F A Q E T

Mittwoch, 11. September 2013

Arbër Ahmetaj

Arbër Ahmetaj

Arbër Ahmetaj ka lindur në Tropojë në vitin 1965. I diplomuar në Farmaci nga Universiteti i Tiranës dhe i Gjenevës, ai që nga viti 1986 bashkëpunon me shtypin letrar (Zëri i Rinisë, Drita, Nëntori). Krahas studimeve në vitet 1991-1993 punon si redaktor në gazetat "Balli i Kombit”, "Kosova" e më pas, gazetarë në TVSH, Departamenti i Informacionit.
Në vitin 1993 i bashkohet stafit të MPJ-së. Ndërkohë specializohet për diplomaci në Oksford, Washington, Gjenevë dhe në Maltë. Pas postesh të ndryshme brenda MPJ-së në Tiranë, emërohet Sekretarë i Parë i Ambasadës shqiptare në Bukuresht. Në shtator të vitit 1997 jep dorëheqje dhe vendoset në Zvicër, ku ka bashkëpunuar me gazetën “Bota Sot”. Punon si farmacist në Sion, Zvicër.

Botimet
  1. "Flet hyrje për në varr” roman, “Dardania” Tiranë 1993
  2. “Shqipëria -trishtimi im” sprove, “Koha”, Tiranë 1999
  3. “Kështu foli Tahir Zemaj” (bashkautor Sefedin Krasniqi) “Mergimi ab”, Prishtinë 2000
  4. "Kështu foli Tahir Zemaj” (bashkauator S.K.) pjesa e dytë “Mergimi ab”, Prishtinë 2001
  5. “Riva H.” tregime, “Mergimi ab” Tiranë 2003
  6. “Rugova: Modeli i tij politik”, sprove, “Mergimi ab” Tiranë-Prishtinë 2006
  7. “Më mori malli e dashur”, poezi shqip-frëngjsiht “Mergimi ab” Tiranë 2010
  8. “Metafora e arratisur”, poezi, bashkautor “Mergimi ab” Tiranë
  9. “Dhjetor 90: Mbaj mend”, (bashkautor) Kujtime e refleksione Tiranë 2011
10. “Varri i Braktisur” roman, “Skanderbeg books” Tiranë 2011
11. "I huaji, ai kosovari", roman, Skanderbeg books, Tiranë 2013
12. "Një natë tek Luiza", roman, Skanderbeg books, Tiranë 2015

13. "69 gra", tregime, Skanderbeg books, Tiranë 2018

Në gjuhë të huaja:
14. “Le chameau dans la neige”. (bashkautor) tregime, Ed. “d’En Bas” Lozane 2007
15. “La ville des écrivains figés”. Roman, Ed. “Mon Petit Editeur”, Paris 2011
16. “Riva H.” tregime në rumanisht, Ed. “Privirea” Bukuresht 2011

Ka përkthyer:
17. "Dashuritë Gazmore" Milan Kundera përk. nga anglishtja “Koha” Tiranë 1999
18. "Majtas jo djathtas“; "Dr.Artan Fuga, përk.nga frëngjishtja “Ora” Tiranë 2002.



Anna Menem ose Alpenperle

Tregim nga Arbër Ahmetaj

Vajza me flokët e ndara më dysh u prezantua e para: Anna Menem. Shqiptimin e emrit ajo e shoqëroi me një lëvizje delikate të kokës që lëshoi përnjëherësh në ajrin e asaj buzëmbrëmej një parfum të rrallë. Qe data 28 shkurt, dita e fundit e muajit të dashurisë së maceve. Mbrëmja qe e butë, pavarësisht borës që zbrsite deri poshtë faqeve të thikta të maleve kërcënuese. Gjatë ditës një diell lojacak herë që shfaqur e herë që fshehur pas ca reshë të lehta. Ndodhesha mes atyre maleve për të marrë pjesë në një seminar mbi të rejat e fundit në fushën e trajtimit të dhimbjeve të kancerit. Gjatë gjith ditës prezantuesit e aftë kishin paraqitur me mjaft elokuencë zbulimet e fundit, molekulat e reja, systemet terapeutike e deri tek fotografi e skema operacionesh. Ndjehesha i lodhur prej tyre, madje me një shije të hidhur në gojë. Kur vajza tha emrin e saj, gjëja e parë që bëri truri im qe të rrokëzonte atë emër, të shihte se si sillej gjuha nëpër gojë duke e shqiptuar dhe nuk e di se pse më dha përshtypjen e një puthje : një hapje-anna, dy mbyllje-dy hapje m-e-n-e-m. Pastaj vura re se emri i saj mund të shqiptohej njëlloj nga të dy anët : anna menem-menem-anna. Shikova flokët e saj të ndara në mes dhe mendova për një simetri, një pajtueshmëri dhe harmoni të plotë në qenien e saj. Sapo shqiptova emrin tim filloi rrëmuja. Emri im me prejardhje ballkanike u duk sikur e prishi plotninë e asaj mbrëmje. Nëpër këmbët tona u sollën dy mace, por jo me lëvizjet e tyre të hijshme e përkëdhelëse, ato thuajse u përplasën tek këmbët tona. Ajo po përpiqej të shqiptonte saktësisht emrin tim dhe sa herë dështonte qeshte me një gurgullimë të zëshmë. Në faqe i krijoheshin gropëza të hijshme të cilat dukeshin sikur hidhnin valle nëpër fytyrën e saj rozë. Kërkonte falje dhe përpiqej prap. Qeshte prap: dikur ia arriti. Arbër! Vështirë ta mësosh, por po aq vështirë ta harrosh- më tha. I thash diçka për macet, për muajin shkurt, por ajo nuk e kishte mendjen ose nuk më kuptoi. Priste kalimin e kamarjerit për të porositur diçka. M’u duk sikur po bisedoja me një figurante filmi, nga ato që iu thonë të ngulen në banak, si sfond, nga ato që ua kronometrojnë edhe buzëqeshjen. Ndjeva në gojë shijen e hidhur kur po ngrija gotën. Ferrnet Branka tha ajo dhe qeshi! E hidhur është ajo pije. -pse nuk qesh? më pyeti befas. U përpoqa t’i shpjegoja se s’po më qeshej. Gabim tha ajo, veç qesh- Dont bring everybady down-mu kujtuan vargjet e këngës Don’t worry, be happy. E ngriti gotën me fund dhe qeshi? Nuk ishte ferrnet si i yti më tha, qe kampari dhe u mbyt prap së qeshuri. Floket e ndara më dysh dridheshin bashkë me kokën e saj të hijshme, gjithçka dukej sikur qeshte, sikur vallzonte. Një grup pushuesish me fëmijë të vegjël kaluan zhurmshëm afër nesh. Ajo i qerasi me buzëqeshje të gjithë. Për ta rifilluar bisedën e pyeta se ç’punë bënte. “Busineswomen” tha dhe u shkriu së qeshuri, thua se s’kishte gjë më qesharake se sa të ishe grua biznesi. Nuk e çova më gjatë, ndoshta ajo nuk donte të fliste për “bizneset e saj”. Po merresha me përvëlimën që më shkaktoi ferrneti. Valët e ngrohta po më ngriheshin nga fundi i stomakut thua se s’kisha pirë një lëng të zi e të ftohtë, por një gotë me rreze përvëluese dielli. “Po ti?” me pyeti befas. “Farmacist”- i thashë.  “Oh-bëri ajo-prandaj je kaq i pastër, thuajse steril…!”. Këmisha ime e bardhë shkëlqente verbueshëm nën dritën blu të neonëve të restorantit. U përpoqa ta kufizoja domethënien e fjalëve të saj thjesht tek pamja ime e jashtme. Buzëqesha lehtë. “qesh më shumë më tha-puna jote nuk është aq e lehtë, klientët tu, në rradhë të parë janë pacientë, janë njerëz të sëmurë. S’duhet të jetë e lehtë të qeshësh në profesionin tënd. Po pse ke ardhur këtu?”.
“Një konferencë ndërkombëtare mbi metodat e reja të trajtimit të kancerit”. Befas ajo u mvrejt. Një dridhje gati e padukshme përshkoi fytyrën e saj si një rrymë e ftohtë ajri. Thua se kampari që kishte pirë pak më parë të qe një gotë e mbushur me hej akulli dhe jo me atë pije lozonjare me ngjyrë të kuqe në rozë. Dalëngfadale salla e restorantit po mbushej me klientët e hotelit spa. Mes tyre filluan të vinin edhe mjaft nga seminaristët e kancerit. “Do të hash me ata apo me mua?” pyeti ajo gati në formë ftese. “Me ty-ia ktheva shpejt- nuk kam ndërmend të ripërtyp në darkë, ato që u thanë sot”. Ajo qeshi. U duk se çasti i pasigurisë, përshkruar nga ajo dridhje e lehtë e mëparshme kishte kaluar. U ulëm në një tavolinë me dy vende dhe porositëm një shishe verë të bardhë “Heidi” që e përkthyer në gjuhën moderne qe Pagan. Rrushi prej të cilit bëhej, një savignon e bardhë, rritej nja 1200 metra mbi nivel të detit. Dikur ajo qe një verë egër, gërruese, por me kalimin e viteve vreshtarët kishin përpunuar një specialitet të rrallë, një verë me shije shumë speciale. Tavolina e drunjtë dhe karriget e rënda e të gdhendura në dru masiv bënin kontrast me mbulesat bor të bardha e të qendisur ame lule bore të vogla. Kamarjerja, një grua rreth të pesëdhjetave fliste frëngjisht me një theks të rëndë të gjermanofonëve dhe qe e veshur siç visheshin malësoret e asaj ane, në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Ngjyra e kuqe, e verdha, jeshilja lodrononin e përdridheshin në një fushë të gjerë të zezë të rrobave të saj. Në atë luginë të thellë mes maleve, ku buronte Rhona shumica e gjërave ishin ruajtur si dikur. Madje edhe hoteli modern i ndërtuar në një gungë të malit mes dy përrojeve që derdheshin zhurmshëm në Rhonë, i ngjante një shtëpie të vjetër valezane, gjysma me gurë e gjysma me dru. Brenda kësaj pamje të jashtme thuajse arkaike, fshiheshin komoditete nga më modernet, kryesorja, një pishinë me ujë të kripur, nga kripa e një deti alpin, të shtjerrur para miliona vjetësh. Kur po mbaronim darkën kamarjerja na pyeti nëse donim edhe diçka tjetër: “Peshk nga ai deti i zhdukur para miliona vjetësh” tha Anna dhe e qeshura jonë notoi zhurmshëm mbi sallën e restorantit. Sytë e disa plakave u ngulën mbi shpinat tona në ikje.
Jashtë një erë e ngrohtë kish mundur të përvidhej grykës së Rhonës dhe qe ngjitur deri afër restorantit. Pranvera nuk është larg-thamë të dy pothuajse me të njëjtën gojë. Qeshëm edhe një herë me zhurmë. Morëm ashensorin deri në katin e dytë dhe kur unë po i tregoja derën e dhomës sime ajo qeshi prap me të madhe. Në mes të të qeshurave tha: e imja ndodhet përballë. I uruam njëri-tjetrit natën e mirë dhe mbyllëm pas vetes dyert e rënda të dhomave tona.

***
Të nesërmën filluam ditën e dytë të seminarit. Nëpër diapozitivat e komplikuar përshkruhej sëmundja fatale. Mekanizmi i proliferimit, mundësitë e ndërhyrjeve farmakologjike. Tipet e ndryshme dhe graviteti i tyre, metodat e diagnostikimit, të prandalimit, të trajtimit! Mendja më rrinte tek ajo. Ajo grua ishte absolutisht e kundërta e kancerit, ajo ishte jeta vet, e përsosur, plot gaz, plot harmoni e simetri- rreth të tridhjetë e pestave, ajo kishte ruajtur linjat dhe tiparet e një njëzet vjeçarje, freskinë e lëkurës dhe pafajësinë e buzëqeshjes. Mbrëmja e kaluar kish hyrë befas në jetën time si një rreze drite nën një çati të pandriçuar. Kish gjetur aty stereotipe, rrangulla të vjetra, kuti të pahapura emocionesh e sendesh të paluara prej vitesh. Erë ftonjësh, formaline e sapuni erëmirë, si nëpër arkat e plakave të Ballkanit. Katërdhjetë e pesë vjeç kisha filluar të paketoj për në përjetësi ndjesi të paharxhuara, madje të paprekura kurrë, qesh dhënë me mish e me shpirt pas profesionit tim, pas rritjes së fëmijëve dhe përkëdheljes së dashurisë sime të parë e të vetme. Bota rrotull meje sillej indiferente, si sferë zhive e thërrmueshme dhe e paprekshme. Ajo grua kish përshkuar me fuqinë e buzëqeshjes së saj atë që më dukej e papërshkueshme, e pacënueshme kish nxjerrë në dritë ato faqe të prizmit të shpirtit tim që deri atëherë nuk kishin parë kurrë diell me sy: plogështinë që të sjell vetmbyllja, indiferencën që ta imponon rrespektimi besnik i një kodi të pashkruar sjelljeje. Vetja ime qe treguar e pandjeshme ndaj shpërthimeve buçitëse të emocioneve të çastit, i kisha neglizhuar ato, i kisha injoruar per hirë të një synimi të fiksuar: të bëja diçka dhe të isha dikushi në jetë. Kisha harruar se një gjë e tillë qe arritur para 15 vjetësh, që nga ajo kohë s’kisha caktuar tjetër objektiv, thjesht kujdesesha si roje e ledheve të Hamletit të ruaja kështjellën e ngritur, duke harruar se kështjella ime po brehej nga rrënjët, jo nga bedenat, se rënia e saj s’do të ishte aspak heroike. Në mesditë drekuam me kolegët farmacistë, mjekë e farmakologjistë të universiteteve më të shquara europiane. Të gjith dukeshin mirë me shëndet. Të veshur me rrobat më të hijshme të shitoreve më me emër në fushën e modës. Kishin bërë studime dhe vazhdonin të studionin në fushën më të komplikuar të dijes njerzore: trupin e njeriut. Ata dinin gjithçka për anatominë, fiziologjinë, biokiminë, patologjitë e organizmit njerzor. Ata ishin pjesa gri e trurit njerzor, përpiqeshin për shpëtimin e jetës së njeriut, kësaj dhurate delikate, të kufizuar në kohë, të papërsëritshme, gjeniale. Prania ime mes tyre, befas m’u duk e huaj. Gruaja me emër simetrik dhe me qeshje të lirë m’u duk shumë më e afërt. Ajo qe një grua. Kjo i mjaftonte. Dukej sikur s’kishte më nëvojë për asgjë. Aq më pak për këmishën apo trupin time të bardhë, sterile!
***
Në mbrëmje restoranti i vogël kish ndërruar vendosjen e tavolinave. I zoti kish vendosur të na bënte një surprizë. Donte të vinte së bashku nëpër tavolina seminaristët bashkë me klientët e hotelit SPA. Ideja qe përkrahur nga të gjithë, aq më tepër që pronari kish propozuar aperitivin falas dhe jo një aperitiv do si do, por me shampanjë dhe ton roze nga deti i Norvegjisë. Në Zvicer njerëzit janë të çuditshëm, nuk janë si tek ne. Imagjinoni sikur t’u thotë dikush mjekëve më të shquar të Tiranës, Beogradit apo Athinës të hanë darkë së bashku me “pacientët” e një qendre kurimi termal? Miqtë e mi ballkanas e imagjinojnë menjëherë shtrembërimin e buzëve, refuzimin, indinjimin e shkenctarëve, bluzave të bardha, farmacistëve. Me kë duan t’i barazojnë ata, me pleq e plaka që vuajnë nga reumatizmi, që kanë problem të përdornin lugën, thikën e pirunin? Me ata që iu derdhet vera nga gota prej dridhjeve të parkinsonit edhe po të jetë e mbushur përgjysmë? Me shumë prej tyre që kanë probleme të prostatës dhe të vezikulës urinare? E pa imagjinueshme një darkë e tillë. Por ajo që duket aq e paarritshme, gati fyese për shkenctarët e asaj lagjie të botës nga vi edhe unë, është jo thjesht e pranueshme, por frymëzuese për kolegët e mi zviceran e europian. Darka filloi në mënyrë të zhurmshme, pa protokoll, njerëzit përpiqeshin të uleshin aty ku iu dukej më e përshtatshme, më afër këtij apo atij doktori, kësaj zonje apo atij zotërie. Nga i njëjti hall vuaja edhe unë. Doja të ulesha me çdo kusht pranë Annës. Imazhi i saj kish notuar në mendimet e mia gjatë gjithë ditës, mezi prisja rastin që ajo të shfaqej, të më afrohej dhe të uleshim diku, ku do të mund të gjenim dy vende të lira njëri pranë tjetrit. Minutat po kalonin dhe “aperitivi” që zgjati më shumë se një gjysmë ore po i afrohej fundit. Pronari i lokalit shetiste me shishen e shampanjës në dorë, kur befas Anna bashkë me buzëqeshjen e saj hapën derën. Pronari u kthye drejt saj dhe duke i ofruar një gotë hodhi gjithë shampanjën që kish mbetur të shoqëruar me fjalët ledhatuese: Pikën e fundit të dashurisë-goutte d’amour-po ia hedhim zonjës Anna Mennem. Ajo ia kishte arritur qëllimit me vonësen e saj, e kish vënë vetveten në qendër të vëmendjes. Zhurmat në sallë u fashitën ngadalë. Ajo shkëmbeu një puthje me pronarin e restorantit me mustaqe të gjata sa një një bri dhie dhe gjithë gaz u kthye nga të pranishmit: Cheers to everybody! Duke e ngritur dorën lart një rreze dritë përshkoi gotën e saj të kristaltë, përmes bulëzave eksituese të shampanjës iu ndal në bebëzat e syrit që shpërthyen në dritë dhe në gaz. Të pranishmit ia kthyen në kor Cheers! Mundësia për tu ulur pranë saj m’u duk një mijë vjet dritë larg. Pas kësaj përshëndetje diellore, ajo përshkoi sallën duke u përshëndetur me njerëz, thua se i njihte prej vitesh dhe m’u afrua: “Si të shkoi dita sot farmacisti im?”. “I vetmuar mes njerzish-trishtuese apo jo?”. “Gabim-tha ajo-qesh”. Mu duk si një urdhër që më duhej ta zbatoja me shpejtësi dhe korrektësi. Don’t bring everybody down-mu rikujtuan vargjet e këngës Don’t worry, be happy. Kamarjerët e shumtë kishin filluar sherbimin dhe vëmendja e njerëzve qe larguar prej nesh. Ajo gjeti një vend të lirë dhe u ul. Tre karrige më tutje, por në rradhën përballë, qe edhe një vend i lirë. Ajo ma tregoi me gisht dhe unë nxitova ta zija. Darka kishte filluar. Të pranishmit shkëmbenin biseda, batuta, grimca humori, buzëqeshje, shikime. Pas pak një farmakolog gjerman mbajti një fjalim të shkrutër në thelb të të cilit qëndronte efikasiteti terapeutik i buzëqeshjes në një mori sëmundjesh. Ai përmendi edhe terma shkencorë si “la liberation en grand quantite des endorphines” modulimi i përgjigjes cerebrale si shkak i ngopjes me aminat etj. Ajo që kuptuan njerëzit nga profesori gjerman qe se një prej shkaqeve të mplakjes së shpejt tek popujt gjermanik dhe të veriut qe edhe përdorimi “racional, pothuajse kartezian i qeshjes”. Kjo shkaktoi të qeshura në sallë. Pastaj biseda rrodhi në grupe të vogla, kokë më kokë, ose brenda një tavoline mes katër pesë personash. Në tavolinën tonë po flitej për letërsi. Dikush kishte folur për Asturiasin, pastaj Markezin-unë shtova diçka për Kortasarin. Anna e kaloi bisedën tek letërsia braziliane dhe pyeti nëse e njihnim Paolo Coelhion. Sigurisht që të gjith e njihnim autorin famshëm të “Alkimistit”! Mënyra se si fliste ajo tërhoqi vëmendjen edhe të tavolinave tjera. Njerëzit filluan të flisnin për cilësitë e veprës së Coelhios, për libra të veçantë të tij, kur Anna papritmas ngriti zërin dhe pyeti pothuajse të gjith sallën nëse e kishim lexuar romanin e tij “11 minuta”. Pas një gumëzhitje dhe kërkimi të vogël doli se, për befasinë e të gjithëve, askush nuk e kishte lexuar. Një kimioterapeut francez tha se kishte lexuar një artikull rreth tij, nga i cili mbante mend vetëm një frazë: “11 minuta” është romani më pak katolik i Coelhios. Romanin nuk e kam lexuar tha ai, kështu që s’mund ta gjykoj prej atij artikulli. Të tjerët rrudhën supet. U mendua se koha që iu kushtua një romani të palexuar qe e mjaftueshme. Të pranishmit po përgatiteshin të hynin në biseda të tjera kur: “Unë jam presonazhi kryesor i atij romani!” tha Anna duke qeshur si një sfidues e vërtetë. Të pranishmit u duk se nuk i kushtuan shumë vëmendje kësaj fraze që e mbylli darkën me një notë mistifikuese. Tërheqja letrare po zbehej duke i lëshur vend komplimenteve për darkën, cilësinë e verës dhe të atmosferës së këndshme.
Rryma e ngrohtë e ajrit kish arritur të ngjitej edhe më lart. Dita kish qenë e ngrohtë. Toka lëshonte avuj e aroma barishtesh të njoma. Aty këto ndjehej edhe era e manushaqeve të para, të sapoçelura. Anna ecte krah meje në atë që quhej shetitja e mbrëmjes. Edhe pse po pinte cigare, era e parfumit të saj arrinte të depertonte herë pas here në flegrat e hundës sime. Më pëlqeu ai parfum. Ajo shkeli mbi një gurë dhe desh u rrëzuar. U mbështet në krahun tim të cilin nuk e lëshoi për disa sekonda. “Ndjehem shumë mirë këtu pranë teje!”-tha ajo.  “Edhe unë!”- i thashe duke i hedhur krahun tim supeve.

***

Të nesërmen u zgjova herët. Qe dita e fundit e seminarit tonë që do të fillonte në orën 10. Që në orën tetë mora një kabinë teleferike dhe zbrita deri në fshatin më të parë. Pranë kishës dhe stacionit të trenit, ndodhej një librari e vogël. Gruaja e imët që shiste libra, cigare, revista e gazeta pa më thënë mirëmëngjes, më pyeti: “Edhe ju për romanin e Coelios “11 minuta”? I kam shitur të gjitha kopjet sot. Nesër më vijnë të tjera”. “Mirëmëngjes zonjë-i thashë duke bërë sikur s’kisha kuptuar asgjë, -desha gazetën “Le temps” të lutem”. Ajo më zgjati edicionin e ditës së djelë që kishte një shtesë letrare, duke më vërejtur si me habi. Paguajta dhe dola. Arrita në kohë në kurs, pjesmarrësit po ndiqnin përmbledhjjen e punimeve të ditëve të mëparshme. Dukeshin pak të interesuar. Dita e tretë qe planifikuar më tepër si shlodhje. Pasdite do të bënim një shetitje në akullnajën Aletsche….! Anna më kish premtuar se do të vinte me ne. Atë ditë ajo nuk do ta kalonte në pishinën me ujë të kripur nga kripa e detit të lashtë, të shtjerrur para miliona vjetësh. Në orën 12 morem autobusin për të zbritur tek teleferiku që do të na dërgonte në majë të malit, aty do të hanim drekë nëpër restorantet e bollshme  për të ndjekur pastaj sipas qejfit drejtimin tonë. Na kishin pajisur me harta, me flet-palosje thua se do të zbrisnim në një toke të braktisur nga njeriu. Me Annën u takova në stacionin e teleferikëve. Bëra një përpjekje të dështuar për të qenë vetëm në një kabinë me të. Jo, një grup i zhurmshëm skiatorësh u ngjitën me ne duke na zënë frymën. Për fatin tonë në stacionin e parë ata zbritën. Në pjesën e dytë të ngjitjes qemë vetëm. Ajo me faqet e trëndafilta dhe buzët e kuqe, unë me druajtjen time akademike dhe këmishen e bardhë. Ajo e veshur me rroba sportive të përshtatshme për lartësinë ku do të ngjiteshim, unë me rroba seminari, kostum, kravatë, këpucë të holla qyteti. Ajo qeshi me rrobat e mia. “Ku po shkon- më tha-ka borë dhe shkëmbinj atje lart. Edhe qiell, por t’i nuk do të fluturosh, ti nuk je zog i lirë”. E shikova drejt në sy. M’u duk se përmes syve të saj dhe xhamit të tejdukshëm të kabinës që varej qindra metra mbi një hon, pashë gjithë të ardhmen time. Ashtu të rrezikshme, mbi një humnerë të akullt-sterile si këmisha dhe të bardhë si debora atje thellë në atë grykë përroi. Një lëngëzim i papritur i syve ma turbulloi pamjen e mrekullushme që kisha përpara. Anna siç duket e kuptoi këtë imtë dobësie që më përshkoi dhe zgjati dorën drejt faqeve të mia duke fshirë me gishtat e mëdhenj lëngështimin syve të mi. “Ke sy të bukur, si të një kali të humbur në mjegull-më tha dhe afroi buzët e saj për një sekondë mbi të miat. U tërhoq shpejt dhe më tha se ne nuk njiheshim, nuk ia dinim jetën njëri tjetrit. Kjo tërheqje që kemi është produkt i pranverës, është rastësore, kalimtare si këto pamje që rrëshqasin posht nesh. Ajo kishte të drejtë. Qemë të huaj për njëri-tjetrin. I thash se ndjehesha mirë pranë saj, ajo më kujtoi se kish qenë e para që e kish thënë një gjë të tillë. Po ndjeja mbi buzë pjalmin e puthjes që më kish dhuruar, kisha një tundim marramendës për të kaluar gjuhën mbi buzët e mia të puthura prej saj. Më vinte zor, një lloj turpi fëminor që nuk e kisha provuar vetëm herët, thellë në fëmijërinë time të parë, atëherë kur pas një shkëmbi të lagur, duke ruajtur dhitë me Xhemilen, ajo më kish puthur në faqe, më kish puthur fort në faqe. Kisha kaluar gjithë mbrëmjen para pasqyrës me shpresë se gjeja konturet e buzëve të saj mbi faqen time roze e topolake, fëminore. Kisha shikuar edhe të nesërmen në mëngjes, asgjë, asnjë gjurmë, aq sa len peshku në ujë, aq sa len gjarpri mbi gurë. Asnjë shenjë e puthjes që qe tretur thellë në shpirtin tim, për të mos u harruar kurrë e për të dalë nga ato thellësi, këtu në Zvicër, pas 35 vjetësh. Xhemilja një vit më vonë qe martuar, për të humbur nga sytë dhe jeta ime. Anna po e ndiqte përhumbjen time. “Nuk e prisja të ishit kaq i brishtë, atje në mbrëmje dukeshit më solid, më i pathyeshëm. Ndoshta ngaqë jemi shumë afër njërit-tjetrit, ngaqë shoh rrudhat e imta dhe thinjat tua. Edhe ti duhet të kesh vërejtur se nuk jam aq e përsosur sa dukem prej larg, kam edhe unë rënien time të brendshme, lodhjen e moshës dhe…, -ajo ndali një sekondë- që hetohet vetëm po të jesh kaq afer sa je ti. Por unë jam e kujdesshme, ka vite që nuk lë asnjë burrë të më afrohet, që kur burri im më braktisi-pikërisht atëherë kur kisha më shumë nevojë për të”. Ajo po tregohej e brishtë po aq sa unë, po zbulonte nga jeta e saj pa e pyetur kush, ndoshta me shpresë se do të më nxiste të flisja edhe unë. Kabina teleferike bëri një frenim të beftë dhe ne u gjendëm në ndalimin e parafundit. Kolegët e mi që ndodheshin në kabinat e vogla që ndiqnin varg njëra tjetrën, vazhduan udhëtimin. Anna më këshilloi se me atë veshje që kisha, stacioni tjetër në majë të malit ishte fort i pakëshillueshëm. Vërtet, edhe aty ku ishim po frynte një erë e ngrirë që të priste si me brisk. Pas nja njëqind metrash ndaluam në një mini hotel të quajtur “Alpenperle”. I ndërtuar me drunj të pjekur në vaj të djegur, ndërtesa dukej e errët dhe e vjetër, por në të gjitha dritaret e saj vareshin lule plot ngjyra thua ishte fundi i prillit dhe jo fundi i shkurtit. Dhomat në katin e dytë e të tretë kishin dritare me kapakë të ngjyrosur në të kuqe, që i jepnin hotelit pamjen e një lodre gjigande mbi borë. “Këtu do hame drekë!”- tha ajo dhe ashtu u bë. Dreka zgjati tre orë. Në orën katër morëm një dhomë me oxhak në katin e fundit të hotelit. U ulëm të dy përballë zjarrit me nga një gotë verë në dorë. Drutë kërcisnin në oxhak duke lëshuar një flakë që ndërronte ngjyrë dhe formë me një shpjetësi të madhe. Mbi fytyrën e saj vallzonin hije e dritë njëherësh. U duk se diçka a brendshme, një mendim që ajo s’mund ta shprehte e bëri të mendohej, të dukej e trishtë, por shpejt, ashtu si flakët ndërronin ngjyrë dhe formë, edhe pamja në fytyrën e saj ndryshoi. Ajo qeshi, qeshi me zë. M’u duk e pavend ta pyesaj se për çfar kishte qeshur. Isha i sigurtë se ajo do të më thoshte edhe mua të qeshja, pa asnjë arsye. Ashtu siç ndoshta bënte edhe vet. Njeriu duket më i bukur kur qesh! “Don’t bring everybody down” më erdhën prap ndërmend vargjet e këngës “Don’t worry be happy”. Qesha edhe unë. Kësaj here pa urdhrin e saj. Ajo lëvizi në drejtimin tim dhe mbështeti kokën mbi gjurin tim. I vura dorën me delikatesë mbi faqe dhe fillova ta përkëdhelja. M’u duk si një mace e imtë, përkëdheljet e mia ia rrënqethën trupin. Ajo përfitoi nga kalimi i gishtave të dorës sime afër buzëve të saj dhe i puthi ata. Unë përkula kokën dhe e putha në sy. Ajo vuri gotën mbi tavolinë dhe hoqi një triko të trashë. Ashtu ajo dukej më bukur, linjat e trupit të saj dalloheshin lehtë, gjoksi i harkuar bukur! U ul në prehrin tim dhe mi hodhi duart rreth qafës. Paspak, ne i braktisëm rrobat tona njëra pas tjetrës dhe bëmë dashuri me një pasion shumë të thellë, aty para zjarrit në atë dhomë të hotelit “Alpenperle”. Pastaj morëm prap gotat dhe po rrinim ashtu para zjarrit. Unë po shqiptoja emrin e saj ngadalë, duke e rrokëzuar si tek fillimi i romanit Lo-li-ta. “Anna Menem-emër i rrallë, i ëmbël, simetrik, i përsosur si trupi yt”. Ajo qeshi dhe u kthye drejt meje: “trupi im nuk është simetrik”-tha duke ngritur lart gjinjtë e saj. Për habinë time të thellë njëri gji i saj ishte më i vogël se tjetri. U zura keq, fjalët e mia për simetrinë m’u dukën të panevojshme, karteziane, gjeometri mbi një trup femëror. Ajo kishte arsye të qeshte me budallallekun tim. Ndoshta për atë shkak kishte qeshur. Si për ti kërkuar falje gjirit pak më të vogël u derdha mbi të dhe e mbusha me puthje. Ajo më pëshpëriti në vesh-puthe tjetrin, se në atë s’ndjej asgjë-ai është thjeshtë një protezë e mbuluar me lekurën time. Gjirin e kam hequr para disa vitesh dhe ti e emerr me mend sepse. Aq më tepër pas këtij kursi tre ditor! Ajo nuk e përmendi fjalen fatale. Dhe mirë bëri. Me një operacion dhe me buzëqeshjen e saj ajo e kish mundur sëmundjen e ligë, e kish lënë atë pas. Gjatë asaj natë unë i trajtova me të njëjtin respekt gjinjtë e saj, gjithçka të sajën-sidomos të qeshurën. U ndamë kur dolëm nga kabina e teleferikut, pa i dhënë njëri-tjetrit as numër, as adresë. Ky qe vullneti i saj. Romanin “11 minuta” të Paolo Coelhios me keqardhje por nuk do ta lexoj kurrë.

Burimi:
       Biografia e autorit nga association-albania.com
       Tregimi nga gazeta-nacional.com

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen