F A Q E T

Montag, 2. September 2013

Adem Gashi

Adem Gashi
Biobibliografia e shkrimtarit Adem Gashi

Lindur më 18. X. 1953 në Nekoc të Gllogocit.
Shkollimin fillor në Nekoc dhe Komoran.
Shkollën Normale në Prishtinë (1968 – 1973).
Studimet për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës(1978).
Studimet pasuniversitare (1980), ndërprerë për shkak të burgosjes, më 1982.
Më 1973 zë punë si arsimtar në shkollën e fshatit, në Nekoc.
Më 1977 deri më 1990 punësohet në Radiotelevizionin e Prishtinës.
Më 1996, bashkë me Enver Malokun, punon në redaksinë e revistës ORA, ku publikon një seri të eseistikës politike dhe të vështrimeve letrare.
Po më 1996 emërohet drejtor i televizionit në Tiranë, për programin satelitor, deri më 1999.
Më 1999 emërohet drejtor i Radiotelevizionit të Kosovës, duke e hapur atë për herë të parë në Kosovën e lirë.
Më 1999 zgjidhet nënkryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, deri më 2001.
Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, 2001 - 2005.
Më 2001 fiton bursën katërmujore të fondacionit gjerman “Heinrich Böll-Stiftung” me qëndrim në shtëpinë e nobelistit Bëll, në Langenbroich.
Më 2002 emërohet Këshilltar i lartë politik i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Më 2006 emërohet Drejtor i Zyrës për Komunikim në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, deri në pensionim (tetor 2018)
Publikimi i parë në revistën “Pionieri” (1966)
Ka botuar 22 libra (romane, eseistikë, tregime e poezi). 
Është nderuar me rreth 50 çmime letrare.
Tetë libra të tij janë lauruar me çmimet më të larta kombëtare (libra të vitit).
Në Panairin e librit, këtë vit, Prishtina 2018 është shpallur SHKRIMTAR I VITIT.
Është prezantuar në dhjeta antologji të lirikës shqipe.
Në gjuhë të huaja është prezantuar me cikle dhe panorama poetike në rumanisht, serbokroatisht,  gjermanisht dhe anglisht (Revista “Dalje” – Sarajevë,  1982; revista “Borec”, 8-9, Lubjanë 1990; “Am Erker”, Zeitschrift fur Literatur, Nr. 57, 2008;  “Albanische HEFTE” 1/2014; “THE ANGRY CLOUD”, (An Anthology of Albaian stories from Yugoslavia), përkthyes nga shqipja John Hodgson. Editor: Mensur Raifi, Rilindja, Prishtinë 1991; në antologjinë e lirikës shqipe në gjuhën turke: Në antologjinë e lirikës shqipe në gjuhën spanjolle e të tjera. 


Veprat

Poezi:
  • PA OMBRELLË, 1982
  • DUKE PUNUAR AUTOPORTRETIN, 1985
  • REALITETI OBJEKTIV*, 1990
  • ËNDRRA TË LIGA, 1995
  • DORËSHKRIM I DJEGUR, 2000
  • LULET E VETMUARA*, 2001/2002
  • LADY MAK(TH)BETH*, 2006
  • KTHIMI I PAMUNDUR, LADY  2013*
  • LABIRINTET E MAKTHT (LADY 3) 2015
  • S’I DUHET KUJT GJAKU IM  2016
  • SHI DHE ZOG I VETMUAR 2016
  • DITËT PA GJË  2017*
  • VIZATIMI I VETMISË NË LETRËN E BARDHË  2017
  • DRENUSHË E TREMBUR DIMRASH 2018*
  • E SHKRUEME PËR KRYESHPENDIN 2018


Tregime:
  • VDEKJA E MIXHËS, 1987
  • PËLLUMBI I PAQES, 1989
  • UDHËTIMI I FUNDIT*, 2002

Romane:
  • A...ZH - VETËTIMAT E NËNTORIT, 2005
  • DITA TJETËR E JETËS, 2013

Eseistikë:
  • NOSTALGJIA E LETRËS, 2003
  • PORTALI I FSHEHTË I JETËS
  • (Shënime nga shtëpia e Heinrich Bëll-it) 2007

* Veprat e shënuara (*) janë shpërblyer si librat më të mirë të vitit, me        
çmimin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Të Ministrisë së Kulturës, të Panairit të librit
(Fier 2014, Prishtinë 2017 dhe 2018, - Shkrimtar i vitit).



Poezi nga Adem Gashi



BALADË PËR SYTË

Patë gjërat që s’i kuptonit
nga fytyra e fëmijës
kur kërkonit shkallare të ngjiteshit qiellit

E patë sesi u vra zogu
sa pa marrë krahë fluturimi
dhe këmbët e hajthme të drenushës
që përthyheshin në dhëmbët e tigrit...


Patë e ç’nuk patë
dhe kur menduat se ia hodhët botës
u shfaq Ajo
Bukuria që ju vrau
e ditën jua bëri natë





ANATOMI SPIRITUALE

shkrirëse dhe e shkrirët
Ajo,
e s’është borë po zjarr
që vetëdigjet si unak

flakë dhe e ajërt pak
Grua, me gjurmën tatua
në një kujtim vrasës...

dhe ngjallës sakaq

me kostum vdekjeje
(ah, vdekje aq e dashur)
vjen si oazë në ditë etjeje
e përthith e ngjit
krejt si një puthje
buzëve të dhëndërisë

para këtij riti me drithërimë
një Burrë
s’është veçse masë e shkrirë:
tingull, erë e ngjyrë.





NISE NJË LAJMËS
(Këshillë askujt)

Nise një lajmës Udhës së Madhe
e thuaji ta bëjë kumt vdekjen totale
të botës së gjallë veç teje,
(në mos qoftë trajta e vetmisë)!

Udhës së Vogël nise një lajmës
e thuaji ta bëjë mandatë vdekjen tënde,...

pa të keqen e kujt
(një mos qoftë thjesht zhgënjimi yt)!

Sido që të jetë, një lajmës nise
e thuaji ta thotë të pathënën:
Ka jetë dhe vdekje doemos,
derisa ka Shpirt qenieje
që mban të pashuar Zjarrin e Dashurisë,
duke u bërë vetë përjetësisht Dritë.





PAMJA OBSKURE E LUFTËS

Kam parë sesi qiellit
binte shi gjaku së pari,
pastaj copa krahësh pëllumbi
e sqepa të verdhë zogjsh pa koka
e kristale kërdhokullash syri.

Ç’lodra neveritësi
për pafajësi fëmije!...


Një erë veriu pastaj
shpërndante pupla jastëkësh
me ëndrra të tretura livadheve të djegura.

Klithmën e fëmijës e kam dëgjuar më vonë:
Prit babi, të të mbuloj me trupin tim,
se mos të vrasin!

...e copa, copa, copa
xhamash të thyer të shpresave
ma shtronin rrugën drejt teje
mua këmbëzbathurit,
karikaturës së Marathonomakut.

Kam parë praninë e mungesë së Njeriut
në trajtën e Bëmës së tij të pabërë.





PREKAZI

Eshte nje katund i rendomte
Me zini bese
Te rendomta i ka stinet balten

Njerezit enderrojne njesoj
Ne gjysmegjumin e nates
Kur zene e kendojne gjelat e pare

I rendomte eshte misri gruri
Serialet dhe mbremjet e bluzit ne tv
Dhe drumolla e thare

Ju thashe
Nje katund krejt i rendomte eshte Prekazi
I tille ishte dhe i tille do te jete

Ju thashe...

O asgje s'ju thashe me zini bese
E parendomta aty shfaqet sakaq
E jashtezakonshmja ndodh vertete
Kur trazohen rrathet e ajrit





KA ARDHUR DIKUSH SONTE

Ftuar paftuar
dikush sonte ka ardhur në odën e padukshme,
padukshëm, paprekshëm si vetë mrekullia
gjezdis, trazon rrathët e ajrit
pikërisht si ëndrrat e mia.

S’e shoh, s’e prek e ndiej,
e ku preket paforma prej shpirti...

që ndrit sa njëqind diej
honeve, mistereve prej labirinti.

Me rëndësi: është, ka ardhur, këtu, tani
unë i jap ngeshëm formën, përmbajtjen që dua,
mjafton që rrëzëllen dashuri
qoftë flutur, bletë, pëllumbeshë
a Grua.





ULPIANA

ana e qiellt e Dheut
që na e zbulon vetëm gji'në
me të cilin mëkoi
me qumësht zogu stërgjyshërit
antikë

njërin sy në Vendenis
në Luboten tjetrin...

veneron kur shfaqet terri
të na ruaj
dritën e diellt
dhe gjinsin e Genit

shtatë pash nën dhe






PRIJËS I KARVANIT

Unë që s’qesh kurrë prijës
mora sonte detyrën e kryeparit

I vura në rresht për një pjesëtarët e karvanit:
Kujtimet e llastuara me marrëzi skajeve,
Brengat me barrë të madhe,
Mburrjen e kotë prej palaçoje,
(ndoshta qe vetëkënaqësi çasti!),...

Urrejtjen, Inatin krejt si një skenë në shfaqje,
Altruizmin që më tha se jam fëmijë i parritur,
Diturinë si bijë të nënë-përvojës
(në fakt kishte hise dhe baba-libri)...

Mos harrova gjë?
doemos, po me rëndësi që kërkimi
shkretëtirës me rërë pa busullën dhe hartën.

Ju sigurisht po prisni ta zbuloj oazën,
ç’është ajo fjalë, hiç?
kërkoja në Muralet tuaja, miq
në Kryefaqet
Dashurinë prej njeriu, paqen,
shenjtërinë universale.

Pa qenë nevoja për deklaratën “Eureka”
në vend të prijësit u ndjeva princ,
Thashë: E gjeta!

I zhgënjyer se mos bëra moral
lashë detyrën, domethënë dezertova
i vetëkënaqur me normën profane:
Skandal!





QYSH M’DEHU ERA E PRANVERTË

Ajkunshëm m’zuni çasti i lig
i prendimit të t’gjallit
e pashë qysh m’bishin fjalët e mishta
kofin mbas t’vjelni mbetë
sall asht qi lëshon tingull vaji
për njat pemë t’egër
qi u hutue kur e pa pranverën e pavaktë
n’krahnor t’çikës...

e muer kaluer harrimit

tue desht m’u shlirue kthetrash
t’pllumit qi u ba sorrë
e gjeta dashninë e fshehtë t’gjyshes
n’arkën me erë t’ftonit
ai i ligi çast m’u ba shekull
e ma muer shtagën e fëminisë
me mercedes t’hekurt e kambë gume
e gja mbas shpirti nuk m’la
veç mallit t’përvajmë Halilshëm.





MBURRJE

(Një vjershë shumë e mirë dhe shumë e rrallë)

Asht nis Deka me ardhë
n’takim me mue n’Amë
n’çastin e prushtë të dashnis s’Babës
me Nanën,
morti n’mitër, qysh kish me thanë
doktori

tevona asht largue
m’u argtue
me t’kjamen e t’qeshmen teme

tashti ka nis m’u afrue
te ledhet,
po i duhet me luftue
me dashnitë e mia gardiane
se ende nuk e kam krye për to
Kunorën e madhe

N’fund udhe
ka me nisë nga e para:
“Lis jeta kish nd’rrue” -
qysh kish me thanë De Rada




JERM

Çuen e ma mbathën kalin-at te nallban vëllami
me nallçe prej tunxhi,
E hingëllima e tij dridhi
shtatë bjeshkë, shtatë male e shtatë lugje,
E shpi me shpi katundin,
thue se po gzohej ma shumë se unë
i bekuemi,
se duhej me ma prue nusen mue:...

Ma t’mirën, ma t’bukrën zanë zanue.

E u nisën se kah nuk i pashë
ranë n’gjol, n’fushë t’hapun a n’udhë t’madhe
a teshen me nji rrashtë,
Për dhandrin puna e madhe asht veç me prit
çka ka me qit n’dritë
kthimi i t’largtës qi merret sall me mend.

Shtatë konaqe larg me shkue
I bie shtatë ditë e shtatë net
Bash sa një botë me marue
Pa ba hiç pushim.

E gjeta t’ftohtë akull trupin jetim
kur e ndjeva hingëllimën e një gërdalle,
e pashë se kish pas dalë prej përralle
kenja jeme me katërdhetë gradë temperaturë,
Çuen e ma prunë me veturë
një doktor me të bardha.

Dikur e ndjeva zanin tem e nuk e njofta
mbyt n’ujë t’ftoftë t’Drinit
ku ban rrnesë veç trofta
e thashë: kam m’i kallë tana kullat e vrrinit
sall për synin e Saj
qi m’ban me dekë e prapë m’ngjall.





JERM II

Ditë e diel më mëngjes
m’i bënë ftesë
Qiraxhisë së Grebenesë:
lërë karvanë, gatit pajtanë
se do marrim nusen – lule me vesë
me gërnetë e me tupanë.

Qiraxhiu me halle shumë...

shkund e tund dynjanë gjumërëndë,
se do sjell të bukurën fytyrëhënë.

Se kah bënë s’qeshë me nge s’i vura re
për Jemen, për Janinë a për More,
apo vanë ku s’u kthyen burrat tanë!

Nëntë ditë e nëntë net
si nëntë vjet
dheu fjalën nuk e tret

Po unë vetë u bëra gurë
pjekur e djegur në furrë,
zjarr brenda, zjarr jashtë
kur më trembi me borinë
që vinte hipur në makinë
gishtërinjholli heqimë.

Mentë e kokës ftohma m’i kish marrë
e s’qe erë as tramundanë,
Syri Kaltër më kish vënë magjinë
se kush më shihte mua të zinë
vdekur e ngjallur në blunë e tët si’në,
bandill që djeg dynjanë.





FJALË DHE FLUTUR

Këto fjalë (edhe të pashqiptuara)
kanë një adresë,
mjaft që u nisën, dikush do t'i presë.

Në mos gjë prej gjëje
kanë brenda dashuri pa çmim,
kaq mjaftojnë për njeriun që mban hapur
portën e miqësisë....


Fundja, gjithçka duket bukur
nëse midis vetëmisë e boshit
na shfaqet
qoftë edhe vetëm një flutur.






FJALË DHE FLUTUR II.

(Kundërlojë)

Fjalë, fjalë, fjalë
na u mbushën xhepat
se mos më vjen me to në tigan
një ngjalë!?

Fundja, një vetëmashtrim i zbutur...

sa për t'u dukur
i qetë si një flutur
në autodafe.

Gjithmonë,
pas natës që ikën
shfaqet një ditë e re.





FJALË DHE FLUTUR III.

(Fund)

M’u përbirua gishtërinjsh fjalë e pathënë
e ma la një pluhur argjendi,
zhvirgjërues pafajësie.

Puqur me mëkatin e djegës së saj
e pashë fluturën-grua...

që m’u bë ferr.

Pastaj i ra terri llambadhes
si perdja shfaqjes së Andromakës,
pastaj
dikush tundi e tund
litarët e kambanës
(ku të varem?)
Heshtje... dhe FUND.





NATA IME
 
(Ose: Njëra nga netët e mia)
 
Në Kodër të Diellit jam
rrethuar territ të mesnatës
seç merr vrull zemër-imi im
kur shoh distancën
mes lules plastike e lules që vyshket
nga shkëlqimi i vet.
 
Mund të jetë dhe vala me stërkala
ose zëri i Saj
përplasur shkëmbit të pafaj.
 
Jam në Kodër të Diellit
territ të dielltë kurthuar
me dashurinë e natës sime
ose: Të njërës nga netët e mia
që nuk e di
në më do a e dua më shumë.
 
Si u bëka krejt shurdhe
Prishtina!?





ZËRA TË HUAJ DHE ZËRI IM
(Tekno-poezi) 

ditënetëve të mia me zhurmë e heshtur
më vijnë zëra një filli e shkapetur
herë kërcënues e herë joshës
si t’i diktonte zoti i moçëm çifut Norah
të merrem me politikën, me çmim
ah!
si ta lë vargun jetim...

në gjirin e një gruaje që ka emrin dashuri
që midis flakëve mbin lule vetë,
për një koketë
zdërhallur zyrash, inventarësh
me vezullime të shpifura.

më vijnë zëra thashë
i marrtë orëliga!
ku ta shkarkoj mallin, ndjenjën pastaj,
drithërimën e një puthjeje shqeto
me volumin qindra Giga(Bajt)

zëra të huaj matanë
zëri im këtej
në xhamin midis
shoh shfaqjen e gruas hyjneshë
që në sy’në e saj lotin ma qëndis





TI...

dole krejt papritur
zhguallit tënd të mistershëm
si një goditje pas shpine
që të ndal frymë

një terr as ag as muzg
veshur me brymë
...

dhe more trajtë gruaje
floknajë që bën thurimë
para portës së shën pjetrit

ike a u fshehe
në dritë inkandeshente
krejt pa shpjegim

rretherrotull hapësirën boshe
koha së prapthi
e mbushi trishtim





SEFË MLEÇANI
(Interpretuesi virtuoz i Kangëve të Kreshnikëve)

Thonë: ka dekë...
Po unë s'e pashë as sa kje gjallë,
Ku me e pa
Ai kërkote bashkë me Mujin
Ajkunën e Halilin.
Thonë...
Po ai që nga vorret...

Sheh Budimin
Sheh Kotorret:
- A o kanë a s'o kanë
Mos me ken s'kishin thanë!

Nga libri "Duke punuar autoportretin" 1985

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen