasisht me atë të qeshurën ironike që e përmblidhte poshtë cepit të buzës së djathtë. Këtë të qeshur ai e përdorte sa herë që nuk i pëlqente, sa herë e kundërshtonin dhe sa herë nuk ishte i zoti të mbaronte punën. Ky ishte Alketi, Alket Drini, (Jarani) i dashuri i Bardhës.
-Keti pse u vonove kaq shumë?- e pyeti ajo duke u nisur drejt stacionit të autobusit. Gjatë pyetjes, nuk e ktheu fare kokën nga ai. Shenjat e zemërimit dukeshin qartë.
-S'dija ku kisha lënë çelësin e kasafortës. Mezi e gjeta. Më kishte rënë tek grumbulli i hekurishteve.
Nga nxitimi ai po merrte frymë me vështirësi. Ajo u kënaq në vetvete. Ai për çdo ditë po binte thellë e më thellë nën pushtetin e saj. Po bëhej një vit e gjysmë që ata ishin lidhur me njëri-tjetrin. Ai atëherë sapo kishte mbaruar ushtrinë. Filloi punë si tornitor në brigadën e Bardhës. Në fillim vinte i ndrojtur. Ashtu siç mund të rrijë edhe tipi më i hedhur në një ambient të panjohur. Por dalëngadalë ai e mori veten shpejt. Ishte simpatik, i zgjuar i fuqishëm por edhe i rrëmbyer, me një nxitim që nganjëherë arrinte në ekstrem. Por më shumë ai ishte një njeri praktik, që nuk e vriste mendjen shumë. T'i ngarkoje ndonjë detyrë, ai do të bëhej copë deri sa ta mbaronte. T'i kërkoje diçka ai do ta jepte pavarësisht se i duhej dhe vetë. Por në shumë veprime ai s’thellohej asnjëherë, ishte i prirur më shumë mbas interesave të momentit. Edhe kur ishte në gabim, nuk tërhiqej, por e mbronte veprimin dhe mundimin e vet më kokëfortësi të tepruar. Edhe pasi e kuptonte gabimin në vetvete, përsëri nuk reagonte. Kishte fjalor të pasur dhe humor të këndshëm. Ç'do gjë e lidhte me veten, e krahasonte me veten pa marrë parasysh ambientin, rrethanat, kushtet e të tjerave. Për disa muaj me radhë, Bardha e ndoqi nga afër, e "survejoi", të tërin. Asaj i duhej një mbështetje e fortë jo vetëm në punë, por edhe në jetën e përditshme shoqërore dhe personale. Ajo ishte e zgjuar dhe e rrahur me hallet e jetës. Kishte kaluar një rini të shthurur, pa kurrfarë llogarie. Në shtëpi kishte nënën dhe një vëlla më të vogël se vetja. Babai i kishte lënë të vegjël. Nëna e saj u mor fare pak, për të mos thënë aspak me edukimin e fëmijëve. Ajo mbeti e ve në moshën 35 vjeçare. Rrobat e zeza i mbajti tre vjet. Pati disa kërkesa por ajo nuk pranoi për tu martuar. Jo se donte ti qëndronte besnik kujtimeve të burrit. Ajo donte të bënte një jetë sa më të shpenguar, pa kërkesa llogarie dhe pa detyrime bashkëshortore. Ajo kishte një vëlla me baba tjetër në Amerikë. Thoshin se ai ishte i kamur dhe vazhdimisht prej tij vinin pako me plaçka dhe dollarë. Ndryshe nga e ëma, Bardha ishte pak më e rregullt. Ajo në pamjen e jashtme në formë, u ruante deri diku autoritetin dhe personalitetin e saj. Ishte pa vlerë, vetëm atje ku njihej me rrënjë e me degë. Ndërsa aty ku njihej pak jepte përshtypje të mira. E njihte jetën dhe e dinte se ç’vend zinte në shoqëri. Shkollën e mesme e la (pa e filluar), dhe me shumë mundime mbaroi dy vjeçaren për tornitore. Ajo s'kishte nevojë për shkollë, ashtu sikundër nuk kishte nevojë edhe për punë. Kështu i thoshte nëna. Por ajo shikonte më larg se e ëma. Në shkollë nuk mësonte se aq ia priste, por ama ajo lexonte çdo gjë që i binte në dorë. Lexonte letërsi artistike, revista në ndryshme shkencore, apo politike - shoqërore. I lexonte për kureshtje, dhe as që e vriste mendjen se mbante apo s'mbante mend, se i hynin apo jo në punë. Ajo i blinte të gjitha librat e rinj artistik, tekniko-shkencor apo çfarëdolloj libri tjetër. E kamur dhe me një nënë që si kërkonte kurrë llogari, pa të afërm dhe me një vëlla që po shkonte drejt degjenerimit të plotë, vitet e rinisë ajo i kaloi pa menduar asgjë të qartë. Ajo e shijoi rininë siç deshi, si e kuptoi, duke u nisur gjithmonë nga pasioni. Pasion dhe vetëm pasion. Vallë kush mund ta jetojë kështu rininë?! Herë shkonte në punë herë jo. Herë kthehej në shtëpi vonë, herë humbiste për net të tëra. Pinte raki, konjak dhe cigare ashtu siç nuk mund të pinte një burrë 40-vjeçar. "Pi dhe mos mendo, pi dhe turbullohu që të mos mendosh". Kështu i thoshte shpesh e ëma. Por dalëngadalë ajo nisi të frenohej. S'po i pëlqente më kjo jetë. Ajo po humbiste çdo gjë. Ajo po e shikonte veten si diçka pa vlerë, si një send të kotë që mund ta përdorin si të duan dhe në fund mund ta shkelmojnë me përbuzje. Këtë e provoi me dashnorin e saj të parë. Ajo ishte e bukur dhe e kamur. Ç'do kush do donte ta shtinte në dorë. Dhe ai i përdori të gjitha format derisa ia arriti qëllimit. Fillimi i dashurisë ishte parajsë për të. Ajo ishte lulja, ishte hëna, dielli, ajo ishte gjithçka. Ajo humbi mendjen pas fjalëve, u dalldis mbas përkëdheljeve, shoi gjithçka njerëzore dhe mbi të ngriti në piedestal seksin. Atë s’e trembte asgjë. As edukata, as morali, as prestigji familjar apo shoqëror. Ajo s'kishte marrë asgjë prej tyre. Ajo s'mbante përgjegjësi para askujt përveçse vetvetes. Kështu ishte rritur dhe edukuar. Me bindjet e saj e kishte përjashtuar veten nga shoqëria. Mbasi e njohu, pasi e bëri plotësisht të tijën dashnori ia piu lëngun dhe e zhvleftësoi fare. Ajo tani për të s'ishte asgjë. Ajo ishte një vegël e bindur që mund të bëje çfarë të doje, pa droje, pa hezitim , pa u menduar. Ajo kishte pushur së qeni njeri. Nisi ta rrihte kur donte e ta nëpërkëmbte sa donte. Por Bardha e kuptoi dhe u largua prej tij me të gjitha forcat e saj. Dhe ia arriti. Me kusht që të mos e përsëriste kurrë eksperiencën e parë. Tani ajo i njihte armët e saj. Kishte më shumë eksperiencë. Armët e saj ishin të fuqishme dhe ajo e dinte se kush do e shpëtonte dhe do i sillte dinjitetin e munguar. Do të imitonte shtresën e lartë të shoqërisë komuniste. Do të shoqërohej me pinjollët e tyre. Ajo e dinte se shumë prej tyre me prejardhje fshatare nuk mund t’i shpëtonin grepit të saj. E shihte jetën në sy. E njohu falsitetin e këtij sistemi të kalbur, shkëlqimin e rremë, injorancën e një pjesë të drejtuesve…Dhe u mundua që këtë herë të mos gabonte më, po të godiste në shenjë.
Në formë do të vepronte si ata. Mes tyre e shikonte veten me të sigurt. Ajo nuk do të rrinte pa u martuar, si nëna e saj. As pa punë nuk do të rrinte. Ajo do të martohej si të gjithë shoqet dhe do të punonte ashtu si ato. Me ndihmën e një shoqeje gjeti për burrë një fshatar nga Tirana. Namik e quanin të shoqin. Ai ishte ashtu siç e donte Bardha. Nga pamja nuk ishte i keq, bile simpatik, i gjatë dhe i bëshëm. Ta shihje të veshur, tërhiqte vëmendjen. Por veç mos ta shikoje kur ecte. Sepse ecte si halldup. Por fundi i fundit kjo gjë nuk i interesonte dhe aq shumë. Ai ishte i qetë. Çdo gjë e shikonte si i habitur. Kënaqej me gjithçka të re që i tregonin. Ai donte të hante mirë, të punonte dhe të shikonte televizor për orë të tëra pa u larguar nga ekrani. Nuk mërzitej asnjëherë. Ishte i bindur për gjithçka dhe mbi të gjitha ishte i kënaqur nga Bardha. Ajo i gatuante lloj lloj gjellësh, që nuk i kishte provuar në shtëpinë e tij. Ia lante dhe hekuroste rrobat ashtu si ai nuk i kishte menduar kurrë. Ajo e puthte dhe e përqafonte edhe kur ai vinte gjithmonë i mbushur me baltë nga puna. Dhe ai gëzohej si një fëmijë. I dukej sikur ishte në ëndërr, sikur po i tregonin përrallë. Ai, një fshatar pa shkollë, një punëtor i thjeshtë i rruga –urës dhe i kishte rënë fati të jetonte si në parajsë. Ai habitej nga çdo veprim i Bardhës. Shikonte si fëmijë duart e saj kur i servirnin gjellën, ngelej me gojë hapur kur ajo zhvishej dhe futej si një flutur në kraharorin e tij. Qeshte me vete kur ajo i ngacmonte hundën në formë shakaje. Kur vinin njerëzit e tij në shtëpi, ajo bëhej copë për t’i pritur. Nuk pyeste fare për harxhet. Ajo i linte pa mënd njerëzit e tij. Shtëpia e tyre shkëlqente nga pastërtia dhe luksi. Namiku e donte si i marrë të shoqen. Përgjërohej për të. Kur ishin bashkë në shtëpi, ai nuk e linte asnjë çast vetëm..Ajo lante në banjë, ai mbrapa saj. Ajo hapte rrobat, ai tek dera e ballkonit duke i buzëqeshur. Ajo duke u krehur, ai kokën anash saj që të dukej paksa në pasqyrë. Vetëm kur i thoshte ajo të ulej ( gjë që ndodhte rrallë) ai ulej në divan i bindur, si një qengj i butë tërë lesh.
Për të arritur qëllimet e saj nuk është se eci mbi dafina. Kur filloi punë në kombinat sa nuk plaste nga inati. Lodhje, pisllëqe, turne. Por ajo i përballoi. As vetë nuk e kuptonte se si. Ndonjë aty në punë ia njihte të kaluarën, prandaj ajo sillej me shumë kujdes dhe punonte deri sa i priteshin fuqitë. Fillimisht e pritën ftohtë në shoqëri. Por ajo bënte sikur nuk e vinte re këtë. Sillej korrekte me shokët edhe shoqet. As nuk merrej me llafe, as nuk abuzonte me punën. Nuk u ankua asnjëherë. Ata që e njihnin habiteshin me sjelljen e saj.
“Epo ka ndërruar rrugë”, thoshin. “I kanë ardhur mendtë. Shumë kanë gabuar në rini por jeta i ka pjekur”. Për një vit ajo nuk ndërroi fjalë me njeri, ishte nga më korrektet në punë, llafet i kishte të pakta, me meshkujt thuaj nuk shoqërohej fare. Çudi! U tjetërsua njeriu. Por ajo ishte tjetërsuar në formë. Për çdo ditë po shikonte se atë tashmë po e shikonin me sy tjetër, atë e vlerësonin. Nuk lejonte më njeri ta merrnin nëpër këmbë. Ajo po fitonte besimin në vetvete po vendoste një pjesë të personalitetit të saj në vend. Nuk e përgojonin më si më parë. Bile nganjëherë edhe e lavdëronin.
Ja çdo të thotë ta njohësh jetën, normat dhe ligjet e shoqërisë ku jeton, pavarësisht se janë fallco. Me punën ajo largonte një pjesë të mirë të thashethemeve, sepse punonte ajo që nuk kishte nevojë të punonte. Puna i mbulonte asaj shumë gjëra. Ajo shikonte me vëmendje çdo veprim të shokëve apo shoqeve të punës. Ishte e aftë të vlerësonte cilido prej tyre. U dinte dobësitë dhe anët e forta të karakterit. Kishte ndonjë që ai afrohej, ndonjë tjetër që hidhte ndonjë hap më të guximshëm, por ajo me takt dhe buzëqeshje largohej pa e ofenduar. Të gjitha këto ajo ia dedikonte vetvetes, zgjimit dhe zgjuarsisë së saj. Ajo e kuptonte që kishte pesë a gjashtë simpatizantë në punë që i vinin vërdallë. Por ajo nuk pëlqente asnjë prej tyre. Ajo do ta zgjidhte vetë dashnorin që i duhej. Tashmë për veten e saj vendoste ajo dhe vetëm ajo. Të diktuarin ajo e kishte shkelmuar përfundimisht. Ajo e ndjente veten të plotfuqishme ndaj disa meshkujve. Kuptohet ndaj atyre meshkujve që mendonin sot për sot, ku rafsha mos u vrafsha. Dhe ajo ndoshta ishte nga të paktat që i kuptonte këta meshkuj. Dhe rasti e solli që i preferuari i saj të ishte Alketi, Alket Drini. Ndonëse ishte 7 vjet më i vogël se ajo, ai ishte i zgjedhuri. Për muaj të tërë ajo grumbulloi shumë të dhëna për të, e ndoqi nga afër dhe larg. E mori vesh që dashuronte një vajzë dhe deri ku kishte arritur me të. Por mbi të gjitha asaj i interesonte tjetër gjë. Ai kishte familje të mirë, të nderuar dhe të respektuar. Kishte farefis të gjerë dhe me emër. Ai vetë kishte ato cilësi që i duheshin asaj. Simpatik i hedhur, i fuqishëm por i rrëmbyer dhe i dhënë pas parasë. Këtë e kishte vënë re kur ai ishte zënë me brigadierin për çështjen e pagesës.
-Më jep punë jashtë orarit mua, unë dua të punoj që të marr më shumë para,- i thoshte një ditë i nxehur brigadierit.
-Ngadalë Alket, mos u rrëmbe. Ti me kategorinë e dytë je, mos pretendo të marrësh sa shokët që kanë 15 vjet punë, i thoshte brigadieri duke i rënë lehtë në shpatulla. -Ai ia largoi dorën me vërtik nga shpatullat. - Më jep edhe mua punë të kategorisë më të lartë, - thërriste ai duke e parë fort në sy.
-Por kjo është e palejueshme mor Alket! Ti i di mirë rregullat e kategorizimit. Jo çdo gjë varet nga dëshirat. Ai siç duket u pendua, por se dha. Tundi kokën dhe u drejtua për tek tornoja. Në këtë kohë vështrimi i tij u përplas me vështrimin e Bardhës. Ajo i buzëqeshi. Ai u hutua. Ktheu kokën sa majtas djathtas. Të gjithë po punonin. Ai e vështroi përsëri. Ajo i buzëqeshi lehtë përsëri duke i tundur kokën. Me këtë tundje ajo donte t'i thoshte se po të buzëqesh ty, dhe mos shiko kot majtas djathtas. Ajo filloi punën. Ai po e vështronte ende. I erdhi çudi. Ai s'kishte pasur asnjë relatë me të, rrallë përshëndeteshin. Ç'pati ajo? Përse i buzëqeshi bukuroshja e repartit? Ajo që drejtuesit e repartit i vinin vërdallë ? Ai ishte munduar t'i afrohej disa herë, por përsëri ishte penduar. Shumë thoshin se tani ajo është e pathyeshme. Ai stepej përballë bukurisë dhe mospërfilljes së saj. “Po kjo e buzëqeshur ç'ishte sot? Filloi të punojë por pa u përqendruar si gjithmonë. Diçka i vlonte përbrenda”. Kur dolën nga puna ai u mundua t'i afrohej. Në autobus ai u ngjit pas saj, por ajo as që e mori mundimin të shikonte kë kish nga mbrapa, por ia filloi muhabetit me një grua që kishte përballë. Ai e shtyu dy a tri herë në ijë me bërryla, por ajo nuk reagoi fare. Të nesërmen në mëngjes rastisën përsëri në të njëjtën autobus. Ai e përshëndeti. Ajo shikonte nga xhamat e autobusit jashtë, duke lënë të kuptohej se nuk i drejtohej asaj përshëndetjeje.
-Mirmëngjes Bardha,- i tha ai përsëri me pak inat.
-Mirmëngjes,- ia ktheu ajo ftohtë, duke kthyer vështrimin përsëri jashtë dritares. Ai ziente përbrenda,
“Po kjo me kë po tallet”, thoshte me vete. I vinte që t'ia vishte me grusht turinjve. “Mos nuk më buzëqeshi mua dje?” Lloj lloj mendimesh i vinin në kokë. Kjo lojë vazhdoi rreth një muaj. Alketin nuk e zinte gjumi. Për të po harronte edhe Rinën. Çdo natë shihte ëndrra vetëm me Bardhën. Nuk e kuptonte fare sjelljen e saj. Kur i buzëqeshi ai mezi e mbante veten, i vinte t'i hidhej në qafë dhe ta puthte ku të mundte. Kur nuk e përfillte i vinte plasja.
Një ditë prilli ajo e priti si sot tek dera e kombinatit. Ai bëri sikur nuk e pa dhe nxitoi për tek stacioni i autobusit. Donte ta kthente kokën mbrapa, por aty për aty pendohej. Hipi në autobus dhe qëndroi tek porta e parë, aty ku zakonisht qëndronte ajo. Po ajo ku ishte? Fillin e mendimeve ia preu zëri i saj i butë.
-Keti, mund të më ndihmosh sot.? Ajo e kishte afruar kokën pranë veshit të tij. Ai zë i butë e rënqethi. Sa i ëmbël iu duk ai zë, sa ëndrrandjellëse iu duk ajo frymë që i fëshfëriu rrëzë veshit. Ai donte që ajo të fliste ashtu si në ilegalitet gjithë rrugës, por ajo heshti, se priste përgjigje.
-Me gjithë qejf,- ju përgjigj ai pa e kthyer kokën.
Atëherë takohemi në orën 17-30, tek Banka. Pasi tha këto fjalë, ajo u largua për nga ana tjetër e autobusit, pa pritur përgjigje. Alketi drekë hëngri shpejt e shpejt. Mezi po priste orën 17-30, . Për të kaluar kohën mori nga etazheri një roman. Nuk i lexoi as titullin por e hapi në një faqe nga mesi kot më kot. Lexonte pa kuptuar se çfarë. E mbylli librin dhe e vendosi tek vendi i mëparshëm. Ishte e kotë. Nuk e mbante vendi. Nëna e pa që ishte i shqetësuar, por nuk e pyeti. Dhjetë minuta përpara orës së caktuar u gjend tek banka. Në orën 17 e pa Bardhën tek stacioni i Tiranës së Re me dy valixhet e mëdha ndër duar. U sul me vrap dhe ia rrëmbeu valixhet nga duart, pa e përshëndetur fare. Ajo u kënaq së tepërmi.
-Tek stacioni i Laprakës, - i tha ajo dhe u nis me hap të shpejtë para tij. Zbritën në Laprakë. Ajo para, ai mbrapa.
-Do të shkojmë të çojmë valixhet tek shtëpia e një shoqes sime,- foli ajo duke mos e kthyer kokën mbrapa. Ai e ndiqte pa folur asnjë fjalë. Nga balli po i rrëshqisnin disa pika djerse. U lodh por se jepte veten. I ishte tharë pështyma në fyt. Lëpiu buzët në gjuhë dhe në gojë ndjeu shijen e hidhur të djersës. U futën në një pallat, në kat të dytë tek hyrja majtas. Ajo nxori një çelës “Elzet” nga çanta dhe hapi derën fare pa teklif, sikur të ishte shtëpia e saj. Kjo ishte shtëpia e një të veje 35 vjeçare. I shoqi i kishte vdekur para 6 vjetësh. Ajo jetonte në atë hyrje me dhomë, kuzhinë, aneks dhe banjë me të bijën 8 vjeçare. Alketi i lëshoi valixhet në koridorr duke nxjerrë një ufff të fortë.
-U lodhe? - e pyeti ajo duke buzëqeshur.
-Pak,- ja ktheu ai penduar që e nxori atë psherëtimë. Ajo hapi derën e kuzhinës. Nga kuzhina nxori një shishe verë "Reisling" dhe dy gota. I mbushi përgjysmë dhe e trokiti gotën e saj me të tijën.
-Çin,çin!- Uroi ajo dhe me atë të qeshurën e saj provokuese nxori në pah dhëmbët e saj të bardhë dhe të rregullta.
-Gëzuar!- tha ai duke e parë si i hutuar.
Ajo hapi frigoriferin dhe nxori prej tij pak sallam, djathë të bardhë dhe i vuri në një pjatë të vogël para tij.
Ti ha dhe pi pak, - gati e urdhëroi. Unë do të bëj një dush se në shtëpi nuk pata kohë.
U largua sakaq duke lënë pas atë aromën e saj karakteristike të një parfumi amerikan. Ai filloi të pinte verë dhe të kafshonte nga pak sallam. Nga banja erdhi mbyturazi zhurma e ujit të rrjedhshëm. Ajo lahej, ai shikonte me kureshtje mobilimin e hijshëm të asaj dhome aq të vogël. Mbas disa minutash dera e banjës u hap dhe po në të njëjtën kohë u dëgjua kërcitja e derës së dhomës. Siç dukej ajo tani po ndërrohej. Atij i kaluan mornica nëpër trup. Kjo shtëpi e veçuar, e mobiluar kaq mirë, vera dhe ai parfum dehës ia ndezën së tepërmi ndjenjat prej mashkulli. Ishte hera e parë në jetën e tij që e shihte veten në të tilla rrethana. Në një qerthull kënaqësie. Befas nga dhoma u dëgjua kërcitja e fortë e një qelqi.
-Uaaa,- e shoqëroi një klithmë e fortë, thyerjen e qelqit në dysheme. Ai u turr me vrap në drejtim të dhomës. Hapi derën dhe shtangu. Në mes të dhomës qëndronte Bardha fare lakuriq. Trupi i saj i rregullt ishte më i bardhë se vetë emri i saj. Perdet prej atllasi të verdhë i jepnin komplet dhomës një dritë të zbehtë dielli. Në atë ambient dehës, provokues ku drita përthyej keqazi me errësirën, ndërsa copat e qelqit të uiskit ishin përhapur si gojëza fantazmagorikë kafshëzash ai rrinte si dru. Në dilemën e madhe njerëzore:Të afrohej apo jo?!
-Ua a a a, -klithi Bardha sërishmi, por me një zë kokete dhe shumë të ëmbël duke rrëmbyer nga krevati një peshqir të madh banje. Mbështolli trupin më të dhe iu drejtua Alketit:
-Të lutem largohu, sa të vishem. Më fal që të shqetësova, por më ra shishja pa dashur nga duart.
Ai zë gati gati i kurdisur prej dëshirës nuk thoshte ik, por eja. Ai tashmë nuk dëgjonte fare. Ai po jetonte ato çaste që vetëm i kishte ëndërruar. Ndjenjat nuk i frenoi dot. U sul mbi të si sulet skifteri mbi gjahun. E rrëmbeu në krahët e tij të fuqishëm dhe filloi ta puthte në gushë, në buzë, në ballë...
Fillimisht gruaja e kundërshtoi.
-Mos, mos Alket,- i thoshte duke u munduar që me duart e saj të shkëpuste duart e tij që e kishin pushtuar si darë.
E lëvizte kokën sa majtas dhe djathtas, dhe tundte këmbët në ajër, gjoja për tu shkëputur. Por ai e shtrëngonte fort e më fort. Ai në ato çaste s'mendonte më për asgjë. Ajo e kuptonte shumë mirë gjendjen e tij në këto çaste. Një gëzim i brendshëm ia përshkoi gjithë trupin. Ai e hodhi atë në krevatin dopio. Tashmë ajo krejt lakuriq ishte ndezur më shumë se ai. U përhumbën në krahët e njëri-tjetrit, u bënë një trup i vetëm, ashtu sikundër ëndërronin për muaj të tërë. Mbas asaj dite ata u lidhën më shumë...
Këto po sillnin të dy ndër mënd gjatë rrugës për në stacionin e autobusit. Atij i vinte plasja që kishte vonuar. I vinte ta hante me dhëmbë çelësin, që e kishte vonuar. Ajo gjithmonë kënaqej pa kufi kur e shikonte që ai mërzitej aq shumë për shkak të saj.
-Të prita se do të jap disa plaçka për të shitur,- i tha ajo duke i shkelur syrin e djathtë. Ke dy orë "Sejko" dhe tre palë rroba banjo grash. Orët nga 1600 lekë ndërsa ato nga 1300. Jemi dakord me pazarin?
Ai s’i ktheu përgjigje menjëherë. E kishte bërë zakon këtë, sa herë që ajo i jepte plaçka për të shitur.
-Dakord!- i tha pastaj por jo me atë vendosmërinë që e karakterizonte.
-Sikur nuk e the tamam?
-Por ja, sikur ka rënë pazari i atyre orëve.
-Shiten, shiten,-i tha ajo duke i rënë me bërryl në ijë. Dhe shiko, nesër Namiku shkon në një dasmë në Kavajë. Trillo ndonjë gënjeshtër për të marrë leje nga shtëpia. Ta festojmë siç duhet!
Ai buzëqeshi .. Edhe ajo gjithashtu. Kur hipën në autobus ajo i la pakon me plaçka në dorë dhe u ndanë në drejtime të kundërta të autobusit, sikur nuk i lidhte asgjë bashkë. Alketi kishte kohë që merrej me këtë punë. Ai i njihte të gjithë matrapazët dhe kontrabandistët e Tiranës. Por vetë nuk dilte hapur, si shumë prej tyre. Në muhabet me ta luante më shumë rolin e blerësit se sa të shitësit. Deri tani tregtia i kishte ecur mbarë. Plus sa i jepte Bardha, ai me zgjuarsinë e tij fitonte edhe diçka më tepër. Në hotel “Tirana” dhe tek pallati i Kulturës e njihnin të gjithë kamerierët si kavalier dhe të mbajtur. Por këto veprime ai i bënte me shumë fshehtësi dhe zgjuarsi. Ai nuk donte që të njolloste emrin e mirë të familjes. Prandaj kohët e fundit rezervohej nëpër klube dhe restorante, por kish filluar një të keqe më të madhe, bixhozin.
Për bixhozin kontrabandën dhe pijanecët diskutohej shpesh në shtëpinë e tyre. Kur binte fjala për ato, nëna zinte kokën me duar duke thënë: “Mos na mbiftë ndonjë i tillë në derë. Më mirë një sakat, se sa një i tillë”,- dhe përplaste duart përpara kraharorit. Në këto çaste Alketi sa s'çahej më dysh nga marazi. Mezi e përmbante veten. Skuqej i tëri në fytyrë dhe brenda vlonte. Në ato çaste përbetohej me veten se nuk do të merrej kurrë me gjëra të tilla. Por të nesërmen i harronte sa dilte nga pragu i derës. Mos vallë kishin dyshuar ata të shtëpisë që e hapnin kaq shpesh këtë muhabet?! Kjo pyetje kishte kohë që e brente për brenda. Por jo. Nuk i besohej. Në shtëpi, lagje ai sillej shumë korrekt. Në mëhallë ai nuk dukej fare dhe veç ato të pallatit mund ta njihnin për fytyrë. Dhe ata që e njihnin flisnin shumë mirë. Në shtëpi rrallë fliste dhe ruante vendin e vet që i takonte. Ndryshe nga vëllezërit, ai lexonte pak, për të mos thënë aspak. Por duke u lidhur me lloj lloj njerëzish të zanateve dhe moshave të ndryshme kishte fituar një fjalor të pasur dhe të rrjedhshëm. Ishte tepër praktik. Vetëm në dy gjëra e kishte shkelur. Atë ditë që u grind me brigadierin, për çështjen e pagesës dhe në marrëdhëniet me Bardhën, sikur kishte rënë në sy. Ai nuk duhej të fliste me atë gjuhë brigadierit. Aq sa punonte, ai ia kishte paguar deri me një. Ai s'mund të paguhej sa shokët e tjerë me kategori më të lartë, këtë e kishte të qartë për brigadierin e tij kishte respekt gjithë kombinati. I qetë, i dashur, i respektueshëm, punëtor, i pakorruptueshëm, njeri që s'njihte ryshfete, dhe tepër i drejtë.
Ai atë ditë ngeli i habitur nga shpërthimi i Alketit. Ç'do të thoshte ai shpërthim? Ku e kishte burimin? Sa herë shikonte brigadierin, Alketit i vinte në mendje ajo ngjarje. Pa shkak, fare pa shkak, ai i sulet dhe i kërkon para. “Maniak”, këtë nofkë i vuri vetes, por përsëri e zbuste gabimin, kur mendonte që mund të bënte punë të një kategorie më të lartë, që të merrte më shumë. “Por përsëri unë nuk duhet të veproja ashtu. Ajo është protestë, shpërthim i çastit”. Këto fjalë mund t'i thoshte një tjetër. “Po shokët pse më rrinë kaq ftohtë mbas asaj dite? Ç'farë kanë? Pse s'më shoqërojnë më si më parë Dritani me Erjonin? Hem! Ata të dy janë ziliqarë. Kjo mëri vjen për shkak të Bardhës. E kanë nuhatur! Por ata le të mbajnë mëri sa të duan. Unë nuk ua rrëmbeva Bardhën. Ajo këtu ishte. Le ta merrnin. Mos vallë është faji im që ajo u afrua me mua? Jo!” Por përsëri një diçka tjetër se linte të qetë. E shqetësonte dhe disa herë e bënte shumë nevrik. "Mos vallë Bardha u afrua me mua mbas asaj dite që u grinda me brigadierin " Mos vallë ajo pa tek unë atë dobësi që asaj i interesonte? Pse lidhja jonë filloi pikërisht mbas asaj dite? Mos vallë ajo mendon se unë për para mund të shesë gjithçka? Kjo është e vërtetë. Atëherë pse më vjen inat? Më duket se më peshoi shumë lehtë. Po s’e besoj. Ç'lidhje ka dashuria me vesin? Ne duhemi. Dhe mbase do të duheshim si tani n.q.s. ajo nuk do të ishte e kamur. Fakti është që unë e simpatizoja atë, e doja që në fillim, dhe përderisa ajo iu përgjigj ndjenjave të mia nuk duhet të ketë marrë parasysh të metat apo dobësitë e karakterit, por të mirat, sepse dashuria këtë presupozon. Në dashuri nuk duhet të ketë çështje interesash. Po ne? Kështu duhet të jetë dashuria e vërtetë? Kjo është e vërtetë. U afrova tek Bardha me shumë për paranë, bukuria ndjenjat për të janë të dytat. Pra dashuria ime është çështje interesi. Këtë duhet ta di vetëm unë. Shokët që dinë marrëdhëniet e mia me të nuk duhet të kuptojë që unë u lidha më shumë me të për paranë. Jo, jo. Në këtë drejtim, unë atyre nuk duhet tu lë asnjë shkas. Po Bardha, a e ka kuptuar vallë se nga ç'anë qëndron peshorja e marrëdhënieve të mia me të? A e ka kuptuar që krahu i parasë është më i rëndë, më i fortë, më i thellë se krahu i dashurisë?
Vallë, a do ta pranonte ajo një njeri të tillë për dashnor? Unë të isha në vend të saj nuk do ta pranoja. Në pozitat e saj, unë do të doja vetëm atë njeri që do të më donte si qenie, pa çështje interesash. Dhe ajo me zgjuarsinë që ka, besoj ka anuar nga dashuria ime.
Ai ishte i bindur që ishte goxha djalë. Dhe mbi të gjitha seksi me të i pëlqente. Ndonëse në shoqërinë që ato jetonin, kjo gjë lihej në heshtje, ai e pranonte që bukuria e saj e kishte torturuar për një kohë të gjatë, dhe ai ishte i lumtur kur e pushtonte me krahët e tij, dhe e bënte të lumtur. Pak i bënte se ajo ishte një grua e martuar! Por ndërsa dilte nga analiza e nxehtë e pasionit që mund të kishte ndaj një gruaje të tillë, e pushtonte një maraz i paparë...
“Po shoqëria ç'thotë për këto marrëdhënie? Po pse më shohin ftohtë kohët e fundit? Unë s'jam i vetmi që bëj një veprim të tillë. Fundi jam mashkull, dhe kam ndjenja. Në dashuri nuk ka përcaktime dhe detyrime. Unë mund të dashuroj një vajzë ashtu sikundër mund të dashuroj dhe një grua. Ndjenjat nuk kanë kufizime. Nuk është e moralshme? Është e dënueshme në shoqërinë tonë një veprim i tillë? E kuptoj. E ndjej. Por ja që karakteri im vë para pasionin, arsyen e lë të dytën. Ç'të bësh? Në jetë ngjasin të gjitha. Ngjasin edhe nga ato që janë të pashkruara dhe të padëgjuara. Pse të mos e shijoj dhe unë atë të panjohurën? Le të thonë ç'të duan. Unë një copë punëtor jam. Nuk prishet shoqëria nga në një copë tornitor, si unë”.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen